Ilmi S. Qazimi: “Kur të zë rrota bishtin …”

Ishim tre: gjyshi, nipi dhe babai i nipit. Mbas një lëvizjeje rreth njëzet metro me këmbë, na duhej të merrnim një autobus urban të një prej dhjetra linjave që ka Toronto, për të shkuar në Finç, stacioni i metrosë ku do të hipnim për të shkuar në një park fëmijësh të parapëlqyer nga nipi. Erdhi autobusi, por dhëndrri tha:”paska shumë njerëz”. Pritëm tjetrin. Edhe ai ashtu ndaj vendosëm të mos humbisnim kohë dhe hipëm, duke qëndruar në këmbë. Kishte mjaft pasagjerë “nga e tërë bota”, sepse e tillë është Kanadaja; i vetmi shtet në glob që është ndërtuar e zhvilluar me emigrantë nga të gjithë kombet e rruzullit. Hymë dhe, për shkak të moshës mundëm që të gjenim dy vende: nipi dhe gjyshi. Pas nesh hyjnë pleq, gra, burra, djem, vajza dhe gra me karroca  me fëmijë. Njëra,dukej se ishte indiane. Zuri vend ters me karrocën e saj dhe po pengonte kalimin e një tjetre grua me karrocë dore, që ishte kineze, por në të kish futur veshje dhe plaçkurina të tjera. Fëmijën ia mbante në krahë një gjyshe fytyrëfishkur, së cilës dikush i liroi ndenjësen.Të dy karrocështytëset ishin nuse të reja, por si gjithkund këtu, të veshura shumë thjeshtë. Ajo e para shty e tjetra tërhiq nga vetja karrocën, por udhëkalimi midis ndenjësve në autobus urban, të cilët janë thuajse të njëjtë me ata të Tiranës, është i gjerë sa për një karrocë. Njëra shty e tërhiq e tjetra tërhiq me të shtyrë. Kalimi i udhëtarëve po bëhej i pamundur. Ata po ngjisheshin me njëri-tjetrin. Shoferja, një grua e bëshme zezake, duke vënë buzën në gaz, po e mbante autobusin më gjatë në stacion vetëm për këtë arsye. Babai i nipit tim, thuajse pranë dy grave me karroca, e gjeti të udhës që të ndihmonte për të “çkokolepsur situatën” dhe shkoi e kapi karrocën e prapme duke e tërhequr me forcë burri pak para djathtas nga vetja, ku ishte edhe vendi më i lirshëm. Gratë, të dyja, madje edhe gjyshja kineze miratuan gjestin e tij me një “Thank You” paradhënie. Mirëpo në momentin që ai e kapi me forcë karrocën dhe mundi ta nxjerrë në vendin e duhur, vuri re se asaj i mungonte një rrotë! Hej, pikë e zezë! Fjala “rrotë”, e cila përfaqëson një nga zbulimet më të mëdha të shkencës dhe të historisë së njerëzimit, shkakton të qeshura pa bërë gjë e jo më kur humbet rrota… se doli nga boshti!? Mirë që u nxor karroca nga ngushtica, por tani nuk mund të qëndronte “në këmbë drejt” se i mungonte rrota e pasme e anës së majtë. Rrota, me ‘intuitën e saj rrotulluese’, pa bërë zhurmë, kish nisur udhën për te dera e autobusit! Se si e gjeti këtë udhë, e di ajo si rrotë që është. Duhej bërë diçka që të mos ‘fluturonte’ jashtë në rrugën me katër korsi. Për fat, një pasagjer, që rrota e kish cikur në këmbë, paksa i trembur, e ndaloi sakaq atë dhe me që nuk e kishte pasur mendjen tek gjendja konkrete e “jetës në autobus” bërtiti:” E kujt është kjo?”pa ia thënë emrin, por duke e ngritur lart me krahun e tij të gjatë afër tavanit të autobusit. Dikush qeshi,një tjetër buzagazi, ndonjëri foli pa zë e me gjeste. Gjallëri e lëvizje mimikash gjithkund. Mirëbërësi ynë, që tashmë i” kish zënë rrota bishtin”, zgjati krahun, pa folur, e kapi rrotën ‘rebele’me njërën dorë dhe, i përkulur duke zënë vend sa për dy njerëz, po mundohej që ta fuste në boshtin e saj të hollë. Ishte thuajse e pamundur, sepse boshti mezi dukej ngase ishin këmbët e njerëzve që pengonin dhe krijonin një lloj pamundësie për ndriçim të nevojshëm. Ndërkohë vështirësitë shtoheshin se edhe autobusi kish nisur lëvizjen mbi rrotat e veta…Mbas shumë përpjekjeve plot durim, dikur ai e ngjeshi me dorë rrotën në boshtin e vet, por s’kaloi sekonda dhe rrota doli përsëri nga boshti… Atëkohë, ai i nevrikosur , me siguri gjithë djersë e mllef, ndonëse nuk ia shihnim dot fytyrën, e ngjeshi rrotën me forcën e njërës këmbe të tij në boshtin e saj të hekurt aq sa u trondit edhe zonja e re qejfpaprishur që mbante karrocën. Ajo, kinzeja imcake sybajame herë pas here hapte gojën e pabuzë dhe nxirrte dhëmbët e saj të veckël e të rregullt që të kujtonin radhët në kallirin e misrit, duke shprehur edhe gëzim edhe trishtim. Kurse gruaja indiane, shtathollë si selvi, qeshte nën hundë me ngadalë, me buzët e saj të zeshkëta si gjethe frashëri në vjeshtë. Nipi dhe unë po përjetonim njëherazi çaste humori, mërzije dhe padurimësie…E qeshura  jonë e kursyer dhe e disa të tjerëve të pranishëm gjysmëindiferentë, por të sikletosur nga ndodhia e përplasjes së dy karrocave të dy grave të reja prej dy vendeve më gjigandë të tokës, nuk vazhdoi gjatë se rrota edhe pse me forcë,e gjeti më në fund vendin…

Sigal