Joana Vojka artistja e vogël që flet me gjuhën e artit në ekspozitën “ Rikthim plot ngjyra” të kuratores Ana Tafaj

504
Sigal

Fëmijët flasin me gjuhën e artit në ekspozitën “Rikthim plot ngjyra”  

Joana Vojka, artistja e vogël që imagjinatën e ‘përkthen’ në art

Gazeta Telegraf

Një ekspozitë tepër e veçantë plot ngjyra dhe më shumë se 40 krijime nga fëmijë të moshave nga 5 deri në 16 vjeç është çelur në kryeqytet me rastin që fëmijët pas pandemisë të rikthehen plot ngjyra. Punët e kryera kanë tërhequr vëmendjen e prindërve dhe pjesëmarrësve të shumtë që ende pa i parë nga afër, duan të zbulojnë sa më parë se si ishin prezantuar fëmijët. Sapo shkel në ekspozitën e pikturës, pushtohesh nga magjia e penelit, ku mes peizazheve dhe kompozimeve ndriste imgjinata e secilit prej piktorëve të vegjël. Vizatime plot ide dhe fantazi që realizohen me ndihmën e mësueses. Punën disamujore të fëmijëve, kuratorja, Ana Tafaj e ka çelur në një ekspozitë  nën titullin, “Rikthim plot ngjyra”.

Joana Vojka pjesëmarrëse në këtë ekspozitë me disa punime tregon për gazetën “Telegraf” se koha e saj e lire, tashmë gjithmonë përkthehet në një pikturë. 13 vjeç, po pas shkolle vrapon të merret me pasionin e saj me të madh, pikturën. Ajo tregon që herë i pëlqen të vizatojë me ngjyra, herë të tjera vetëm me laps. “Nuk e di pse, por ngjyrat më pëlqejnë shumë, ama as lapsin nuk e ndaj dot”, thotë ajo teksa rri dhe shikon punimet e saj. Madje pas pikturave të saj ajo kalon një hap më tej, duke zbukuruar çfarë të gjejë çantë, portofol, fletore, bllok e deri tek bluzat që nuk i përdor më. “Ç’t’i zërë dora do e kthejë në art”,-  zbulon motra e saj, e pranishme.

Fytyra e Joanës nuk mund ta fshehë gëzimin që i rrezaton në fytyrë gjatë ekspozitës së saj të parë. Tek gëzon mes emocionesh na zbulon edhe dëshirën e saj të madhe për t’u bërë arkitekte, por për këtë duhet shumë punë dhe përkushtim nga ana e saj.

I ftuar nderi ishte Nestor Jonuzi “Piktori i Popullit”. Jonuzi teksa e gjithë salla qëndronte sy e veshë tek ai, citon  të madhin Picasso: “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”.“Të zhbirosh minierat e shpirtit tënd, ky është sekret i lindur”, tha piktori i shquar.

Fryma fëminore dhe gëzimi i brendshëm  për hapjen e kësaj ekspozite kuptohet menjëherë teksa në sallë dëgjohen psherëtima të shumta duke thënë: “Kjo ekspozitë të qëndrojë përherë e hapur”.

Ana Tafaj, kuratorja e kësaj ekspozite ndër të tjera e vuri theksin tek ato ndjesi që arti nxit si: besimi, durimi. “Bëhen fëmijë të lumtur”, shprehet ajo. Teksa shpjegon gjithë pasion aktivitetet e tjera që ka realizuar ku një prej tyre është dhe ‘street art’, flet dhe për rëndësinë që ka kujdesi i prindërve për t’u realizuar dëshirën për të eksploruar në art.

Mësuese Ana sugjeron: “Afrojini fëmijët me artin, zhvilloni shpirtin e tyre artistik dhe kënaqësia që vjen pas kësaj, është e papërshkrueshme”.

“Përmes kësaj pune përgatitore, rriten edhe artistët e së ardhmes. Mendoj se fëmijët, duke zhvilluar pasionin për pikturën bëhen më të mirë për rrethin shoqëror”, përfundon Tafaj.