Kryegjyshi Botëror Bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Jeta dhe kontributi i baba Bajram Mahmutajt, shembull për brezat e klerikëve dhe besimtarëve bektashianë

1432
Sigal

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Jeta dhe kontributi i baba Bajram Mahmutajt, shembull për brezat e klerikëve dhe besimtarëve bektashian për sot dhe brezat që do të vijnë

 

Sot, 22-vjetori i ndarjes nga jeta i klerikut Bajram Mahmutaj

Nga Nuri ÇUNI

 

Botimi i librit “Baba Shefqet Gllava, Martirë i Demokracisë”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Syrja Xhelaj, që do të pasohet dhe nga libra të tjerë të kësaj kolane, është një fillim i mbarë i nismës që ka ndërmarr Kryegjyshata Botërore Bektashiane, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. “Projekti, ‘Klerikë bektashinj të persekutuar’, synon evidentimin e rolit të klerit bektashian, përkushtimin e tyre në shërbim të njerëzve, vuajtjet shpirtërore në dekada, qëndresën në mbrojtje të besimit, deri edhe para plumbave që u morën jetën. Në këtë kuadër, prej kohësh, Selia e Shenjtë është në vazhdim të punës për ndriçimin e kontributit të klerit bektashi të lënë në harresë, duke përgatitur për seicilin, dosje të veçantë me dokumente zyrtare të arkivave vendase e të huaja, me dëshmi të bashkëvuajtësve të gjallë, kujtime të familjarëve e të afërmve, dorëshkrime e ditarë të klerikëve të persekutuar, relike të përdoruar nga ata etj. Pjesë e kësaj kolane, do të jetë dhe baba Barjam Mahmutaj, i cili sot më 30 prill, mbush 22 vjet që është ndarë nga kjo jetë” -pohon Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kujtime për Bajram Mahmutaj

Baba Bajram Mahmutaj, për gati 7 vite, ka qenë Zëvendës Kryegjysh Botëror. Ai ka qenë dhe mbetet një klerik i rrallë. Kam pasur fatin ta njoh nga afër në vitin 1994-1997, në Kryegjyshatë, në biseda e takime, të cilat më kanë lënë mbresa të veçanta. Ruaj shumë kujtime nga kjo njohje e bashkëpunim, mes tyre dhe një intervistë të gjatë me ‘të, e cila do të ishte e fundit në këtë jetë për klerikun. Takimet me ‘të më krijuan staturën e një kleriku të paepur në udhëtimin e tij të hakut, udhëtim i gjatë me punën përkushtuese në dashurinë pakufi tek Krijuesi dhe me bindjen e plotë në dashuri të pashuar ndaj Zotit. Ishte ky udhëtim që e kaloi në gjithë jetën e tij. Por portreti i baba Barjamit ishte i veçantë dhe në moshën 88 vjeçare. Rrudhat dhe thinjat e bënin sa fisnik, të matur, të urtë, të ëmbël, me buzëqeshje dhe plot hijeshi, që vetëm afronte dhe jepte mesazhin dhe gjithë atë kulturë e dije të fituar në jetë dhe vështirësitë e kalvarit të tij dhe familjes gjatë persekutimit 1945-1990. Në çdo bisedë dhe takim ai kishte një moto, ta njohim bektashizmin, rrënjët dhe historinë e tij, sintetizuar në fjalët e arta të themeluesit të bektashizmit, Haxhi Bektash Veliut:

“Lutjes së Zotit mos iu nda.

Dijeninë përvetësoje si armë në dorë.

Mos ki turp të nxësh.

Mos kërko të metat e tjetrit, shiko të metat e tua.

Trego drejtësi në çdo punë.

Mos u ngut kur përgjigjesh.

Kurrë mos fol për veten tënde… etj”.

Baba Bajrami na kujtonte shprehjen hyjnore të Haxhi Bektash Veliut: “Mua nuk më nxë as qielli, as dheu im, më nxë vetëm zemra e besimtarët të bindur.” Me një urtësi dhe dashamirësi të rrallë, gojëtari i ëmbël më tregoi mbi bektashizmin dhe jetën e tij. Biseda vinte nga vinte dhe strumbullari ishte “bektashizmi”. Kjo doktrinë e pasur mistike, filozofike, kulturore, atdhetare, e mban besimtarin në linjën e jetës së njeriut për njeriun, edukimi i tij gjatë gjithë jetës me virtyte e larta; të urtësisë, të dashurisë, vëllazërisë e besimi te Zoti, te Kurani i famshëm, vinte në dukje ai. Por e veçanta është se bektashinjtë asnjëherë në besimin e tyre nuk e ndajnë atdheun, e kanë në zemër dhe duan, pavarësisht nga besimi, se Shqipëria ka historinë e saj. Bektashinjtë si dje dhe sot dhe në të ardhmen punojnë, me moton “Pa atdhe nuk ka fe”.

Klerik i përkushtuar dhe me kulturë

Megjithëse në moshë të thyer, i lodhur nga kalvari i jetës, vuajtur në burgje dhe internime, i sëmurë, por me zemër të fortë, ai ishte ndër të parët që me ardhjen e demokracisë, në fillim të viteve ’90, erdhi nga Durrësi dhe kontribuoi së bashku me Dede Reshatin për ringritjen dhe forcimin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe u zgjodh edhe si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve deri në prill të vitit 1997, kur ai ndërroi jetë.

Në bisedë e sipër ai më pyeti: “A ishe sivjet në Festën e Abaz Aliut në Tomorr? -Po i thash, ndjeva kënaqësi në këtë mal me histori të lashtë dhe simbol i bashkimit të gjithë shqiptarëve. Më pas vijoi të fliste gjatë për festën në Tomorr, ku nga gjithë Shqipëria shkojnë e falen në malin e shenjtë që nga shekulli 16. Ky mal u quajt baba Tomor, bashkoi shqiptarët në besë dhe fe. Më pas më rrëfeu për teqenë e Prishtës, Backës, Kuçit, Therepelit. Fliste me admirim për baba Fetahun, dervish Iljasin si një dervish huan, ndërtues i udhëve, çezmave dhe puseve, urave në gjithë jugun e Shqipërisë, dervish kalender që la gjurmë dhe bëri histori. Më foli për baba Xhafer Prishtën, baba Ali Turabiun, baba Meleq Shëmbërdhenjin. Më tregoi për teqetë e Beratit, ajo e baba Aliut afër urës së Goricës, e Velabishtit, Osmanëzezësë, Vokopolës, Gllavës. Më tej shtoi: “Me sa më kujtohet, baba Muharremi, më ka treguar, se kur misionarët e Sulltan Mahmutit II, në vitin 1826, dogjën teqenë e baba Aliut në Berat së bashku me bibliotekën e pasur nga më të rrallat në Ballkan, me vepra të rralla në gjuhën perse, arabe, osmane etj.”. Në disa Në biseda, shpesh shtonte: “Besimi në Zot më mbajti gjallë!”.

Jeta e vështirë e baba Bajramit

Baba Bajrami lindi, më 18 maj 1906, në fshatin Rabije të Tepelenës në një familje të thjeshtë. Prindërit e tij Sadik e Merushe Mahmutaj ishin me besim dhe përkushtim tek bektashizmi. Kjo lidhet edhe me faktin se tradita bektashiane ishte përhapur herët në fshatin Rabije, edhe atje kish një teqe, e themeluar nga baba Aliu që në shek. XVI. Kjo teqe u bë e njohur në Luftën e Dytë Botërore, si simbol i atdhetarizmit, për heroizmin e baballarëve, gjë e cila është e rrallë në Evropë. Më 24 korrik 1943 aty dhanë jetën baba Abazi dhe pesë dervishët e tij ( dervish Fehimi, dervish Bajrami, dervish Lame dhe dervish Barjam Bardhaj) si edhe njëzete shtatë besimtarë bektashianë. Xhaxhai i tij, baba Muharremi, klerik me edukatë dhe shkollë, i veshur dervish herët dhe qe baba në teqenë e njohur Durballi Sulltan, në Farsala të Greqisë. Në vitin 1890 erdhi në Shqipëri, hapi teqenë, në fshatin Plashnik të Beratit, ku si i angazhuar në Rilindjen Kombëtare, bashkëpunoi me klerikë të shquar të Beratit, si baba Kamber Velabishti, baba Medin Gllava, miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, me Babë Dudë Karbunarën. Ata kishin edhe çetat për liri e pavarësi në zonën e Shpiragut, Tërpanit, Gllavës e Vokopolës të Beratit dhe Skraparit. Për këtë veprimtari të tij atdhetare, në vitin 1914, u persekutua nga Haxhi Qamili. Gjithashtu, edhe në Rabije, dogjën shtëpinë e vëllait, Sadikut, të cilin e burgosën në Durrës. Bajramin në moshën shtatë vjeç, e mori në teqen e Plashnikut, xhaxhai i tij, Muharremi. Baba Muharremi e përgatiti ndër vite, Bajramin e vogël, me dashurinë për Zotin. Më 1925 në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare e vuri të shërbente në teqe, si kandidat për dervish. Dy vjet më vonë, në vitin 1927 u vesh dervish dhe punoi pa u lodhur në gjallërimin e teqesë dhe afrimin e sa më shumë besimtarë pranë saj. Dervish Bajrami gjeti te baba Muharremi, prindin, edukatorin, mësuesin, teologun, atdhetarin shqiptar. Por nuk shkoi shumë dhe më 1929 ndërroi jetë babai i teqesë së Plashnikut. Megjithëse i ri, por me përvojën e fituar në këto vite pranë baba Muharremit, ky mori përsipër të drejtoj, si baba, teqenë. Këtu, ai afroi njerëzit, besimtarët, organizoi ceremonitë fetare, Sulltan Nevruzin, Matemin, Bajramin, të cilave u kushtonte rëndësi të veçantë. Ai shtoi pasurinë e teqesë, gjithashtu ndihmonte me pasion edhe teqetë e tjera në Berat, Osmanzesë, Velabisht, Vokopolë, Gllavë, Rabije, Tërpan etj. Në një dokument arkivor të datës 8 dhjetor 1939 firmosur nga Kryegjyshi Botëror Sali Nijazi Dede, në listën e teqeve bektashiane ky klerik është i regjistruar baba, në teqenë e Plashnikut të Beratit. Gjatë luftës teqeja e Velabishtit ishte konak për luftëtarët e lirisë. Me këtë përkushtim dhe vullnet punoi deri në vitin 1945. Por, mbas këtij viti nisi për të kalvari i vuajtjeve, persekutimi, burgosje, internime. Arrestohet dhe dënohet nga Gjykata Ushtarake e Beratit me akuzën absurde se kishte bashkëpunuar gjatë viteve të luftës me organizatën “tradhtare” të Ballit Kombëtar. Dënimi ishte tejet i rëndë: 15 vjet burg! Ata që e patën njohur këtë klerik bektashi në burgjet e kohës, mbajnë mend mirë jo vetëm trimërinë e pashoqe të tij por edhe fjalën e ngrohtë, fjalë që shëronte shpirtrat pavarësisht se çfarë besimi kishin. Edhe kur mbaroi dënimin e burgut për pesëmbëdhjetë vjet, e internojnë në Milot, pranë Urës së Matit, ku qëndroi deri në vitin 1975. Baba Bajrami nuk u ligështua, me durim përballoi vitet e internimit. Pas vitit 1975, ai qëndroi në familjen e nderuar të Teki Toros, në Durrës. U ribashkua me njerëzit e familjes, të afërmit prej të cilëve ishte ndarë që prej vitit 1945. Në vitin 1991 u bashkohet nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane duke punuar me gjithë shpirt, përsëri për bektashizmin. Gëzimi i madh ishte për të, 22 marsi e vitit 1991 me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, që u rihap Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Por e veçanta e kësaj ditë midis të tjerave ishte se në këtë festë mori pjesë shenjtorja e madhe nënë Tereza, e cila dha urimin e mrekullueshëm “Ta gëzoni rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane!”. Baba Bajrami u takua me ‘të shkëmbyen mendime, bashkë me klerikët Dede Reshati, baba Selim Kaliçani etj. Baba Bajrami me intelektin dhe thellësinë e ideve, u bë krahu i djathë i Haxhi Dede Reshat Bardhit deri në çastet e fundit të jetës së tij. Ai mori pjesë në shumë ceremoni të rihapjes të teqeve në Shqipëri. Bëri vizitë në ish Qendrën Botërore në Turqi, Haxhi Bektash që ruhet si muze nga viti 1925. Ai rreth një vit qëndroi në teqenë e Detroitit në SHBA, më 1992. Baba Rexhebi iu lut të qëndronte në Amerikë. Por baba Bajrami i tha: “Unë jam i moshuar, dua Shqipërinë, të jetoj këto kohë në vendin tim me besimtarët, me njerëzit e mi të dashur!”.

Baba Bajrami është “Pishtar i Demokracisë” me motivacion: “I pa përkulur dhe me besimin ndaj Zotit duroj burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”.

Baba Bajrami ndërroi jetë në prill të vitit 1997 në moshën 91 vjeçare. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi në fjalën e lamtumirës midis të tjerave tha: “ Me sy të pamë e s’u ngopëm, të dëgjuam e shumë të deshëm, në rrugën e urtësisë së bashku predikuam dhe për asnjë çast s’të harruam. Me fjalën e ngrohtë e me thjeshtësi rrëmbeve me mijëra dashuri”.

Përgatiti për botim: K. Boriçi