Kozma Gjini: Krutja feston dy gëzime në një ditë

311
Sigal

Nga Kozma GJINI

(60-Vjetori i gjimnazit dhe i krijimit të ekipit të volejbollisteve )

Krutja sot u zgjua nën tingujt melodioz të këngëve legjendë që i thurin lavdi punës fisnike të mësuesve, arkitektëve të ndërtimit të shoqërisë sonë. Është festa e 60 vjetorit të krijimit të shkollës së mesme me emrin shumë kuptimplotë “DITURIA”, e paralel me të, edhe 60-vjetori i krijimit të ekipit të famshëm të volejbollit të vajzave të Krutjes, talenteve që përfaqësuan rrethin në kampionatet kombëtare e me disa përballje jashtë shtetit. Sa herë që kujtesa na kthen pas, në vitet e fëmijërisë shkollore, na shfaqet parasysh si një monument stoik shënjtëria e figurës së mësuesit të parë.Prandaj binomi “prind-mësues”mbetet simbolika më e vyer autoritare me ndikim të drejtpërdrejt në edukimin dhe formimin arsimor, kulturor e shkencor të brezave.

Këtu e ka bazën edhe thënia e Konfucit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten”. Oborri i shkollës së Krutjes, e para shkollë e mesme në fshatin shqiptar, pëcjell sot natyrshëm gëzimin e atyre viteve, pasi ka nxjerrë 55 matura, baraz me 3382 nxënës të ardhur nga 40 fshatra, ku 912 prej tyre mbaruan universitetin.Nga lartësia e 6 dekadave dhe peshën e viteve mbi supe, sot prindër e gjyshër, takojnë të përmalluar duke kujtuar rininë e tyre, shokët, shoqet, mësuesit e palodhur.Atë vit shkolla kishte 801 nxënës e 36 mësues.

Oborri i shkollës nuk ka patur kurrë kaq njerëz.Kanë ardhur për të përkujtuar këto dy festa binjake: ish-nxënësit, ish-mësuesit, prindër, nxënës e mësues që punojnë aktualisht në Krutje e nga shkolla fqinje, të ftuar nga rrethet dhe nga autoritetet vendore e qendrore. Takojnë e bisedojnë duke kujtuar moshën e rinisë, përpjekjet për  kapërcimin e vështirësive që dilnin nga mungesa e infrastrukturës rrugore, kushteve ekonomike e mungesa e komunikacionit.Nderojnë me respekt mësuesit e tyre që vinin nga rrethe të ndryshme të vendit dhe flinin në familjet e fshatit duke u bërë shëmbull i përcjelljes së kulturës dhe të edukatës qytetare.

Loli Davidhi, normalist, ish-drejtori i parë i shkollës, me peshën e 90 viteve mbi supe dhe me bastunin e Ahme bej Resulit në dorë, qendron si një monument i gjallë përballë historisë dhe i gatshëm për të zhbiruar arkivin e tij të pasur me kujtime e mbresa të shumta. Ai është i rrethuar nga miq të shumtë të vjetër e të rinj, ish nxënës e ish mësues dhe u përcjell me mocion kujtime të shumta dhe nuk gjendet as një minutë i lirë, sepse të gjithë e kërkojnë e duan të bëjnë një fotografi me drejtorin e parë. Ai shfleton kujtesën plot mbresa të ditëve e vitit të parë të fillimit të mësimeve në shkollën  e mesme të Krutjes. “Nxënësit që vazhdonin shkollën në ato vite të vështira ishin heronj. Ata u burrëruan para kohe, sfiduan vështirësitë e rrugës së gjatë për të ardhur në shkollë, në baltë e pluhur, nëpër kanale e deje dhe nuk mungonin në shkollë. Kishin një disiplinë të fortë dhe jo vetëm mësonin në kushte tejet të vështira, por edhe pa mjetet e duhura për konkretizimin e mësimit. Por, të mos harrojmë, se ishin të pasionuar dhe të etuur për të fituar njohuri e informacion të ri nga literatura e cila ishte pakët.Në këto kushte që ngjendet shkolla sot, nxënësit kanë informacione të bollshme dhe duhet të përfitojnë e të zgjedhin gjithcka të vlefshme për jetën, për të formuar personalitetn e tyre si specialistë të ardhshëm.Janë të shumtë mësuesit që dua të përmend dhe i uroj për punën dhe sakrificat.

Më 10 shtator 1962 u përurua shkolla e mesme.Krutja pati fatin të ishte fshati i parë i Shqipërisë që u hap një shkollë e mesme. Në përurim erdhën disa fshatarë dhe të dërguar nga pushteti lokal. Fjalimin e hapjes e mbajti ish-kryetari i Kom. Ekz. të Lushnjës, Uani Hila.

Ndodheshin edhe autoritetet vendore si: Rrapi Gjermeni, Thoma Daka, kryetar i Këshillit, Shefqet Karaj etj.Në një bisedë në këmbë, ku isha edhe unë, Rrapi Gjermeni e pyeti Shefqe Karajn, nëse kishte ardhur dita që të celebrohej shkolla: “Hë Shefqet, kur do ta hapim shkollën e mesme, e pyeti ai duke buzëqeshur?” Veçanërisht komuniteti i prindërve që vinin nga: Kadiaj,  Rrupaj, Krutje e Poshtme, Fieri i Ri, Zhym dhe Krutje e Sipërme e përtej, kishin një vizion të qartë për të ardhmen, prandaj i dërgonin me vendosmëri fëmijët për të mësuar në shkollë. Unë isha drejtor kurse Xhevit Manoli nga Vlora, ishte nëndrejtor.

-Unë jam edhe një arkivist i mirë,-thotë drejtor Loli dhe në vijim rendit të gjithë nxënësit e maturës së parë: Astrit Mebelli nga Kadipashaj, Mihal Lena nga Bishqethmi, Sokrat Shtëmbari nga Pirra, Asprie Thanaraku nga Lumthi, Eqerem Ceka, Qerret; Thoma Ndoni, Rrapëz; Olimbi Davidhi, Fier i Ri; Andrea Davidhi, Krutje; Hilli Liko, Rrupaj; Margarita Basha, Rrupaj; Niko Shani, Krutje; Nasi S. Gjermeni, Krutje; Miti Boci, Krutje; Kalie Rr. Llupo, Zhym; Sava Gjermeni, Krutje; Drita Mëhilli, Krutje e Poshtme; Ngjelina Boci, Krutje e Sipërme, Perik Shani Krutje e Sipërme, Ana Cuko Krutje e Sipërme, Dafina Mile Krutje e Poshtme; Koci Lici, Fieri i Ri; Prenda Muco, Krutje; Athina Shani, Krutje; Gona Qose, Fieri i Ri; Sila Gjermeni, Krutje; Muharrem Gubere, Shakuj; Tasi Gopo, Lifaj; Eqerem Ceka, Qerret; Jadhi Cuko e Kristaq Davidhi.

Shumë informacione, ngjarje  e fakte i kam dokumentuar në librat e mi: “Krutja nën rrezet e diturisë” apo “Mësuesi patriot Rrapi Mërtiri”.

Mjaft nxënës vinin nga fshatrat: Shakuj, Bishqethmi, Lumthi, Rrapëza, Pirra, Këmishtaj: Muharem Gubere, Aleksandra Prifti, Vangjeli Gjini, Mite Bame, Llazar Mëhillka, Kol Ngjeliu, Dhimitër Rista, Llazar Mile, Sotir Dushi, Vasil Dhamo, Aristir Gjini, Lida Llupo, Andrea Liko, Goni Bame, Pali Llupo, Irini Ndreka, Vangjel Ndreka, Violeta Çina, Natasha Gjermeni, Mikail Lena,  Sokrat Thanaraku…etj.

Shkolla e mesme e Krutjes me të drejt duhet të krenohet, sepse ka nxjerrë specialistë në të gjitha fushat: gazetarë, shkrimtarë, agronomë, inxhinierë, ushtarakë si: Hilli Liko, Miltiadh Davidhi, Sokrat Ndrecka, Andrea Liko, Spiro Kote, Muhamet Nela, artisti Misto Daka, Dr. i shkencave Xhovalin Daka, Dr. i Shkencave Pandi Boci,  Dr. i shkencave Andrea Muco, Vangjel Ndreka (kr. i kësh. Qarkut), Fredi Shani, Loni Cuko, Dr. i shkencave, shkencëtari Ilir Toli aktualisht inxhinier “ajro-spaciale”  në qendrën Siliko Valej në Kaliforni, që është shprehur: “Unë po punoj për të “kolonizuar” Marsin dhe Hënën’’…

Vet kam qënë i zgjedhur në Komisionin Kombëtar për Revolucionarizimin  e shkollës i cili drejtohej nga kryeministri i asj kohe, Mehmet Shehu. Kur mblidheshim në Tiranë, 5 minuta para se të fillonte takimi ishte një heshtje varri. Gjimnazin tonë e kanë vizituar drejtues të shtetit e të dikasterit të arsimit dhe ambasadorë të huaj: Hasan Duma, Bedri Dedja, Thoma Deliana, Skënder Gjinushi etj.

Gazetari Kola Stavri në “Zëri i popullit”, dt. 12 shtator 1962 do të shkruante: “Shkollë 11-vjecare në një fshat të Lushnjës”. …Pardje në mëngjes rrugët e kooperativës bujqësore “Stalin” të Krutjes, në rrethin e Lushnjës, kishin një gjallëri më të madhe se zakonisht. Vec kooperativistëve që derdheshin arave të mbjella me pambuk e misër, ecnin edhe fëmijët me fytyra të gëzuara. Nga anë të ndryshme rrugëve e rrugicave qindra nxënës me canta në dorë drejtoheshin për në shkollën e tyre të re. Është gëzimi i prindërve dhe nxënësve për hapjen e shkollës së mesme që u hap sivjet në kooperativën e tyre. Kjo është gjë e madhe dhe sukses i rëndësishëm jo vetëm për kooperativën, por për arsimin tonë në përgjithësi…Shkolla është nisur e stolisur tamam si për festë…Godina ka 18 dhoma mësimi dhe tre laboratorë… Vec shkollës 11-vjecare në kooperativë tonë kemi edhe dy shkolla të tjera: një 7-vjecare dhe një fillore.Në gjithë kooperativën  mësojnë  në shkolla afro 800 djemë e vajza,-ndërhyri sekretari i organizatës, shoku Rrapi Gjermeni…

Aneta Gjermeni, ish-nxënëse, mësuese, sportiste dhe artiste, ka mbresa të pashlyera për punën e mësuesve dhe moshatarët e saj që angazhoheshin me mish e me shpirt për të dhënë maksimumin  në fushën që kishin mbaruar, por që  nuk linin pas edhe aktivitetet jashtëshkolle si sportin dhe aktivitetet artistike. Aneta për gazetën “Telegraf” u shpreh: “…E kujtoj me nostalgji atë periudhë. Janë aq shumë mësues që kanë kontribute sa unë frikem se duke mos i përmendur të gjithë, nuk do të ndjehesha mirë…Gjatë kohës sime kanë mbetur si më të spikatur: Drejtori i shkollës 7-vjeçare, Skënder Fusha, i cili ka kontribute jo vetëm si njeri me horizont, por edhe si aktivist për zhvillimin e sportit. Mësuesi Mërkur Bozgo, i cili vec sportit, ka vlera të pamohueshme në krijimit e grupit artistik me arsimtare e punonjës të fshatit…,kontribut qe na bëri me famë duke debutuar nëpër skenat e fshatrave përreth, deri në skenën e Lushnjës e më tej .. nga ku më përzgjodhën pastaj si prezantuese të trupës së sapokrijuar të “Estradës Profesioniste të qytetit të Lushnjës”.

Në krijimi i skuadrës së volejbollit, një kontribut të paçmuar ka i ndjeri Faik Dervishi, i cili me pasion e sakrifica të mëdha, bënte rrugën nga Lushnja deri ne Fierin e Ri me bicikletë, (sepse aty ishte fusha sportive). Në saj të angazhimit të tij dhe dëshirës e pasionit tonë, arritëm të përfaqesonim Lushnjën në spartakiadat kombëtare si: në Gjirokastër dhe për kategorinë e Parë më 1-6 prill 1962 në Vlorë.Edhe gjumin e bëj duke kujtuar shoqet e mija të asaj moshe që sfiduam mentalitetin e kohës dhe ia dolëm si:Kapitene e skuadrës isha unë e më pas vinin: Lenka Cuko, Olimbi Gjermeni, Margarita Gjermeni, Zoica Cuko, Urani Mëhilli, Sherina Kurti dhe shytierja jonë Saveta Toli.

Kujtoj me respekt specialistët e bujqësisë: Andrea Shundi, Viktor Puka, Loni Cuko etj. Ishte një kohë kur morën një hop të madh arti, sporti, aktivitetet e tjera argëtuese, mbrëmjet e vallëzimit dhe kinemaja… Krutja konsiderohej si një “QYTEZË”.

Ish-drejtorja e shkollës së mesme të Krutjes, Afërdita Sema, shprehet me nostalgji për kolegët, nxënësit dhe komunitetin  e prindërve:

“…Në këtë kohe shkova ne shkollen e re dhe u rregjistrova në klasën e dytë fillore me mësuese Aneta Gjermeni, ku drejtor ishte Loli Davidhi.Po hidhja hapat e para pranë kësaj shkolle duke mësuar mbrëmjeve në dritën e kandilit. Zemrat e vogla që drithëronin në ditët plot lagështirë të dimrit, ngroheshin në stufat e shkollës të ndezura herët nga kujdestarja e shkollës Florika Daka… Ishin vite të vështira, por të mbushura me nostalgji e kujtimet më të bukura të orëve të mësimit, të veprimtarive kulturore e sportive që, falë mësueve të përkushtuar, të mbeten ende në kujtesë si drita të fuqishme që rri ndezur në labirintet e viteve.

Mesues si: Skënder Fusha, Kristaq Dani, Llazar Lëngu, Kili Dhima, Neritan Babamusta, Myhrije Kollcaku, Hasije Hoxha, Sabaete Lahi, Kamber Elezi e shumë të tjerë, vërtet ishin mësues të veçantë që duhet të nxirren nga errësira e largët e atyre viteve. Çdo kapitull përmbyllej i konkretizuar me punën në laborator, me vëzhgimet në mikroskop dhe eksperimentet e ndjekura nga nxënësit. Vitet e bukura 1968-‘72  ishin për mua vitet e shkollës së mesme. Ka qënë puna e pasionuar e mësuesve të shkencave të natyrës, ndër të cilët spikat Gjovalin Daka, që ka nxjerrë nxënës të talentuar e që kanë bërë emër në këtë fushë. Ora e mësimit nuk mbaronte vetëm në 45-minutat e saj.

Shembull dhe kontribut i vecantë i mësuesve ishte edhe mbledhja e fjalës së rrallë e cila u kurorëzua me konferencën gjuhësore të organizuar në Krutje nga gjuhëtari e Profesori, Androkli Kostallari.Me shumë entuziazëm ai na përgëzoi të gjithëve e vecmas mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë, Toli Voglin e Kalie Semën, për kumtesat me vlera gjuhësore që paraqitën.Një melodi të vecantë ritmike merrnin numrat 1, 2, 3, 4, në gojën “altoparlant” të mësueve të fizkulturës: Saveta Toli, Llazar Llupo, Kristaq Gjermeni etj. në ushtrimet spektakolare të manifestimit që organizoheshin dy herë në vit. Të gjithë nxënësit mbulonin fushën e sportit, me piketime të caktuara me rrath të zbukuruar me letra shumëngjyrëshe ose shporta lulesh.

Hasije Hoxha ishte ikona e mësuesit.Me zemër të drithëruar e ndiqnim në orët e bukura të letërsisë, si të mbanim edhe frymëmarrjen, të mbërthyer e të terhequr në rrëfimet e saj për t’u çliruar në fund të shpjegimit. Në një nga ekskursionet dy-ditore të fundvitit, mësuese Hasija na mori ne nxënësit e klasës në kujdestari për të bujtur në shtëpine e saj në Tiranë. Sa humanizem, sa shpirt të madh, sa vlera të larta njerëzore.Spikaste mësuesi Gjovalin Daka, që ka nxjerrë nxënës të talentuar e që kanë bërë emër në fushën e dijes. Për të çliruar nxënësit nga emocioni mësuesit aktronim në komisionin e provimit duke ia nisur vetë me vargjet e Driteroit:

“Tokë e dashur,

Ti dicka ke kërkuar nga unë…”

Dhe mësues Toli vazhdonte duke e kthyer:

“ Ndryshomë, o biri im!

Më ke thirrur nga grykat e maleve”

Nxënesit dëgjonin në heshtje dhe na e kthenin ndonjeherë me vargje dhe kështu, fillonte provimi…”

Festën e 60-vjetorit nderuan me pjesëmarrjen e tyre ministrja e arsimit e sporteve Evis Kushi, deputetët Taulant Balla, Tatjana Piro e Lindita Buxheli, kryetarja e bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa, kryekëshilltarët Fier e Lushnjë: Vangjel Ndreko e Ferdinan Gjermeni, drejtueset e arsimit të Fierit e Lushnjës, Flutura Mecaj e Zeniola Vogli e shumë të tjerë.

Takimin festiv e çeli drejtori i gjimnazit të Krutjes, djali i fshatit, Gëzim Vogli.

“Shkolla ka përjetuar shumë gëzime e transformime gjatë 60 viteve të ekzistencës së saj.Postulati kryesor, të cilit stafi pedagogjik i shkollës sonë i është përmbajtur gjithmonë është: respektimi i personalitetit të nxënësve, shfrytëzimi i mundësive të shkollës dhe të mësuesve për të realizuar potencialin e plotë të nxënësve.E konsiderojmë si detyrën tonë kryesore të ofrojmë çdo mundësi në procesin mësimor për zbatimin intelektual të kreativitetit, formimin dhe edukimin e brezave.Shkolla jonë, ka jo vetëm një të kaluar të lavdishme, por edhe një të tashme shumë të mirë, që garanton një të ardhme të mrekullueshme.Gjatë ekzistencës së saj, shkolla jonë është drejtuar sukseshëm nga: Loli Davidhi, i cili është edhe drejtori i parë i krijimit që më 1962, e më pas shkollën do ta drejtonin: Kili Dhima, Sokrat Liko, Xhovalin Daka, Solli Cuko, Agim Gjermeni, Afërdita Sema, Teodor Vogli, Pëllumbardha Xhoku, Lorena Mile dhe sot Gëzim Vogli. Në vitin mësimor 2022-2023 në shkollë punojnë me përkushtim mësuesit:Gëzim Vogli, Odeta Rrushi, Mirlinda Tace, Arvenola Gjata, Blerta Liko, Gëzim Sina, Lorena Mile, Erjola Qorri, Eljana Gjermeni, Eriselda Hyka, Liljana Mëhillka, Olgert Kurti, Orjeta Koçi.Është e pamundur të rendis këtu qindra nxënsit e mësuesit që kanë lënë gjurmë në këtë shkollë.

Ministrja e arsimit Evis Kushi e vlerësoi këtë përvjetor si një ngjarje që duhet përgjithësuar, pasi ka brenda mësime të vyera që na shërbejnë në jetë.

Nuk ka moment më të bukur se ky.Në punën e përditshme kur bëhet fjalë për përurimin e një shkolle të re apo një përvjetor, gjendem para momenteve më emocionuese, më frymëzuese të punës sime. Duke lexuar të dhëna  për shkollën e Krutjes më bëri përshtypje që në vitin 1965, të diplomuarit e parë ishin 29 ,nga këta 22 vazhduan studimet e larta dhe që të gjithë u kthyen në vendin e tyre për të dhënë kontribut në vendlindje. Ky është një moment shumë admirues. Kontributi më i madh që mund të jap cdo njeri është pikërisht ky: Të formohet, të diplomohet, të marrë një profesion në jetë dhe të japë kontributin për popullin e tij në vendlindje, aty ku u rrit, ku u arsimua, ku ka prindërit, ku ka miqtë e tij.,..Ky lloj kontributi sot është mjaft aktual. Modeli i kësaj shkolle është frymëzues për të gjithë të rinjtë.

“Mësuesinë” duhet ta kthejmë sërish në një profesion të dëshiruar nga të rinjtë dhe të rejat.

Takova drejtorin e parë të kësaj shkolle, Loli Davidhin. Ishte shumë  emocionuese. Një falenderim shumë të përzemërt me shumë mirënjohje për drejtorin e parë të kësaj shkolle i cili ishte diplomuar në Normalen e Elbasani. Kjo është një shkollë që do të jetë gjatë model frymëzimi ndër vite, sepse vërtet ka nxjerrë personalitete në profesione të ndryshme.


Dua të vlerësoj dhe kontributin që ekipi i volejbollit të vajzave të Krutjes që ka dhënë jo vetëm për Lushnjën por dhe në nivel kombëtar. Eshtë një rast unik që një skuadër fshati të përfaqësoj rrethin e të përballet e të fitoj me skuadrat e qyteteve të mëdha të vendit.

Sot ju mësoni në një godinë të rikonstruktuar me orendi të bashkëkohore .Godina është rikonstruktuar në vitin 2017 nga buxheti i Ministrisë së Arsimit me rreth 63 mln lekë të reja dhe është një godinë sipas standardeve e cila luan rol në cilësinë e mësimeve.Ne i japim vazhdimisht një vëmendje të veçant infrastrukturës shkollore. Këtë vit kemi miratuar edhe dy godina të tjera  që janë shkolla “Foto Puk”a dhe “Skënder Libohova” që përsëri kanë marrë financime nga buxheti i shtetit për rikonstruksion. Për një arsim cilësor e rëndësishme është puna e mësuesit, kurrikulat, programet, tekstet dhe unë jam krenare të them që në të gjitha këto drejtime ne kemi bërë progres.

Sot kemi një kurrikul me kompetenca për t’i bërë nxënësit të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, kreative.Kemi tekste shkollore të njëjta më tekstet që sot janë në Kembrrixh, në Oksford. Mësuesit janë të përkushtuar e të kualifikuar. Respekt për modelin e drejtuesve të parë të shkollës.”

Të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti Taulant Balla i cili theksoi:

“Shkolla e mesme e Krutjes është një prej rasteve më të suksesshme, më të shkëlqyera të arsimit shqiptar. Natyrshëm shumëkush mund të vij këtu pas 60 vitesh dhe të bëj një përmbledhje të të gjithë brezave që kanë studiuar e konrtibuar. Nga kjo shkollë kanë dalë specialist të shkëlqyer të bujqësisë shqiptare, sepse duam apo s’ duam, këtu jemi në kryeqendrën e bujqësisë.Transformimi që ka pësuar bujqësia shqpitare ndër vite është i lidhur edhe me djemtë e vajzat, burrat e gratë që kanë studiuar në këtë shkollë dhe pëmes dijes të marrë nga shkolla e mesme e pastaj në universitet, kanë dhënë kontributin e tyre në transformimin e bujqësisë. E dyta ka të bëj me një model që ne duam ta fusim sot në cdo shkollë pas 60 viteve, kur 60 vite më parë e kishte shkolla e Krutjes. Ne duam se si të lidhim mësimin me sporin.Jemi këtu sot për ta treguar Krutjen si një model të spikatur të ndërlidhur mes mësimit, arsimi dhe sportit. Sot ne festojmë ditëlindjen e shkollës dhe të njërit prej ekipeve që jo vetëm habiti gjithë Shqipërinë, por arriti të kishte rezultate të shkëlqyera në volejboll edhe përballë ekipeve të mëdha të vendit dhe nuk ishin të rralla rastet, kur Krutja si ekip i Lushnjës në volejboll rivalizonte Dinamon e Ela Tases, Ibrahimin e vajza të tjera. Ky ka qënë një prej modeleve që natyrshëm ne duhet ta rikthejmë.Ne duhet të kthejmë eksperiencën e bukur të klasave sportive. Sepse ne mendojme që të rinjtë sot në Shqipëri kanë shumë nevojë për t’u marrë me sport.Sporti është i vetmi instrument që kemi në dorë për t’i larguar të rinjt nga veset për t’i larguar nga telefoni dhe natyrshëm sporti është shëndet. Duam që ta rikthejmë modelin e Krutjes në të gjitha shkollat nëntëvjecare e të mesme në gjithë Shqipërinë. Në buxhetin e qeverisë kemi parashikuar një mbështetje sa i përket pjesës që lidhet me infrastrukturën sportive.Po pallatin e sportit të Krutjes kur do ta bëjmë? Ju them se ne do ta nisim me buxhetin e bashkisë dhe mirëpresim dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit e të Sporteve, sepse duam t’ia kthejmë këtij pallati sporti shkëlqimin e dikurshëm. Krutja është përzgjedhur si një prej 100 fshatrave që duhen të urbanizohen dhe të jeni të sigurt se do të ecim edhe për këtë gjë.

Eriselda Sefa, kryetare e bashkisë, e angazhuar cdo ditë për një kremtim sa më dinjitoz të festës, përgëzoi mësuesit dhe sportistet për përkushtimin dhe ruajtjen e traditave, si një  model i shkollave tona.

“…Sot takohemi në këtë aktivitet që shënon dy momente të rëndësishme jo vetëm për Krutjen dhe zonën përreth, por për të gjithë Lushnjën.Shkolla e Mesme dhe ekipi i volejbollit  të vajzave kanë disa pika takimi. Janë dy ngjarje që lindën në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, me personazhe të përbashkët.Shkolla  mesme dhe volejbolli, jo vetëm që lindën bashkë 6 dekada më parë, por edhe rugëtimin e tyre e patën të njëjtë, të shënjuara me plot sukses dhe lavdi. Shkolla e Krutjes si mjedis, edukoi dhe arsimoi vajza e djem, të cilët kontribuan jo vetëm në rritjen cilësore të jetës në zonë, por edhe më gjërë duke qënë profesionist të zot në fusha të ndryshme, falë shkollimit cilësor brenda dhe jashtë vendit. Qindra mësues të shquar janë bërë pjesë e historisë së kësaj shkolle, e po kaq juristë, mjekë, inxhinierë, specialistë të bujqësisë etj. Gjimnazi i Krutjes është pa diskutim një krenari për Lushnjën.Krutja i ka kapërcyer kufijtë e suksesit dhe ka bërë epokë në sportin e volejbollit për vajza.Ndaj unë dua të përulem me respekt  për të gjithë personazhet e familjet që sfiduan vështirësitë, për të mbajtur gjallë volejbollin e duke na dhuruar fitore e tituj në kampionate  dhe pjesëmarrje dinjitoze në Kupat evropiane…!”


Mësuesi i historisë, Kristaq Mëhilli
, bëri një panoramë të arsimit në Krutje. Ishte fat e meritë e popullit të Krutjes që 60- vjet më parë, më 1962 të hapej e para shkollë e mesme e arsimit të përgjithshëm në fshat. Nga 3 mësues dhe 36 nxënës që kishte gjithsej Krutja para Çlirimit, në vitin 1962 kishte 801 nxënës e 36 mësues, në të gjitha ciklet. Në vitet pas Çlirimit u bë një revolucion i vërtet në fushën e arsimit dhe të kulturës. Kujtojmë me respekt mësuesit e parë, të cilat kanë punuar në këtë shkollë, si; Loli Davidhi (drejtori), Kristaq Dani, Xhavit Manoli, Baftjar Stërgu, Urani Mëhilli dhe Haxhire Dizdari. Kontribut të çmuar kanë dhënë në këtë shkollë edhe mësuesit e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendi. Nga Shkodra: Veit Gjyli dhe Skënder Fusha. Nga Tirana: Neritan Babamusta, Myhrije Kollçaku, Sabajete Lahi, Asije Hoxha, Yllka Bejko, Liri Çela, Nexhip Mesareja. Nga Durrësi: Agap Isaku.Nga Elbasani:  Gazmend Kongoli. Nga Kuçova: Vangjeli Gogu. Nga Fieri: Llazar Lëngu.Nga Lushnja: Seit Prishta, Kamber Elezi, Isa Alushi, Xhorxhi Moçka, Halit Elezi, Gëzim Rustemi, Pirro Bano etj. Rruga 60- vjeçare e shkollës ka një histori me vlera të dalluara pedagogjike ku kanë kontributin e tyre dhjetra mësues. Gjithë kontingjenti i nxënësve të kësaj shkolle vinte nga fshati.

Në maturën e parë (1962-66) mbaruan 29 nxënës. Nga ata që vazhduan univeristetin dolën: 5 mjekë, 9 mësues, 4 oficerë (për herë të parë një vajzë), 4 specialistë të bujqësisë dhe 1 inxhinier nafte etj.  Në vitin 1970- 1971 gjimnazit iu shtuar dega e agronomisë. Në vitin 1975-1976 iu shtua dega e zooteknikës. Në 1968-1970 shkolla tri degëshe u caktua nga Ministria e Arsimit si shkollë pilot ku eksperimentohej sistemi arsimor duke e gërshetuar në mënyrë të harmonishme  mësimin me punën prodhuese.Në vitin 1984 u rihap dega e arsimit të përgjithshëm e u shtua dega e veterinarisë. Në vitin 1987-1989 nxënësit e shkollës së Krutjes përfaqësuan rrethin e Lushnjës në Olimpiadën Kombëtare të Shkencave Natyrore: Matematikë, Fizikë e  Kimi, duke e nderuar shkollën tonë me fitore në vendet e 2-ta e të 3-ta. Po këtë vit, nxënësja Alketa Vogli ka mbaruar gjimnazit me rezultate ekselente, e vlerësuar me “Medalje Ari”.

Shkolla është shquar për vlerat e saj artistike e edukative edhe në veprimtaritë jashtëshkollore të drejtuar prej krijuesit e regjizorit, ish-mësuesit të pasionuar të letërsisë Teodor Vogli.Në vitin 2016 nxënësja Sindi Gjermeni fitoi Olimpiadën e Letërsisë në rang Kombëtar. Në po të njëjtin vit nxënëses Krisula Billo i jepet dekorata për “Aftēsi të larta interpretative”. Gjimnazi ynë fiton vendin e parë e i jepet kupa “ Kupa e Miqësisë” e fituar në kampionatin e volejbollit (për femra) organizuar nga Bashkia Fier. Në vitin 2021- 2022,sipas renditjes së M.A.S, gjimnazi i Krutjes, u rendit në vendin 38 me notë mesatare 7.8.

Si një festë brenda festës dhe me një shkëlqim sfidues, u përkujtua edhe 60 vjetori i krjimit të ekipit të famshëm të volejbollit të vajzave të Krutjes, vajzave që veshën fanellën e përfaqësueses së rrethit dhe u përballën e fituan ndaj skuadrave të qyteteve të mëdha të Shqipërisë duke prekur disas trofe. Disa prej këtyre volejbollisteve ishin edhe në takim: Marie Qose, Vjollca Llupo, Elsa Çuko, Fatbardha Gjermeni, Jorgjie Kapo, Suzana Davidhi, Suzana Gjermeni, Olimbi Gjika etj. Në vitet: 1994, 1996, 1997, 1998, ekipi i vajzave të Krutjes doli  kampion kombëtar në kampionatin e volejbollit për të rriturra.Më 1994 ishin pjesëmarrëse në kampionatin Evropian në Poloni.Më 1995 ishin pjesëmarrëse në kupën e CEV në Bjellorusi.Në vitet: 1995, 1997, 1997, 1998, kampion në kupën e Shqipërisë. Në vitet: 1997, 1998 dolën fituese të Superkupës në Shqipëri organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Në rrugën e sukseseve dhe të vendit që sporti i vajzave të volejbollit të Krutjes u ngjit kaq lart në shkallë vendi, është pa dyshim kontributi i të palodhurve, trajnerëve të skuadrës: Llazar Llupo, Josif Gjermeni e Perikli Daka.

Me këtë rast, kryetarja e Bashkisë, znj. Eriselda Sefa, nderoi me çertifikatë disa nga mësuesit e sportistet: Skënder Fusha, Neritan Babamusta, Loli Davidhi, Teodor Vogli, Sokrat Liko, Kristaq Gjermeni, Katerina Boçi, Vjollca Llupo, Marie Qose, Llazar Llupo, Perik Daka, Josif Gjermeni…Për të treguar të gjitha arritjet e ekipit të volejbollit të vajzave të Krutjes, do të duhej një përmbledhje voluminoze, ku edhe këto faqe të “Telegraf” do të shërbenin si plotorja  librit…

Mirënjohje nxënësve ekselent, fitues të olimpiadave kombëtare e të mjaft medaljeve. Homazh për mësuesit e nxënësit që nuk e arritën këtë ditë! Nderim figurës së mësuesit.

GËZUAR 60-VJETORIN E SHKOLLËS SË MESME DHE 60-VJETORIN E EKIPIT TË VOLEJBOLLIT TË VAJZAVE, KRUTJA JONË!