Konspiracion/Kush është Iluminati, shoqëria e vjetër secrete?

66
Sigal

Iluminati synonte të promovonte edukimin racional, filantropinë dhe të kundërshtonte bestytnitë dhe ndikimin fetar në shoqëri

Kush është Iluminati, shoqëria e vjetër sekrete

 

Çfarë është Iluminati?

Është një emër që i është dhënë një shoqërie sa reale aq edhe fiktive. Kjo organizatë ka nxitur prej dekadash shumë teori konspirative. Jo pak njerëz pretendojnë se ajo është një organizatë sekrete dhe misterioze që synon dominimin e botës, dhe që qëndron pas disa prej revolucioneve dhe vrasjeve më me rëndësi në historinë e botës.

Cili ishte Iluminati origjinal?

Iluminati ishte në fillim një shoqëri sekrete e formuar në Bavari të Gjermanisë së sotme, dhe që ekzistoi në vitet 1776-1785. Grupi u frymëzua nga idealet e Iluminizmit, dhe u themelua nga profesori i jurisprudencës Adam Veishop. Ai synonte të promovonte edukimin racional, filantropinë dhe të kundërshtonte bestytnitë dhe ndikimin fetar në shoqëri. Po ashtu ai u përpoq të ndryshonte mënyrën e drejtimit të shteteve në Evropë, duke zhdukur ndikimin e fesë tek qeveria, dhe duke u dhënë njerëzve një burim të ri “ndriçimi”. Besohet se takimi i parë i Iluminatit bavarez, u mbajt në një pyll afër Ingolshtadit më 1 maj 1776. Atje 5 burra hartuan rregullat që do të drejtonin shoqërinë sekrete. Synimet kryesore të grupit ishin ndikimi në vendimet politike dhe përçarja e institucioneve si, monarkia dhe Kisha.

Çfarë lidhje kishte Iluminati me Frimasonët?

Frimasonët janë një organizatë e përbërë fillimisht nga gurgdhendësit dhe ndërtuesit e katedraleve të Mesjetës. Në disa vende, sidomos në SHBA, ka pasur historikisht shumë paranoja në lidhje me Frimasonët. Madje, në vitin 1828 u krijua një lëvizje politike me një kauzë të vetme, e njohur si Partia Anti-Masonike. Për shkak të rekrutimit origjinal në Iluminatin e Frimasonëve, dy grupimet janë ngatërruar shpesh me njëri-tjetrin.

Si mund t’i bashkoheni Iluminatit?

Së pari, duhet të kishit pëlqimin e plotë nga anëtarët e tjerë, të keni pasuri dhe një reputacion të mirë brenda një familjeje me norma. Anëtarësimi kishte edhe një sistem hierarkik. Pas hyrjes si ‘fillestar’, anëtari diplomohej në një ‘minerval’ dhe më pas një ‘minerval të ndriçuar’. Për t’u bërë një anëtar me të drejta të plotë duheshin kapërcyer 13 shkallë.

A përdorin rituale anëtarët e Iluminati?

Ata përdorin rituale, shumica e të cilave mbeten të panjohura, dhe pseudonime për të mbajtur të fshehtë identitetin e anëtarëve. Për aq sa duhet, ritualet, i shpjegojnë një fillestari sesi mund të lëvizë në një nivel më të lartë brenda hierarkisë së shoqërisë. Ata duhej të përpilonin një raport me të gjithë librat që kishin, të shkruanin një listë mbi dobësitë e tyre, dhe të zbulonin emrat e armiqve që kishin. Më pas, rishtari do të premtonte të sakrifikonte interesat personale për të mirën e shoqërisë.

Cili është “Syri që Sheh Gjithçka”?

“Syri i Zotit” një simbol që i ngjan një syri brenda një trekëndëshi – shfaqet në kishat anembanë botës, në ndërtesat masonike por edhe në kartëmonedhën amerikane 1 dollarëshe. Përveç Masonerisë, ai lidhet gjithashtu me Iluminatin si një simbol i kontrollit dhe mbikëqyrjes që grupi ka mbi botën.

A arriti Iluminati të dominojë botën?

Disa njerëz besojnë se Iluminati e kontrollon botën edhe sot, duke sugjeruar se ata janë aq të fshehtë, sa pak njerëz janë të vetëdijshëm për këtë. Ndërsa shumë anëtarë të Iluminati u infiltruan tek Frimasonët dhe anasjelltas, është e vështirë të gjykosh suksesin e Iluminatit. Por shumica e historianëve besojnë se grupi origjinal pati vetëm një ndikim të moderuar.

A kishte ndonjë anëtar të famshëm Iluminati?

Deri në vitin 1782, Iluminati ishte rritur në rreth 600 anëtarë, dhe këta përbëheshin kryesisht nga fisnikët e njohur gjermanë si Baroni Adolf von Knige që si një ish-Frimason, ndihmoi në formimin e organizimit dhe zgjerimit të grupit. Më vonë me të u bashkuan mjekë, avokatë dhe intelektualë. Disa pretendojnë se pjesë e shoqërisë ishte edhe shkrimtari i njohur Johan Volfgang Gëte, por mbi këtë pretendim ka ende diskutime.

Pse u zhduk Iluminati?

Në vitin 1784, Duka i Bavarisë Karl Teodor, ndaloi krijimin e çdo lloj shoqërie jo të autorizuar më parë me ligj. Vitin që pasoi miratoi një dekret të dytë, që ndalonte Iluminatin. Gjatë arrestimit të anëtarëve të dyshuar të Iluminatit, u gjetën dokumente komprometuese (ide që mbronin ateizmin dhe vetëvrasjen), si dhe udhëzime për kryerjen e aborteve. Ai zbulim e çimentoi besimin se grupimi përbënte një kërcënim për shtetin dhe Kishën. Në atë moment u duk sikur Iluminati u zhduk, por disa njerëz besojnë se ai vazhdon të ekzistojë në fshehtësi.

Pse ka rezistuar prej kaq shumë kohësh miti i Iluminatit?

Që nga momenti i shpërndarjes së tyre, rreth këtij grupimi nisën të qarkullojnë teori konspiracioni. Në vitin 1797, publicisti francez dhe prifti jezuit Augustin Barruel, pretendoi se shoqëritë sekrete si Iluminati kishin udhëhequr Revolucionin Francez. Presidenti i parë i SHBA-së, Xhorxh Uashington, u shpreh në një letër 1 vit më vonë se, kërcënimi i Iluminatit nuk ekzistonte. Më vonë pati pretendimet se presidenti i tretë i SHBA-së, Tomas Xheferson, ishte pjesë e këtij grupimi, edhe pse kjo mbetet e diskutueshme.

Pse njerëzit besojnë se Iluminati ekziston ende sot?

Në vitin 1963, u botua një tekst me titull ‘Principia Discordia’, që promovoi një sistem besimi alternativ të njohur si ‘Discordianism’. Duke bërë thirrje për anarkizëm dhe mosbindje civile, ndër ndjekësit e kësaj lëvizje ishte edhe shkrimtari Robert Wilson. Disa ndjekës të ‘Discordianism’-it dërguan letra të rreme në revista dhe gazeta, duke pretenduar se ngjarje të tilla si vrasja e presidentit të SHBA-së, Xhon Kenedi, ishin të gjitha vepër e Iluminatit. Iluminati është lidhur gjithashtu me Satanizmin dhe ideale të tjera,të cilat ishin shumë larg atyre që promovoi grupimi origjinal bavarez në shekullin XVIII-të.

Çfarë është Rendi i Ri Botëror, dhe si lidhet ai me Iluminatin?

Ata që besojnë në teorinë e një Rendi të Ri Botëror, mendojnë se një grup elitar njerëzish po përpiqen të sundojnë globin. Presidentët e SHBA-së, dhe disa muzikantë të njohur, si Beyonce dhe Xhej-Z, janë cilësuar si anëtarë të këtij grupimi. Por ata i kanë hedhur poshtë këto pretendime.