Jeni larg nga katarsa!

764
Sigal

(Përgjigje ‘z-injve’ S. Braho e E. Caja  ndaj sulmeve kundër personaliteteve V. Zhiti e A. Tufa)

 

Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika

 

Në gazetën “Dita” gjatë javës së parë të prillit u botuan dy shkrime që ngjallën shumë komente. Në njërin, z. Spartak Braho, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ish-prokuror në kohën e diktaturës komuniste, sulmoi z. Agron Tufa, drejtor aktual i “Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Madje kërkoi mbylljen e këtij institutit dhe pushimin nga puna të drejtorit të tij. Tjetri, z. Edmond Caja, ish-polic në burgun e Qafë Barit e më vonë drejtor i përgjithshëm i burgjeve, sulmoi shkrimtarin e talentuar Visar Zhiti, ish-i dënuar i ndërgjegjes në burgjet Spaç e Qafë Bari, se në veprat e tij letrare dhe në intervista ka përmendur disa veprime kriminale të z. Caja, për të cilat ky ngul këmbë se nuk janë të vërteta dhe se ai ka bërë mjaft veprime në të mirë të të dënuarve…

Thjesht, kuptohet se edhe pas gati 30 vjet nga dështimi i sistemit të diktaturës së proletariatit shoqëria shqiptare po vjen vërdallë si miza pa kokë dhe nuk do të gjykojë si duhet atë sistem të gabuar. Ka ende njerëz, madje politikanë me pozita si z. Braho dhe të tjerë që kanë kurajën të quajnë të dëmshme punën e vështirë për zbulimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Kurse z. Caja, që jeton në emigracion në botën e lirë prej shumë vitesh, vijon të justifikojë shërbimet që i bëri atij regjimi. Të tillë njerëz i quajnë gjë normale dënimet që u jepeshin njerëzve për disa fjalë ose poezi, ata kërkojnë si dikur që njerëzit të heshtin ndaj së keqes që u bëhej në jetën e përditshme e sidomos nëpër burgje, në vend që ta denoncojnë të keqen që kryen ata vetë ose kolegët e tyre.

Për të ecur drejt shpëlarjes dhe çlirimit nga mendësia komuniste duhet që secili prej nesh, bashkë me zotërinjtë Braho, Caja e komentatorët që i mbrojnë,  të reflektojmë dhe të kuptojmë se cilit proces i kemi shërbyer: Thellimit të luftës së klasave dhe izolimit të Shqipërisë apo kemi ndihmuar për ecjen drejt lirisë duke u ndenjur larg këtyre kërkesave themelore të partisë shtet. Një analizë e sinqertë e bëmave tona ose të prindërve tanë të asaj kohe do të na ndihmojë të ecim përpara si shoqëri dhe ta dënojmë veten për gabimet e krimet që bëmë me dashje ose pa dashje, të shtyrë nga frika, nga dëshira për karrierë, etj.

Shkrimtari i talentuar Visar Zhiti, i cili për disa poezi jo konformiste u dënua dhe kaloi 10 vjet në burgjet Spaç e Qafë Bari, ka përshkruar përveç punës së mundimshme dhe sjelljes së ashpër të rojeve e policëve edhe gjendjen e rrethimit fizik dhe shpirtëror të të burgosurve, duke aluduar për nëntë rrathët e Ferrit imagjinar të Dante Aligerit:

Rrethorja e parë e dukshme, e madhe e atij lumi-ferr, dallgët e tij të ngrira janë telat e lartë me gjemba…

Rrethorja e dytë… është e gjallë… Janë ushtarët e armatosur nëpër ato kullat e drunjta me automatikët në krahë, gati për zjarr.

Stiksi prej ujërash të tij ose antikënga e tretë. Lumi malor që rrjedh poshtë dhe përrenjtë e çartallosur që dalin nga galeritë.

Malet. Ç’ pengesë rraskapitëse. Të ndjekin hap pas hapi policët dhe qentë.

Populli. Po, po, populli im është rrethim edhe ky, rrethim gjallesash. Të ndalon populli, s’të lë, të kap… ah! S’ bën dot populli pa perënditë dhe sa më të rreme qofshin, aq më shumë u bindet…

Rrethimi i gjashtë, ose rrethi i gjashtë, a kreu i gjashtë i poemës. i vdekur si rrethimi i parë me tel me gjemba. Rreth i madh sa gjithë vendi… një vijë gjaku. Kufiri i Republikës.

Rrethimi i shtatë është prej letre, mallkim… janë marrëveshjet shtetërore me vendet fqinjë. Ti arratisesh, ata të kthejnë.

Rrethi tjetër e tejkalon të parin, telin me gjemba, është puna rraskapitëse në galeri dhe uria nga ushqimi minimal. S’ ke fuqi për asgjë.

Rrethimi i pashikueshëm. Frika. Është rrethim abstrakt, i asgjëkundshëm dhe i kudondodhur. Është frika, për të cilën investohet aq shumë, madje dhe importohet. Frikë nga e panjohura, nga e shkuara, nga e ardhmja, nga e tashmja, nga tjetri, nga puna, sa e rëndë, nga libri i ndaluar, nga burgu, nga arratia dhe së fundi frikë nga vetja, nga mendimet e tua… E mbajmë vetë ne burgun tonë, duke u nënshtruar, duke i bërë keq njëri tjetrit. Frika i mban banditët shtetërorë, i bashkon dhe i bën të fortë, vigjilentë.

Lumi i frikës vjen rrotull nesh nëntë herë, gjithë jetën. Ai është gjithërrethuesi.

Më i fortë se diktatura është miti i saj.

 

Këto rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit me nëntë rrathë të ferrit shqiptar, por dhe për vetë popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…

Pikërisht ngritjen në art të gjendjes së të burgosurve dhe të mbarë popullit shqiptar nën diktaturën komuniste nuk ua falin shumica e ish-shërbëtorëve të atij sistemi, të cilët herë pas here e sulmojnë Visar Zhitin, në vend që ta përgëzojnë e t’i kërkojnë të falur atij dhe gjithë të dënuarve të ndërgjegjes që vuajtën burgjet e rënda të atij sistemi.

Edhe personalitetin tjetër, shkrimtarin dhe analistin e talentuar, z. Agron Tufa, i cili po bën një punë shumë të vështirë për njohjen e së vërtetës së asaj kohe, e sulmojnë ish-shërbëtorët e atij regjimi të gabuar, madje dhe e kanë kërcënuar jo thjesht si ish-prokurori Spartak Braho etj.

Zotërinjve Spartak Braho dhe Edmond Caja, dua t’ju them se shoqëria jonë nuk mund të ecë përpara po të mos kryejë dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe krim i kohës së diktaturës komuniste kanë qenë të gjitha punët që ndihmonin partinë shtet për ta shtrënguar lakun e rrethimit, për ta forcuar luftën e klasave, për ta varfëruar popullin duke shpallur kulak fshatarin më punëtor, duke prishur kisha e xhamia dhe duke dënuar priftërinj e hoxhallarë e besimtarë të pafajshëm, duke ia hequr fshatarit lopën, derrin, pulën nga shtëpia, si urdhëronte partia shtet, për ta varfëruar sa më shumë që të nënshtrohej më kollaj.

Edhe nëse ish-shërbëtorë të atij regjimi si ish-prokurori S. Braho e ish-polici e ish-drejtori i burgut të Qafë Barit E. Caja nuk duan të evoluojnë dhe të dënojnë bëmat e tyre të asaj kohe, do të vijë dita kur gjyqtarë të kualifikuar si dhe bijtë e nipërit e tyre të kthjelluar do të dinë t’i dënojnë jo vetëm për pjesëmarrje në krimet dhe për justifikimet që u bëjnë atyre krimeve, por edhe për mos dënimin e krimeve dhe terrorit që panë me sytë e tyre gjatë shërbimit të devotshëm ndaj diktaturës. Këtë besim e kanë shprehur analistët Astrit Lulushi e Spartak Ngjela, si dhe Prof. Sami Repishti. Ky i fundit shkroi për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening, i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944-n. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës në vrasje, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, nuk shprehu kurrë pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdëshmimin e krimit që pa me sytë e tij, edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit, nga frika e dënimit, sqaron Repishti (Illyria, N.Y 10 prill 2015).

Dënimi i nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening tregon se dënimi i krimeve të komunizmit, ndonëse po vonohet, nuk do të lihet pa u kryer, sepse ky proces është pjesë e katarsës dhe e ecjes së shoqërisë sonë drejt Evropës së Bashkuar. Justifikimet e z. E. Caja dhe sulmet e z. S. Braja tregojnë se këta janë ende në ujërat e mendësisë komuniste dhe nuk kanë punuar për ndërgjegjësimin e tyre si qytetarë evropianë, por vuajnë nga nostalgjia për regjimin diktatorial që u kishte dhënë koburen në brez dhe shkopin e dënimit në duar…