Mustafa Koçerri: Nënëve të dashura dhe të paharruara vermikase, shumica të arsimuara, mjeke, arsimtare, ekonomike, inxhiniere. Respekt dhe mirënjohje për jetë

763
Sigal

Në brezin e nënave që kanë ardhur më pas deri në ditët e sotme do të gjesh shumë nëna të arsimuara si mjeke, arsimtare, ekonomiste inxhiniere, financiere

NËNAVE TË DASHURA DHE TË PAHARRUARA VERMIKASE, RESPEKT DHE MIRËNJOHIE PËR JETË

MUSTAFA KOÇERRI

Prindërit i ngjajnë një mali të madh,bukuria e të cilit nuk duket nga afër. Ai duket i plotë, vigan e madhështor, kur i largohesh dhe e sheh në distancë. Ashtu edhe ju nënat e baballarët Vermikas, të gjithë sa jeni,që në kohët më të hershme e deri te ata të sotme, figura dhe emri juaj me kalimin e viteve  bëhet më e madhe, më e plotë,më e dashur, më e paharruar dhe më e dhimbshme. Por në këtë shkrim do të veçoja dhe do të shkruaj për nënat. Nënat Vermikase  të cilat janë të shumta, e meritojnë të përmenden të gjitha një e nga një. Por në pamundësi për ti përfshirë të gjitha në një shkrim do të përmend disa prej tyre. Që në fillim ju kërkoj falje familjeve të nënave që nuk jetojnë dhe që nuk po i përmend. Të gjitha pa përjashtim,me ndryshime të vogla, kanë kaluar një jetë të vështirë,plotë sakrifica, me halle, me skamje e fukarallëk dhe me shumë mungesa të tjera në jetën e tyre. Në tërë këto halle terreni i thyer i fshatit Vermik i shtonte edhe më shumë këto vuajtje, ku midis tyre ka patur familje që kanë vuajtur edhe për bukën e gojës… Por edhe në këto kushte ato janë dalluar për mirëpritjen e respektimin e mysafirit duke e nderuar mikun në shtëpinë e tyre. Ato kanë marr pjesë,i janë gjendur dhe kanë ndihmuar njëra tjetrën dhe familjet e tyre për të gjitha rastet si në gëzime e fatkeqësitë që kanë pasur. Në jetën e tyre ato kanë përballuar dhe kanë mbajtur një barrë të rëndë si të punëve të shtëpisë, ashtu edhe të punëve të tjera si në bujqësi e blegtori. Shpesh gjyshërit, prindërit,të afërm e njerëz të tjerë të moshuar na kanë folur për këto vuajtje, për atë jetë të vështirë, që kanë bërë ata,por edhe paraardhësit e tyre,për fukarallëkun,për atë që e shikonin njeriun e tyre të sëmur dhe nuk kishin se çfarë ti bënin,për mungesën e mos pasjen e një cope  sapuni, për rrugët e  largëta që bënin për të blerë pak krip dhe një thes me misër. Këto vuajtje të së kaluarës kanë rënduar më shumë mbi ju nëna të dashura. Por ju me urtësinë, durimin, qetësinë dhe mbajtjen e dhimbjes më shumë për vete,duke sakrifikuar e hequr shpesh edhe kafshatën e bukës nga goja juaj dhe duke ja dhënë fëmijëve, keni mundur të përballoni këto vuajtje të mëdha. Nga ana tjetër, pasia e shumë fëmijëve,disa prej tyre, u ka shtuar vështirësitë e jetës,ashtu sikurse ka bërë që  në shtëpitë e tyre të ketë më shumë jetë, gëzim dhe gjallëri nga ata. Ato kanë bërë sakrifica të shumta për rritjen e tyre,pasi ka qenë edhe si traditë bërja e shumë fëmijëve, e cila lidhej si me trashëgimin e mbiemrit,shtimin e fisit,për të pasur sa më shumë djem e krah pune. Midis shumë nënave më poshtë po përmend disa prej tyre.

Myrvete Mëzuraj

Myrvete Mëzuraj, nëna e dashur dhe punëtore, që me mund të madh ka rritur fëmijët e saj,të cilët edhe këta ja shpërblyen prindërve të tyre duke u bërë edhe më punëtor, të mirë e të dashur, duke shërbyer në polici, blegtori, shoferë e të tjerë profesione. Shpirti i mirë i njerëzve të kësaj shtëpie dhe numri i madh i prestarëve bënte që në këtë shtëpi të kishte përherë gjallëri e gëzim.

Salushe Veshaj

Salushe Veshaj, nënë bujare, e dashur dhe punëtore e cila për kushte më të mira jetese dhe për të rritur fëmijët e saj së bashku edhe ma bashkëshortin emigruan para çlirimit të vendit jashtë atdheut dhe përsëri u kthyen në tokën mëmë. Djali i saj Musa Veshi ishte një njeri dhe shoferë me emër jo vetëm në parkun e transportit  por edhe në tërë Vlorën. Ajo ishte një shtëpi e madhe për të gjithë nipërit e mbesat e saj të cilët kalonin pushimet e verës. Në moshën e pleqërisë ajo u godit rënd me ikjen e vajzës së saj Fatushes, në një operacion të cilin nuk e përballoi dot.

Rabie Gjoni

Rabie Gjoni, nënë e shumë fëmijëve,punëtore e palodhur,nënë e urtë që me shumë sakrifica ka rritur fëmijët e asaj shtëpie, të cilët u bënë njerëz punëtor e të devotshëm për familjen e shoqërinë. Pjesëtar të familjes të saj kanë qenë luftëtar të çetës në luftës e 1920. Burri i saj Tefik Gjoni ka qenë pjesëtar  i  çetës së Vermikut, çetë e cila ka marr pjesë në shumë luftime deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Edhe pse në familjen  e saj ishin shumë vet ajo mundi ti rriste e ti nxirrte të gjithë në jetë, duke u bërë njerëz të mirë dhe punëtor. Në botën e saj shpirtërore si dhe të bashkëshortit Tefikut në çdo kohë shfaqej bujaria dhe mikpritja e asaj shtëpie.

Samedie Habilaj

Samedie Habilaj, e vuajtur dhe me shumë fatkeqësi në familjen e prindërve të saj, fatkeqësi këto që kishin ndikuar në kalitjen dhe formimin e karakterit të fort e të vendosur , pse jo edhe burrëror. Me zërin e saj karakteristikë e të veçantë si në rastet kur këndonte ashtu edhe kur qante,në fatkeqësi e vaki,të ngjallte emocione sa herë ta dëgjoje. Shtëpia e saj në çdo kohë në Babicë  llamburiste nga gëlqerja, në të do të gjeje të varur nga shëndetësia flamurin ku shkruhej, në këtë shtëpi ka pastërti. Sa herë ta takoje apo ta shikoje në distancë ajo të nxirrte mallin e një gruaje tipike labe të krahinës së Kurveleshit. Rrobat e saj mbanin erën e këndshme të trëndelinës,e cila nuk mungonte në çdo kohë në sepeten e rrobave të saj.

Akije Alimuçi

Akije Alimuçi, me orgjinë nga Kuçi,ndaj edhe i thoshin Akije Kuçi,por që shumë shpejtë ajo u miqësua dhe u përshtat pasi u martuar në Vermik. Në kongresin e parë të Bashkimit të Grave shqiptare që u mbajt më 4 nëntor 1944 në Berat ajo  përfaqësoi grat e Vermikut përkrah  grave të tjera  të krahinës së Kurveleshit. Po kështu ajo mori pjesë edhe në Kuvendin e Horës në Vranisht në vitin 1967 ku u trajtua emancipimi i shoqërisë e në mënyrë të veçantë ai i gruas. Ajo ishte një grua e shkathët, e zgjuar, një aktiviste e mirë si në periudhën e LNC ashtu edhe pas çlirimit. Për këto cilësi ajo ishte zgjedhur anëtarë e këshillit të gruas për Vermikun më 18 nëntor 1943. Të gjitha ngjarjeve si në përudhën e luftës ashtu edhe pas çlirimit ajo u ka kënduar dhe u ka thurur vargje Ajo jetoi gjatë dhe vdiq në moshë të madhe, rreth 100, tek djali i sa Limoz Alimuçi.

Xhane Koçerri

Xhane Koçerri, nëna e disa fëmijëve që i përket brezit të nënave të pas luftës. Familja e saj është ndër ato familje ku spikatin ndjenjat atdhetare ,ku do të theksoja si pjesëmarrjen e Isuf Bocit në Luftën e vitit 1920 ashtu edhe të Maze Bocit me pjesëmarrjen në disa luftime të çetës së Vermikut, pjesëtar i të cilës ishte edhe ai. Me rritjen e moshës Xhania bëhet një aktiviste e mirë e vajzave dhe grave në Vermik, për këtë ajo caktohet dhe merr pjesë disa ditë në një nga Kongreset e Grave ,ku midis të tjerave ajo ka të fiksuar takimin me Enver Hoxhën por edhe me udhëheqës të tjerë të shtetit që merrnin pjesë në atë kongres.

Sadie Mëzuraj

Sadie Mëzuraj, lindi dhe rriti shumë fëmijë,dhe megjithëse me kushte të vështira  jetese ata u bënë të zot e punëtor duke punuar në sektor të ndryshëm të ekonomisë. Ishte kjo edukatë e marrë në fëmini që djali i saj Godo Mëzuraj u vra duke punuar për të siguruar jetesën e fëmijëve të tij. Burri i saj Kamber Mëzuraj ka dhënë një kontribut të veçantë në mbarëvajtjen e punëve në fshatin e Vermikut

Dusha Alimuçi

Dusha Alimuçi, burrëresha e Vermikut,e cila mundi të përballojë fatit e keq me ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj,duke i mbetur kështu barra e rëndë e rritjes së fëmijëve. Për arsye të kushteve të vështira ekonomike ajo shkëputi nga shpirti i saj vajzën e vogël Haxhiren (  nënën time të dashur ) në moshë të vogël dhe e mori për ta rritur Jakup Koçerri. Ajo ishte një nënë dhe gjyshe gojë ëmbël dhe e dashur jo vetëm me njerëzit e saj por me të gjithë banorët e fshatit.

Nevro Tushi

Nevro Tushi, me orgjinë nga  familja fisnike  e Qezajve të Gjirokastrës,martohet po në një familje fisnike vermikase me atë të Qamil Tushit,familje tregtare por me ndjenja të larta patriotike dhe atdhetare. Familja e saj në periudhën e LNCL në qytetin e Vlorës ishte një bazë e rëndësishme e kësaj lufte. Ajo së bashku me qumështin e gjirit që i jepte djalit të saj Bajram Tushi, i fuste në gjak edhe ndjenjat atdhetare, të cilat bënë që ai ti përkushtohet totalisht dhe me gjithë shpirt Luftës nacional çlirimtare, për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj  italianë. Tetë ditë pas krijimit të partisë komuniste ai merr pjesë në shpërndarjen e trakteve në qytetin e Vlorës, duke qenë kështu një nga aktivistët  e parë të njësiteve guerile në këtë qytet. Ai nuk e kurseu jetën e tij  për Atdheun dhe më 18 tetot 1942 në përpjekje me fashistët italianë vritet duke mbetur kështu një yll i kuq i pashuar,Hero i Popullit. Nënë Nevrua  tërë jetën sa jetojë e kishte brengë në zemër ikjen e djalit të saj në përpjekje me fashistët italian, megjithatë ajo ndjente ngushëllim se djali i saj ashtu si shumë të tjerë ra dëshmor për Atdheun.

Arzo Aniaj

Arzo Aniaj, nënë e dashur dhe gojë ëmbël,e cila krahas vështirësive të vendit ku u lind dhe u rrit,përballoi fatkeqësitë e ndodhura njëra pas tjetrës, duke  mbetur me një vajzë,por që kjo fatmirsisht  nuk pati fatin e nënës të saj, ajo lindi disa fëmijë të cilët u rritën të gjithë.

Hava Tushi

Hava Tushi, nënë trime, nga një familje atdhetare e patriote. Në operacionin e dimrit të vitit 1943 1944,gjermanët pasi mësuan  se në Vermik ishte vrarë praparoja e tyre,dërgojnë në fshat forcat e një batalioni,të cilët mundën  të kapnin disa gra, pleq dhe fëmijë të sëmurë dhe pasi i vunë në rresht pushkatuan 5 burra. Pas pushkatimit ju drejtuan grave dhe fëmijëve mitralozin dhe njëri nga ballistët  ju tha do t’ju vrasim të gjithëve se ju Vermikasit jeni të gjithë komunist të kuq të Stalinit. Falë zgjuarsisë dhe ndërhyrjes së nënë Havasë, e cila i foli komandantit gjerman  në gjuhën frëngjisht të cilën e kishte mësuar gjatë kohës së emigrimit me bashkëshortin në Francë, u bë e mundur ndërprerja e masakrës,ndërkohë që ballistëve iu drejtua me ashpërsi duke ju thënë: Po ne jemi në radhë të parë shqiptar, por ju që jeni bashkuar me gjermanët, ç’doni me ta…Në këto ditë të vështira si nga pushtuesit  gjerman ashtu edhe të dimrit të ashpër kjo familje përballoi fatkeqësinë e madhe ndarjen nga jeta të dy vajzave të saj në moshë shumë të re. Në këtë familje do të përmendja edhe djalin e nënë Havasë, Seriun,i cili në detyrën e tij si mësues në fshatin e Vermikut ka mësuar e edukuar sa e sa breza fëmijësh. Nëpërmjet artikujve dhe librave të botuara ai ka përshkruar e hedhur në to historinë e Vermikut, zakonet, traditat, arsimimin, kulturën, bukurit e fshatit, patriotizmin e atdhetarinë e vermikasve etj, duke ndikuar në edukimin e brezave të rinj me dashurinë për fshatin tonë Vermik.

Minushe Alimuçi

Minushe Alimuçi, nënë e disa fëmijëve, me shpirt të madh e bujare. Ashtu si edhe familjet e tjera mundi të përballonte vështirësitë ekonomike të kohës duke rritur fëmijët e saj. Për këtë familje do të theksoja  shpirtin e madh dhe të dashur që i ka karakterizuar jo vetëm prindërit por edhe djemtë e tyre si Mynyrin, Nustretin dhe Nuriun të cilët kanë qenë dhe janë njerëz që gëzojnë respekt jo vetëm në familjet e tyre por edhe me të gjithë bashkëfshatarët.

Tushe Mëzuraj

Tushe Mëzuraj, e bija e Ago Bletës,një burrë me emër. Në kohën e luftës nacional çlirimtare ai ka qenë komandant i çetës së Vermikut, çetë e cila ka zhvilluar disa luftime  duke filluar nga Qafa e Kiçokut, në qafën e varreve në Vermik, në Smokthinë, Vajzë, Hysoverdh e shumë luftime të tjera. Nënë Tushia me karakterin e sjelljet e saj si në familje dhe me të afërmit e bashkëfshatarët gëzonte respekt të veçantë nga të gjithë. Këto cilësi të mira ua futi në gjak edhe tre djemve dhe vajzës së saj duke u bërë edhe këta po aq të mirë sa edhe prindërit e tyre.

Trëndelina Kondi

Trëndelina Kondi, nëna bujare e mikpritëse, nënë e shumë fëmijëve, e cila pas çlirimit të Shqipërisë së bashku me bashkëshortin Elmaz Kondin një nga aktivistët e parë të lëvizjes  nacional çlirimtare dhe të partisë komuniste në Vermik e në krahinën e Kurveleshit vendosen në Tiranë ,duke mbetur edhe këtu një familje e nderuar dhe e respektuar. Nënë Tërndelina përballoi rritjen e djemve dhe vajzave të saj duke u bërë nga një familje në disa familje me mbiemrin Kondi. Elmazi edhe pas çlirimit të vendit si ushtarak dhe intelektual i njohur është shquar në kryerjen e shumë detyrave.

Nejzo Aniaj

Nejzo Aniaj, nëna e disa fëmijëve, e cila i edukoi për tu bërë njerëz të mirë, punëtor  e të papërtuar. Kjo edukatë bëri që djali i saj Dervish Aniaj i cili pas çlirimit të vendit ashtu si shumë shqiptar të tjerë, mori pjesë në rindërtimin e vendit dhe ngritjen e veprave të mëdha. Gjatë punës për ndërtimin e kombinatit të tekstileve në Tiranë,ai bie në krye të detyrës duke dhënë jetën më 19 tetor 1950. Emri i tij ka hyrë në histerinë e rindërtimit të Shqipërisë dhe është dëshmore e punës.

Metulla Gjoka

Metulla Gjoka, nëna mami  e pashkolluar në këtë profesion, por që me përvojën e saj ka ndihmuar duke asistuar në sa e sa lindje fëmijësh nga nënat e reja të fshatit Vermik. Për këtë ajo ka marr urimet dhe mirënjohje të vazhdueshme nga këto nëna dhe banorët e tjerë. Më pas  në këtë fshat të largët u ngrit qendra shëndetësore ku ndihma si ndaj nënave të reja ashtu edhe të problemeve të tjera shëndetësore jepej e specializuar me personel të arsimuar.

Teferie Aniaj

Teferie  Aniaj, nënë e cila dallonte në fshat si grua punëtore, por që fati i keq i saj bënë që ti ndërpritet jeta në mes duke lënë katër fëmijët e saj jetim katër djem të cilët u rritën pa përkëdhelitë e kujdesin e saj. Ajo nuk i gëzoi djemtë e saj si dhe  nipërit e mbesat që ata  janë shtuar. Këtë mungesë të nënës e zëvendësoi babai i tyre Nimet Aniaj, i cili kujtohet nga njerëzit e tij dhe bashkëfshatarët si një burrë me cilësi të larta e me emër dhe që ka dhënë kontribut të veçantë në të mirë të punëve në fshatin e Vermikut.

Farfuri Mëzuraj

Farfuri Mëzuraj, mbahet mënd si një nënë e dashur e dhimbsur që nga goja e saj do të dëgjoje vetëm fjalë të mira. Fati i keq e goditi rëndë duke humbur jetën dy nga djemtë e saj. Djali i saj Kujtimi, megjithëse kishte marrë disa ditë leje para se të shkonte ushtar, paraqitet vullentarisht për të zëvendësuar disa barinj që kishin shkuar në stërvitje ushtarake, ai shkon në mal në një kope me dhi. Tufa e dhive që ruante trembet nga një stuhi dhe shkojnë drejtë një humnere. Ai u del me shpejtësi përpara për tu prerë rrugën për të mos rënë në humnerë, por që përfundoi vet duke rënë në këto shkrepa. Ai sakrifikoi dhe  dha jetën e tij në moshën 19 vjeçare për të shpëtuar bagëtitë. Po pas 10 vjetësh djali tjetër Esati i cili ishte me detyrë agronom i kooperativës aksidentalisht bie në krye të detyrës duke shirë grurin e ekonomisë.

Pajame Çiraku

Pajame Çiraku, nëna e një familjeje me histori të hershme patriote e atdhetare. Edhe kjo familje ashtu si familjet e tjera Vermikase përballonte me vështirësi jetën në këtë fshat të largët. Por këto vështirësi bënë që djemtë e saj që në fillimet e para të lëvizjes nacional çlirimtare të lidhe e të japin kontributin e tyre duke mos kursyer asgjë. Djali i saj Qemal Çiraku më 22 tetor 1943 zgjidhet një nga pesë anëtarët e celulës së partisë komuniste për fshatin e Vermikut, ndërsa gruaja e tij Bule Çiraku më 18 tetot 1943 si një ndër aktivistet e mira të grave për Vermikun, zgjidhet anëtare e këshillit të gruas. Të tre djemtë e kësaj shtëpie si Qemali, Seiti dhe Jonuzi të brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë inkuadrohen në radhët e ushtrisë NÇL deri në çlirimin e Shqipërisë. Seiti në luftime e sipër kundër forcave gjermane u plagos duke mbetur invalid. Edhe pas çlirimit  ata punuan me përkushtim e devotshmëri në detyrë të ndryshme e të rëndësishme.

Zylfie Lloi

Zylfie Lloi, nëna aktiviste e Luftës NCL, nëna e një familje të lidhur me luftën. Për aktivitetin e saj ajo zgjidhet më 18 nëntor 1943 kryetare e këshillit të gruas par fshatin Vermik. Burri saj Zenel Lloi i njohur jo vetëm në Vermik por edhe në krahinë ka qenë pjesëmarrës në disa luftëra si atë të vitit 1920, dhe në Luftën e Dytë Botërore. Familja e tyre i dha luftës të tre djemtë, Dervishin, Eqberin dhe Pashon të cilët u inkuadruan në formacionet e ushtrisë NÇL. Edhe pas çlirimit ata punuan dhe i shërbyen atdheut me përkushtim.

Merduri Kashta

Merduri Kashta, një nënë e dalluar dhe aktiviste në periudhën e luftës. Për këtë ajo në nëntor 1943 zgjidhet anëtare e organizatës së gruas për fshatin e Vermikut, duke u rizgjedhur përsëri në vitin 1945. Nëpërmjet kësaj organizate ajo së bashku me shoqet e tjera të zgjedhura propagandonin luftën e drejtë të partizanëve deri edhe me furnizimin me ushqime e veshmbathje të tyre, ndihma ndaj të plagosurve dhe  familjeve që kishin të vrarë.

Këto janë nënat Vermikase me shpirt të madh e të pastër si ujërat e kristalta që burojnë  nga malet e larta që e rrethojë këtë fshat. Ato janë dalluar si punëtore, të dashura,me një jetë plotë sakrifica, që kanë dhënë një kontribut të veçantë në Luftën NCL, pasi në zemrat e tyre lëvonte dëshira për ta parë Atdheun të çliruar. Janë këto nëna që i dhanë luftës  djemtë, vajzat dhe burrat, ku  disa prej tyre sakrifikuan edhe jetën duke mbetur dëshmor, të pavdekshëm tërë jetën. Ato edhe në vitet e pas çlirimit u aktivizuan dhe morën pjesë gjerësisht në rindërtimin e vendit. e shumë degë të tjera. Ju nëna të dashura Vermikase të gjitha jeni shumë të vuajtura por krenare, ndaj meritoni respekt e mirënjohje dhe do të nderoheni e kujtoheni  në çdo kohë  nga brezat që do të vinë për ato çka keni bërë.