Prof.Dr. Alqi Naqellari: Covid-19 dhe kontradita themelore e kapitalizmit

95

Të gjithë habiten dhe i bëjnë pyetje vetes si ka mundësi që jashtë banke, në tre muaj,  dolën mijra miliarda  dollarë dhe euro dhe nuk u rrit inflacioni. Pse, cila është arsyeja? Cila teori ekonomike e shpjegon këtë fenomen, teoria klasike, marksiste, keynsiane apo monetariste? Përgjigja është se këtë fenomen e shpjegon ajo teori që analizon procesin e prodhimit kapitalist, mallin dhe kontraditat e brendshme të tij. Këtë fenomen e shpjegon teoria marksiste duke konkluduar me kontraditën themelore të sistemit kapitalist, kontraditën midis karakterit shoqëror të prodhimit dhe formës private të përvetësimit. Le ta shtjellojmë këtë përfundim.

Kapitalizmi perëndimor, BE dhe SHBA, për përballimin e pasojave të coronavirusit Covid-19 nxorri në qarkullim mijra miliarda euro dhe dollarë. Pjesa më e madhe e tyre ju shpërnda biznesit, për plotësimin e nevojave për likuiditete, për pagesën e punonjësve të ngujuar, ju shpërnda direkt konsumatorëve. Secili shtet kishte specifikat e veta, por e përgjithshmja ishte se e gjithë bota u ngrit në këmbë për të ruajtur statukuonë e bizneseve dhe në mënyrë të veçantë nivelin e konsumit. Pagesa e punonjësve  në formën e pagave apo nëpërmjet çeqeve sipas të ardhurave, bëri që në tregjet perëndimore të qarkullojnë mijra miliarda euro dhe dollarë.

Dalja e kësaj sasie monedhe të paparë ndonjëherë në historinë e shoqërisë njerëzore, e pa shoqëruar me mall apo shërbime,  nuk solli asnjë pasojë negative në normën e inflacionit. Inflacioni nuk u rrit, ose më saktë,  nuk e ndjeu fare këtë mospërputhje të sasisë së parave të hedhura në treg dhe sasisë së mallrave të prodhuar. Në një kohë normale, në një vend normal, një veprim i tillë do kishte shkaktuar menjëherë një rritje  të ndjeshme të çmimeve, sidomos në ato vende që kanë përgjithësisht degë kryesore shërbimet. Rritja  e sasisë së parasë në qarkullim, e pa shoqëruar me mall, do t’i ishte nënshtruar formulës themelore të teorisë monetariste e cila thotë se një rritje e ofertës monetare çon në rritje të nivelit të çmimeve. Konkretisht M*V = P*GDPr. Përballë  këtij fenomeni lind pyetja: Cilat janë arsyet?

Disa pasoja të Covid-19 dhe shkalla e lidhjeve midis agregatëve ekonomikë dhe inflacionit.

Për ta bërë më të qartë përgjigjen e kësaj pyetje po japim disa të dhëna mbi pasojat e covid-19 në ekonominë e SHBA-së dhe BE-së. Morrën vendime për mbylljen e një pjese të madhe të bizneseve, për mbylljen e vendit me jashtë, për ngujimin e qytetarëve etj. Mbyllja e ekonomive të tyre dha pasoja negative në ekonomi; si frenim të aktiviteteve të një pjese të madhe të biznesit, rritje të normës së papunësisë, frenim të aktiviteteve ekonomike me botën etj.

Në SHBA: Prodhimi i brendshëm bruto real, u ul me një normë vjetore prej 4.8 përqind në tremujorin e parë të vitit 2020, sipas njoftimit të dhënë nga Byroja e Analizave Ekonomike (BEA).

Ulja e PBB-së në tremujorin e parë u nxit nga një rënie e konsumit dhe e investimeve. Shpenzimet e konsumit personal janë ulur me 7.6 përqind në krahasim me tremujorin e fundit, ndërsa investimet private u ulën me 5.6 përqind. Rritjet e shpenzimeve qeveritare, përfshinë një rritje prej 1.7 përqind të shpenzimeve federale, kompensuan pjesërisht kontributet negative.

-Deficiti i Buxhetit Federativ për Qershorin 2020: 864 miliardë dollarë

-Deficiti i Buxhetit Federal për Qershor 2019: 8 miliardë dollarë.

-Deficiti kumulativ i FY20 deri në qershor 2020: 2,744 miliardë dollarë

-Deficiti i Buxhetit Kumulativ për të njëjtën periudhë në FY19: 747 miliardë dollarë

-Borxhi i mbajtur nga Publiku në fund të Qershorit 2020: 20.5 trilion dollarë

-Borxhi i mbajtur nga Publiku deri në Qershor 2019: 16.2 trilion dollarë.

Në 18 mars u miratua një Paketë prej 192 miliardë $ për mbështetje ekonomike, në 27 mars u miratua një Paketë tjetër prej 2.3 trilion $. Vazhdojnë ende të miratohen fonde në mbështetje të punonjësve dhe bizneseve. Kjo rritje e monedhës solli rritje të agregateve monetare M1, M2 në sasi të konsiderueshme. Për SHBA-në kemi këtë situatë:

Koeficienti korelacionit midis M1/Inflacion për 2019-2020(q) është 0.265, ndërsa koeficienti korelacionit midis M2/Inflacion është 0.065. Këta tregues flasin qartë për forcën e dobët të lidhjes midis agregatëve sasiorë monetarë dhe normës së inflacionit. Kështu rritja e tyre nuk është shoqëruar me rritje të normës së inflacionit.

Inflacioni në SHBA

Rritja e shpenzimeve të konsumit, normalisht duhej të sillte rritje të inflacionit.Të dhënat dhe grafiku tregojnë se nuk ka pasur asnjë ndikim.Ky fenomen i veçantë shpjegohet pikërisht me mungesën e parave në duart e atyre që e realizojnë konsumin. Kështuqë hedhja e parave në qarkullim nuk bëri gjë tjetër por tregoj një mundësi, të rritjes së pagave të punonjësve ose tregoj për një nevojë në ndryshimin e raporteve midis elementëve të çmimit në favor të punonjësve.

I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në Europë, janë rritur agregatët monetarë, janë rritur shpenzimet, ndërsa norma e inflacionit nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm. BQE vendosi të rriti blerjet e bonove tona nën PEPP me 600 miliardë euro, në një total të ri prej 1,35 trilionë eurosh. Vendet e BE-së  miratuan së fundi edhe një Paketë me mijëra miliardë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve anëtare të saj. Edhe  Inflacioni në vendet e BE-së nuk ka qenë problem. Raportet e tij me agregatët monetarë kanë qënë:

Të dhënat e mësipërme tregojnë se nuk ka ndonjë lidhje midis këtyre treguesve sasiorë. Rritja e tyre nuk ka çuar në rritjen e inflacionit. Atëhere përsërisim pyetjen e bërë më lart. Cilat janë arsyet që nuk u rritën çmimet, pavarësisht se u rrit sasia e parasë në qarkullim për shpenzime konsumi?

Përgjigjen për këtë e jep pabarazia në raportin pagë/fitim, pabarazia në fushën e të ardhurave, pabarazia midis klasave të ndryshme Brenda shoqërisë së një vendi, midis racave, besimeve dhe pabarazia midis vendeve të ndryshme të botës. Në këtë shkrim ne do shikojmë raportin pagë/fitim sipas pikëpamjes materialiste. Në shkrimin e ardhshëm do japim shifra tronditëse për pabarazinë, për pasojat e saj si dhe mendime të njerëzve të shquar për zbutjen e saj.

Cila është pikëpamja materialiste, mbi pagat dhe fitimin, mbi ligjin themelor të kapitalizmit?

Pabarazia ekonomike është e lidhur me disa faktorë. Këto përfshijnë, sistemin e pagesave, të taksave, të shpërndarjes, ndryshimin teknologjik, globalizimin, rënien e sindikatave, vlerën gërryese të pagës minimale etj, etj. Pse nuk u rrit niveli çmimeve pas dhënies së pagave si pasojë e Covid-19 e tregon skema e thjeshtë që kemi paraqitur më poshtë;

Paga                  Fitimi

 

Konsum            Kursim      KonsumKursim

 

 

Tregu Real              Produkt Tregu financiar

Produkt

Produkt Paga

OFERTA  Covid-19

            Pagat e punës, për shkak të nivelit të ulët në raport me të ardhurat,  nuk e mbulojnë dot ofertën e tregut. Ato janë të ulta në krahasim me elementët e tjerë të çmimit dhe shkojnë përgjithësisht për shpenzime konsumi dhe shumë pak për kursime dhe tregje financiare. Sot, më shumë se gjysma e njerëzimit ende jeton me 7.40$/ditë ose më pak, të pamjaftueshme për një jetë të mirë. Pagat, në vitet e fundit janë rritur pak, ose nuk janë rritur fare.

Fitimi është shumë i madh dhe vazhdon të rritet me ritme më të larta se pagat. Vetëm një pjesë e vogël e tij shkon për konsum, sepse ai përdoret nga pak duar, pjesa tjetër shkon në tregjet financiare dhe për konsum luksi. Mjafton të themi se 2153 miliarderë në botë kanë më shumë pasuri sesa 4,6 miliardë njerëz, që përbëjnë 60 përqind të popullsisë së planetit,(Oxfam).

Në këtë mënyrë krijohet hendeku midis pagave, fitimeve dhe produktit të prodhuar, i cili duhet të konsumohet për të vijuar prodhimin dhe rritjen e tij.

Marksi në veprën e tij Kapitali ka bërë një analizë të mallit, të punës, të vlerës dhe të mbivlerës, ku përcakton strukturën e brendshme të mallit dhe kontraditat e brendshme të tij që janë edhe kontradita të një sistemi që mbështetet në pronën private mbi mjetet e prodhimit, të sistemit kapitalist.

Marksi klasat i diferencon në raport me mjetet e prodhimit, ku pabarazinë sociale e shikon si pabarazi strukturore. Marrëdhëniet me mjetet e prodhimit, raporti ndaj pronës, pronar ose jo pronar përcaktojnë modelin e marrëdhënieve shoqërore që ekziston sot, që do të thotë se kjo është jashtë zgjedhjeve personale të vullnetëshme të secilit individ. Pikërisht kjo ndarje -sipas Marksit- është baza e konfliktit klasor, që përcakton edhe synimet e saj. Sipas kësaj teorie ekzistojnë, dy klasa mbizotëruese në kapitalizëm – klasa punëtore dhe klasa zotëruese-borgjezia. Ekzistenca e borgjezisë përcaktohet nga shtytja ekonomike për të grumbulluar kapital dhe për të rritur fitimin. Mjeti kryesor për të arritur këtë në një treg konkurrues është duke ulur koston e prodhimit, dhe në këtë këndvështrim duke ulur koston e punës (duke ulur pagat, duke lëvizur prodhimin në zonat me paga më të ulëta, duke zhvendosur kapitalin në vende të tjera ose duke zëvendësuar punëtorët me teknologji të kursimit të punës, etj).

Interesat e kësaj klase bien ndesh me interesat e punëtorëve të cilët kërkojnë të krijojnë një standard jetese të qëndrueshëm duke ruajtur nivelin e pagave të tyre dhe nivelin e punësimit në shoqëri.Prandaj sot bota ka një sërë problemesh në lidhje me raportin pagë/fitim.

Marksi përcaktoi konceptin e punës konkrete dhe punës abstrakte, të vlerës së përdorimit dhe të vlerës, të karakterit shoqëror dhe privat të saj. Duke u nisur prej tyre përcaktoj ligjin e prodhimit kapitalist dhe kontraditën themelore të tij. Ai analizoi mbivlerën që krijohet si punë e papaguar e punëtorit. Vendosi përball koston e fuqisë punëtore dhe produktin e saj. Marksi përcaktoi  tre format e mbivlerës. Mbivlera shprehet zakonisht nëpërmjet konceptit të fitimit. Mbivlerën absolute që vjen si pasojë e zgjatjes së ditës së punës, pa ndryshuar kohën e domosdoshme  të punës, mbivlerën relative që lind si pasojë e pakësimit të kohës  së domosdoshme të punës dhe e zgjatjes  përkatëse të mbikohës  së punës. Mbivlera e tepërt është ajo që përcaktohet mbi mesataren e degës. Sot në botë më i theksuar është fitimi relativ, veçanërisht në firmat monopoliste. Krijimi i ndërmarrjeve të fuqishme, me teknologji moderne, përqëndron fitimin në disa duar. Kështu në SHBA ku operojnë miliona firma, vetëm 1000 firma japin rreth 2/3 e prodhimit industrial amerikan. Ky tregues flet për përqëndrimin e fitimit në disa duar, duke e hequr atë nga procesi konsumit të mallrave të përgjithëshme.

Puna individuale shfaqet edhe si punë shoqërore, sepse ajo realizohet edhe me përfshirjen e kapitalit konstant që përfaqëson punën e firmave të tjera. Në këtë mënyrë karakteri privat i punës shfaqet në procesin e prodhimit, nëpërmjet punës konkrete, karakteri shoqëror shfaqet në treg kur malli këmbehet me një produkt tjetër. Në treg del nëse i duhet puna e një prodhuesi shoqërisë apo jo.

Këtu kemi shfaqjen e kontradiktës midis karakterit privat dhe shoqëror të punës është kontradikta themelore e prodhimit të mallrave. Kjo lind kontradiktën midis vlerës dhe vlerës së përdorimit dhe kjo nga ana e saj kontradiktën midis punës konkrete dhe punës abstrakte.

Rendi kapitalist karakterizohet nga një kontraditë e thellë: prodhimi ka karakter shoqëror, ndërsa prona mbi mjetet e prodhimit mbetet pronë private kapitaliste, gjë që është e papajtueshme me karakterin shoqëror të procesit të prodhimit. Në këtë mënyrë; Kontradita themelore e kapitalizmit është kontradita midis karakterit shoqëror të prodhimit dhe formës kapitaliste private të përvetësimit. Me zhvillimin e kapitalizmit kjo kontraditë ashpërsohet gjithnjë e më tepër.

Përvetësimi privat shprehet në fitimet që sigurojnë sipërmarrësit në dy forma, forma e parë në përqëndrimin e prodhimit, në krijimin e monopoleve shumë të fuqishme, modele të shekullit XXI, dhe forma e dytë në raportin tradicional paga/fitim.

Në teorinë marksiste (Engels), kur flitet për konsumin theksohet: “Konsumi  i pa mjaftueshëm përbën një fenomen historik të përherëshëm gjatë mijrave vjetëve”.  “Konsumi i pamjaftueshëm i masave është, pra, një nga kushtet paraprake të krizave dhe luan në to një rol që njihet prej kohësh; por ai na jep po aq pak njohuri për shkaqet e krizave që ekzistojnë sot, sa edhe për faktin përse ato nuk kanë ekzistuar më pare”.  “… krizat janë të pa shmangëshme dhe se kjo vjen nga mënyra kapitaliste e prodhimit, … janë kriza të kësaj mënyre të prodhimit, si mjete urdhëruese të revolucionit shoqëror.”

Marksistët e shikojnë zgjidhjen te revolucioni, por koha tregoi se nuk ishte kjo zgjidhja e duhur. Zgjidhja qëndron në përmirësimin e sistemit ekonomik kapitalist duke angazhuar më shumë shtetin, në prodhim, menaxhim dhe shpërndarje. Duke bërë reforma në sistemin e shpërndarjes së të ardhurave kombëtare sidomos në sistemin e pagesave, do të arrihet zbutja e pabarazisë midis njerëzve dhe ekonomia do marrë frymë më lirshëm, sepse është paga që e lëviz ekonominë më shumë se fitimi.