Ja si po shkatërrohen bizneset e Djathta në Sarandë nga ‘Rilindja’

84

Rrëfimi në “Telegraf” i qytetarit: Sa herë vjen PS-ja në pushtet, mua më ndodhin sulme e shantazhe në biznes

Agron MEMA

Në gjirin detar të Limjonit, në periferinë perëndimore të Sarandës, ndesh në një nga bukuritë e rralla të natyrës, por edhe atë të krijimit e zbukurimit nga dora e njeriut. Janë rreth 24 ha tokë si oaz të rrethuara me një mur të lartë natyral ku nuk mungojnë shpellat e shumta karakteristike dhe 4.5 km. mur i ndërtuar nga firma “Muço” që kufizojnë kët sipërfaqe tokësore, pronë të trashëguar të tyre. Mrekullohesh nga gjithçka që të rrok syri dhe dëshpërohesh nga ajo që dëgjon nga goja e pronarit Skënder Muço, se çfarë po ndodh me këtë pronë. Menjëherë në trurin tënd të lind mendimi dhe të mbetet si imazh i së keqes, por edhe i së mirës se kur njeriu do të punojë e gjen vetë punën. Dikur përdorej për propagandë nga “socializmi ngjadhnjimtar” një frazë e Engelsit se: “Puna krijoi njeriun”.

Ndërsa sot perifrazojmë se: “Njeriu vet duhet të gjejë dhe krijojë punën. Ndërsa shteti duhet të krijojë hapësira ligjore për mirëfunksionimin e tyre”. Jemi në sistemin kapitalist dhe shoqërive private në marrdhëniet me mjetet e prodhimit dhe njeriu duhet të jetë novator e t’i punojë fantazia brenda aftësive të tij për t’i krijuar vetes hapësira vetëpunësimi, e pse jo edhe të punësimit të të tjerëve. Dhe shembuj ka të rasteve të marrjes së inisiativave për krijimin e bizneseve dhe shoqërive private. Dhe një nga këto shoqëri dhe biznesmenë të fuqishëm është edhe Skënder Muço, ish- kampion dhe rekordmen i notit.

Skënder Muço me një biznes të përpunimit të gurit, çakëllit dhe inerteve të ndërtimit në dalje të Sarandës, shquhet edhe për humanizëm dhe ndihma të shumta financiare. Ndërsa sot shikojmë edhe ngritjen e bizneseve të tjera të tij brenda hapësirave të gurores. Në kushtet kur ndërtimi ka rënë ndjeshëm dhe në një situatë të tillë, edhe shitja e materialeve të ndërtimit ka rënie sëbashku me të ardhurat që vijnë në ulje, Skënder Muço nuk bie në dëshpërim duke lëshuar pasthirrmën dëshpëruese  “bo-bo , ç’më gjeti tani!”. Ai ka krijuar një biznes të ri, biznes mbi biznesin, për të ruajtur nivelin e të ardhurave.

Dhe pikërisht jemi këtu për të parë përfundimin e basenit me kapacitet prej 3500 metër kub uji që më parë rridhnin përroit të qeta duke shkatërruar e krijuar fenomene erozioni. Rreth e rrotull hedhin shtat e jeshilojnë hapësirën e thatë, rreth 600 rrënjë agrumesh, ullinjsh, vreshtash edhe drufrutorë të shumtë. Dhe mbjelljet vijojnë tani edhe me ujitjen nga ujërat e basenit që do t’i zbukurojë me pemëtari, bimë e lule dekorative në gjithë këtë hapësirë nga majëmali deri në ujrat e kaltra të detit, me një synim të një kompleksi turistik në të ardhmen. Por siç thamë krijohen edhe pengesa në mbarëvajtjen e biznesit dhe arritjen e qëllimit dhe këto bëhen më të forta e më problematike kur t’i krijon shteti që duhet të të mbështesë. Ka një vit që dhëmbët e frontojos nuk bluajnë asnjë gur, por si na tregon vet Skënderi, është ndërprerë puna se OSHE-ja ka ndërprerë energjinë elektrike, e po kështu dergjet pa parë dyert e tregut rreth 20 mijë metër kub çakëll të llojeve të ndryshme dhe materiale të tjera inerte.

Ai rrëfen për gazetën “Telegraf” se: “ Kontrata e energjisë elektrike është ndërprerë pa dijeninë time, por unë kam bindjen se është ndërprerë nga xhelozia dhe konkurrenca.

Sa herë vjen PS-ja në pushtet, mua më ndodhin sulme e shantazhe në biznes. Kjo jo vetëm se jam i djathtë, por kam pasur edhe një përplasje të fortë me një nga përfaqësuesit e lartë të pushtetit dhe të kupolës socialiste në Tiranë, me synimin e tij për grabitjen e pronës sime të ligjshme. Sa për dijeni, me financimet e mia , kam ngritur dhe jam pronar i linjës ekzistuese të transportimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në këtë lagje, linjë që kam shifrën e 8 Km. shtrirje nga këtu ku jemi e deri tek nënstacioni elektrik.

Nga ndërtimet pa leje që janë bërë në këtë lagje, është dëmtuar edhe linja dhe ka krijuar problematika të ndryshme, kanë sjellë ngarkesën e papërballueshme të rrjetit duke e nxjerrë jashtë kushteve teknike. Linjën time në 70% të shfrytëzimit e ka përdorur edhe OSHE-ja për furnizimin e kësaj lagjeje me energji elektrike, pa asnjë pagesë kundrejt meje si pronari i saj i ligjshëm. Sot nuk e përballon dot ngarkesën e lartë nga linja prej 10000 Kv/a e cila ka kaluar në 20000 Kv/a. Dhe përsëri , me këtë ndryshim të ngarkesës furnizuese, kam investuar nga vetja për rikonstruksionin e rrjetit në arritjen e parametrave të kërkuar për përballimin e ngarkesës së re dhe integrimin e saj në këtë linjë.

Po këtu fillon loja e gjuetisë nga agallarët e OSHE-së, sepse është moto e tyre të gjuajnë dhe të të nxjerrin debitor me pahir, dhe nuk është pak shuma, janë rreth 70 milionë lekë që kërkojnë.

Më  duket se kjo është një aferë  korruptive dhe shantazhi ndaj biznesit tim, ndaj u detyrova t’i drejtohem gjykatës, sepse gjykoj që këtu ka një lodër të rëndë financiare mbi kurrizin tim dhe gjithë biznesit dhe investimeve të mia shumëvjeçare. Gjykoj se është bërë me paramendim për të më dëmtuar që mos të marr pjesë në tendera e ndërtime, ashtu siç edhe ka ndodhur e po ndodh për më shumë se një vit. ERE ka dhënë një urdhër me shkrim për heqjen e gjobave të cilat janë katër të tilla sipas OSHE-së si dhe matësat e energjisë duhet të shkojnë për kontroll në laboratorin përkatës të specializuar e jo të vendosin gjoba kot nisur nga pretendimet e ish ÇEZ-it?!

Pas kontrollit të matësave nga laboratori, nëse dal debitor, jam i gatshëm për çdo detyrim, në të kundërt nuk pranoj faturime afrofe. Tjetra është se në sistem kanë vendosur ngarkesën e shoqërisë për secilin nga dy kantieret , e nga 5Kv/a, kur shoqëria ka një fuqi të instaluar që nga viti 1983, kur ishte kantier shtetëror prej 850Kv/a dhe fuqi të kërkuar si fuqi transformatori prej 1160 Kv/a, që do të thotë që edhe vetë sistemin e kanë paramenduar duke indoktrinuar keq dhe sipas tyre, shoqëria duhet të paguaj 1150 Kv/a shtesë fuqie e cila kthehet në rreth 35 milionë lekë, përkthyer ndryshe vjedhje ose shantazh, presion ndaj shoqërisë për të humbur tregun ose falimentimin si në tregun e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm, pasi tregëtojmë në Korfuz, Maltë e tani së fundi negociojmë me Italinë. Për këto padrejtësira jemi në proces gjyqësor dhe kam provuar me fakte dëmin ekonomik dhe moral që i është bërë shoqërisë. Kemi mbaruar shkallët e para gjyqësore dhe jemi në apel për të cilat, nisur nga seancat, shpreh besim tek drejtësia. Çfarë i kam kërkuar dhe i kërkoj unë shtetit për të gjitha këto situata që më janë krijuar?

Duke qenë si një person kontributor që gati prej 45 -vitesh i kam dhënë vendit tim në fushën e sportit ku jam vlerësuar rekordmen deri “Mjeshtër Sporti” në not, në jetën sociale që kam mbështetur moralisht dhe financiarisht shumë e shumë aktivitete e zhvillime kulturore-sportive si dhe atdhetare-patriotike. Kam mbështetur investimet e para në qytetin e Sarandës aq sa ekonominë time e kanë quajtur si si investim për zhvillimin e qytetit tonë ndaj abuzimeve që bëheshin duke përdorur inertet e lumenjve dhe shkatëruar shtratin e lumenjve, kam investuar në mbrojtjen e tokës dhe të detit. Është edhe një realitet që dihet botërisht si mbrojtës i linjave elektrike në vitin e mbrapsht e të trazuar 1997-a, duke mbajtur me pagesë nga financat personale punonjësit e OSHE-së gjatë mungesës së shtetit, të cilët sot m’a kthejnë mirënjohjen në këtë mënyrë. Po gjatë vitit 1997 mbajta për një farë kohe me ndihma financiare edhe pensionistat e qytetit. Përveç dëmit të shoqërisë së biznesit tim, çfarë ka humbur shteti nga unë?

Ka humbur shumë. 50% të të ardhurave dhe shumë punonjës të mbetur pa punë. Për 27 vjet ÇEZ, KESH, OSHE kanë shpërndarë rreth 70% të energjisë nga linja ime private pa paguar asnjë detyrim financiar tek unë. Në vitin 1997 ruajta dhe mbrojta shtëpinë e fëmijës në Sarandë dhe mbajtjen e tyre me ndihma dhe ushqim. Pra ky person jam unë në Sarandë. Po ju kush jeni që përdorni gjithë këto shantazhe?!

Kam kontribuar në rrugën Turizëm – Kanali i Çukës, krijimin dhe zhvillimin e aseteve turistike që kanë autorësinë time ku i është kushtuar edhe një konferencë e posaçme, shoqëruar me vlerësime e falenderime nga ish kryeministri Aleksandër Meksi. Dhe për të gjitha këto, që mos t’i lë në harresë, jam vlerësuar nga Këshilli i Qarkut Vlorë dhe bashkia e Sarandës me certifikatën e mirënjohjes. Jo vetëm kaq. E gjithë familja Muça është shpallur “Qytetar Nderi” e Sarandës për të gjitha këto kontributet tona. Prandaj, duke sjellë problemin tim në vëmendjen e qeverisë së sotme të vendit tim, edhe pse më kanë kthyer përgjigje sipas kërkesës sime, ka qenë një përgjigje e paarsyetuar në argumentim, duhet t’i rikthehen dhe pasur një vëmendje të freskuar të vlerësimit real të një shoqërie kontributore së cilës i është ndërprerë energjia padrejtësisht dhe deri tani ka fituar gjyqet dhe për të gjitha këto ka detyrim ligjor të shlyej dëmin e shkaktuar, pavarsisht se si do ecin gjyqet e tjera, por që jemi të bindur se do t’i fitojmë”, -përfundon Skënder Muço, stërnipi i Muharrem Rushitit, për gazetën “Telegraf”, duke mos hequr asnjë dyshim për funksionarin e lartë të pushtetit dhe të partisë socialiste, pasi vetëm kur vjen PS-ja shkaktohen probleme frenuese dhe shantazhuese në biznesin e tij.