Izet Shehu: “Brohoria e një dimri”, tregim i jetuar dhe i rrëfyer nga njëri prej organizatorëve të Kongresit të Lushnjes, Xha Manit

Rrëzë kodrës së veshur me ullinj e drurë te tjerë frutorë, ngrihet Teqeja e sektit halveti e Karbunarës. Kjo Teqe është ngritur me 1617 nga Sheh Mehmeti. Vitet rrodhën dhe ajo u bë qendra më e rëndësishme fetare e patriotike e krahinës. Pozicioni i saj shumë i favorshëm gjeografik, si tribunë natyrore rrëzë kodrës, me fushën e pafundme përpara, që dukej si në pëllëmbën e dorës gjer larg, ku horizonti puthet me vargun e kodrave te Ardenicës, të mbuluara me drurë të ndryshëm të zonës mesdhetare. Nga vendndodhja e kësaj Teqeje, shikimi bredh i lirë në fushën e paanë. Atje, mbi një kodër te Ardenicës, sytë të ndalin në manastirin e lashtë, të ngarkuar me bëma e histori. Mjaftojmë te përmendim njërën prej tyre: martesën e Skënderbeut me Donikën. Pikërisht këtu, në këtë truall të bekuar, u ngrit Teqeja e Karbunarës. Lunja, një lumë i vogël , ku varen shelgje, plepa e vidha, rrjedh drejt perëndimit. Në atë lumë të vogël shuajnë etjen shumë gjallesa. Teqeja me mekamet e saj, me xhaminë, që shihte qiellin, me mejdanin dimensional, priste e përcillte idhulltarët e saj, miq e dashamirës, apo thjesht udhëtarë, që i zinte nata. U bë kjo teqe një vatër e rëndësishme e ushqimit shpirtëror, moral e patriotik për myzeqarët, dumreasit dhe darsiasit. Me kalimin e viteve, teqeja u dimensionua, u kristalizua dhe u bë e njohur madje edhe më gjerë. Lidhja me simotrat e saj halvetiane shtrihej nga Tirana, Peshkopia, Kavaja (origjina e shehlerëve të Karbunarës është pikërisht nga ky qytet), Berati, Tepelena e gjetkë. Ilakatë familjare i bënin me teqetë e sipërpërmendura. Zbresim në dhjetor të vitit 1919. Familja Karbunara e përbërë me 40 burra, kishte ngritur pranë teqesë një shtëpi të gurtë prej dy katesh. Numëroheshin 32 dhoma, me përmasat e një shtëpie – kështjellë, me dy porta të mëdha, ajo pozonte gjithë nur e madhështi në këtë tribunë natyrore. Djemtë nga kjo shtëpi e madhe, pasi mbaronin Ruzhdien (medrese, shkollë e mesme për mësimin e fesë islame) e Beratit, shkonin në Perëndim e Lindje për t’u arsimuar. Sheh Ibrahim Karbunara, më i shquari në historinë e këtij fisi të madh, kishte kryer studimet e larta në Stamboll (1891) e në Teheran te lranit (1895), të tjerët si: Dervishët Nuri e Ismaili shkuan gjer në Angli e Amerikë. Ky fis, sa vinte e konsolidohej ekonomikisht edhe nga ana arsimore më shumë. Patriotizmi ishte boshti themelor i këtij fisi gjer në palcë shqiptar. Siç thamë, lidhjet familjare ishin me familje të mëdha si: me Goshët në Seferaj, me Hidrit në Rrasë, me Koçallarë në Koçaj, me Haskajt në Karbunarë, me Sefët në Lushnje, me Çelët ne Golem etj. Lisi gjenealogjik i shehlerëve të Karbunarës, po aty, rrëzë kodrës e buzë Lunjes ishte ndarë në tri degë: në Teqe shehlerët, më tej Giçët (nga një ogiç, degë e marrë nga mbiemri Giçi) dhe në brigjet e Lunjës Ymerët (nga i pari i tyre Ymeri). Tre degët e një fisi jetonin në harmoni. Po kështu kjo harmoni shkonte edhe në fiset e tjera :te Saraçët, Mezinët, Sinanët aty në kodrën fqinje, Sulët, Çelët, Kasapët, Mullenjtë etj. Vetëm komunizmi me luftën e klasave futi helmin e përçarjes në mes të këtyre fiseve.

Teqeja përcillte te këto fise moral islamik dhe i ushqente me një ndjenjë të fuqishme atdhedashurie, që dhe sot e kësaj dite ruhet e gjallë. Në moralin e kësaj teqeje dy ishin shtyllat kryesore: Zoti dhe Atdheu. Marrëdhëniet e njerëzve të Teqesë me komunitetin ortodoks ishin të mira. Ortodoksia në këtë trevë e në këtë kohë që po përmendim, ishte kryesisht raja. Pak arumunë (që banorët vendas i thërrisnin çobanë, pasi mjeshtërinë tradicionale kishin blegtorinë), ishin ngulur fare pranë rrëzës së Malit të Stanit. Ngulimi i tyre u emërua Stan Karbunarë. Aty sipër Kroit të Njelmët , çobanët ngritën një kishë të vogël, Kishën e Shën Kollit Një pjesë e tyre u ngulën rrëzë kodrës në Lushnjë. Ortodoksët e tjerë ishin raja në tokat e bejlerëve , si në Kadiaj, në Çukas, Krutje, Bubullimë e në fshatrat e tjerë gjer në brigjet e Semanit e rrëzë kodrave të Ardenicës. Këta ishin myzeqarë autentikë si mbarë banorët e këtyre anëve. Çobanët ishin të paktë, sa familjet e tyre në Myzeqe numëroheshin me gishta. Ndërsa në Darsi e Dumre banorët ishin të besimit mysliman. Po Teqeja Halvetiane e Karbunarës, me klerikët e saj të mësuar në Lindje e Perëndim, siç e thashë më sipër, vinin në krye Zotin e Atdheun, vinin njeriun në qendër e Shqipërinë në ballë. Në festa fetare, burra të kësaj shtëpie, shkonin për vizitë në familjet ortodokse, madje dhe në ato pak arumunë, që ishin ngulur aty qark. Pra, jemi në dhjetor të Vitit 1919. Pas Sheh Rushitit, u bë Sheh lbrahim Karbunara, më i dituri i shehlerëve të Karbunarës, një klerik i kompletuar, një patriot i flakte, një poliglot i rrallë. Ishte mysliman i kulluar, por antiturk. Më 1906 turqit ia pikasën veprimtarinë patriotike dhe e internuan për pak kohë në Peqin. Dhjetori i atij viti ishte i egërsuar. Bora, që s’ishte e zakontë për këtë vend, tri herë e kishte zbardhur kodrën dhe fushën, që shtrihej në këmbët e saj. Lunja për ditë të tëra ngriu, saqë bagëtitë e imta kalonin sipër saj mbi akullin e bërë dy gisht të trashë. Në ato ditë të ftohta dhjetori, njerëzit vinin shpesh e me shpesh në teqe. Myhypët ishin të pranishëm thuajse në çdo të premte. Në hanin pranë teqesë çdo ditë ndërroheshin kuajt. Karrocat viheshin në radhë. Jo më pak se njëqind metra nga Teqeja kalonte rruga kombëtare Berat – Lushnje. Po kështu, fare pranë kalonte rruga, që të çonte në Darsi e Dumre. Mejdani, faltorja e madhe midis Teqesë dhe xhamisë, nuk rrinte bosh. Meuzini thërriste vaktet ne xhami, duke i ardhur rrotull. Në një ditë të ftohtë dhjetori, kur frynte erë e binte një borë e imët, mbërriti te porta e madhe një karrocë disi e fisshme. Karrocieri , një mesoburrë, i veshur me gunë e një palë opinga lëkure me majë, thirri :
– O të Babashehut! –dhe i binte portës me shkopin e kamxhikut.
– Urdhëroni … urdhëroni!- u shprehu mirëseardhjen xha Mani, një nga burrat e fisit, që shërbente për mikpritjen e mysafirëve. Ja, këta dy burrat, ua solla. Me shenja u mora vesh. Janë të huaj. Më duket inglizë.
-Aha po, – tha xha Mani dhe i futi brenda. Si u dha dorën duke ua tundur, i drejtoi lart në katin e dytë, te oda dimërore e pritjes. Pastaj i bëri zë një çuni që kaloi aty pranë:
-Thirre Babashehun! Kanë ardhur miq. Inglizë më duket janë. Shko shpejt thirre! Dhe çuni fluturoi menjëherë, drejt portës së madhe, nga lindja, ku ishin mezaret e teqesë. Odat e pritjes rrinin vazhdimisht të shtruara e të rregulluara si për miq. Zjarri ishte gati. Xha Mani i ul miqtë në njërën anë të oxhakut. Më të moshuarin, siç mendoi ai, duke mërmëritur nëpër dhëmbë:
“Bujrëm … bujrëm! “e vuri në anën e majtë të oxhakut dhe tjetrin pas tij. Pas pak erdhi Babashehu, një burrë i pashëm, shtatselvi, syshkruar e energjik sa s’ka më. I dha dorakun Manit (Osmanit) dhe u përshëndosh me mysafirët: Gut morning! Gut morning! U përqafuan aq ëmbël, sikur të ishin njohur prej kohësh. Anglezët, jo rastësisht kishin ardhur pikërisht nën këtë teqe. Në korrikun e atij viti, aty kishin bujtur dhe dy anglezë të tjerë. Dy historianë të njohur në vendin e tyre. Si la dorakun prapa derës, xha Mani, shtyu urët e zjarrit dhe hodhi sytë nga Babashehu.
-Hë, Mani, ç’ pret? Bëj adetin!- urdhëroi.

Dhe xha Mani, që kishte pritur e përcjellë prej vitesh mysafirë vendas e të huaj, vazhdoi ta kryente detyrën e pritësit me shkathtësi e me temenara. Zbriti ne akshihane, ku gratë e fisit i kishin ndarë punët sipas vakteve: të tjera ishin për mëngjesin, të tjera për drekën e të tjera për darkën. Furra në mesin e oborrit vazhdimisht piqte bukë, byrekë, mishra e gjëra të tjera. Mulliri i vajit rrotullohej e rrotullohej, duke bërë një zhurmë monotone. Xha Mani me legenin në njërën dorë dhe gjymin në tjetrën hyri në odë. Babashehu u tha miqve se, sipas zakonit, mysafirë duhet të lajnë duart. Ai në qoshe, ngriti i pari mëngët e këmishës. Xha Mani vuri legenin në dysheme dhe filloi t’u hidhte ujin e ngrohtë duarve. Po ç’ndodhi? Duart e bardha të profesor Idenit u përcëlluan. Brofi në këmbë. Tomasi, i trembur, u ngrit dhe ai.
Babashehu i skuqur bërtiti:
– Gomar! Ç’bëre gomar! Po xha Mani, që ishte treguar i pakujdesshëm, sepse duhej të kishte provuar më parë ujin e ngrohur nga Nënë Qamilja, u skuq e turfulloi ca nga inati me veten dhe ca nga ofeza që i bëri Babashehu.
-Sill pak bojë luleshpate! – urdhëroi xha Manin, – bojën e shkrimit! Xha Mani i turpëruar e i zemëruar si një ka, doli menjëherë duke rrahur dy supet e tij të bëshëm në derën e bukur prej druri të arrës.
-Ç’i the? – i tha Ideni, Sheh Karbunarës.
-Gomar, – ia shpjegoi Shehu anglisht.
-E ke gabim, – tha Ideni. – Gjithë kjo shtëpi e madhe sa një kështjellë ka nevojë edhe për njerëz të mençur si ju, por edhe për njerëz të fuqishëm si Mani.
-Për budallenj si Mani, – tha me vete Babashehu. Heshtën për një copë herë. Emrin Mani Ideni e shqiptoi qartë e shkoqur. Ndoshta ka lexuar Tomas Manin, ndoshta … Ardhja e mysafirëve të ndritur nga Anglia, Idenit dhe Tomasit, nuk qe rastësor në atë Teqe. Dy muaj të tëra ata bisedonin e shkruanin, organizonin takime me njerëz të shquar nga Elbasani e Berati, Tirana e Durrësi, Kavaja e Peqini. Vazhdimisht në oden dimërore të pritjes bëheshin e hartoheshin plane. Xha Mani hynte e dilte, priste e përcillte mysafirët e ditur e patriotë, po mirë s’i kuptonte: “Pse grindeshin e përsëri zbuteshin?” “Pse ngrinin zërin dhe përsëri heshtnin ata burra, për dy muaj me radhë në Teqenë e tij, atje në Karbunarë?” Te dera e shtëpisë së Fugëve, më 21 janar të vitit 1920, në ora 10:00 para dreke, ai u përlot, kur njeriu i tij i dashur, Sheh lbrahim Karbunara, bëri një lutje për hapjen e Kongresit të Lushnjës . Mani ishte roje i Kongresit. Po, kur hera – herës kujtonte flluskat e ngritura në duart e bardha të inglizit Iden qeshte me vete … dhe shtonte ndër dhëmbë: “Si e bëra atë gomarllëk? Si e bëra?” Dhe i gëzohej flamurit kuqezi, që valëvitej gjithë krenari nga era..

Sigal