Shuhet Mjeshtri i Madh Kujtim Gjonaj

52
Sigal

Kujtimet nga gjimnazi dhe shekulli i një jete në filma. Në rrugën “Broduej” të viteve ’60-të dhe dashuritë që nisnin nga gjimnazi Qemal Stafa tek ‘Petro Ninsat’. Ja rrëfimi për Telegraf, 24 orë para ndarjes nga jeta

Flet regjisori dhe skenaristi Kujtim Gjonaj: Si rivalizonin me njeri tjetrin djemtë e vajzat e “Petro Nini Luarasi” me gjimnazin “Qemal Stafa”

-Si u grinda me mësuesin e fizikës për mbiemrin e shkrimtarit rus Maksim Gorki

Krahas muzikës italiane të preferuar kishim Vaçe Zelën,Tonin Tërshanën, Qemal Kërtushën, Anita Taken

Kujtim Gjonaj është skenarist, regjisor i filmave dokumentarë dhe vizatimorë, producent dhe botues shqiptar. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë – Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave.

Debati me mësuesin e Fizikës

Si natyrë është kryengritëse ose më saktë natyrë e pavarur. Thotë gjithnjë atë që mendon dhe bën atë që mendon, siç thuhet sot është i drejtpërdrejtë. Ky është tipar i njerëzve të drejtë që e thonë mendimin e tyre hapur në çdo moment dhe në çfarëdolloj situate. Dhe këtë edukatë e ka të trashëguar nga familja. Nuk ka maninë e kundërshtimit, por gjithmonë e padrejta e revolton dhe herë-herë  e bën të humbasë qetësinë dhe urtësinë. Dhe në atë kohë profesorët kanë patur problemet e veta. Jo gjithnjë profesorët e asaj kohe ishin në shkallën e perfeksionimit. Kishim një mësues fizike, një burrë shumë i mirë, por njohuritë e tij ishin shumë të kufizuara në lëmin e kulturës, artit, letërsisë dhe ngaqë ai ishte një nxënës që shkëlqente në shkencat humane e kish nuhatur që fizika ishte një lëndë që nuk i pëlqente fort, megjithëse është lëndë e bukur. Për t’i tërhequr vëmendjet nga fluturimet e tija pindarike e kapte gjithnjë te favoritet duke i thënë:.

-Ku e ke mendjen o djalë? Ta ka marrë mendjen Maksim Gogu!

Ky ritual përsëritej disa herë aq sa iu bë gogol. Dhe një ditë ai i kthehet profesorit:

-Profesor e ka emrin Maksim Gorki dhe është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj sovjetikë.

-Pusho! Mos më jep mend mua!

Instinktivisht e ndien që mësuesi i fizikës nuk ia thoshte fare nga ajo anë , dhe me djallëzinë e nxënësit shtoi:

-Unë e di, besoj që edhe ti e di  se ai është autor i romanit të famshëm “Nëna”, profesor. Bile ka shkruar dhe “Zgalemin” dhe tregimin “Nëna e tradhëtarit”.  Edhe…

-Dil përjashta! -urdhëroi mësuesi me zë të rreptë.

-Përse?!…

-Se je i pasjellshëm!

Ai nuk donte të dilte nga klasa. U bë një sherr i madh dhe mbasi mësuesi u ankua për të në drejtori. Donin t’i thyenin notën në sjellje. Kundërshtuan fort mësuesja e historisë Nekije Demi dhe ai i letërsisë Filip Ndocaj. Të dy këta  e donin shumë. Në lëndët e tyre ai ishte nxënësi më i mirë dhe e vlerësonin për dhuntitë që kishte. Shpëtoi për një qime, se në atë kohë një thyerje e notës në sjellje, ishte njëlloj sikur të ngeleshe në klasë në një lëndë  të zakonshme. Më pas ai përpiqej ta frenonte veten në marrëdhënie me ata mësues, që nuk arrinin të kuptonin revoltën e tij. Pra ndjenja e “kryengritësit” të mirë e ka shoqëruar tërë jetën. Incidenti me mësuesin e fizikës u kapërcye shpejt dhe ata u bënë miq të mirë. Profesor Ymeri ishte tiranas dhe kishte brenda vetes karakter të mirë dhe të butë. Duke përjashtuar ndonjë rast sporadik shkolla në atë kohë kish një nivel të jashtëzakonshëm dhe  mësimdhënia ishte shumë me cilësi. Sistemi i notave me pesë njësi, nuk linte shumë hapësira midis vlerësimit minimal dhe atij maksimal. Dyshi ishte notë pakaluese dhe atij i kujtohet profesori i matematikës Orhan Pojani, mësues rigoroz, por i drejtë, që jo rrallë u  vinte nota  si dysh minus apo dysh me dy minuse.. .Atëherë ai dhe shokët e tij mërziteshin, por vite më pas kur shumë nga shokët e tij të gjimnazit mbaruan studimet për matematikë, merceollogji apo për ekonomi e financë si Kushtrim Pipa, Kujtim Kaceli, Irfan Vogli, Kristofor Cavo, Stilian Nikolla apo Naim Balluku  dhe u bënë profesionistë të zotë,kujtojnë me mirënjohje dhe respekt mësues Orhanin dhe vlerësojnë rreptësinë e tij. Kërkohej rezultati në shkollë dhe mbi të gjitha  shkolla të bënte njeri me kulturë dhe dije Kujton me shumë konsideratë mësuesin e letërsisë, shkrimtarin Filip Ndocaj, pa lënë, mënjanë Nekie Demin, që me shpjegimet e tyre dinjitoze i shtuan së tepërmi dashurinë për letërsinë dhe historinë, dashuri që do të shpërthente fuqishëm në të gjithë krijimtarinë e tij të më vonshme.

Në rrugën  “Brodueji” të viteve 60-të

Zë fill që në shkollën shtatë vjeçare, kur lindin shkëndijëzat e para ngacmuese për të bukurën, që natyrisht simbolizohet me ëndërrimet e para për shoqen e klasës, për më të mirën, më të zgjuarën, më të bukurën, por që formësohet dhe merr përmasat e një ndjenje të  bukur e kristalizohet në gjimnaz. Duke qenë me prirje në letërsi  e bezdisnin shpesh te  gjithë shokët e klasës t’u shkruante letra sipas stilit të vajzave që simpatizonin. Merrnin citate që formuloheshin nga librat. Ishte një lloj letërsie  paksa demode sentimentale, që shoqëroheshin me vizatime zemrash dhe me përshkrimin e syve të perënduar apo  vështrimit të trishtuar. Në atë kohë djemtë frymëzoheshin nga letrat e Onjeginit dhe fillonin gjithnjë me shprehjen “Po marr guximin të të shkruaj”. Në moshën 16 vjeçare ishin ndjenja adoleshente plutonizmi, që çelnin në mëngjes dhe në darkë vyshkeshin. Ishin flirte abstrakte pa përgjigje. Ndjenja e dashurisë vinte dhe kristalizohej më vonë, kur mendja fluturonte nga ora e mësimit dhe rrihte flatrat për të prurë me imazh vajzën e ëndrrave, kur me librin përpara syve nuk je në gjendje të lexosh asnjë radhë. Ishte pra koha kur  një vështrim i hedhur vjedhurazi apo një fjalë e thënë si pa kuptuar nga ndonjë lozonjare e  bënte çdo djalë të griste një palë këpucë, duke vrapuar pas vajzës së ëndërruar. Kohë ëndërrimesh. Kohë rinie. Si e kuptonte ai dashurinë? Ah, të gjithë kanë qejf të flasin për dashurinë. Për më shumë se kaq, të gjithë dëshirojnë ta përjetojnë. Nevoja për dashurinë është e pamasë, ndërsa rrjedh nga brendia jonë. Këtë e ka përcaktuar natyra si qenie shoqërore.

Prandaj, kur jemi vetëm, nuk jemi “në element”. Përveç nevojave biologjike, ngjashëm me atë të ngrënies dhe të përtëritjes, të gjithë kemi nevojë për afërsi dhe dashuri. Të gjithë njerëzit duan, porse jo të gjithë në të njëjtën mënyrë. Ekzistojnë më shumë lloje dashurish, për shembull dashuria ndaj nënës, ndaj vëllait, ndaj fëmijës, porse, kur flasim për dashurinë, në të vërtetë mendojmë në “dashurinë mbi dashuritë”, ose për dashurinë romantike. Pse? Sepse, ajo është diçka për të cilën bëjmë krejt ndryshe. Për shkak të saj jemi të lumtur ose vuajmë, shkruajmë poezi, prozë, vargëzojmë bejte, e ç’nuk bëjmë! Në atë moshë dashuria romantike është në fokus të interesit të çdo të riu. Është problem pse nganjëherë dashurinë e arrijmë vështirë ose e humbim lehtë! Moshë delikate. Kohë flirtesh herë të realizuar e herë jo,por gjithsesi mbrëmja zbriste e bukur në Tiranë dhe xhiroja e famshme gumëzhinte nga gjallëria dhe zërat rinorë. Ishte rituali më i këndshëm i çdo mbrëmjeje,  një ndjesi që e ka përjetuar që fëmijë. Dinin kush nga vajzat e hapte xhiron dhe kush e mbyllte. Dhe pa dyshim kishte dhe një rrjetë thashethemesh mbi dashuritë më të famshme të kohës. Po më shumë rrinin te rruga e Mapos që atëherë quhej Brodueji i viteve 60-të. Rrinin si garipa dhe kundronin kush kalonte dhe  lavdëronin  apo përgojonin djem e vajza të moshës së tyre…por edhe figura të njohura të kohës. Në “Broduejin”e viteve 60-të thashethemnaja nuk njihte limit, sidomos për Petro-Ninsat, rinia e shkollës elitë. Në bordurat e Broduejit takoheshin dashuritë, ndarjet, tradhtitë, simpatitë, gëzimet dhe hidhërimet e rinisë gjimnaziste të Tiranës. Doje të mësoje të rejat më të fundit rrije për pak kohë aty dhe kishe ç’të flisje të nesërmen me shokët. Ishin të veshur të gjithë në standardet e kohës. Pantallona teritali dhe bluza të thurura nga nëna ose gjyshja. Dallonte  ndonjë në të rrallë, që kishte prindërit  apo ndonjë të afërm në  ambasada. Ai vishej pak më ndryshe. Në fundin e viteve 50-të  ishte në modë ose hobi e kohës të zihej miqësi me shokë moshatarë të vendeve demokratike, ku përparësi merrnin nxënësit nga Bashkimi Sovjetik. Ai kishte letërkëmbim të dendur me Aleksandrinë nga Novosimbirsku i largët. Sasha moshatar me të, e përshkruante me hollësi jetën në qytetin e tij;  tregonte për prindërit, shokët e klasës dhe bukuritë  e qytetit dhe si pa e kuptuar tek adoleshenti formësohej ndjenja dhe dëshira për të shkuar dhe vazhduar studimet në këtë qytet të bukur… si e përshkruante Sasha…Por ndodhi përmbysja e madhe, u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe të gjitha vendet e Lindjes dhe nisi izolimi i madh i Shqipërisë e bashkë me të u shua edhe shpresa për të studiuar jashtë vendit. I vetmi kontakt me botën e jashtme ishin valët e radios. Në ato vite të rinjtë pëlqenin shumë këngëtarët italianë, që ishin tepër në modë e sidomos Adriano Çelentanon që nuk linin rast pa e imituar. Po krahas tij kishin për zemër edhe Rita Pavonen, Giani Morandin  apo Fred Bonguston  dhe krahas tyre edhe Bitëllsat e famshëm të Liverpulit, që shumë shpejt pothuajse gjithë rinia e kohës filloi t’i imitojë. Krahas muzikës italiane, sapo kishin filluar të organizoheshin edhe festivalet e këngës në radio dhe këngëtarë si Vaçe Zela,Tonin Tërshana, Qemal Kërtusha, Anita Take e ndonjë tjetër po pëlqeheshin çdo ditë e më shumë. Tirana në ato vite kish vetëm katër shkolla të mesme dhe pothuajse ata e njihnin njëri -tjetrin të gjithë.

Kujtimi kish miqësi me shumë djem nga gjimnazi “Qemal Stafa”.

Shpesh ata mblidheshin pasditeve dhe shkonin nga kodrat sipër korpusit universitar tek kisha e Shën Prokopit dhe argëtoheshin duke kënduar këngë italiane të kohës. Kristofor Zhupa ishte kitarist i shkëlqyer. Kur mbaroi të mesmen ai vijoi studimet për mjekësi dhe u bë një mjek i shkëlqyer. Edhe Ylber Berisha që  mbaroi studimet për Mjekësi, dinte të gjitha këngët e Adrianos dhe këndonte me mjeshtëri, tamam si një këngëtar i vërtetë. Shumë prej tyre në atë kohë nga këngët mësuan gjuhën italiane. Ishin net të bukura plot gjallëri rinore, ku bisedat për të ardhmen e tyre zinin  vendin kryesor. Pas prishjes së madhe me vendet lindore, pranë kampit socialist,por, mesi i viteve 60-të dhe më pas mund të quhen pa hezitim vitet e censurës së madhe që herë-herë zbutej paksa, për ta rimarrë veten dhe për t’u bërë akoma më e egër. Jeta qoftë me vështirësi, qoftë pa vështirësi, qoftë në luks e qoftë në skamje, në dituri e injorancë jeta zhvillohet në çdo lloj kohe. Njerëzit e jetojnë jetën me aq sa mundeshin. Sot u duket absurditet të rinjve aksioni, po në atë kohë shkohej me dëshirë. Ishin vende ku njihje njerëz të rinj, ravijëzoheshin njohjet me vajza të reja dhe të bukura, djemtë flirtonin me vajzat, dhe këto të fundit flirtonin me djemtë, koha e puthjeve të para. Ishte koha kur priteshin me gëzim mbrëmjet e vallëzimit. E ku kish vend dhe moment më të mirë, sesa këto aktivitete për të shfaqur ndjenjat e bukura rinore, por nuk ishin të pakta rastet kur shpërthente dhe ndonjë banalitet vulgar. I kujtohet një rast. Fakulteti i tyre ishte nga të vetmet institucione studentore, nga më të përshtatshmit për të kaluar pushimet pas orës së mësimit, me biseda e shëtitje të vogla, sepse ndërtesa tre katëshe kishte një oborr të madh të rrethuar me mure e kangjella, e pas rrugës automobilistike të Elbasanit shfaqej panorama e bukur e pyllit me pisha që rrethonte fakultetin e gjeologjisë. Teksa studentët po kalonin pushimin mes dy orëve akademike, diku pranë derës kryesore me kangjella hekuri, një student rrëzohet papritur në tokë pa ndjenja. Ishte një djalë nga Gramshi, në vitin e dytë të letërsisë, pak sa më i madh në moshë se të tjerët (ai kish punuar disa vjet si mësues në një fshat) dhe meqë ishte anëtar partie ishte dhe kujdestar kursi. Studenti i rregullt, ca strikt dhe i rreptë, rreptësi që ia jepte mosha dhe të qenit anëtar partie. Pra, ky student u rrëzua pa ndjenja. Të gjithë u befasuan nga ajo që ndodhi, por kur mësuan se si qe puna qeshën me të madhe, dhe shumë shpejt ngjarja u kthye në barcaletë për gjithë fakultetin. Ç’kish ndodhur në të vërtetë? Djalit nga Gramshi i kish rënë në kokë për një vajzë të kursit dhe momentin e pushimit mes dy orëve zhvillohet ky dialog mes tyre

-Ti më pëlqen shumë.

-Unë të vlerësoj si shok, dhe asgjë më shumë,-ia kthen vajza.

Djali ngul këmbë.

-Të dua me pastërtinë e një anëtari të partisë.

Vajza u step. Nuk e priste një deklarim të tillë. Por në çast si vajzë e shkathët që ishte,  ia kthen:

-Edhe unë të refuzoj me thjeshtësinë e një anëtareje të rinisë.

Kaq, – tha ajo, dhe djalit të nanurisur nga dashuria i ra të fikët.

Por, pavarësisht nga ky rast qesharak në përgjithësi në fakultet  lidheshin miqësi të sinqerta, tregoheshin histori nga më të shumtat  dhe mendja lundronte në fantazi nga më të ndryshmet. Ose mbrëmjet tematiko-dëfrimi. Sot të rinjtë vrapojnë nëpër klube asokohe shkonin me dëshirë në këto mbrëmje. Çdo kohë ka mjetet e veta të komunikimit dhe dëfrimit. Njerëzit e çdo epoke kanë jetuar me kushtet që kishin. Duken si absurd po njerëzit kanë jetuar dhe në epokën e gurit, dhe në epokën e hekurit, dhe në epokën e Krishtit, dhe në epokën e Mesjetës, dhe në periudhën e socializmit dhe në atë të kapitalizmit. Jeta vjen duke u modernizuar por ritet e lindjes, së dashurisë, seksualitetit, kanë ekzistuar në çdo kohë. Dashuritë, historitë e jetës, vdekjet aksidentale, sëmundjet janë pjesë e çdo brezi. Historia njerëzore ka shekujt e vet të gjallimit edhe me mënyra që në kohërat e sotme quhen arkaike, ose e tejkaluar.

Të jetoje në shekullin e kaluar

Atëherë kishte një lloj standardizimi, unifikimi në mënyrën e jetesës dhe veshjes. Sot nuk ekziston ky standardizim. Sot ka shumë më liri, më shumë  kushte. Në mënyrë letrare mund të thuhet që ka më shumë dritë dhe diell. Atëherë kishte më shumë gri. Por brenda asaj grije kishte një të mirë që të gjithë ishin njëlloj në ritet e zakonshme të jetës. Kishte dallime inteligjence, por mundësitë për të mësuar, për të gjetur punë i kishin të tërë. Arsimi tetëvjeçar u bë i detyrueshëm. Të gjithë shkonin në shkollë. Brenda atij standardizimi dhe unifikimi edhe punohej dhe jetohej dhe gëzohej. Sot mundësitë për të shijuar dhe gëzuar jetën janë shumë e shumë herë më të mëdha. Sot ka një shkallë njohjeje të ndryshme. Fjalën kompjuter e ka mësuar 20 vjeç. Sot fëmijët sapo kuptojnë e dinë se ç’është kompjuteri. Televizori është futur në shtëpinë e tij në vitin 1969. Pra zhvillimi i teknikës ka sjellë hapësira të reja. Po brenda asaj kohe të gjithë shqiptarët përpiqeshin të jetonin mirë. Kishte kufizime. Lufta e klasave ishte një fenomen tronditës, sepse ç’taksirat ka familja dhe të afërmit të vuajnë mendimet dhe kundërshtimet e dikujt që i lidh gjaku. Pse duhet që fëmija të ndjekë fatin e të atit pa patur faj? Ishte një fenomen i shëmtuar, sepse shfaqi tentativën dhe dëshirën për të spiunuar. Dhe të gjithë talleshin në heshtje ndaj dikujt që ishte spiun dhe në gjuhën popullore e quanin 80 lekëshi. Sigurisht që kishte kufizime po ajo kohë nuk ishte vetëm bardhezi, por kishte ylberin e vet. Të gjithë studionin dhe kishin një përgatitje të lartë në shkollë, të gjithë shkuan në punë. Të gjithëve u jepej shtëpi. Kjo nuk mund të mohohet. U ndërtuan vepra madhore. Dhe këtu ia vlen të përmendet një fakt shumë vetjak. Në 1954 kur morën shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” ajo rrugë ishte me kalldrëm. Pas pak vjetësh ajo u asfaltua dhe u bë rrugë e bukur. Tirana në sytë e tij shtrihej nga rruga Bardhyl, atëherë një rrugë e ngushtë me shtëpi të vjetra prej qerpiçi në të dyja krahët, me lagjen e dibranëve pak më lart dhe zbriste deri tek bulevardi I Madh, ku merrnin zanafillë dy nga rrugët më të mëdha të Tiranës, ajo e Durrësit dhe rruga e Kavajës. Ndodhte shpesh, kur ishin të vegjël, rreth moshës 8-9 vjeç, të ndërmerrnin me shokët e rrugicës “inkursione” drejt qendrës ku ishte bulevardi i madh. Stacioni i fundit ku ndalonin ishin bordurat pas parkut Rinia. Syri i mësuar me rrugicat e vogla dhe shtëpitë njëkatëshe, befasohej nga vargu i madh i pallateve me shumë kate. Fillimisht u dukej si një botë tjetër, shumë larg rrugicës së tyre, ku mblidheshin çdo buzëmbrëmjeje dhe të ulur galiç llomotisnin ç’tu vinte për mbarë, para se të futeshin nëpër shtëpitë e tyre. Prindërit shqetësoheshin kur mësonin sesa larg kishin qenë. U bërtisnin, I shanin, u shkulnin dhe veshët, por ata përsëri e harronin dhe të nesërmen përsëri vraponin për të njohur qytetin e tyre…dhe qyteti rritej bashkë me ata vetë. Ishte një qytet i vogël, por vit pas viti shtoheshin rrugë të reja, blloqe me pallate katër dhe pesë kate, herë të ndërtuara mirë e herë të ndërtuara keq. Vite më pas, kur u rrit dhe arsyetonte kthjellët ndiente keqardhje që qe prishur pazari i vjetër i Tiranës dhe rrugët rreth tij. Ishte vërtet një atelier i papërsëritshëm, një identitet historik i qytetit, një pasaportë e tij…por jashtë alogjikes së kohës qyteti rritej dhe zbukurohej çdo ditë. Tirana mori një hov zhvillimi të jashtëzakonshëm dhe të gjithë ëndërronin të vinin në kryeqytet. Në atë kohë ishte qyteti më modern i vendit, ku lulëzonte arti, teatri, kinemaja dhe letërsia. Kishte më liri dhe hapësirë për të jetuar. Tashmë kufijtë e qytetit në sytë e tij qenë zgjeruar dhe kishin marrë përmasa të reja. Ai rritej çdo ditë bashkë me qytetin, që tashmë e quante qytetin e tij.

Magjia e teatrit

Një nga kënaqësitë më të mëdha të moshës djaloshare  ishte jeta kulturore. Shkonte në kinema, në teatër dhe në Opera.  Teatri për të ishte një art kompleks, që në vete ngërthen elemente të të gjitha llojeve të tjera të artit: letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës dhe arkitekturës, si dhe artin e aktrimit, që është veçori specifike e teatrit. Njerëzit me anë të teatrit me shekuj janë përpjekur për të ndryshuar natyrën e vet njerëzore, janë përpjekur për t’i gjetur mënyrat për ta ndryshuar të njëjtën, pra janë munduar për ta ndërruar veten e tyre duke e çuar veten kah e përsosura. Kishte shansin e  madh që i ati njihte  një përgjegjës skene në teatër dhe ai e fuste te projektorët që të ndiqte shfaqjet. Kujton dhe tani dramat “Intrigë e dashuri”, “Hamleti” “Romeo e Zhuljeta” apo “Halili dhe Hajrija” “Prefekti” në vitet 55-62 dhe ai me atë trupin e hollë, i strukur nën dritën e projektorëve e lejonin të shikonte dhe kënaqej. Po ta shihte njeri dukej si mi i vockël i fshehur në një skutë të errët. Por ishte streha e tij e dashur nga ku zhytej në një botë të magjishme.  Teatri atëkohë kishte një fuqi të vërtetë  magjepsëse. Sepse kinemaja nuk kishte marrë akoma hovin që ka sot. Që nga lozha që rrinte i strukur, për të mos penguar ndriçuesit që punonin, ai derdhte poshtë në skenë vështrimin e tij të etur për të parë. Aty pa dhe mësoi për herë të parë emrin e Naim Frashërit, për të cilin shumë vite më pas do të realizonte një film dokumentar. Nga lozha e katit të tretë përjetoi për së afërmi madhështinë e Kadri Roshit, solemnitetin e Sandër Prosit, logjikën e ftohtë të Sulejman Pitarkës apo bukurinë magjepsëse të Margarita Xhepës, të cilën e lartësoi me një film të pëlqyer dokumentar e shumë ikona të tjera të këtij institucioni të magjishëm kulture. Ajo kuvli e vogël e fshehur në lozhën e tretë me atë dritën fosforeshente që ndriçonte nga lart poshtë siparin që hapej dalëngadalë dhe përshfaqej si me magji një imazh vendi, më pas aktori që nxirrte fjalën e parë dhe fabula më pas të rrëmbente me gjuhën e fjalëve, mimikës, ecjes, tonit të zërit, lëvizjeve të syve.

Teatri ka një gjuhë dalldisësh që të rrëmben në botën e tij. Aty kupton epoka të tjera, njerëz me mentalitet të ndryshëm apo të afërm me ty, merr mesazhe që të mësojnë dhe të bëhen udhërrëfyes në jetën tënde. Teatri është një nga artet ku me të vërtet ndjen katarsis. Purifikohet shpirti.  Dhe ndien një tërheqje marramendëse. Mahnitëse. Sa herë që zinte vend poshtë projektorëve në pritje që të çelej sipari ai ndiente një drithërimë të brendshme, gati gati ngelej pa frymë dhe me vështrimin aty poshtë ku lëviznin njerëz dhe dëgjoheshin zëra ai zhytej mes tyre dhe bëhej një me ta, i harruar në hapësirë dhe kohë. Më pas, kur kish përpirë i etur çdo lëvizje dhe fjalë sipari nis e ulet ngadalë dhe një breshëri duartrokitjesh shpërthen në sallë. Ai vjen në vete, harron ku është dhe duartroket dhe ai. Punonjësi aty pranë e sheh, buzëqesh dhe i përkëdhel kokën. Ai nuk ndjen asgjë. Është bërë një me skenën dhe spektatori që duartroket në gjysmerrësirë derisa llambadarët e mëdhenj nisin e ndriçojnë ngadalë tërë hapësirën poshtë tyre. Shfaqja ka mbaruar, por magjia vazhdon ende. Ai rri i mpirë aty nga magjia, nga esenca e asaj e asaj që ka përthithur, nga madhështia e shfaqjes. Sigurisht përderisa aktori është në skenë dhe bën detyrat e tija ai nuk do ketë kontakte direkte me publikun. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që aktori të mos luajë për spektatorin, por të luajë duke u përballur me të dhe në prani të tij. Ose më mirë të thuash që ai të kryejë një akt autentik në emër të spektatorit, një akt të një sinqeriteti dhe origjinaliteti të skajshëm, por të disiplinuar. Ai duhet të jepet dhe të mos ngurojë të jetë vetë jeta, të hapet dhe jo të mbyllet në vetvete.

Lamtumirë Mjeshtri i Madh Kujtim Gjonaj