Kosova, toka e të parëve

589
Sigal

Ramush Haradinaj, Kryeministri i Kosovës

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:

Të dashtur motra e vlëllezër, shqiptarë të Komunitetit Katolik Shqiptar – Shën Pali në Detroit; Të dashur malësorë, motra e vëllezër nga do që vini; Të dashur Prijës të Kishës sonë, këtu në Michigan, Dom Fred Kalaj dhe Nik Gjonaj;

Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-s, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit.

Jam sot me Ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës, për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përqark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë! Kryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.

Sot kur kujtojmë 108-vjetorin e Malësisë, dua të përmend prijësit që i prinë asaj, Dedë Gjo Lulin që i priu Hotit, Dedë Nikë Martinin e Grudës, Dodë Prëçin e Kastratit, Palë Lucën e Kelmendit, Gjon Ucin e Vuklit, Gjon Sokolin e Nikçit, Tomë Nikën e Shkrelit, Mehmet Shpendin e Shalës dhe Prëtash Zekën e Kojës.

Për me e ditë se kush jemi ne shqiptarët dhe me i njoftë rrënjët tona të thella në histori duhet ta kujtojmë lidhjen tonë si mishi me thonin, sepse atëbotë edhe autoritetet osmane u shpërndanë shqiptarëve myslimanë të atyre trevave rreth 4 mijë armë, për me nxitë konflikt ndërmjet shqiptarëve të të njëjtit gjak. Por popullsia shqiptare e besimit mysliman e priti me shpërfillje këtë propagandë, siç i shpërfilli gjatë tërë historisë së re pykat e përçarjes.

Toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nanën tonë, Terezen!

Duke ruajtur kodet e jetës së të parëve për shtëpinë e shqiptarit që është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit, si përkujtim të përpjekjeve tona ndër shekuj, ne arritëm ta ruajmë identitetin tonë Dardan-arbnor dhe të bëjmë miq të mëdhenj, përtej Atlantikut, edhe këtu në tokën amerikane. Dhe sot, i madh e i vogël, shqiptarë kahdo që janë, përditë angazhohen për vazhdimësinë, kultivimin dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në dhe me kombin bujar amerikan.

ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë, mbështetur në vlerat e përbashkëta, parandaluan gjenocidin në Kosovë. Për këtë, shqiptarët kudo që janë do t’i jenë përjetësisht mirënjohës Amerikës dhe amerikanëve dhe ata e ndjejnë si obligim shpirtëror të jenë përjetësisht krah tyre, si një komb euro-atlantik.

Duke e dëshmuar këtë moment, në këtë Tempull të Zotit dhe njeriut që flet shqip, sot, nuk mundem e të mos përmend martirizimin tonë që nga Dardania antike, Shën Florin e Laurin nga Ulpiana afër Prishtinës, martirizimin e shqiptarëve të krishterë, nën regjimin komunist e deri në Kosovën e sotme, duke mbrojtur tokën e të parëve tanë dhe identitetin tonë Perëndimor, përmes sakrificave të mëdha në çdo cep të Atdheut, dhe pikërisht këto ditë po i kujtojmë martirët e Kosovës të masakruar 20-vjet më parë. Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë, ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjt që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër…Lavdi e përjetshme të gjithë brezave të luftëtarëve shqiptarë!

Hiri i Hyut qoftë me Ju!