Kozma Gjini: Normalisti i Divjakës Llazar Prifti dhe Memo Metua

604
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në fshatin Dobrush të Skraparit, pati fatin të njihej me një emër që u bë legjendë e trimërisë partizane, me Memo Meton

 Llazar Prifti  NORMALISTI I PARË I DIVJAKËS

Nga Kozma GJINI

“Për shkollat e bregut që hape,/ banditi të tregoi beretën:/ -Llaz Prifti:Hiq dorë nga shkollat, /për ndryshe, ta morëm jetën!”

E nisa shkrimin me këto vargje, kushtuar mësuesit të shekullit të kaluar, Llazar Leksi Prifti, për t’i tërhequr vëmendjen lexuesit të “Telegraf”, se protagonisti i këtij shkrimi ishte një mësues që s’ iu dhimb jeta, i vendosur për përhapjen e arsimit shqip, që s’u tërhoq nga misioni i tij e s’iu tremb kërcënimeve të bandave, që livadhisnin pyjeve në kodrat e Darsisë, të Ardenicës e të Divjakës në vitet para e pas  çlirimit. Prandaj, jo thjesht në kuptimin figurativ, ai ka qenë një mësues i kalibrit të Ndrec Ndue Gjokës për Myzeqenë.Të dy, kanë qenë shokë në Normalen e Elbasanit, prandaj vendosmëria për mësimin e gjuhës shqipe dhe edukimi me ndjenjën atdhetare, kishte hyrë deri në qelizë të qënies së tij.

KUSH ISHTE LLAZAR LEKSI PRIFTI?

Llazar L. Prifti i përket plejadës së mësuesveqë vendosën një gur të fortë në themelet e arsimit shqip. Ai u takon mësuesve punëtorë, por të thjeshtë, që siç shprehej Niçe: “janë si ujrat transparente që lënë të shihen papastërtitë në thellësinë e lumit të tyre”. Lindi 18.02.1917, në Divjakë. Nëna e tij, Filja, pas pak vitesh vdiq dhe Llazarin e rriti xhaxhesha. I ati i Llazarit, Leksi, ishte me fat që falë zemërgjerësisë së vet, strehoi në shtëpi për afër 20 vjet mësuesin e ri elbasanas Musa Kongoli, i cili ishte emëruar në shkollën e Divjakës më 1919.Një ditë, Musai i kishte thënë Leksit: “Sa lekë qera në muaj do t’ju paguaj?”  Leksi ishte përgjigjur: “Asnjëlekë.Ti ke për detyrë të na mësosh kalamajtë, kurse ne të sigurojmë fjetjen, zjarrin dhe ushqimin.” Divjaka e kësaj kohe kishte disa fise, ku më të përmendur ishin: “Shkozajt”, “Rrudhët”, “Priftajt”, “Xoxi”, “Sotët”, “Sakajt”, “Kokoneshët”, “Krutët”, “Jankot”, “Bitajt”, “Tikajt”, “Gorrenjtë”, “Zakajt”, “Gjinët”, “Prendët”, “Gjonët”, “Vodajt”, “Ndinët” etj. Divjaka kishte bërë emër për tregtinë e peshkut, për kuajt e kafshët e egra, që rriteshin në pyll, për burimet e kripës që e nxirrnin nga deti, por mbi të gjitha, sepse rrugicave të përbaltura të sajkishte kaluar mbi qerren e Vasil Lalës, patrioti Ismail Qemali në rrugëtimin për ngritjen e flamurit të Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Nëse qesati i bukës preku tërë vendin, divjakasit s’e ndjenë qesatin. Kishin bukë, sepse kishin kripë, e cila shkëmbehej me drithë. Prania e mësuesit elbasanas Musa Kongoli në Divjakë dhe në familjen “Prifti”, do të shënonte një kthesë në jetën shoqërore të fshatit dhe bëri që aty të hynin rrezet e para të emancipimit, kultura, arsimi dhe informacioni i kohës. Mësuesit Musa Kongoli ia dëgjonin fjalën jo vetëm nxënësit e moshatarët e tij, por edhe pleqtë e Divjakës. Nëse kishte një nxitje që Llazar Prifti të niste rrugëtimin për mësuesi, kjo nxitje ishte vet Musa Kongoli. Mësues Musai, duke parë dhuntitë premtuese të nxënësit të tij, Llazar Prifti, projektonte dërgimin e tij në shkollë, por babai i Llazarit bëhej pengesë, pasi rritjen e djalit e shikonte si një forcë pune për familjen. Mësuesit iu desh edhe ndihma e Sil Banos, të cilit i shkonte fjala në pleqësinë e trevës e kështu u bë e mundur vajtja e Llazarit në Plotoren e Kavajës, të cilën e mbaroi me sukses.

NORMALISTI I PARË I DIVJAKËS

Përsëri do të ishte Musa Kongoli ai që do ta orientonte Llazarin drejt arsimimit të mëtejshëm dhe e regjistroi atë për të konkuruar në Normalen e Elbasanit. Normalja kishte një rregull që, para se të pranoheshin kandidatët, duhet t’i nënshtroheshin një paraprovimi me pyetje të formimit të përgjithshëm.Në kohën që studentët prisnin në oborr përgjigjet e testit, në derë duket Prof. Xhuvani. Atëhere, djemtë u mblodhën afër tij. Xhuvani tha:

-Çuna! Kush a Llazar Prifti?

-Jam unë,-u përgjigj Llazari dhe ngriti dorën lart.

-Çuna,-foli i buzëqeshur profesori.-Do na bahet edhe një mësues që nga Divjaka e largët!

Llazarin nuk e mbante vendi. Kjo do të thoshte se e kishte fituar paraprovimin. Kështu, në shtator 1930, djali i ri Divjakas dhe i vetmi i trevës së Karatoprakut, do të fillonte shkollën Normale të Elbasanit.

Në Normale Llazari do të njihej e bëhej pjesë e grupimit të djemve që atdhedashurinë e kishin përparësinë e tyre. Afrimi me djem të tillë si: Kahreman Ylli, Sul Baholli, Mehmet Pepi (dëshmor), Haxhi Kroi, Ndrec Ndue Gjoka, Josif Pashko etj, do ta përfshinte edhe myzeqarin e brishtë në lëvizjen patriotike. Madje, në një rast, kur shokët e lëvizjes kishin rënë në sy të survejimeve të “armikut” dhe u bë njëkontroll i beftë në  konvikt, ishte Llazar Prifti, shpëtimtari I kësaj situate të vështirë. Ai ua mori dokumentat shokëve dhe i futi nën dyshekun e tij dhe u shtri sipër. Ata kontrolluan shtretërit e të tjerëve dhe si s’gjetën gjë, u larguan. Llazar Prifti do të mbaronte 8 vite në Normale, nga 1930-1938 dhe do të diplomohej me arsim të plotë për mësuesi.

Nga kujtimet e mësues Llazarit në Normale shkëpusim një pasazh: “…Tashti isha në Normale. Shkolla ishte shumë e lakmuar nga moshatarët e mi, jo vetëm të Myzeqesë, por edhe në të gjithë vendin. Prindërit këtë radhë nuk më penguan për vazhdimin e shkollës, përkundrazi, vetë babai më ka çuar në Elbasan dhe interesohej për mbarëvajtjen time në mësime. Ishte viti 1930. Profesor Aleksandër Xhuvani mbante një defter në dorë dhe hynte klasë më klasë për të verifikuar frekuentimin dhe për t’u kujtuar disa studentëve se nuk kishin likuiduar tarifën financiare. Kështu, unë vazhdova nga viti 1930-1938 shkollën Normale…”

Në Divjakë shkolla shqipe ishte hapur që më 1913. Kur Llazari mbaroi Normalen dhe kthehet në fshat,në zonë s’kishte vend për mësues. Qendroi 6 muaj pa punë. Bashkëmoshatarët e tij si: Koli Xoxi, Ristan Biti,Themi Prifti, Ristan Sota, Rrapi Shkoza, Naun Rrudha, Pandi Lala, Rrapi  Janko, Vangjel Shkoza, Ligor Tiku, Ristan Marku etj, shikonin te Llazari njeriun me tjetër horizont dhe e zgjodhën atë përgjegjës të Grupit Edukativ të Rinisë Antifashiste të Divjakës. Detyra ishte me përgjegjësi, sepse tashmë grupi kishte detyra konkrete, frytet e të cilit do të dukeshin në dërgimin e moshave të reja në luftën për çlirim.

EMËRIMI I PARË NË TUÇEP TË DIBRËS

Leksi Prifti shaloi kalin dhe kaptoi mjaft vështirësi, deri sa mbërriti në Tiranë. Në Ministrinë e Arsimit i rekomanduan një vend vakant në fshatin Tuçep të Gollobordës, prefektura Dibër. Llazari nuk e refuzoi emërimin e parë, por që të nesërmen, së bashku me xhaxhanë e tij, Ndoni Priftin u nisën me kuaj e pas disa ditësh udhëtim, arritën nëTuçep. Këtu e priste kryetari i këshillit të fshatit. Llazarit i ra fati të çelte shkollën e parë shqipe në fshatin Tuçep. “Fëmijët ishin krejt të drojtur dhe gjuhën shqipe e kishin të dorës së dytë. Gjuhën e parë ata kishin maqedonishten. Madje në fshat takova dhe të moshuar, që nuk dinin fare gjuhën shqipe”, ka lënë  në kujtimet e tij mësues Llazari. Krahas mësimit dhe edukimit të fëmijëve, në Gollobordë i dilte detyrë dhe përgjegjësi e madhe që të luftonte për të thyer mentalitetin e banorëve, të cilët edhe pse tashmë brenda kufirit tonë, si gjuhë përdornin maqedonishten. Dhe nuk e pati të lehtë, por punoi në kushte të rënda higjenike deri sa këtu mori edhe një ftohje të rëndë që do ta shoqëronte tërë jetën. Pushtimi fashist i vendit, 7 prilli i 1939 i indinjuan i dibranët, prandaj ata  rrokën armët dhe u rreshtuan në kolonë për të shkuar në bregdet për të mbrojtur vatanin. Në radhë me djemtë e fshatit u rreshtua dhe mësuesi i ri, Llazar Prifti. Komandanti i kolonës, para nisjes, afrohet pranë mësuesit:

-Po ti, zoti mësues?

-Do të vij me ju, -tha Llazari.- Fshati im është atje, buzë detit ku jeni nisur ju.

-Shkolla duhet të vazhdojë të mësojë fëmijët,-tha ai dhe Llazari u kthye në shkollë.

 

NË SKRAPAR, SHOK ME MEMO METON

Në vitin 1940 Llazarin e transferuan mësues në fshatin Dobrush të Skraparit. Dy vjet e gjysmë punoi këtu. Në Dobrush Llazari pati fatin të njihej me një emër që u bë legjendë e trimërisë partizane, me Memo Meton, i cili ishte sekretar i këshillit të fshatit. “Sa herë që Memoja largohej me detyra të kohës së luftës, shkresurinat i bëja unë”, kujtonte Llazari. Ishte pikërisht Memo Meto, që me shkrimin e tij të bukur formuloi lutjen e Llazarit për t’u transferuar në fshatin e tij, në Divjakë. “Transferimin ia di për nder Memo Metos “Hero i Popullit”thoshte babai  para se të vdiste, tregon dr. Koli, djali i madh i Llazarit.

Në fund të vitit 1943 fshati do ta zgjidhte Llazar Priftin kryetar të Organizatës së Frontit, detyrë e vështirë për atë kohë. Gjatë Operacionit të Dimrit 1943-44 u mbyll shkolla. Mësuesi Musa Kongoli iku në Elbasan. Shtëpinë e tij e kontrolluan gjermanët, të cilët kërkonin Baki Kongolin, vëllanë e vogël të Musait, por ai s’ishte aty dhe ata arrestuan Musanë.

 HAPI DISA SHKOLLA ME MËSUES VULLNETARË

Kongresi i Arsimit në Korçë, nëntor 1944, hodhi direktivën: “Luftë kundër analfabetizmit!”. Nga Lushnja në kongres ishin delegatë mësuesit: Aleks Dani, Hysen Dervishi e Mehmet Gina.

Kujtojmë se në këtë kohë 90 % e popullsisë ishte analfabete. Sipas orientimeve të shtetit, në zonën e tij, Llazari aktivizoi si mësues vullnetarë, ish-nxënësit e tij më të mirë në mësime, por që kishin edhe shkrim shumë të mirë. Këtyre u dha udhëzimet metodike e pedagogjike dhe I shoqëroi nëpër fshatra. Të tillë ishin Miti Prifti, Spiro Rrudha, Ndin Gorreja, Llazar Mali etj. Kurset i ndiqnin me interes jo vetëm fëmijët e moshës shkollore, por edhe burra e gra që e ndienin të domosdoshme të mësonin shkrim e këndim shqip. Një nga këta ish-nxënës që kreu detyrën e mësuesit vullnetar ishte dhe Miti Prifti. Ai, bashkë me mësues Llazarin shkuan në fshatin Sulzotaj, por këtu nuk kishte godinë se ku mund të zhvillohej mësimi. Hoxha i fshatit, një burrë i kulturuar kavajas, doli nga xhamia dhe i tha mësues Llazarit, se sapo ai të mbaronte punët fetare, do ta lironte xhaminë për ta përdorur mësuesi si klasë për të mësuar shqip.Ishte ky një rast  mirëkuptimi mes fesë e shkollës, “feja e shqiptarit është shqiptaria”.. Pra xhamia e fshatit shërbeu edhe si shkollë për mësimin e gjuhës shqipe.

DELEGAT DHE FOLËS NË KONGRESIN E FRONTIT DEMOKRATIK

Në fund të muajit korrik 1945 u zhvillua mbledhja e dytë e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Kongresi bëri edhe ndryshimin e emërtimit të këtij grupimi: nga Fronti Antifashist, u kthye në Fronti Demokratik I Shqipërisë. Në këtë forum të lartë të vendit ishte zgjedhur delegat dhe diskutoi në emër të divjakasve edhe mësuesi Llazar Prifti. Ishte deri më tani një rast unikal që një djalë nga Divjaka të fliste në një forum të lartë në shkallë republike. “Diskutimi im u pëlqye dhe u duartrokit. Preka disa drejtime se si mund të nxirrej populli nga analfabetizmi, për punën që po bëhej në rrethin tonë për hapjene shkollave me mësues vullnetarë dhe luftën që duhej bërë kundër bandave, të cilat ende livadhisnin  në vend. Drejtuesi i seancës, Omer Nishani, e lavdëroi diskutimin tim dhe e quajti diskutim me këmbë në tokë”, ka lënë në kujtimet e tij Llazar Prifti. Kongresi e zgjodhi mësuesin e Divjakës, Llazar Leksi Prifti, anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë.

LLAZAR PRIFTI SHEF I ARSIMIT TË RETHIT LUSHNJË

Në qershor të vitit 1946, kur ishte duke u mbyllur viti shkollor, në Divjakë kishte ardhur për kontroll nga seksioni, Kol Ndin Bozo, i cili mbante detyrën e shefit të arsimit. Në shkollë u bë një mbledhje, e cila u mbyll me një ceremoni modeste në oborrin e shkollës. Në koncertin e grupit artistic të nxënësve u kënduan këngë partizane të shoqëruara me violinë nga mësuesi Llazar Prifti. Në mbarim të koncertit, Koli Bozo e mori Llazar Priftin dhe i komunikoi vendimin e autoriteteve,  se ishte emëruar shef i Seksionit të Arsimit të rrethit të Lushnjës.

Si reagoi Llazari?  Ai e njihte me rrënjë e me degë gjendjen e arsimit në rreth dhe fillimisht nuk e pranoi këtë emërim.

-Nuk e marrë detyrën,-tha Llazari.

-Pse?-ishte habitur Koli Bozoja

-Nuk bëhet arsimi me analfabetë! Në seksionin e Arsimit nuk janë njerëzit e duhur. Arsimi ecën vetëm me njerëz të arsimuar, që i përkasin fushës së arsimit.

Në fakt, punonjësit e reduktuar të seksionit të asaj kohe ishin referent dhe joprofesionistë të mirëfilltë.

-Cilin dëshiron që të marrim për të punuar në seksion?-i kërkoi mendim Koli Bozo.

-Nuk i caktoj unë,-tha Llazari. -Duhet të jenë nga mësuesit më të mirë dhe me arsim përkatës. A u dëgjua konstatimi dhe a zuri vend vërejtja e Llazarit? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në revistën “Arsimi popullor”, ku shkruhej:

“…Ndër shefat e Seksionit të Arsimit që ka lënë gjurmë në arsim është Llazar Prifti. Baza e kuadrit të Seksionit të Arsimit në vitet 1945-52 ishin inspektorët: Aleks Dani, Riza Ranxhi, Abaz Sinani, Abdyl Demi,Andon Billo, Myzafer Bejleri, Kliti Nushi, Vasil Prifti, Rexhep Ballhysa, Sabit Kurti, Anastas Bushamaku”.

  STREHOI AVOKATIN E “DYSHUAR” DEMIR LIBRAZHDI, ULET NGA DETYRA

Ishin vitet kur nevojat për kuadër të arsimuar dhe njerëz të ekuilibruar duheshin edhe në sektorë të tjerë. “Viktimë” e kësaj lëvizjeje u bë edhe Llazar Prifti, të cilin pas pak vitesh e emëruan zv/prokuror të qarkut të Beratit. Iu desh që në Berat të merrte edhe familjen, por nuk e gjeti veten në sektorin e drejtësisë dhe sërish e kthyen shef të arsimit në Lushnjë. Pas një viti, emërtesa i beson detyrën shef iAgitpropit të rrethit, detyrë të cilën e kreu deri në Kongresin e Parë të Partisë 1948.

Një burrë ështëi mirë, kur ka edhe një grua të mirë, kur ka edhe një familje të mirë. Po te Llazar Prifti a e kemi këtë përputhje?

… Në kohën që  vetëm pak javë kishte në këtë detyrë, Llazari pëson një“goditje” nga aparatçikët e kupolës. Ja si ndodhi: Banonte  pranë avokatit të njohur Demir Librazhdi. Për motive që koha do t’i qartësonte me vonesë, Demiri survejohej nga njeriu i degës së Brendshme… “Shokët e babait tim, avokatë Kamber Ruli e Qerim Butka ishin burgosur. Një ditë, babai hyri në shtëpi me lot në sy dhe i tha nënës: “Thonë se Kamberi ka vdekur në burg. Rulët ishin 8 vëllezër:Astriti, Virgjili, Besimi, Nesheti… (ndjesë që s’më kujtohen). Pas disa ditësh, prap babai i tha nënës: “Thonë se me Kamberin ka vdekur dhe Qerimi”. Vini re: Folja “thonë’ ka kuptimin “e kanë vrarë”. Gruan e kishte nga Nepravishtët. Ky fat e priste edhe babanë tim…Po i vinin anës të gjenin një“shkak” edhe ta rrasnin… edhe babanë. Ishte dhënë një urdhër që të na transferonin që nga kjo shtëpi ku ishim afër me Llazar Priftin e Fugët dhe kushedi ku do të na çonin. Na nxorrën plaçkat dhe të gjitha orenditë jashtë. Maria, e shoqja e Llazarit doli në derë dhe s’di ku e gjeti atë guxim kjo grua trimëreshë: “Ku do t’I çoni këta, ju?- tha ajo. Çfarë kanë bërë këta, veç të mirave?” Ajo më mori mua për dore, më futi në shtëpinë e saj dhe filloi të merrte plaçkat rrëmbyeshëm dhe i futi në shtëpi duke na liruar një dhomë. “Mos e bëni këtë gjë, se nuk keni as Llazarin këtu”,- i tha babai. “Jo, tha ajo. Edhe  Llazari po të ishte këtu, kështu do bënte.”-tregon vajza e Demirit,Violeta Kadzadej (Librazhdi). Ishte koha kur kishin dalë në sipërfaqe “kundërshtitë” ideologjike të tipit “Xoxe” dhe fatkeqësisht, fushata  “divida et impera” … kishte nisur keqrrugëtimin…

A ISHTE NË SHËNJESTËR TË BANDAVE LLAZAR PRIFTI?

Hapja e shkollave dhe mësimi i gjuhës shqipe nuk u prit mirë nga forcat regresive.

…. Llazar Leksi Priftin e përqasa pak më sipër me Ndrec Ndue Gjokën, jo vetëm sepse mori përsipër hapjen e disa shkollave për mësimin e shqipes, por edhe për afrinë e rrezikimit të jetës. Ndrecën, shokun e tij të Normales, e vranë ligjet e maleve  ashtu sikurse “ligjet e fushave…” (për analogji), mund ta kishin vrarë edhe Llazar Priftin. “Të dy me Ndrecën na bashkonte varfëria,- tregon në kujtimet e tij Llazari,- por unë them se Ndreca ishte më i varfëri i Normales. Kur e vranë Ndrecën më 17 shkurt 1946 me vendim të “Lidhjes së Maleve” m’u dhimb dhe nxora dy pika lot.”

Krisi pushka, na u dridh toka,/

na u vra trimi Ndrec Ndue Gjoka./

E takoja Ndrecën edhe kur shkonim në mbledhje në Tiranë. Është shumë lehtë të flasësh sot për situatën e atëhershme, kur të vihej koka në rrezik. Hapja e shkollave ishte ndriçimi, drita e së ardhmes, lufta kundër errësirës. Por forcat e errësirës të vrisnin natën e të qanin ditën.

 

Nesër do lexoni:

– Në vitet 1953-57 Llazar Prifti ishte drejtor në shkollën“Model” të qytetit të Lushnjës.

– Si më kërkoi zv/ministri Kahreman Ylli, të hapë gjimnaz në Lushnje

– Në shtator 1956 u hap klasa e parë e gjimnazit të Lushnjës