Lufta  e rreptë në Qafën e Shkozës 3-4 qershor 1944

575
Sigal

Luftimet për dështimin e mësymjes së armikut gjatë operacionit të qershorit 1944

 

Armiku la në fushën e betejës 200 të vrarë e shumë materiale luftarake të shkatëruara

 

Rritja e Luftës Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar, zhvillimi me sukses i kundërmësymjes të pranverës së vitit 1944 nga Ushtria Nacional Çlirimtare dhe forcat vullnetare të vendit, rritja e njësive të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, i kishin vënë pushtuesit dhe tradhtarët e vendit në kushte shumë të vështira. Lufta e popullit tonë mbante të gozhduara në Shqipëri, divizione të tëra gjermane, ndërkohë kur atyre u duheshin për t’i hedhur në frontin sovjeto- gjerman, ku nazistët pësonin disfata të njëpasnjëshme. Në këto rrethana komanda gjermane së bashku me tradhtarët e vendit vendosi të fillojë një mësymje të përgjithshme me forca të mëdha, operacionin armik të qershorit 1944.

Qëllimi i këtij operacioni ishte:    

  • Të asgjësohej ushtria NÇL.
  • Të asgjësohej Fronti Nacional Çlirimtar.
  • Të siguronin krahët për zbarkimin e mundshëm të trupave anglo- amerikane në Ballkan.
  • Të siguronte tërheqjen e një pjese të forcave për në frontin e lindjes.
  • T’i jepte mundësi reaksionit të brendshëm të riorganizohej e të merrte në dorë pushtetin politik.

Këtë operacion nazistët gjermanë e kishin planëzuar të fillonte me 40 mijë veta duke pasur në ndihmë dhe 10 mijë tradhtarë të vendit tonë. Një nga luftimet më të ashpra në këtë situatë ishte në Qafën e Shkozës…. Si dëshmitar okular Kadri Cakrani informonte atë kohë: “Më datat 3-4 qershor 1944 është zhvilluar një luftë e rreptë në Qafën e Shkozës dhe në fshatrat Paraspuar-Terpan dhe nuk ka qenë e mundur thyerja e partizanëve. Në këto luftime humbjet tona kanë qenë të konsiderueshme 9 të vrarë, 15 të humbur dhe 27 të plagosur, ndërsa humbjet e trupave gjermane ende nuk na janë njoftue”.

Luftimet në Qafën e Shkozës dhe në Terpan

Luftimet në Qafën e Shkozës dhe në Terpan u bënë shkas frymëzimi për të thurur këngën:

“Ç’po lufton Brigada e 7-të/Qafë e Shkozës ulërin,/Partizanët si Petrita/ Mbi nazistët bëjnë kërdinë”. Gjatë këtyre luftimimeve Brigada e 7-të humbi 15 partizanë midis tyre komandantin e Batalionit III partizanin Gani Nivica, mitralierin Ferit Leshnja e të tjerë. Nazistët gjermanë e paguan shtrenjtë duke lënë 200 të vrarë e shumë materiale luftarake të shkatëruara.

Vetë kuadrot drejtuese të ushtrisë gjermane kanë pohuar se: “Në shkrepat e Skraparit kemi pësuar tre humbje të mëdha, në Qafën e Gjarprit, Tendën e Qypit dhe Qafën e Shkozës”. Luftimet në Qafën e Shkozës u realizuan me sukses dhe u bën burim frymëzimi jo vetëm për partizanët, por edhe për popullin që i përjetësoi ato në këngë: “Ç’po lufton Brigada e shtatë,/ Qafë e Shkozës ulërin,/ Partizanët si petritë,/ Mbi gjermanët bëjnë kërdinë./ Buçet topi e mortaja,/ Therepelë e gjer te Valë,/ Burra, gra gjithë kanë dale/ Që t’i bëjnë armikut ballë”. Banorët e Therepelit e ndien më shumë luftën e Qafë Shkozës, pasi sa herë që thyheshin gjermanët nga sulmet e kundërsulmet e forcave tona, irritoheshin dhe donin të digjnin shtëpitë e fshatit Therepelë. Por batalioni vullnetar i komanduar nga therepeliu trim Petref Alizoti i dinte me hollësi shtigjet dhe rrugët nga mund të afroheshin gjermanët dhe i penguan disa herë duke i dëmtuar ata me forca e mjete.  Pas çlirimit të Beratit, me gjakun e rreth 50 shokëve efektivë Brigadës ju ngarkua detyra të tjera më rëndësi. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm për të kaluar në veri, Brigada çau përmes luftimesh për një muaj rresht, nëpër Sulovë, Belsh, Çermenikë, Mlëshovë të Tiranës të Matit, të Mirditës, e inkuadruar në Divizionin II S. shkroi faqe të tjera heroizmi në luftimet në Shën Pal, Gëziq e Mirditë. Rreth 300 të vrarë e të plagosur nga forca gjermane dhe shpartallimi i plotë i forcave reaksionare, ky ishte fundi i armiqve në këto beteja. Nga ne ranë heroikisht 60 luftëtarë trima, të vrarë e të plagosur në ballë të sulmit. Gjaku i derdhur fjala e zjarrtë e partizanëve, hodhën dritë në mëndjen e njërëzve të varfër dhe i lidhën ata më fortë me LANÇ.

Ideja e mësymjes gjermane

Komanda gjermane, për të garantuar suksesin e goditjes vendimtare për copëtimin e asgjësimin e forcave partizane, vendosi që para fillimit të mësymjes përfundimtare të ndërmerrte disa veprime paraprake për të mbledhur në një zonë gjithnjë e më të ngushtë forcat partizane në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Komanda e Br.VIII S dhe ZIOp., manovruan forcat e veta në krahë e në shpinë të armikut duke mos i dhënë atij beteja ballore në drejtimet e lëvizjes së tyre. Një pjesë e forcave të Br.VIII S ishte në territorin grek për të bashkëvepruar me Regj.15 të ELAS-it në dhënien e goditjes në shpinë të armikut. Forcat gjermane mësynë në mënyrë koncentrike nga disa drejtime për të dalë në Kurvelesh si epiqendër e operacionit. Sulmi i forcave gjermane u ndërmor fillimisht në luginën e Shushicës. Forcat gjermane i detyruan forcat partizane të tërhiqeshin në thellësi, në një zonë gjithnjë e më të ngushtë në Kurvelesh dhe në Kuç. Forcat gjermane arritën të ngjiten në Kurvelesh, duke thyer kështu qëndresën e forcave partizane. Kishin ngelur ende të papushtuara nga gjermanët: një rrip i ngushtë malor, vargmali në lindje të Bolenës-Çipini-Vërmikut dhe mali i Këndrevicës, gjithsej vetëm rreth 70 km2.