“Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete se Partia e Punës nuk rinovohet‘‘

Dje ishte 9 vjetori i ndarjes nga jeta të Dritëro Agollit “Arkitektit të Transformimit“ të PPSH-së në Parti Socialiste. Edhe pse parlamenti shqiptar ishte i mbledhur në seancë plenare, askush prej deputetëve dhe sidomos Grupit Parlamentar të PS-së nuk denjuan ta kujtonte me një fjalë të vetme, Dritëroin, burrashtetasin me vizion europian, që u kryqëzua nga bolshevikët e partisë. Ja fjalimi i rrallë i Agollit në Kongresin e 10-të të PPSH, në të cilën ai kërkoi pranimin e 3 gabimeve; për diktaturën, varfërinë dhe të drejtat për lirinë e  njeriut dhe ndërgjegjes..

Sigal

Tre gabime që e sëmurën PPSH: Vija e diktaturës së hekurt, vija e shtrembër politike në ekonomi, shkelja e të drejtatave të lirisë së njeriut dhe ndërgjegjes.

Çdo intelektual duhet të ketë një tribunë, ku t’i thotë lirshëm, me sinqeritet dhe pa drojtje mendimet e tij, në mënyrë që t’i sjellë shërbim idealit të vet dhe shoqërisë ku jeton.

 Ndarja e hidhur 

Dritëro Agolli

Kur auditori i Kongresit gjëmoi nga zemërimi, duke iu drejtuar Dritëro Agollit me fjalë fyese dhe plot agresivitet, ai e mbylli diskutimin, heshti për një çast me vështrim nga salla, pastaj tha: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar janë pasqyrë e një partie, që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që ju polli ju po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët, unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit.”

Ja fjalimi i rrallë i Dritëroit në Kongresin e 10-të të PPSH, e cila shënoi njëkohësisht edhe shëndrrimin dhe krijimin e Partisë Socialiste.

Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, i mbledhur në atmosferën e pluralizmit politik partiak, është quajtur kongresi i rinovimit. Me këtë ai merr përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë. Është një gjë optimiste se në gjirin e Partisë së Punës ka një potencial të madh forcash, duke përfshirë dhe potencialin e shëndetshëm intelektual. Por rinovimi serioz bëhet atëherë kur njihen rrënjësisht gabimet dhe kur lind një botëkuptim dhe mentalitet i ri, krejtësisht i ndryshëm nga ai i deritanishmi, kur flaken të gjitha dogmat dhe parimet e ngrira të së kaluarës dhe mbyllet fleta e tërë kapitullit.

Unë do të përpiqem të ndalem edhe në këto gabime, pa mbyllur ende kapitullin, nga dëshira e mirë e rinovimit. Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas, përveç atij që vazhdon të ecë me rrugën e djeshme dhe nuk ka dëshirë të rinovohet, por preferon të qëndrojë shtrirë në shtrat si fanatik, duke mos ia zbuluar mjekut pjesët e sëmura më delikate të trupit të tij. Çdo intelektual duhet të ketë një tribunë, ku t’i thotë lirshëm, me sinqeritet dhe pa drojtje mendimet e tij, në mënyrë që t’i sjellë shërbim idealit të vet dhe shoqërisë ku jeton.

Shumë herë mendojmë se cilat janë ato gabime që e sollën në rënie Partinë e Punës, që e varfëruan atë bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët, që e zhvlerësuan këtë kala të pamposhtur, siç shpreheshim dikur plot patetizëm, që ia nxorën rrënjët mbi tokë këtij lisi dhe e bënë të lëkundet dhe mezi të qëndrojë në këmbë; cilat janë ato gabime që e sëmurën këtë trup që dukej aq i shëndetshëm, që e bënë të zerë shtratin dhe me zor të marrë frymë dhe ne të përpiqemi ta shërojmë, duke kërkuar ilaçe kokulur. Me sa duket gabimet janë aq të rënda, sa disa mendojnë se ky trup nuk mund të shërohet, kurse disa të tjerë nuk i kanë humbur shpresat dhe kërkojnë ilaçe për ta shpëtuar.

Pra, cilat janë ato gabime që e sëmurën?

I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt

I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë të partisë, në byronë politike dhe në komitetin qendror; është diktatura që vendosi Enver Hoxha për ta nënshtruar këtë repart pararojë të klasës punëtore, për të mos lejuar asnjë mendim të lirë të kundërt me atë që kishte ai vetë. Në kushtet e kësaj diktature në byronë politike dhe në komitetin qendror u zhduk demokracia dhe u shua çdo shkëndijë e saj. Ai që guxonte të shprehte një mendim të kundërt jo vetëm nxirrej jashtë byrosë, komitetit qendror dhe partisë, por edhe vritej apo burgosej si tradhëtar, agjent i imperializmit e revizionizmit, kapitullues apo devijator. Po të guxonte, fjala vjen, të thoshte në KQ të partisë në vitet ’60: pse të izolohemi nga bota; ikëm nga kampi socialist, të lidhemi me Europën, ky heretik lidhej me zinxhir. Po të guxonte, fjala vjen, në fillim të viteve ’80, e të thoshte: ç’është kjo marrëzi e tufëzimit, pse ia marrim fshatarit të shkretë lopën, delen, derrin, gjelin e detit dhe ia lemë gomarin, ky rebel ose dënohej me vdekje ose zinte qelinë e errët e plot lagështirë. Në këtë diktaturë brenda udhëheqjes së lartë, në byronë politike dhe në KQ të partisë, bëhej sikur diskutohej dhe merreshin me vendime të marrëzishme si ato për shkatërrimin e institucioneve fetare, për tufëzimin, për bashkimin e kooperativave bujqësore, për ndalimin e letërsisë së huaj, për hapjen e puseve dhe nxjerrjen e naftës dhe burgosjen e deri vrasjen e inxhinierëve dhe pedagogëve të saj e kështu me radhë. Me këtë diktaturë në kohën e partisë u zhdukën valë-valë që nga kongresi i parë dhe deri pranë kongresit të nëntë të partisë, gati të gjithë anëtarët e byrosë politike dhe të komitetit qendror. Ata që mbetën dhe ata të rinj që u vunë në të, u servilosën, u majmën, u bënë hamës të mëdhenj dhe lakmues vilash dhe qyrku. Diktatura në udhëheqjen e lartë të partisë solli lulëzimin e servilizmit dhe nënshtrimit, karrierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret e privilegjet. Bashkë me këtë lulëzim kjo diktaturë vendosi luftën e klasave brenda partisë, luftë që mbolli farën e frikës dhe të terrorit në gjithë komunistët dhe në gjithë shqiptarët. Lufta e klasave si instrument i diktaturës së udhëheqjes së lartë krijoi tri kulte të padëgjuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë: kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe kultin e sigurimit. Çdo gjë e zgjidhnin këta tri kulte dhe nuk kishte nevojë të vrisje mendjen. Këta tri kulte krijuan modele kultesh: kulti i sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit, kulti i sekretarit të organizatës -bazë, kulti i operativit të sigurimit e kështu me radhë. Nga frika e këtyre tri kulteve filloi të prishej e të gërryhej morali i njerëzve dhe humanizmi i shoqërisë: mbinë në arat e diktaturës antihumanizmi, hipokrizia, servilizmi, gënjeshtra, korrupsioni, abuzimi, rryshfeti, hatëri, vjedhja, thashethemnaja dhe mbi të gjitha u shkatërrua personaliteti i njeriut dhe ndodhi varfërimi i tij shpirtëror. Njeriu u bë kolektiv, me personalitet turme, pa individualitet dhe pa identitet. U shemb tradita e burrërisë shqiptare dhe e fisnikërisë kombëtare, e bujarisë dhe e besnikërisë, e mikpritjes dhe e shpirtgjerësisë, e urtësisë dhe e punëdashjes. Lindi mosbesimi, dinakëria, dembelizmi.

Kuadrit drejtues dhe nëpunësit filloi t’i hipë zilia dhe lakmia, duke parë privilegjet e zyrtarëve të lartë të partisë, privilegjet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, që jetonin në klane të veçuara, në një botë sekrete dhe misterioze, që hanin e visheshin ndryshe të tjerëve, që hipnin e zbrisnin nëpër avione të nisur e të kthyer nga Europa, kur populli i tërë jetonte në izolim të plotë nga bota e qytetëruar. Këta zyrtarë të lartë partiakë, anëtarë të byrosë politike, që u ndriste cipa e lëkurës nga ushqimet e zgjedhura dhe të kontrolluara nga specialistët e sigurimit, që kishin edhe një fermë speciale në Kamëz të mbjellë me bar të veçantë për t’i ardhur erë e mirë mishit dhe qumështit që përtypnin e gëlltitnin; këta zyrtarë të lartë partiakë, kurnacë deri në kulm dhe grykës deri në fund, të trashë dhe trumpirë, indiferentë ndaj varfërisë mbarëkombëtare, e prishnin lekun e djersës së njerëzve atje në vilat sekrete e misterioze pa iu dredhur dora, ndërkohë që populli i gjorë kujtonte se ata mendonin e punonin për të dhe të mirën e Shqipërisë. Në kohën kur Shqipërisë nuk i mjafton streha për të futur kokën, nuk i mjafton banesa më modeste, këta zyrtarë të lartë partiakë shtonin plot pangopësi dhomat, banjot dhe nevojtoret e vilave të tyre, me qira simbolike, si sheikët e Kuvajtit: dikush me 12 dhoma e 4 banjo, dikush me 16 dhoma e 6 banjo, dhe si bënin këto shtesa rrihnin gjoksin: “për lumturinë e kllasës punëtore”. Me këtë rrahje gjoksi rreth 20 familjet e bllokut të famshëm vetëm gjatë vitit 1989-90 kanë shpenzuar 20 milionë lekë të vjetra për meremetimet e vilave dhe për mbajtjen e personelit shërbyes, dmth, një milion për familje! Po ta marrim rrogën mesatare mujore të punëtorit 4000 lekë të vjetra, i bie që për këto familje të një patriotizmi të veçantë, të punonin 400 punëtorë, një uzinë më vete! Ja, kjo është pjella e vijës së diktaturës në udhëheqjen e lartë të partisë, vijë që krijon një tip udhëheqësi, një tip që rri urtë dhe nuk shpreh mendime kundërshtare në byronë politike, pasi i pari i kësaj byroje, Enver Hoxha, e merrte për zverku nga vila me 16 dhoma dhe 6 banja dhe i jepte dy metra gjatësi trualli pa çati, ose truall me çati biruce apo qelie!…

I dyti gabim është vija e shtrembër politike në ekonomi.

Pasqyrë e kësaj vije është gjendja katastrofike e ekonomisë së vendit, është varfërimi deri në palcë i Shqipërisë, djemtë e vajzat e së cilës kanë marrë dhe po marrin arratinë nëpër botë për t’i shpëtuar mjerimit, që nuk e kishin ëndërruar kurrë. Vendosja me diktaturë e centralizmit të ekonomisë në qytet e në fshat, imitimi i vendeve të mëdha për të pasur në radhë të parë një industri të rëndë, që të na siguronte ndërtimin e socializmit me forcat e veta, mitizimi i pronës shtetërore e kolektive, ngjallja e urrejtjes ndaj pronës private, moskomunikimi ekonomik me botën nën dritën e marksizëm-leninizmit fitimtar, bënë që Shqipëria, vendi më i pasur në Ballkan, të çapitet me opinga të grisura dhe me torbë të shpuar në kurrizin me kocka të dala. Ndërtuam kovaçana gjigande si kombinati metalurgjik në Elbasan; groposëm paren në puset shterpë të naftës; bëmë kooperativa bujqësore, kombinate, si qeveri të vogla; kryem tufëzimin famëkeq të bagëtisë; ia premë krahun çdo iniciative private; krijuam dogma në teorinë e ekonomisë politike dhe në bazë të këtyre dogmave nisëm me zell të eksperimentojmë, duke mos marrë parasysh se shoqëria nuk është lepur që ta vësh në laborator dhe të provosh se ç’efekt bën ky apo ai ilaç. A nuk ishte eksperimet tufëzimi i bagëtisë, që për një dekadë të tërë shkatërroi si me plan të caktuar blegtorinë kombëtare?!

Ekonomia jonë, industria dhe bujqësia, duke ecur sipas dogmave marksiste, një herë me lëndë të parë, një herë pa lëndë të parë, një herë me një instrument e një herë pa të, e tëra kolektive, e të gjithëve dhe e askujt, i çmësoi njerëzit të punojnë dhe ia hoqi dëshirën për punë. Perënduan mjeshtrat e mëdhenj të punës, artizanët e famshëm të Shkodrës e të Korçës, të Tiranës e të Elbasanit, të Vlorës e të Gjirokastrës. Punëtorët e fshatarët u bënë të varfër të barabartë, u krijua barazia në varfëri. Interesi për punën në fabrikat e arat tona humbi, pasi humbi interesi dhe fitimi personal, humbi leku. I pari i burgosur politik në Shqipërinë socialiste ishte i mjeri lek dhe të parin që duhet ta lironim nga burgu ishte ai, leku! I liruar nga burgu duhet t’i shkonte njeriut të zot, njeriut që derdh djersën e ndershme, njeriut të lirisë së pronës. Prona e lirë dhe ekonomia e tregut i jep pashaportë lekut për të dalë në Europë dhe në botë. I pari që u izolua jo vetëm nga bota, por edhe nga prodhuesit dhe gatuesit e tij ishte leku. Ai u urrye nga propaganda marksiste, ai u quajt i poshtër dhe i fëlliqur dhe u zëvendësua me fletëlavdërimin, të ashtuquajtur “stimul moral”. Punëtori me aftësi të rralla, ai që tejkalonte çdo normë, në vend të lekut merrte medaljen, pasi leku ishte dënuar nga që kishte biografi të dyshimtë dhe të keqe. Bashkë me lekun, u dënua edhe e bukura, pasi quhej si ndikim i huaj. Me dënimin e të bukurës në industri, në kulturë e në letërsi, lindi kulti i të shëmtuarës: rroba të shëmtuara, etiketa të shëmtuara, prodhime të shëmtuara, ndërtime të shëmtuara, piktura me figura të shëmtuara, drama me heronj të shëmtuar. U urrye kozmetika për gratë e shkreta. Iu thur lavdi erës së djersës dhe u shtua inati për erën e livandos si borgjeze. U varfërua xhepi dhe shpirti i prodhuesit dhe i krijuesit në industri, bujqësi e kulturë. Varfëri të ekonomisë dhe varfëri të shpirtit: – ja se ç’solli vija politike e gabuar në ekonomi, vijë e përpunuar nga Enver Hoxha dhe nga Partia e Punës. Kjo vijë së bashku me vijën e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë, në byronë politike dhe në komitetin qendror, janë dy nga gabimet më të rënda në historinë e Partisë së Punës dhe në historinë e mësimeve të Enver Hoxhës dhe po nuk u ndërgjegjësuam për këto, po nuk u bindëm se janë gabime, reparti pararojë i klasës punëtore nuk ka për t’u rinovuar kurrë, ndryshe ai duhet shpërndarë si i tillë përpara se ta shpërndajë koha.

I treti gabim është vija politike e pamëshirshme në të drejtat e liritë e njeriut dhe në lirinë e ndërgjegjes.

Në këtë fushë ka mbizotëruar lirshëm parimi themelor i luftës së klasave, nxitja e kësaj lufte nga makineria gjigande e propagandës së partisë, e fushatave politike dhe ideologjike, nxitja e kësaj lufte nga provokimet e agjentëve të sigurimit, të aktivistëve dhe agjitatorëve vullnetarë, të këshilltarëve dhe veprimtarëve të frontit demokratik. Motoja e këtij parimi ishte parulla e paturpshme: Të zhvillojmë pa ndërprerje luftën e kllasave, që nuk harrohej të vihej e pandryshueshme në çdo raport kongresi çdo pesë vjet dhe të përsëritej në çdo zbërthim që i bëhej materialeve të këtyre kongreseve në bazë. Si në përralla të llahtarshme shefat e kuadrit, sekretarët e partisë, kryetarët e këshillave popullore dhe të frontit demokratik gërmonin me syze e pa syze biografitë e njerëzve për t’i privuar nga të drejtat e studimit në shkollat e larta dhe të mesme profesionale nëse gjenin ndonjë gjysh a stërgjysh ballist, të dënuar apo të përjashtuar nga partia, të arratisur jashtë shtetit etj. Këta fatkeqë nuk mund të ngriheshin në përgjegjësi kurrë, nuk mund të futeshin në parti, nuk mund të punonin në dikastere, nuk mund të dilnin jashtë shtetit. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopësht që duartrokiste “Parti-Enver”, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave në fakt ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar. Shpërthimi i kësaj lufte, veçanërisht në kriza politike, si më 1948, kur u prishëm me Jugosllavinë, më 1956 pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të BRSS, më 1960 kur po largoheshim nga kampi socialist, më 1966, kur nisi revolucioni kulturor kinez, më 1973, pas plenumit të katërt dhe më 1981, pas dënimit të Mehmet Shehut, merrte me vete mijëra njerëz me përjashtim nga partia, me internim, me burgosje, me pushkatim. Kjo luftë klasash instrumentalizonte kryesitë e lagjeve për të dënuar dhe internuar familje të tëra. Mblidhej dhe bëhej sa grushti burri dy metra nëpër mbledhjet demaskuese, e hidhte lotin sa një lajthi gruaja dhe nëna. Në atmosferën e luftës së klasave, ku temperatura arrinte gradën më të lartë, njerëzit filluan t’i trembeshin njeri-tjetrit. Prapa çdo njeriu shihnin një spiun. Frika e spiunimit hyri në çdo shpirt, në çdo tryezë, në çdo radhë ushqimesh, në çdo familje. Madje kjo frikë u fut dhe në shtratin e burrit dhe të gruas. Të dy burrë e grua flisnin vesh më vesh, që të mos i dëgjonin fëmijët dhe të mos i përhapnin fjalët e tyre nëpër mëhallë. Kjo ishte frika e luftës së klasave.


I dashur shoku Dritëro

Kam ndjekur mbrëmë me shumë vëmendje , diskutimin tuaj në Kongresin e 10të të PPSH. Të përgëzoj për guximin e treguar , për analizën e saktë që i bënje sëmundjeve që lulëzuan në epokën socialiste, për patriotizmin dhe atdhedashurinë, cilësi këto që spikasin aq bukur në personin tuaj. Deri kohët e fundit, ne të kemi vlerësuar si poet dhe shkrimtar të madh të kombit tonë, por me lindjen e pluralizmit në Shqipëri, bile para tij ne po shohim tek ju edhe një politikan të zgjuar, një patriot e demokrat të madh, që mbi interesat partiake, vë interesat e kombit. Dëshmojnë për këto intervistat tuaja në shtyp, diskutimet në kuvendin popullor e mbi të gjitha diskutimi juaj në Kongresin e 10 të PPSH-së. Mos u mërzit shoku Dritëro nga zhurma që u bë në sallën e Kongresit kur diskutuat ju, as nga fletushkat që vinin në podium kur ishe duke folur, as nga ndonjë kërcënim që mund të kesh patur kohët e fundit. Kemi një thënie andej nga Devolli: s’ndjen mali i Gramozit nga dëbora! As ti mos u mërzit. Fjalën tënde e përkrahën me gjithë zemër njerëzit e thjeshtë, punëtorët, fshatarët si dhe intelektualët patriotë.
U ndodha mbrëmë në një familje ku ishin 10 vetë e po shikonin në televizor rubrikën: “Sot në Kongresin e 10 të PPSH-së” e përkrahën diskutimin tuaj dhe ishin gati të përqafonin… në ekran. Edhe sot në mëngjez në autobuzin urban, njerëzit flisnin plot pasion për diskutimin tuaj. Këto pak fakte e mijëra të tjerë në Shqipëri, besoj se janë aprovimi më i mirë për diskutimin tuaj. Prandaj edhe një herë mos u mërzitni. Le të çiren pseudomarksistët. E vërteta është me ju. Ju këshilloj të ruani qetësinë, mos dëmtoni shëndetitn tuaj se i duheni kombit për sot e për nesër. E pastaj, kur të kalojnë këto tallaze të demokracisë, presim të lexojmë në veprat tuaja të reja, këto drama që po jetojmë. Duke përfunduar, të uroj shëndet e punë të frytëshme për të mirën e popullit e atdheut.

Me shumë respekt,
Fuat Memeli

Shtëpia e Propagandës Bujqësore Tiranë

( Nga Sinica e Korçës )