Kozma Gjini: E gëzofsh 90-vjetorin Hyskë Borobojka!

659
Sigal

 

“…Me ju nuk do të merrem unë, do të merret hetuesia!”

“…Të vij këtu gazetari e t’i japim kazmën që t’i vijnë mendtë!”

“…Të enjten të jesh në Komitetin Ekzekutiv!”

“…Të hënën praqitu në Drejtorinë e Degës së Brendshme  të Tiranës!”

“…Shoku kryetar, ky është Gaqo Veshi i ‘Hostenit’!”

“…Ti nuk e ke vendin këtu, po atje poshtë  në birucë që të kalbesh”!

 Shkrimtari e gazetari i mirënjohur, Hyskë Borobojka, më 25 tetor 2020, mbushi 90-vjetorin e ditëlindjes. Jetën letrare, artistike e publicistike të Hyskë Borobojkës do ta ndaja në tre etapa:1.Krijimtaria letrare dhe publicistike që nga gjimnazi i Gjirokastrës, e deri para se të  shkonte radaktor në revistën “Hosteni”. 2.Krijimtaria letrare e publicistike gjatë dy dekadave që ka punuar  si redaktor në revistën satirike “Hosteni”. 3.Krijimtaria e viteve 1991-2020. Është një jetë e tërë me punë mendore, produktive dhe cilësore. Një punë kolosale letrare dhe publicistike  e cila është përmbledhur në disa libra të botuar e në proces. Në hyrje, dëshiroj të shpjegoj, se ç’më lidh me Hyskë Borobojkën? Duhet të ketë një marrëdhënie të ndërsjelltë miqësie, respekti e dashurie për të shkruar me dëshirë për një njeri. Dhe, te Hyskë Borobojka, me fakte e me vepra dokumentohet kjo lidhje sa njerëzore dhe letrare mes nesh. Por që është letërsia pika kyçe e kësaj lidhjeje, këtë s’mund ta mohoj dot, askush. Ishte talenti i tij, mjeshtëria artistike dhe arti i fjalës së tij, që unë të tërhiqesha prej krijimtarisë së Hyskës qysh në vitet e rinisë, pa e njohur fare. Ishin shkrimet e tij tërheqëse arsyeja që rrugën me këmbë për në shkollë, Shakuj-Këmishtaj, ta bëja në ecje duke lexuar e  buzëqeshur me krijimet plot humor të Hyskë Borobojkës, të botuara në revistën “Hosteni”, apo me librin “Adashi im i bie borisë”, për të cilin  siç i kishte thënë Agolli: “Adashi…” të çoi në prodhim, por “Adashi…” të solli dhe në Tiranë”.

Fillimisht, Hyskë Borobojkën e kam njohur nga shkrimet, kur ai jetonte e punonte mësues në rrethin e Korçës. Nëse në leximin e një libri, të vjen natyrshëm së brendshmi buzëqeshja, do të thotë se autori ka goditur në shenjë. Të tilla ishin tregimet e Hyskë Borobojkës. Guxova një ditë t’i shkruaja “Hostenit”. Nga ajo ditë unë do të isha korrespondent i revistës “Hosteni” për rrethin tim. Hyska do të më jepte “leksionet” e para të humorit, me këshillat dhe etikën që e karakterizonte ndaj unë e falenderoj.

Jam i lumtur që këto vitet e fundit kam disa korrespondenca letrare me Hyskë Borobojkën ku dhe ai në disa tregime të vetat, më ka kthyer përgjigje publike me emrin “Kozma Myzeqari”, siç bënte për një kohë të gjatë me Agollin, pasqyruar në vëllimin “Tre qeshin një inatoset”, korrespondencat Bamkë Çomanga-Hyskë Borobojka, botuar nga e bija e Agollit, Elona. Në bibliotekën time ndodhen të gjitha librat e Hyskë Borobojkës dhe anasjelltas.Në ato vite, të shkruaje kritikë, ishte si të kaloje në “tehun e thikës”.

Shpesh pyesja veten: Ku e gjen forcën ky njeri që bën gjithë këto shkrime, fejtone, skica, ese, pamflete, tregime…etj  që tundin themelet e kuadrove drejtues të rretheve, të cilët s’linin gur e kusur për ta mposhtur autorit me tërë potencialin e tyre shoqëror e zyrtar? Dhe përgjigjen ishte, se Hyskë Borobojka ishte gazetar i guximshëm, i progresit, i së ardhmes, i së resë pa njolla e pa “mbeturina”, sepse ai inspironte drejt së vërtetës, reales, njeriut dhe shoqërisë pa vese. Guximi për drejtësi ishte një cilësi e karakterit të tij që do ta shoqëronte tërë jetën, edhe në këto ditë të 90-vjetorit të lindjes, ku ai nuk resht së shkruari në “ “Telegraf”, “Nacional”,  “Koha Jonë”, etj.  Nënvizoj, se Hyskë Borobojka, deri sa u bë “Hyskë Borobojka”, ka kaluar përmes shumë peripecish, vuajtjesh e mundimesh të panumërta e netë të tëra pa gjumë, të cilave ua ka dalë mbanë, falë talentit, realizmit dhe vërtetësisë së shkrimeve.         Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës. Këtu ai do të njihej me shokë të cilët do të bëheshin emra të dëgjuar në letërsi. “Në shkollën “Asim Zeneli” kishim një rreth letrar nga më të mirët në shkallë vendi”, tregon Hyska. Këtu dolën shkrimtarët e dëgjuar: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi, Ibrahim Tafilaj, etj”. E takova këtë verë mikun tim. Ishte duke punuar një shkrim: “Tre vjet pa të madhin Dritëro” për gazetën “Telegraf”. E la penën dhe duke u çlodhur e duke biseduar, si të nxirrte prej arkivit jetën e 90 viteve me miq e shokë, të parin kujtonte Dritëro Agollin. Pyetjes sime: A të mungon Dritëro Agolli, Hyskë Borobojka i përgjigjet me sytë  të mbushur me lot:

“Është një plagë që nuk shërohet kollaj. Ne kemi patur një miqësi që vazhdoi afër 70 vjet, derisa Driteroi ma bëri me të pabesë, se shkoi para meje, pasi radhën e kisha unë. Me Dritëronë u  njohëm rastësisht në agjensinë e Korçës. Do të shkonim në Gjirokastër, në konviktin e shkollës “Asim Zeneli”.

 

Kështu nisi e vazhdoi njohja ime me Dritëro Agollin. Jetuam 4 vjet në konvikt së bashku. Ai shkoi për studime në ish-Bashkimin Sovjetik. Kur ai erdhi redaktor në “Zërin e popullit”, unë isha mësues në Skrapar, e më pas në Korçë. Gjithmonë na ka lidhur miqësia shkollore”. Hyskë Borobojka ka filluar të shkruaj që në bankat e shkollës. Shkrimin e parë në “Hosteni” e ka botuar që kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme: “Gjirokastër ngjet mënxyrë” (botuar në “Hosteni”më 1948). Kishte botuar dhjetra tregime, fejtone e poezi humoristike, para se të vinte në “Hosteni”. “Dritëroi në një libër që më dhuronte, ka shkruar: “Le të jetë ky libër në bibliotekën tënde dhe të na kujtoj vjershat plot qyfyre që shkruanim nën çatinë e konviktit të mbuluar me plloça”. E kam dashur dhe më ka dashur Dritëroi. “Si të rinj që ishim, bënim edhe ndonjë marrëzi a çapkënllëk me zarar. Unë kam ndenjur 4 vjet në një dhomë me Dritëroin dhe hanim në një tavolinë. Me Dritëronë e shokët kemi bërë edhe “Grevën e preshit”. Kam shkruar nëpër gazeta për këtë gjë. Të thërrisje “Poshtë drejtori!”, atëhere, ishte me rrezik. Disa ditë jetuam me frikën e përjashtimit nga shkolla, sidomos unë, Dritëroi, Mevlan Kabo etj. E hoqën drejtorin. “Shpëtuam, më tha Dritëroi, se do të ishim bërë bejtexhinj fshati”.

Letërkëmbimet Bamkë Çomanga-Hyskë Borobojka janë një risi në letërsinë shqipe. Stili i krijimtarisë letrare përmes letërkëmbimeve ishte një gjë e re dhe shumë interesante që u pëlqye nga lexuesit. Dy shkrimtarë nëpërmjet letërkëmbimeve shpalosnin artistikisht jetën dhe hallet e problemet e kohës. Letërkëmbimet me Bamkën filluan në vitin 1969. E nisi ai me një shkrim në gazetën “Drita” me titull “Vepra ime duhet ndrequr” dhe iu përgjigj Hyska  me: “Shyqyr që s’dole jashtë”. Dhe kështu vazhduan korrespondencat tona, të cilat i mblodhëm dhe i botuam. Në  romanin “Arka  e Djallit”, një nga personazhet kryesore është Hyskë Borobojka. Agolli më drejtohet direkt mua”. Gjatë kohës që ishte mësues në Korçë, Hyskë Borobojkën e kanë ndjekur ndëshkimet e presionet për t’ia ndalur vrapin krijues.Nëse Hyskë Borobojka e kapërceu pragun e rrezikut të derës së burgut, ishte zotësia e talenti i tij, se dinte të bënte humor, etika profesionale, vërtetësia, ndershmëria dhe çiltërsia shpirtërore.Kurrë, asnjëherë nuk ka qënë tendencioz e nuk ka patur  kurrë asgjë personale me askënd që bëhej objekt i kritikës. Ai i qendronte besnik parimit moral të satirës: “duke luftuar të metën, pa shpërdoruar njeriun”.

“Humori e satira janë thika me dy presa, që mund të presësh, por edhe mund të pritesh. Kam vajtur deri te dera e burgut, por nuk më kanë kryqëzuar dot.Kur shërbeja si mësues në Maliq, në vitin 1962, botova në revistën “Ylli” tregimin “Adashi im i bije borisë” dhe “Ditari dhe inspektor Zylali” në gazetën “Mësuesi”. Për këto dy shkrime u pushova nga puna e punova dy vjet në peshoren e “Kombinatit të Sheqerit” e në “Komunale”. Madje dënimi shkoi edhe më tej, duke më hequr të drejtën e botimit. Paradoks, sepse në këtë kohë sapo më kishin dekoruar me “Urdhërin “Naim Frashëri” kl.3” Këtë kohë e kam përjetuar shumë keq.”  Hyskë Borobojka, për talentin e tij e humorin fin, thirret të punonte redaktor në revistën “Hosteni” më 1 nëntor 1971. Atë kohë “Hosteni” drejtohej nga Niko Nikolla. Nikoja bëri një përmbysje të situatës, guxoi të pasqyronte problematika serioze, po dhe këto nuk bëheshin  pa një mendje të re krijuese. Prandaj ai mori në redaksi, në kolegjium e zgjodhi bashkëpunëtorë penat më të mira të kohës si: Shefqet Musaraj, Kolë Jakova, Petro Marko, Dritëro Agolli, Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Sabri Godo, Naum Prifti, Pëllumb Kulla, Vangjush Gambeta, Tasim Aliaj, etj. Hyskë Borobojka ka edhe disa letërkëmbime interesante me shkrimtarin Iliaz Kapxhiu. Në redaksi erdhën gazetarë cilësorë si: Skënder Hasko, Gjikë Kurtiqi, Filip Çakuli. Me revistën filluan të bashkëpunojnë poetë të shquar, si: Ismail Kadare, Dhori Qiriazi, Xhevair Spahiu, Ndoc Gjetja etj. Hyskë Borobojka ka shkëlqyer si shkrimtar humorist e fejtonist, prandaj është dhe mbetet një rast unikal në shkallë vendi.   Revista e ngriti shënjestrën e kritikës. Në faqet e saj u kritikuan dikasteret, institutet, ndërmarrjet, Komitet Ekzekutive etj. Faqet e saj u sistemuan me rubrika si: “Pasuria e popullit bëhet rrush e kumbulla”, “Në majë të Hostenit”, “Në prehër të burokracisë”, ‘Shosh e sit e mos gatuaj”, “Rrota mbi rrota”, “Barut për çifte” etj. Çdo numër i revistës kishte kryeartikullin: “Letër pa zarf”, që u drejtohej dikastereve, për probleme të rëndësishme. Shkrimet e Hyskë Borobojkës shquheshin nga vërtetësia dhe objektivizmi. Karakteristikë e krijimtarisë së Hyskës është  “fushbeteja” e zhvillimit të ngjarjes, që siç që tregon ai, “nuk ka lënë cep të Shqipërisë pa shkelur”. Hyskë Borobojka me satirën e tij ka thumbuar: politikanët, të paudhët, burokratët, hileqarët, servilizmin, parazitizmin, grafomanët, bukëshkalët, egoizmin, mendjemëdhenjtë…!

“ Në Fier-Shegan, kam vajtur me Petro Markon, tregon ai. Miqësi të madhe kam pasur me Sabri Godon, Vangjush Gambetën, Spiro Deden… Spiroja më ka dhënë një temë që e titulluam “E teta kërkohet me gjyq”.   “S’kisha bërë as 6 muaj që kisha vajtur në “Hosteni” dhe bëra një shkrim kritik për Peshkopinë. Sapo botohej revista, u vinte nëpër zyra dhe të mëdhenjve. Isha vetëm në redaksi atë ditë, kur dëgjoj zilen e telefonit:

-Urdhëroni!- u përgjigja unë.

-Revista “Hosteni”!-pyeti ai.

-Po, revista “Hosteni”.

-Kryetari i Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, jam. Kam në tavolinë revistën “Hosteni”. Janë të vërteta këto që shkruhen në revistë për Peshkopinë?

-I kemi verifikuar,- thashë unë.

-Dëgjo këtu! tha kryeministri. -Unë do dërgoj Kontrollin e Shtetit në Peshkopi për ta shikuar gjendjen. Nëqoftëse ato nuk janë të vërteta, gjeni vrimë ku të futeni!” Dhe e mbylli telefonin.

“O, burra të gjejmë dhe ca fakte të tjera, më tha Nikoja sa pa vajtur kontrolli.” Kontrolli i shtetit e verifikoi urgjent gjendjen dhe doli se kritika qëndronte. Morën masa ligjore dhe administrative për përgjegjësit e prekur në atë shkrim.”

Gazetari e ka bredhur Shqipërinë nga Vermoshi, te gjiri Ftelias dhe që nga Ostreni, në Velipojë. S’ka lënë fshat pa shkelur në Myzeqe këmba e Hyskë Borobojkës. Modeli i një gazetari, një njohës i rrallë i vendit tonë. Hyska nuk i ka të stisura e të sajuara temat, por të jetuara, të vërteta. Si  bujku i mirë, që i merr kokrat bio nga pema, e jo të rënat përdhe. Nuk ishte rastësi që në vitet 2004-2008 ai ishte korrespondent i “Gazetës së Athinës” për Tiranë dhe përgatiste faqen me humor e satirë nga bëmat në kryeqytet. Disa nga shkrimet i ka mbledhur në librin “100 ditë në Tiranë”. Përdorimi i shprehjeve e batutave popullore i bëjnë më tërheqëse tregimet. “Në humor duhet të dish, kur të futesh e kur të dalësh. Ai s’pranon ujë të tepërt, por pak e saktë. Fjalët që shërbejnë për të gatuar humorin duhet të jenë të zgjedhura dhe jo zhargone e banalitete. Humori ka forma të ndryshme, herë duke u mbështetur te batuta e zgjuar, siç vepronte Qamil Buxheli, apo Hasheku e Servantesi, herë te situata  komike, si në shkrimet e Naum Priftit, Pëllumb Kullës, Miço Kallamatës etj, ose luan me të papriturën në fund si te: Hazis Nesini, Çehovi, O’Henri etj”. Shkrimtari ka botuar dhjetra libra.

Kundërshtarët e parë,  “kontrapedalët” e parë që i dilnin pengesë ose e sulmonin deri në kërcënime për flakje në rrugë, ishin komitetet e partisë dhe komitetet ekzekutive të rretheve. Dhe kjo ka argumentat e veta. Shumë kush mund ta ketë lexuar në atë kohë Hyskë Borobojkën dhe do të më japë të drejtë. Arroganca dhe prepotenca e kuadrove, mashtruesit dhe servilët, të paaftët dhe hileqarët vegjetonin në karriget dhe rronin në kurrizin e popullit. Kurse Hyska këta i vinte në majë të hostenit. Në faqen e parë të revistës. Por duhet të kishe  edhe krahët të ngrohtë për të bërë kritika të tilla që zbulonin vjedhje e shpërdorime marramendëse. Falsifikatorët kishin edhe miqtë e tyre që të bënin gjëmën pas shpinës, hakmarrës.

Hyskë Borobojka për shkrimet e tij kritike (janë bërë 30 e kusur ballafaqime) ka marrë një risk serioz e të dhimbshëm deri në kërcënime me burg nga titullarë e institucione të shtetit, dhimbje shpirtërore që askush nuk mund t’ia kompensojë. Nga: Komiteti i Partisë Tiranë, Kom. Ekz. Berat, Elbasan, Burrel, Korçë, Vlorë, Shkodër, Kryeminstria etj. (Shih “Rrëfimet e një humoristi”). Nuk po përmend emra e adresa zyrtarësh, por vini re, lexues të nderuar, se çfarë kërcënimesh i janë bërë gazetarit:

 “…Me ju nuk do të merrem unë, do të merret hetuesia!”

 “…Të vij këtu gazetari e t’i japim kazmën që t’i vijnë mendtë!”

 “…Të enjten të jesh në Komitetin Ekzekutiv!”

“…Të hënën paraqitu në Drejtorinë e Degës së Brendshme  të Tiranës!”

“…Shoku kryetar, ky është Gaqo Veshi i ‘Hostenit’!”

 “…Ti nuk e ke vendin këtu, po atje poshtë  në birucë që të kalbesh”!

“…Të kemi thirrur këtu, që ta mbledhësh bishtin, e të ndjekësh mësimet e të Partisë e të shokut Enver, e jo thashethemet, barsaletat e përrallat armiqësore! Prandaj u tha ç’u tha këtu, qepe gojën, qelbanik! Sakën se i thua njeriu, se ku ishe, e çfarë të thanë, të piu e zeza!”

“… Ti je armik i Partisë e i pushtetit popullor!” e të tjera…e të tjera.

Hyskë Borobojka mban disa vlerësime morale: Me rastin e 25- vjetorit të revistës, (kur ishte mësues) u dekorua, me “Urdhërin Naim Frashëri të shkallës 3”, më pas me “Urdhërin Naim  Frashëri të shkallës 2”;  Për “Adashi im i bie borisë”, çmim i tretë, “Qilimi me rrota”, çmimi i dytë; “Për një firmë”, çmimi i tretë; “Në bisht”, çmimi i parë; “Ndize një herë”, çmimi i dytë; “Tre qeshin, një inatoset”, çmimi i dytë; çmimin e karrierës nga “Toena” e çmime të tjera nga gazetat: “Rinia”, “Ylli”, “Drita” “Bashkimi i gazetarëve”, etj. Në autografin e një libri që Agolli i ka dhuruar Hyskë Borobojkës shkruan: “Gaqos, Mikut tim të vjetër dhe më të madhit të miqve! Dritëroi”.

      Së fundi, dëshiroj t’u bëjë një kujtesë strukturave paralele letrare të qytetit të Korçës: I takon nderi Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Korcës  që të marrin nismën e t’i propozojnë Këshillit Bashkiak që shkrimtari dhe gazetari juaj (dhe yni e i të gjithëve), z. Hyskë Borobojka, të vlerësohet me  titullin “Qytetar Nderi”, sa autorin e kemi gjallë. Ky do të ishte një gjest tepër njerëzor, sepse vuajtjet që ai ka hequr, nuk ia kompensojmë dot. E gëzofsh 90-vjetorin e lindjes, shkrimtari i penës së artë dhe gazetari i guximshëm,  HYSKË BOROBOJKA!