Kujtimet e Odhise Paskali “Skulptor i Popullit”: Portreti i alktores Pina Menikeli me trupin magjepës me dritë e hije të bukura më detyroi të kapja daltën

167
Sigal

– Ndjeva statujën, formën e gjallë me lëvizjen e trupit dhe bleva për të parën herë një plastelinë dhe modelova portretin e saj.

– Në pranverën e vitit 1924, me atë plastelinë modelova medaljen për dëshmorin Avni Rustemi.

– Kur përfundova “I Urituri”, vajza e komshisë 6-vjeçare më tha:- Pse rrin aq i vuajtur ai xhaxhai?!

 

Baxhul Merkaj, kritik arti

Ecim në metropolin tonë të dashur, kryeqendrën e Shqipërisë, Tiranën. Këtu në sheshin më të madh të saj, ngrihet madhështor monumenti i heroit kombëtar, Skënderbeu. Ky shesh ka marrë këtë emër të madhërishëm. Por, shumëkush e di se këtë monument e ka ideuar, skicuar e projektuar një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit shqiptar, Odhise Paskali. Por, ai aq sa donte vetveten, aq donte dhe shokët, miqtë dhe artistët. Ndaj këtë madhështi krijimi e bashkoi me shokët e tij, skulptorë të mirënjohur, Janaq Paço e Andrea Malo. Kjo madhështi e këtij njeriu fjalëpak, por me mendje të ndritur, është për nderin tim, që të jetë në librin “Personalitete elitar të artit shqiptar”. Jeta e tij ishte plot privacione dhe në momente të caktuara tepër rrëqethëse. 

Odhise Paskali, lindi në 30 dhjetor të vitit 1903 (pas dy motrave). Rrjedh nga një familje e vjetër përmetare. I ati, Thanas Paskali, rreth viteve 1840-1850, ishte sekretar në metropolinë e Korçës. Gjyshi i tij, Paskali, njohës i mirë, i greqishtes, kishte qenë nga paria e Përmetit. Të gjithë meshkujt e familjes studiuan në shkollat e Selanikut, të Athinës ose të Stambollit. I ati, Paskal Thanas Paskali, lindi në vitin 1860. Ndërsa e ëma quhej Kaliopi.

Babai i Odhisesë punonte sekretar në administratën turke të duhanit, në qytetet Dishkot, Kozhan të Maqedonisë. Atje jetonte bashkë me të shoqen dhe fëmijët, deri në vitin 1906, kur erdhi në Përmet. Por kur vite më parë i ati punonte në kurbet për shumë kohë dhe atëherë e ëma punonte në Përmet, duke qepur paja nusesh. Odhisea nisi klasën e parë në Përmet, ku mësoi greqisht, turqisht dhe frëngjisht. Në vitet 1910-1911, i ati shkoi mësues dhe si prift në fshatin Kolbar të Frashërit, ku me vete mori dhe familjen. Në vitet 1912, Odhiseja vijoi të mësojë në shkollën e fshatit Kolbar, deri në vitet 1914-1915, ku u kthyen në Përmet, dhe aty ai vazhdoi klasën e tretë dhe të katërt fillore. Në vitet 1917-1918, pas klasës së pestë greqisht, ndoqi të katërtën fillore italisht, dhe për të parën herë bëri një kurs shqip. Atëherë mësoi vargjet ”O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë…”. Në vitin 1917, bëri lëndën e vizatimit, ku dallohej si nxënës mjaft i talentuar.

Që në moshë fare të re, pra, që kur ishte ende fëmijë, mbeti jetim. Ai e pa me sy dhe e përjetoi me zemër, se si të ëmës së tij; në momentin e fundit të jetës, iu njomën sytë për birin e saj, që do ta linte vetëm në këtë jetë. Por, natyra bën punën e saj, ajo të ndan nga njerëzit më të shtrenjtë. Forcën e mendjes dhe forcën fizike, e mëkoi që fëmijë, pasi vinte shëndetlig. Kjo bëri që të zbatonte porositë e arkitektit Grande (ishte dhe nënoficer), i cili e këshilloi të bënte për çdo ditë  gjimnastikë, gjë që e mbajti të fortë në gjithë atë punë titanike, që përshkoi krijimtarinë e tij. Pra, që nga viti 1919, ku me mjaft peripeci shkoi në Itali, me studime, por asnjëherë nuk e harroi këshillën e arkitektit Grande, duke vënë në praktikë gjimnastikën, e cila i përmirësoi tërësisht shëndetin. Po, kurrë nuk e harroi Përmetin, nuk harroi fshatin Kolbar, ku kaloi fëmijërinë dhe pse ishte në Itali me studime, prej andej kthehej në këto vise të bukura. Dashuroi marrëzisht, që në fëmijëri, letërsinë, ku librat që në moshën dhjetë apo 12 vjeç i citonte përmendësh me dialogje të tëra. Zotëroi disa gjuhë, dhe kjo e bëri të shfletojë me dhjetëra e dhjetëra libra në bibliotekat e shtetit italian. 

Fillimisht albanologjia ishte mjet studimi për të. Por edhe vizatimi edhe gdhendja në dru e gurë, e veçanërisht punët e para në plastelinë. Po i pëlqente dhe proza e poezia, mendimi për artin dhe psikologjinë e njeriut. Ndaj, shkroi në prozë dhe pak poezi, përktheu vepra, por dhe nxori revista për të zgjuar inteligjencën shqiptare. Botoi që herët në gazeta e revista letrare, si dhe përktheu disa vepra. Mendja e tij e artë, i përket një mjeshtëri të madh shqiptar në gjininë e artit. Veprat e tij, janë monumentale, të prekshme e të ndjeshme, ku ndjesitë e tij janë futur në çdo qelizë të trupit të popullit shqiptar.

-Po ç’tregon “Artisti i Popullit” Odhise Paskali për jetën e tij…?! Po shkëpusim fragmente nga kujtimet e skulptorit në drejtim të artit:

“Në pranverën e vitit 1923, para se të sëmuresha, bëra si autodidakt disa piktura, shtatë prej të cilave, i shpura atë vit në Përmet, ku edhe atje mbetën. Ëndërroja të ndiqja rrugën e artit. Vizatoja shpesh fytyra, e mua më jepte kënaqësi përdorimi i dritëhijes. Pothuaj më shumë se ngjyra. Një mbrëmje në verën e atij viti, pashë një film me aktoren e përmendur të kohës, Pina Menikeli. Më bëri përshtypje të madhe një plan i parë me trupin e aktores në qëndrim plastik me dritë e hije të bukura. Ndjeva statujën, formën e gjallë me lëvizjen e trupit.

Bleva për të parën herë një paketë plasteline dhe modelova për të konkretizuar përshtypjen e paharruar. E shpura “aktoren” tek një formator fiorentin, që kishte punishte aty afër. Dhe e mora të nesërmen të derdhur në allçi. Duke e pasur në material të qëndrueshëm, ndjeva një kënaqësi shpirtërore, që s’e kisha provuar herë tjetër. Isha autor, si një baba kur të lind fëmija i parë. Në fotografinë e hijeshkrimeve, plastika e vogël figuron e vizatuar në profil. Shumë muaj më vonë në pranverën e vitit 1924, me atë plastelinë modelova medaljen për dëshmorin Avni Rustemi.

Pas medaljes së Avni Rustemit, fillova një sërë punimesh të vogla. 

Përsëri me plastelinë, bëra një maket të vogël “I Urituri”, pasi e fotografova me aparatin tim. Në këtë mënyrë, plotësoja dëshirën time të modeloja figurat, që më kishin impresionuar. Odhise Paskali për tek, “I Urituri”, është shprehur, “i mbrojtur me studime klasike, i prirur dhe nga ndodhitë e jetës, të kërkojë të bukurën e fisniken, që në punën e parë, më tërhiqte vija dhe forma harmonioze, megjithëqë në fund të fundit, nuk më linte plotësisht të kënaqur. Ndjeja se diçka tjetër ishte në thellësi të aspiratës sime, diçka më e gjallë dhe shprehëse, më komunikuese me të tjerët. I urituri më tërhiqte në një botëkuptim tjetër realist, pa intelektualizëm. Në një përmbledhje vjershash të një këngëtari popullor përmetar, Nazif, kisha lexuar tragjedinë e të uriturit dhe e kisha parë dokumentet nga jeta. Unë vetë si refugjat në vitet1914, kisha dëgjuar me përshtypje të thellë për muhaxhirët e fshatrave tona të djegura, për gjithë ata veta që vdiqën urie nën ullinjtë e Vlorës. Ajo figurë më tërhiqte nga të gjitha drejtimet. Iu dhashë me pasion, autodidakt, se nuk dija procedimin e modelimit, të kompozimit, të raporteve e të tjera. Udhëhiqesha vetëm nga ndjenja ime, të realizoj me dashuri atë plak të ngratë, që u shkri e vdiq nga uria, viktimë e pafajshme e një shovinizmi të marrë.

E kisha përfunduar në argjilë, kur një ditë hyri, në dhomën time, ku dhe punoja, vajza e vogël 5-6 vjeçe e komshisë përkarshi. E pa me emocion, sepse menjëherë më tha: – ”Çfarë ka ai plak që rri ashtu…?! – “Ka uri…!” – iu përgjigja. S’ka të hajë, i shkreti…!”. U tërhoq vogëlushja dhe doli. Kur pas pak minutash, u kthye duke më ofruar një fetë bukë – “Na jepja…!”, – më tha, dhe ma la bukën në dorë. Iku…! Mbeta në mendime. ”Ç’anekdotë…?”, – thashë me vete. Isha i ndërgjegjshëm, se diçka të vërtetë kisha gjetur, arti duhet të jetë i kuptueshëm e njerëzor, afër jetës. S’kishte ogur më të mirë për rrugën që po filloja”.

Kështu mjeshtri realizoi në vitin 1924 veprën e pavdekshme “I urituri”, e cila e ka bërë të famshëm, ndonëse ishte ndër veprat e para të tij.

Varri i Ismail Qemalit

“Në vitin 1929, kisha botuar në revistën “Studenti shqiptar”, të Torinos një projekt për varrin monumental të Ismail Qemalit. Nga mesi i vitit 1930, në një udhëtim në Tiranë, më thirri Eqerem Libohova, ministër i pallatit dhe më tha, se mbreti Zog, dëshironte të ndërtonte me shpenzimet e veta, por që në fakt, nuk shpenzoi vetë asnjë grosh), një varr madhështor për Ismail Qemalin dhe më ngarkoi të përgatisja një projekt të ri, si e gjykoja më të përshtatshëm. Paraqita një vizatim me një çmim 40 mijë franga ari. Më tha ta reduktoja me kosto më të ulët. Paraqita një të dytë me 25 mijë franga. Më tha se nuk duhej abuzuar nga mirësia e Naltë Madhërisë së tij, prandaj të mos kushtonte më shumë se 10 mijë franga. Ndërkaq për ngatërresë, mbase dhe për interes, ndërhyri skulptori italian Demarkes, që jetonte në Tiranë, si organizator sportiv dhe m’u kërkua, prej ministrit të oborrit një maket plastik dhe një fragment në madhësi natyrore. Në ekspozitën e “Miqve të Artit“, të vitit 1932, kisha dhe maketin e Varrit, të Ismail Qemalit dhe fragmentin portret të Flamurtarit në allçi, në madhësi të monumentit. Lidha kontratë për 10 mijë franga ari. Në parlamentin e kohës zëdhënësi i Zogut, Lal Krosi deklaroi botërisht se: “Naltëmadhëria kishte dhënë 20 mijë franga ari një skulptori për ndërtimin e varrit madhështor, të Ismail Qemalit. Nuk u caktua se ku do të ngrihej monumenti, por nga një vizitë në Kaninë, ku gjendej varri i vjetër, në një vend të ngushtë, në oborrin e xhamisë, mendova se duhej ndërtuar në Vlorë, në vendin ku u ngrit flamuri në 1912. Studiova vendin dhe e bëra fakt të kryer pa pyetur njeri. Ngarkova korçarët, Kristaqin dhe Kiçon për punimin e gurëve. Ata punuan vetë të katërt, më se shtatë muaj dhe e përfunduan, siç është në gurë të nxjerrë në pllajën e Ujit të Ftohtë. Vetëm ndërtimi i gurëve, blerja e pllakës dhe udhëtimet e mia bënë të harxhohen të gjitha fondet prej 10 mijë frangash. Statujën e Flamurtarit e realizova me honorarët e Monumentit të Luftëtarit Kombëtar të Korçës, të cilin po e punoja në të njëjtën kohë.

Varri i Ismail Qemalit, u përurua më 28 nëntor 1932, nga Ministri i Arsimit, poeti Hilë Mosi, i cili e shpalli monument nacional. Flamurtari në kostumin kombëtar përfaqëson popullin të vetëdijshëm, që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh, i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në dorën tjetër pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë”.

Punime interesante të “Artistit të Popullit” Odhise Paskali janë edhe “Luftëtari Kombëtar”. Punimin e nisi si ide që në vitin 1928. Këtë monument e punoi në Itali dhe më 28 nëntor të vitit 1932 dhe u prit me mjaft interes nga populli. Busti i Skënderbeut, punim që artisti e derdhi në bronz dhe më 27 nëntor të vitit 1939, u vendos në Kukës. Me interes të veçantë janë pritur punimet e “Jeronim De Radës”, “Vëllezërit Frashëri”, “Nonda Bulka”, “Naim Frashëri” (1935) Tiranë, “Abdyl Frashëri” (1940) Tiranë, ”Partizani fitimtar” (1968) Mathauzen, “Çerçiz Topulli” (1937) Gjirokastër e shumë e shumë vepra të tjera. Edhe kur i mbushi të 80 vitet, kur filloi pleqëria, skleroza, shuarja graduale e jetës, por punës nuk iu nda. Krijimi ndoshta i fundit i takon fushës së poezisë, pasi tek artisti mbisundon ana njerëzore. Ja si e përkufizon ardhjen e fundit të jetës njeriu e gjeniu, Odhise Paskali.

“Një nga një bien,/ Si fletët në vjeshtën e vonë./ Miqtë e vjetër ndahen një nga një,/ Shokët e viteve të rinisë,/ Dhe ti për afër perëndimit.

Ndjen se drejt tyre po të shpien.

E mira e paanshmja rrymë/, Kështu, si vala që shtyn valën,/ Gjithë natyra e gjallë Krijuar nga Toka Mëmë, / Përjetësisht rinohet.