Jeta e befasishme e Artistit dhe “Nderi i Kombit”, Demir Zyko

260
Sigal

Nuri Cuni
Mësues, Historian, Arkeolog

Ulur në një gur…

Demir Zyko lindi në fshatin Gjerbës të Skraparit më 19 maj 1911 e kaloi nga jeta më 2 korrik 1992. Ai u rrit në gurët e Gjerbësit në rrëzë të malit Tomorr, ku ai ngjitej me familjen e tij në ditët e pelegrinazhit të Tomorit, dhe ashtu në atë rrugë gjarpërushe nga Gjerbësi në Gradec dhe Ujanikë, te teqeja e dervish Iljasit në monopatin shkëmborë duke vërshëllyer dhe ndonjë këngë të thjeshtë që e dëgjontë nga prindërit e tij, por më shumë nga gjyshi që kishte zë kumbues. Në Çukën e Abaz Aliut u ndjeu erën e fortë të Tomorrit dhe era fërshëlluese e bënte atë të ndjente dhe thellë në shpirt, ashpërsinë e erës së acart, stoçen. Rrethinat e Tomorrit dëgjonin oshtimën e erës, jehonën e saj edhe në honë poshtë te lumi i Tomorricës afër teqesë së Brerimës zbutej era ledhaton pemët dhe ashtu kthehet në një flladë që të jep kënaqësinë e shpirtit. Por atje në majën e Tomorrit në jug dhe veri është çudi, që takon qiellin, e di ai që e njeh Tomorrin kur është i vogël dhe deri sa plaket.

Këngën e shpirtit, të dashurisë, për atë mal, për baba Tomorr, që populli i këndonte Tomorrit asnjëherë nuk e ndahu nga jeta e tij, se i jepte forcë, zemër, kulturë dhe dëshirë për të jetuar, për pak shpresë dhe një ardhmëri të plotë të jetës. Se ajo nuk zhduket, por ripërtërihet siç ripërtërihet kënga nga Hija e Tomorrit, që është i zëshëm dhe i pazëshëm, erë dhe pa erë, por asnjëherë nuk pushon era e malit, era e flladit, era e suferinës dimërore, stoçeni dhe në çdo stinë dallohet era e Tomorrit. Si ngjyrat e ylberit ato shkrihen në një erë të madhe e Tomorrit të pandalshëm, prandaj edhe kënga është si era, fllad dhe suferin, stoçen dhe bubëllim, se Tomorri i ka të gjitha erat e botës. Gjeografia e Tomorrit është vet hapësira e tij, e veçantë, që ngrihet fuqishëm në fushëtirën dhe vargmalet që e rrethojnë dhe dallohet kudo që të jesh në det dhe kodër, mal apo fushë, apo në avion, të duket Tomorri dhe s`ka të dytë thotë poeti i njohur dhe akademiku Xhevahir Spahiu.

Prandaj rinia dhe pjekuria tek Demir Zyko erdhi natyrshëm në rritjen e tij duke u marrë me punët e bujqësisë dhe sidomos të blegtorisë duke ruajtur bagëtitë rrinte ulur mbi gurë dhe këndonte, te Guri Tundur, te Lisi i Fejziut, ku niseshin djemtë, nizam të fshatit. Shpatet e malit të Tomorrit i kalonte shpesh më këmbë dhe pinte ujët e kristaltë të Tomorrit, që edhe shëndetin, edhe zërin ia forcuan dhe e sollën në pjekurinë e burrërisë ashtu edhe kënga e tij u burrërua dhe gradualisht u bë i njohur, sepse këndonte në çdo festë familjare, gosti, në lindjen e fëmijëve, fejesa, kur shkonin ushtarë djemtë, dasmat dhe çdo gëzim tjetër popullor. Demiri u bë këngëtar i fshatit dhe i Tomorricës. Kështu gjeografia e këngës së tij po merrte dhenë si vet furima e erës së Tomorrit, do ta gjeje kudo. Në vjeshtën e vitit 1944 u martua me Feruzenë nga fshati Mazrekë i Korçës, që shtëpinë e saj e kishte ngjitur me teqenë dhe babai i saj ishte shumë mik me teqenë dhe babanë e teqesë. Me Feruzenë bëri tetë fëmijë, tre djem dhe pesë vajza. Familja e tij u bë mbështetëse e këngës së tij, çdo natë në shtëpinë e tij do këndonte me faqoren e rakisë pranë oxhakut, këndonte vet por e ndihmonte edhe e shoqja, Feruzeja në këngë, e cila ishte edhe një amvisë e mirë dhe mikëpritëse për të gjithë miqtë e shokët e xha Demirit dhe gjithë familjes. Ajo ishte një këngëtare e veçantë me një zë karakteristik dhe e mirëpritur në dasma e gostira. Kur u rrit djali Arshini, djali i madh që i kishte vënë emrin e babajt, këndonin bashkë. Ai këngën nuk e ndërpreu asnjëherë në mëngjes dhe mbrëmje, ai e përkëdhelte këngën. Këndonte edhe vetëm këndonte dhe bënte edhe iso. Kjo e bërë që ai vet këndonte, vetë bënte iso. U bë mjeshtër i këngës polifonike, sepse mori nga rrënjët e familjes së tij, atë ngjizje që është e rrallë dhe i shërbeu që brumin e këngës diti ta gatuante në këto vise.

Si u njoh nga afër kënga e tij nga Instituti i Folklorit?

Specialisti i njohur i Institutit Folklorit Shqiptar, Arsen Mustaqi në shënimet e tij shkruan: “Demiri dallohej për kapelen karakteristike të gremisur mbi sy…Demirin e takova ulur mbi një gur. Nën arrë kulloste një tufë të vogël delesh. Inçizuam me të shumë këngë, po ajo që na befasoi, ishte “Mbeç, more shokë, mbeçë”, xhevahir i lirikës popullore. Ai kishte një ecje karakteristike e si i menduar. Një Demir u bë i famshëm. Një Homer bëri Iliadën dhe një Demir bëri këngën skraparase. Drejtori i Instituit Folklorik të Bukureshtit M. Pori, është shprehur se kënga “Mbeçë, more shokë, mbeçë” është nga gjërat më të bukura që kam dëgjuar në Shqipëri, e veçantë toske, ajo është një simfoni e pahumbur e folklorit shqiptar. P. Ristovski, drejtor i Institutit folklorik të Shkupit, është shprehur: “Kjo këngë, mbase është një dukuri mbarëballkanike”. Unë xha Demirit i mora dhe një tufë fjalësh të urta, të cilat janë copëza filozofike të popullit të mençur të Skraparit”.

I thjeshtë modest, i padurueshëm, dukej i zëmëruar për ata që e njihnin. Kur këndonte ose krijonte këngë të re, në detaje, xha Demiri e fillonte këngën me stilin e tij akordues, e, eee, eeeeeee, akordonte zërin, e asnjëherë nuk e linte të çakorduar. Dinte të zgjidhte pritsin si një mjeshtër të rrallë, i pari i të parve pritës, i paparë Medi Kushe, si vet Mediu nga Koprëncka, e njihte këngën e Demirit, se dinte të këndonte vetë dhe të bënte edhe iso, e priste dhe dinte të priste këngën e xha Demirit, se ia hidhte këngës, e kuptonte thellë në shpirt. Demiri dhe Mehdiu këndoi në festival këngën “Mbeç more shokë mbeç” që mbeti legjendë e kohës dhe është sot edhe do jetë edhe nesër. Kjo këngë u këndua për herë të parë në Festivalin Folklorik në Lezhë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në janar të viti 1968. Kjo këngë mori dhenë, e famë në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 1973.

Xha Demiri dinte t`i zgjidhte pritësin, ai nuk merrte këdo për të pritur këngën, donte shokun. Kënga është më e bukur kur ka pritësin, si vetja dhe bëhet më e bukura, një karakteristikë kjo për këngën skraparase. Kur mungonte Mehdi Kushe xha Demiri thoshte nuk këndoj se më mungon shoku dhe heshte. Më pas, tjetër mjeshtër i pritësit u bë Shahin Çinari me një zë melodioz dhe krijuan një çift të shkëlqyer për Skraparin. Në vitin 1975 nën kujdesin e Institutit Folklorik u rregjistruan prej tyre 25 këngë të mirëfillta skraparase.

E më pas Neshat Hebibasi, që e kuptoi mirë këngën demiriane, dhe e vazhduan gjatë udhëtimin këngëtor në hapësirat shqiptare. Por iu qep pas xha Demirit i riu i apasionuar pas këngës së tij, tingëlluese e fortë me tonin magjik, Agim Carkanji nga Gjerbësi i Skraparit. Shumë këngëtarë, provojnë dhe po provojnë të arrijnë në tonalitetin e këngës së Demirit. Të tillë janë Hysni Zela, Janaq Mici, Irini Qirjako, Fatmir Greva, Xheladin Cërri nga Potomi, Pëllumb Gjata, Sefedin Çela, Nesim Mëno e shumë të tjerë. Dule Malindi një këngëtar me emër këndon për xha Demirin e sjell një risi të re këngëve të tij me klarinetë duke i përpunuar dhe pëlqehen nga të gjithë, ky këngëtar i apasionuar që në rini ka përcjellë këngën demiriane në tre kontinete, Europë, Amerikë, Australi dhe i jemi mirënjohës.

Kështu zëri i tij i lartë i xha Demirit, ishte si lartësia e Tomorrit. Oshtima e saj dëgjohet, si një gurë që hidhet thellë në humnerë, atje thellë dëgjohet, nuk humbet, por bën përsëritjen e këngës, që ajo të mos harrohet. Këngën e mësoi vet Demiri pa profesor, as në shkolla dhe akademi të muzikës. Ai duke iu përgjigjur në jehonë, atje në zallishten e lumit Tomorricë, sa dëgjohej në Dobrenjë, te Guri i Prerë, te stenat e Postenës, Gurët e pellazgut, në Tërrovë, deri në Kuç e Barçë, Përrenjas dhe Mëlovë, Shpatanj e Trebël, Rromas te pllaja e Stradomit, dhe deri te Shkëmbi i Stradomit, në veri të Tomorrit, maja më e lartë, ku është mekami më i vjetër Abaz Ali. Në pellazgji quhej maja e Zerës ose maja Pelej, shkruan Eqerem bej Vlora, kur ishte në tetor të vitit 1906. në këtë majë të malit të Tomorrit. (sot i thonë Çuka Partizane).

Kënga demiriane kish folenë. Atje kish frymëzimin dhe muzën naimiane, poezia perlë, Abaz Aliu, te “Lulet e Verës”.

..Çështë ai që shkon kaluar, / me dy-tre foshnja në duar, / Është Abaz Aliu…..

Prandaj kënga e tij u bë kënga demiriane, e rrallë si vet jeta e tij. Te lisi i Fejziut, ku mblidheshin banorët që niseshin djemtë nizam. Aty vinte Demiri me këngëtarë të tjerë dhe kujtonte nga gjyshi dhe babai, se shumë djem nuk u kthyen në fshat, ata mbetën atje, larg, në Jemen, atje te Ura e Qabesë. Kënga lindi, se ishte vetë vuajtja e popullit për fëmijët, familjen, të afërmit, dhe ishte kënga e jetës, e mundimeve dhe ajo u bë e njohur në gjithë gjeografinë, jo vetëm të Tomorricës, Skraparit, por gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit. Demiri e kapi këngën, e afroi, e përpunoi, e ngriti në tenorin e bubullimave, shkreptimave të Tomorrit. Por ujët e kristaltë dhe të kthjelltë nga bardhësia e borës së kulluar, i dha shpirt dhe zemër, forcë, mirësisë bardhërore, për dashurinë e njeriut. Ky e bëri këngën të dashur në kujtesë dhe trishtueshëm për vuajtjet e këtij populli. Demiri këndoi këngën tragjike dhe këngën e dashurisë, këngën e shpresës, që asnjëherë populli nuk u mposht dhe e mbajti gjallë traditën, dhe kënga mbajti këngën, si forcë e shpirtit të tij, të shpirtit tomorrian. Demiri ishte pjesë e tij e pandashme. Demiri këtu ngjizi këngën e ngjizur nga historia e familjes së tij. Gjysh i tij ishte Lushka një burrë korrekt, fjalëmbajtur, i drejte dhe kishte qef këngën. Babai i tij Arshini, ishte i gjatë me mustaqe të gjëra, por këndonte si këndonte ai, këngën e kishte marrë në këngë nga stërgjyshit e tij. Demiri i ngjizur në këngë historikisht i erdhi brumi këngëtor, por diti ta punojë, e mbajti dhe e çoi këngën atje ku duhej, si në Tomorr e mbajti të pastër dhe të kthjelltë si vet bora e Tomorrit. Në publik ra në sy kur e dëgjoi babai i teqesë së Brerimës, baba Xhafer Nanaj nga Helmësi i Skraparit, në një dasëm, në vitin 1925 kur martohej Qenam Lajthia, gjithashtu ai e kish dëgjuar edhe në teqe, prandaj i tha merrja këngës se nuk e kemi për ta shitur. Baba Xhaferi i teqesë së Brerimës nën malin e Tomorrit, pranë lumit të Tomorricës, e vlerësonte shumë dhe e nxiste të këndonte shpirtin e popullit, shpirtin bektashian të Tomorrit plak. (xha Demiri ishte myhib i teqesë së Brerimës dhe i pëlqente shumë këngët dhe nefeset bektashiane). Në çdo gëzim që kishte fshati Gjerbës edhe fqinjët, Demirin e mernin të këndonte në këto raste dhe kështu hap pas hapi u bë i njohur jo vetëm në fshat të tij por në gjithë Tomorricën. Interesant është se në vitin 1966 siç shkruan Arsen Mustaqi në shënimet e tij e kish njohur xha Demirin në Gjerbes në një ekspeditë studimore.

Kjo histori e këngës së tij e çoi të merrte pjesë në festivle. Por festivalet lokalë e nxorën në pah këngët e tij, që ishin njëpasnjëshëm, shpërthyese, të atdheut, kurbetit, dashurisë, punës, Tomorrit plak, e kënga nuk ndalte. Shpërtheu rreth 55 vjet më parë në Festivalin Folkorik Kombëtar në Lezhë, në janar të vitit 1968, në kuadër të 500 vjetorin te vdekjes së Skënderbeut edhe tani mbas 55 vjetësh është 555 vjetori i Skënderbeut, interesant përsëritet kënga.

Demiri prap këndon, Promovimi i këngës “Mbeç, more shokë mbeçë”, u bë kënga parësore në atë festival, dhe ajo rrodhi natyrshëm me këngët e tjera në të gjitha festivalet në kalanë e Gjirokastrës. Se Demiri u rrit dhe këndoi në kalanë e Tomorrit, që i dha fuqinë e shpirtit tomorrian. Ligjërimet e këngëve të Demirit janë fantastike, të gërshetuara në vetë thellësinë e moçme të këngëve të lashta dhe mesjetare të pahulumtuara nga studiuesit e polifonisë popullore në trevat më malore si Tomorri apo edhe në viset e tjera të Shqipërisë. Vizioni i këngës demiriane, u kthye në një fenomen i veçantë, i pakrahsuesshëm, u bë një dukuri e kohës, dhe sot quhet kënga demiriane, sepse është në tabanin e traditës popullore, gurrës dhe burimit të pashtershëm dhe kristal të Tomorrit mitik. Por ajo që bie në sy shumë studiues, muzikolog, shkrimtarë, artisë etj., bëjnë vlerësime: si Ismail Kadare, gjeografia e këngës, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Shaban Sinani, Tish Daija, Barjam Labi, Besim Zekthi, Beniamin Kruta, Zhani Ciko, Vaso Tole, Naxhi Kasoruho, gazetarët Zylyftar Hoxha, Bashkim Koçi, Enver dhe Luman Caka, poeti Pano Taçi. studiuesi, Jani Thomai dhe studiues të tjerë e kanë të vështirë për ta spjeguar pse Demir Zyko këndonte kaq bukur? I lindur apo i stërlindur. Gjyshin e tij e quanin Lushka, një burrë i qetë, i kulturuar, punëtor e fjalëmbajtur dhe kishte qef këngën. Xha Demiri këngën e kishte të pastër, të qartë, gërshetues, harmonik, e ulte dhe e ngrinte zërin e gjallë dhe tingëllues të paparë, jo shtrëngues, por në tonalitet sa asnjë vegël muzikore nuk mund të tigëllojë në një harmoni të tillë polifonike e zërit të tij sa meliodozë, sa tenor, sa kordat e zërit të tij ishin një aparat i çuditshëm, i akorduar më mjeshtërinë e rrallë, të shpirtit demiran, sa nuk mund të imagjinohet emocioni i tij, shumë i ndjeshëm dhe i natyrshëm.

Pati atë tel zanor të akorduar vetëm nga ai e vetëm nga Demir Zyko.

Edhe kur studiuesit donin ta këshillonin për ulje apo ngritjen e zërit Demir Zyko, kollitej njëherë dhe fillonte të akordonte zërin me eeeee-në karakteristike të tij, të lehtë dhe fillonte këngën. Ajo kur dilte në zë si një vërshëllim origjinale që ia shtonin lezetin këngës dhe isua e tij me oi, oi dhe oin e fundit e zgjatur aq sa e mbante volume. Nuk dëgjonte profesorat se ai ishte vet profesor, rregjizor, dhe kënga mbante harmoninë e saj të patundshme në kohë dhe hapësirë sa gjithë gjeografia e Tomorrit në 19 km i gjatë dhe 7 km i gjërë prap e kthete këngën në këtë Tomorr, për një largësi më të madhe, se kudo që vajti anë e kënd Shqipërisë. Me këngë në gojë ishte po ky Demir që shkëlqeu, këndoi, sokëlliu, këngën e donte e ruante, e kontrollonte dhe këngën e evoloi vet xha Demiri edhe kur u plak, sa i thanë të gjithë “Plaku i këngës, dhe mbeti i tillë në jetë të jetëve në pavdekësinë e tij, të pavdekshëm Demir Zyko. Gjatë jetës së tij u vlerësua me Diplloma dhe tituj të ndryshëm. Mori Dipllomën e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1973 i dhënë për interpretimin dhe ekzekutimin shumë të mirë të këngës popullore -Mbeçë more shokë mbeçë-. Kurse në korrik të vitit 1979 iu dha titulli “Artist i Popullit”. Më pas në Festivalin Kombëtar në vitin 1983 mori Dipllomën për interpretim me mjeshtëri të lartë të këngës “Mëmëdheu”. Në vitin 2002 Këshilli i Qarkut Berat me propozimin e Kryetarit të Qarkut z. Vullnet Zylyftari e nderoi me titullin “Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit”. Në 25 qershor 2020 në vendlindjen e tij në Skrapar, Presidenti Republikes z. Ilir Meta e nderoi me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Gjatë kohës edhe nga Shoqata Tomorri për të është shkruar libri, “Plaku i Këngës” me nxitjen dhe idenë e intelektualit, Hasan Çuni, që në shënimet e tij, ishin gjithë kujtimet për xha Demirin kur ish mësues në Gjerbës e më pas. Kjo vepër është si një enciklopedi e vogël, synon të pikturojë hapësirat e një kulture të motshme, -magjepësës në hijeshinë dhe mbijetesën e saj, -përjetëson zërin e një bashkësie, nderuar si shqiponjë mbi Hijen e Tomorrit mendimtar. Filmi dokumentar “Demir Zyko në kufijtë e legjendës”, të realizuar me aq dashuri dhe me pasionin e tyre, atë dhe bir, Novruz dhe Noel Zaimi është një mrekulli. Piktori Zef Shoshi, Nuri Jaupi, Ndini Bardhi, skulptori Qenam Zeneli, Haxhi Kalluci e kanë përjetësuar xha Demirin në veprat e tyre. Për të është shkruar në shtypin e kohës, në revista, dhe janë dhënë intervista të ndryshme. Ai lindi artistë dhe gjatë jetës së tij si këngëtar i këngës popullore shqiptare u shndërrua në legjendë. Dritëro Agolli thoshte se Demiri do hynte në histori përmes këngës. Muzikologët thonë një Yll dhe Margaritar i rrallë do të mbetet xha Demiri me zërin dhe këngën e tij edhe në të ardhmen e fiksuar në memorjen e kulturës popullore Shqiptare.