Kujtim Boriçi: Vlerat e historianit të Prof. Dr. Bernard Zotaj

1019
Sigal

Dhënia e dekoratës “Mjeshtri i Madh” (i pari ky për një ushtarak të Forcave të Armatosura të Shqipërisë deri tani),  për historianin e njohur e publicistin Prof. Dr. Bernard Zotaj,  mikun e kolegun tim të rinisë e deri tashmë në pragun e  pleqërisë, nga Presidenti i Republikës  z. Ilir Meta, veçanërisht konsiderimi i këtij vlerësimi në masën e gjerë si ‘goditje në shenjë’ dhe si një vlerësim jo vetëm për Bernardin, por dhe për elitën intelektuale të ushtrisë, mendova të bëj një portret të shkurtër ndryshe, duke ‘shkelur’ një praktikë timen në afro pesë dekada në publicistikë.  Kjo dhe për faktin se dhe miku im Bernardi, ka qenë e mbetet i punës, i thjeshtë e modest deri në ekstrem, këmbëngulës në admirim, njeri që nuk i ka qejf lavdërimet. Përkundër saj,  duke pas privilegjin e të qenit ndërkohë njohës nga afër të personalitetit dhe rrugës së tij të stërmundimshme në shkencën ushtarake e publicistikë, duke thënë pak fjalë për të, mendoj se përmbush dhe dëshirën e shumë kolegëve e miqve të shumtë, sidomos në strukturat e Forcave të Armatosura.

…Njohja e mirë me Bernardin, nis që në ditën e nisjes së shkollimit tonë të lartë, në udhën e saponisur të shkollimit ushtarak. Një djalë që vinte nga një trevë e njohur e Labërisë, i imët në dukje, paksa zeshkan,  fjalëpakë, disi i veçuar, shumë shpejt do të binte në sy për këmbënguljen dhe etjen për dije. Por dhe për ndershmërinë, korrektesën e pacënuar në marëdhëniet shoqërore, aktivizimin në problemet shoqërore dhe ndihmën e pakursyer për shokët. Në të gjitha vitet ai ishte student i shkëlqyer në të gjitha disiplinat mësimore e ato të përgatitjes profesionale. Për këtë, ai merrte dhe vlerësimet zyrtare, që bashkë me vlerësimet e kontributin shoqëror, fitonte respekt e dashuri, cilësi që ai i reflektonte në të gjithë aspektet. Por ishte diçka që na lidhi më shumë ato vite studentore… Ishte dashuria për poezinë, për artin, për letërsinë. Debatet, diskutimet e përditshme, na afronin shoqërisht më shumë. E kështu, së bashku, iu gëzoheshim dhe botimeve letrare apo publicistike në shtypin e kohës. Në këtë periudhë, Bernardi ka një sërë shkrimesh publicistikë, por dhe të fushës së historisë. Ndërsa vitet në punë e karriera në detyra të ndryshme e të rëndësishme, solli pjekurinë e mëtejshme dhe produkte përherë e më të arrira, më të pëlqyera, kryesisht në fushën e historisë. Qenia korrekt, argumenti mbi bazë dokumentesh e analizash shkencore, e kanë bërë atë një studjues e historeian të besueshëm e korrekt. Nëse i referohesh studjimeve të tij, në asnjë moment, nuk mund të gjeshë kompromise me të vërtetën, anashkalim apo neglizhencë të fakteve e dokumenteve, pavarësisht kohërave të vështira të këtij tranzicioni të gjatë e problematik. Mbi të gjitha, nëpërmjet dokumentit e të vërtetës, ai ka qenë e mbetet mbrojtës i velrave më të mira atdhetare e historike, i traditave tona ndër shekuj, i qëndresës kombëtare që kanë treguar shqiptarët në pikat më kritike të historisë së kombit.

…Bernard Zotaj ka lindur më 8 qershor 1955 në Ramicë të rrethit Vlorë, në një familje atdhetare dhe patriotike, që ka dhënë një ndihmës në ngjarjet vendore dhe kombëtare. Gjyshërit dhe prindërit e tij, gjatë LANÇ-it, dhanë një kontribut të vlerësueshëm dhe e kthyen shtëpinë në bazë të luftës për zonën e Vlorës. Gjyshi i tij nga nëna, Shefit Xhafaj është dëshmor i Luftës së Vlorës 1920, si dhe xhaxhai i tij, Sadik Zotaj është dëshmor i Atdheut të rënë në vitin 1943. Prindërit Hiqmet e Sibe Zotaj kanë qenë punëtore dhe veteranë të LANÇ-it, të vlerësuar me titullin “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it”, ndërsa nëna edhe me diplomën “Mirënjohja e Labërisë”. Në shtator 1970 -qershor 1974, Bernardi ka kryer shkollën e mesme të përgjithshme “Hasan Pulo” në Orikum të Vlorës. Në shtator 1975 -maj 1979 ka përfunduar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave në Tiranë. Në shtator 1980 -maj 1983 ka përfunduar Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë. Në shtator 1987 -korrik 1989 ka përfunduar studimet në Akademinw  e Mbrojtjes në Tiranë. Ka bërë dhe disa kurse kualifikimi në fushën e historisë ushtarake dhe të sigurisë.

Gjatë karrierës së gjatë ushtarake ai ka kryer detyra të ndryshme që nga roli bazë, deri në drejtues njësie e  deri shef inspeksioni në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”,  specialist në Qendrën e Taktikës, pedagog, shef dege në Qendrën e Doktrinës, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe kryeredaktor i “Revistës Ushtarake”, Drejtor i Qendrës së Librit dhe Mbështetjes me Informacion në KDS etj…

Por  aktivitetin më të madh në karrierën 40- vjeçare në Forcat e armatosura, Bernardi e ka në fushën e historisë ushtarake, mbrojtjes e sigurisë si dhe në publicistikë. Në fushën e shkencës mund të përmendim: bashkëautor i tekstit të Historisë së Shqipërisë për Klasën e 9 dhe të 12 (2011-2012), të aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve; autor dhe bashkëautor në librat “Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër -Mallakastër 1943-1944” (2003); “Armed Forces in Photos the History” (2005); “Manuali i Ushtarit” (2006); “Guidë e Historisë Ushtarake” (2008); “Shqipëria dhe Luftërat Ballkanike” (2008);  “Figurat kryesore të Luftës së Dytë Botërore” (2009); “Teori të Luftës dhe Strategjisë” (2011); “Dëshmorët e Atdheut” (2012); “Arti Ushtarak në Luftën e Vlorës të vitit 1920” (2016); “Agresion ‘49” (2019); “Antifashisti në xhandarmëri” (2020) etj.

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj është autor dhe i 19 monografive, përkatësisht: “Oxhaku i Zote në Smokthinë” (2000); “Malli për Nënën” (2001); “Nderim Eqerem Sinanit” (2001); “Rrëfimet e Nënë Zybës” (2002); “Konaku i Habil Laçes në Tragjas” (2002); “Dreri i bukur i Ramicës” (2003);  “Biseda me babain vazhdon …” (2005); “Thëllëza e Mesaplikut” (2005); “Këshilltar nderi i Kuçit” (2006); “Së bashku …” (2006, 2009); “Baladë për birin e tokës” (2009); “Njeriu i hapësirave të gjelbërta” (2010); “Njeriu i bukur” (2012); “Shpirti i brezit të gurtë” (2012); “Prushi i Labërisë” (2016); “Poeti i Labërisë Lirim Deda” (2017); “Xhenieri i martirizuar” (2018); “Yjet e Ramicës” (2019); “Arseni Stroka, Mjeshtër i taktikës dhe komandant i rangut të lartë” dhe “Epopeja e fitimtarëve” (2020). Për rezultate, disiplinë dhe veprimtari shoqërore është vlerësuar me certifikata dhe fletë nderi, si dhe me dekorata si: Medalja e “Shërbimit Ushtarak”; “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” të Klasit III; Urdhërin “Shërbimi Ushtarak” të Klasit të III; Medalja e “Karrierës”; Medalja “Për shërbime të veçanta”; Medalja e “Karrierës” etj. Është vlerësuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit”, me diplomë “Personalitet i shquar i Labërisë” (2014), si dhe nga Organizata e Dëshmorëve LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut me titullin “Nderi i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorë të tjerë të Atdheut” (2019).

…Për produktin historik e publicistik të Prof. Bernardit, (i pranishëm sistematik me dhjetra apo më shumë studime e shkrime dhe në gazetën tonë ‘Telegraf’) është shkruar e do të shkruhet gjatë. Por duke qenë shok i tij, kam dhe një obligim të pashmangshëm, më saktë detyrim për ndihmën që ai ka dhënë. Dua të veçoj mes tyre dhe ndihmën e tij në dy kolanat (“Skënderbegasit ndër vite…”, me 5 volume) e (“Oficeret shqiptare në rrjedhën e historisë…” me 3 volume), ku Bernardi ka bërë parathënie apo ka sjellë kujtime e mendime të tij. Dhe këtë, e bëj dhe në emër të miqve bashkëautorë Maksi Fejzulla e Suzana Jahollari.

Urime e suksese të mëtejshme, miku ynë i nderuar!