Reporterët pa Kufij dhe shoqatat e gazetarëve, apel qeverisë shqiptare dhe policisë: Po minoni lirinë e fjalës

206
Sigal

Reporterët pa Kufij kundër Ramës: Po minon lirinë e fjalës

Reporterët pa Kufij dënojnë deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave online gjatë një konferencë të OSBE-së të hënën, duke i krahasuar me nazistët, terroristët dhe pedofilët.“Akoma më shqetësuese pasi Parlamenti planifikon të diskutojë ndryshimet në ligjin për mediat, të njohura si paketa kundër ‘shpifjes’!”, thuhet në reagimin e Reporterët pa Kufij. “Siç ishte hartuar më herët, ndryshimet do të lejonin vendosjen e sanksioneve joproporcionale ndaj mediave online nga AMA, një autoritet i kryesuar nga ish-këshilltarja e Edi Ramës.Ligji kërkon ndryshime së bashku me rekomandimet e Komisionit të Venecias për të shmangur minimin e lirisë së fjalës!”, thuhet më tej në deklaratën e Reporterëve pa Kufij.Reporterët pa Kufij shtojnë se në ligj duhet të reflektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, për të shmangur cenimin e fjalës së lirë. “Denoncojmë sulmin e Kryeministrit Edi Rama ndaj mediave online në konferencën e OSBE, duke i krahasuar ata me nazistët, terroristët dhe pedofilët. Akoma më shqetësuese fakti që Parlamenti planifikon të diskutojë ndryshimet në ligjin për mediat, të njohura si paketa kundër shpifjes. Ndryshimet në ligj do të lejonin sanksionet joproporcionale të vendoseshin ndaj mediave online nga AMA, një autoritet i kryesuar nga ish -këshilltari i Edi Ramës. Kërkojmë ndryshime së bashku me rekomandimet e komisionit të Venecias për të shmangur ndalimin e fjalës së lirë”, thuhet në deklaratën e Reporterëve pa Kufij.

Gazetari shqiptar Ledio Guni sulmohet fizikisht në Tiranë

Reagojnë IPI dhe Safejournalists: Rast shqetësues i dhunës ndaj gazetarëve, policia të bëjë detyrën

 Operatori i Fax News, Ledio Guni u gjend dy ditë më parë në një sulm të paprecedent fizik, ndërsa po filmonte një ngjarje të dhunshme në kryeqytet, i cili përfundoi me të lënduar dhe të arrestuar. Por ndërsa policia lëshoi një komunikatë të thatë për shtyp, në këtë të fundit nuk u raportua rasti i dhunës ndaj operatorit Guni dhe asnjë person i vënë nën përgjegjësi për këtë akt.Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar IPI, rrjeti global e Gazetarëve të Pavarur si dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.Në një postim në Twitter IPI shkruan: Operatori i Fax News Ledio Guni është sulmuar fizikisht në një tjetër rast shqetësues dhune. Këshillojmë policinë të bëjë më mirë detyrën e saj në mbrojtjen e gazetarëve.

Ndërsa Rrjeti i Gazetarëve të Pavarur i ka kushtuar një artikull të gjatë ngjarjes e cila dhe pse u evidentua me pamje e zë nga opratori i Fax News u kalua në heshtje nga autoritetet:

“Gazetari i Fax News Ledio Guni u sulmua fizikisht në Tiranë më 11 tetor ndërsa po raportonte për mosmarrëveshjen mes mësuesve dhe familjeve të nxënsëve në lokalin pranë shkollës së mesme “Çajupi”.

Ai ishte ngarkuar në detyrë për të raportuar drejtpërdrejt nga ngjarja, por ndërsa po filmonte me kamerën e tij nga makina e medias që përfaqëson, një burrë e sulmoi fizikisht, duke i hedhur një karrige. Ai vazhdoi të sulmoj Gunin edhe pse vazhdimisht përsëriste se ishte gazetar.

Policia dhe individët e tjerë që ishin të pranishëm nuk ndërhynë gjatë kësaj situate.

Drejtoresha e Informacionit në Fax News, media Nertila Spiri vuri në dukje se ata janë veçanërisht të shqetësuar për faktin se policia nuk reagoi siç duhet për të siguruar mbrojtjen e gazetarit dhe sulmi kundër zotit Guni as nuk raportohet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit për konfliktin e ndodhur në Tiranë.

Blerjana Bino, studiuese e Rrjetit të Sigurt të Gazetarëve në Shqipëri tha se “dhuna ndaj gazetarëve dhe stafit të medias nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet duke marrë parasysh edhe masat e kufizuara efektive parandaluese të vendosura për të mbrojtur gazetarët dhe hetimet e kufizuara”.

“Gjithashtu, ne kemi nevojë për një mesazh të qartë të mbështetjes dhe solidaritetit të nevojshëm nga profesionistët e medias”, shtoi ajo.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe dënon sulmin ndaj ekipit televiziv. Ne kërkojmë dënim të qartë të këtij sulmi ndaj gazetarëve nga zyrtarë të Policisë së Shtetit. Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) gjithashtu pret që autoritetet në Shqipëri të drejtojnë një hetim transparent mbi këtë çështje.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) do të informojë të gjithë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare mbi rastin.

 

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.”

 Në emër të:

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi