Klodi Stralla: Mirë votën që e shesim, por të mos shesim edhe kombësinë!

52
Sigal

Para se të bëjmë gjeste patetike kombëtare në stadiumet e futbollit, mirë do të jetë të jemi më të sinqertë me deklarimin se – Kujt kombësie i përkasim realisht?

Instituti i Statistikave (INSTAT), do të fillojë Regjistrimin e popullsisë dhe banesave të subjekteve që jetojnë aktualisht në Republikën e Shqipërisë, një proces që do të zgjasë për gjashtë javë.

Censusi 2023 – është ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit, dhe në të do të përfshihen mbi 7.500 anketues, mbikqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave. Ata do të regjistrojnë të dhëna mbi popullsinë, tiparet demografike, sociale dhe ekonomike të detajuara në rrafsh gjeografik, që kanë të bëjnë me strehimin, arsimin, shëndetësinë, besimet fetare, kombësinë, dhe punësimin.

Shqipërisë i nevojiten të dhëna të besueshme për të hartuar politika dhe për të ndërtuar shërbime të mira publike para se të përpilojë buxhetin e saj. Shqipëria përballet me sfida demografike, ndaj ka nevojë për të dhëna të besueshme statistikisht për të trajtuar këtë çështje si dhe çështje të tjera si strehimi, grupet në nevojë, minoritetet etj.

Ky është Censusi i dymbëdhjetë në 100 vite që zhvillohet në Shqipëri, duke nisur nga i pari, që u krye në vitin 1923. Regjistrimet e mëparshme mbi popullsinë janë kryer në periudha 5 vjeçare e më pas 10 vjeçare. Në to janë kërkuar të dhëna me deklarim të lirë mbi gjendjen ekonomike e shoqërore të individëve dhe familjeve, mbi banesat dhe prona të tjera, që lidhen me kushtet e jetesës. Pas rënies së regjimit komunist, Censusi i INSTAT-it në vitin 2001 dhe 2011, krahas statistikave bazë, mblodhi të dhëna mbi emigrimin e brendshëm e të jashtëm të banorëve, si dhe mbi përkatësinë fetare dhe etnike të tyre.

Problemi më i mprehtë, sipas meje, është “kombësia”, që ligji aktual e lejon të bëhet mbi bazën e deklarimit – i kujt kombësie ndjehet subjekti që pyetet? Në kushtet e vendit tonë, ku vota shitet e blihet, nuk është çudi që, “të interesuarit” për deklarimin e kombësisë, të përdorin të njëjtat instrumenta si me shit-blerjen e votës. Kjo do të ishte e pafalshme dhe me pasoja afatgjata për stabilitetin e shtetit.

Prandaj, para se të bëjmë gjeste patetike kombëtare në stadiumet e futbollit, mirë do të jetë të jemi më të sinqertë me deklarimin se – Kujt kombësie i përkasim realisht?