Italia, vendi i linjdes së bankave tregtare dhe publike

1399
Sigal

MSc Elona SHEHU, Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

 

Italia është konsideruar si atdheu i lindjes së sistemit bankar modern. Veprimet bankare të bankave të Italisë vazhdojnë të kryhen me sukses edhe në ditët e sotme. Italia është vendi ku ka lindur sistemi llogarive bankare, sistemi i dyfishtë i kontabilitetit, kambiali, Karta e Kreditit, koncepti i Vlerës Aktuale Neto, koncepti i kompanive aksionere, kompanitë e përbashkëta, etj, etj. Ky material është përgatitur në mbështetje të Monografisë “Paraja, Bankat dhe Shoqëria” e profesor Aristotel Pano dhe Profesor Anastas Angjeli. Kjo monografi përbën një themel të rëndësishëm në njohjen e historisë së sistemit monetar ndërkombëtar që nga lindja e tij, e cila shërben për përmirësimin e literaturës së teksteve mësimore. Materiali është ndërtuar në formën e një ekspozeje kohore, duke filluar që nga Republika e Romës dhe duke përfunduar në krijimin e bankave publike. Materiali në çdo pjesë jep një përshkrim të fenomeneve politike të situatës ndërkombëtare dhe pastaj kalon në konceptin e parasë dhe të sistemit monetar të ditëve të sotme.

 

=Republika e Romës bazohej në tre kolona kryesore që lidheshin me zëvendësimin e pushtetit të mbretit nga dy konsuj të emëruar nga Senati, Asambletë popullore dhe kolona e tretë ishte Senati. Roma për nevojat e saj përdor paratë e qytet-shteteve greke. U prodhuan monedha romake të stilit grek. Monedha e parë e Romës konsiderohet monedha me emrin “Rhomaion” që ishte pikënisje e sistemit monetar të Romës të monedhave prej bronzi. Senati i Romës aprovoj krijimin e Magjistraturës monetare të derdhjes së bronzit, argjendit dhe të arit. Kjo u njoh si periudha e krijimit të sistemit monetar të Romës. Selia ishte në Campidoglio pranë tempullit Giunione Moneta. Monedhat e para ishin prej bronzi sepse Roma nuk kishte miniera ari dhe argjendi. Nga shek III Roma preu edhe monedhën e argjendtë me emrin Quadrigatti. Në vitin 211 u prenë edhe monedhat në ar dhe argjend, u pre monedha me emrin Denarus 4.5 gr. Denarus vjen nga fjala dieçi. Denariusi është monedha e parë e dhëmbëzuar në rreth (quhej Denari Serrati). Kjo ruante monedhën nga vjedhja dhe pesha e saj. Në këtë periudhë u pre edhe një monedhë tjetër me emrin Vittoriato që zëvendësoi dhrahminë në zonat e jugut. Në vitin 2018 senatorëve dhe bijve të tyre iu ndalohej të merreshin me biznese. Bujqësia ishte dega kryesore ku punonte 40% e popullsisë.

  • Perandoria Romake ndau vendin në dy grupe: Provincë senatoriale dhe perandorake që do vareshin nga perandori. Qeverisja do bëhej nga një guvernator me administratën përkatëse të caktuar nga Senati ose Perandori, ushtria do vendosej në çdo provincë. Oktaviani vendosi taksa të reja. Me reformën e tij arriti të ndalojë vazhdimin e prerjes së monedhave që ishin bërë nga ushtarakët, rivendosjen e peshës së monedhës së Denarius që ishte ulur me prerjet e reja, preu sasi të mëdha monedhash të reja në ar dhe argjend. Vendosi kurse fikse këmbimi midis monedhave të arit, argjendit dhe metaleve të tjera, ndau detyrat në kontrollin e prerjes së monedhave, ndryshoi ikonografinë e monedhave, duke vendosur portrete personash të historisë romake.

Ndryshime në sistemin monetar u bënë edhe nga Neroni, i cili uli 8% peshën e monedhave të arta dhe 12.5% të monedhave të argjendta, uli pastërtinë e monedhave të argjendit nga 98% në 93.5%. Preu dy monedha të reja Sesterzius dhe Disponidus. Perandoria Romake gjatë 100 viteve ndërroi 18 Perandorë.

Në fushën e veprimeve financiare dhe bankare Roma zë një vend të rëndësishëm. Në Romë prin lindja e sistemit financiar, pastaj monedhat dhe veprimtaria bankare. Kjo ndodhi sepse Roma përdori monedhat greke dhe ndaloi me ligj senatorët dhe fëmijët e tyre të merreshin me aktivitete financiare e bankare. Në këtë mënyrë ata nuk kishin ndonjë interes për prerjen e monedhave dhe investimin e kapitaleve të tyre.

Huadhënia në Romë lindi para veprimtarisë bankare dhe monetare. Nga grekët, romakët siguruan frymën kapitaliste të fitimprurjes. Në Romë grupet e argjendarëve merreshin me kryerjen e transaksioneve. Verifikonin origjinalitetin e monedhave, me këmbimin e llojeve të ndryshme të monedhave, me pranimin e depozitave të monedhave të klientëve. Nëse në kontratë me prurësin argjendari lejohej ta përdorte konform një interesi, atëherë kjo quhej Vacua Pecunia, nëse siguronte monedhën ose shlyente ndonjë detyrim quhej Depositium. Nëse argjendari i përdorte me një përqindje më të lartë këto monedha në këtë rast ato quheshin Creditum. Romakët që në fillimet e Perandorisë kishin përpunuar legjislacionin e plotë mbi të drejtën dhe detyrimet, dokumentet e regjistrimit kontabël për të gjitha veprimet bankare. Çdo depozitues kishte të drejtë ta përdorte depozitën për shlyerjen e detyrimeve të tij, që sot quhet Urdhër Xhirimi. Reforma e dinastisë Carolinge përmbante:

  • Vendosjen në të gjitha territoret e Evropës Perëndimore të bashkuara në perandorinë e shenjtë romane një monedhë me emrin Denaro. Ishte hera e parë që Evropa Perëndimore do të përdorte një monedhë të përbashkët prej argjendi të vendosur nga një pushtet i vetëm qendror.
  • Për këtë ai zgjodhi peshën e Librës. U përcaktuan 3 njësi prej të cilëve vetëm Denari përfaqësonte monedhën që qarkullonte fizikisht, ndërsa dy të tjerat ‘solido’ dhe ‘libra’ nuk qarkullonin. Ky sistem funksionoi 150 vjet.
  • Republika e Amalfias. Republikat detare ose tregtare të qyteteve italiane në vitet 1000-1300 arritën të krijojnë sistemet e tyre monetare dhe të zhvillojnë veprimtari bankare. Prenë për herë të parë monedhën Tari të kopjuar nga arabët me 1 gram. Më vonë u pre edhe Grosso Denario.

Sistemi monetar i Republikës së Firences

Që në 1115 Komuna e Firencës në Qarkun e Toskanës fitoi autonomi nga pushteti qendror. Pushtetin e kishin 12 Konsuj. Më vonë u krijua Këshilli me 150 veta që zgjidhej nga Asambleja e Përgjithshme e qytetarëve. Fisi De Mediçi lëvizte fijet e Republikës. Në 1182 shoqatat e artizanëve kishin ndikim të madh në zhvillimin e vendit. Në shekullin XII-XIII Firence u bë një qendër e rëndësishme e tregtisë ndërkombëtare dhe e aktiviteteve bankare. Nga janari 1254 Firence filloi reformimin e sistemit të saj monetar e bankar, të cilin e kompletoi, në 1296-n. Karakteristikat e këtij sistemi kanë qenë:

  • Përdorimi si monedhë bazë prej ari dhe argjendi në raporte fikse këmbimi,
  • Respektimin e peshës së saktë të çdo monedhe,
  • Cilësia e lartë e teknikës së dizenjimit dhe të prodhimit,
  • Gjithë sistemi përbëhej nga tre monedha Fiorino.

Cilësia e monedhës e bënë Fiorinon e artë të qarkullonte jo vetëm në Perandorinë e Shenjtë Romane por edhe në Azi dhe Afrikë.

Sistemi Monetar i Republikës së Xhenovës

Xhenova filloj të krijojë sistemin e saj monetar duke prerë monedhën e argjendtë të Denarit. Deri në prerjen e tij qarkullonte Denari i Carlo Magnos. Xhenova hodhi në qarkullim edhe një monedhë të re me emrin “Medaglia”. Reformimi i Sistemit monetar në Xhenova u bë në 1172-1217, u prenë monedha të forta prej argjendi. Në Xhenova u pre edhe monedha me emrin Ducato dhe Scudo. Në shek XVI kapitalistët e Xhenovas u vunë në shërbim të Spanjës, për dhënien e huave afatshkurtra e afatmesme dhe për transferimin e huave nga Spanja në territoret e tjera. Monedhat e Xhenovës kishin të stampuar vitin e prerjes. Kurset e monedhave përcaktoheshin sipas peshave. Përfundimi sistemit monetar të Xhenovës lidhet me Revolucionin Francez.

Sistemi Monetar i Republikës së Venecias

Venecia quhet ndryshe, qytet i maskave, i kanaleve, ujit, i urave, qytet lundrues, Mbretëresha e Adriatikut etj. Ajo ka pasur një veprimtari 1000 vjeçare. Republika e Venecias organizoi prodhimin e kripës nga kriporet, krijoi lehtësira doganore me vendet e tjera. Në Venecia qarkullonin monedhat e printuara nga Perandoria e Shenjtë Romake e formuar nga Carlo Magno. Qarkullonin ‘solido’ dhe ‘denari’. Emri ‘Librës’ së argjendtë u identifikua me emrin ‘Lira’. Në shekullin XII në Venecia, Libra dhe Soldi ishin njësi monetare vetëm në letër pa u prerë si monedha fizike, kurse Denari ishte e vetmja monedhë e prerë fizikisht që ekzistonte në qarkullim. Libra dhe Soldi shërbenin si njësi matëse e vlerës së kryerjes së veprimeve në regjistrat e kontabilitetit, kurse fizikisht qarkullonin vetëm denarët, me të cilat kryheshin këmbimet, shlyheshin detyrimet etj. Për këtë arsye studiuesi italian Cipola i ka quajtur monedha fantazmë. Venecia në shekullin IX preu monedhën e vet me emrin VENECIA. Në shek IX filloi një sistem tjetër monetar i pa varur nga Perandoria e Shenjtë. Disa nga inovacionet e Republikës së Venecias. të krijuara para 700 vitesh aplikohen në Venecia edhe sot në sistemin bankar ndërkombëtar u referohen.

  • Përdorimi i gjerë i instrumenteve financiarë, i kambialit dhe Letër Krediti. Shpikja dhe përdorimi Kambialeve dha mundësi për zgjerimin e tregtisë.
  • Shpiku krijimin e Ndërmarrjeve të përbashkëta me kontrata të quajtura Collegante si formë zhvillimi dhe investimi në distanca të largëta. Në to merrnin pjesë dy palë; një i pasur dhe një që merrte përsipër menaxhimin e tregtisë dhe rrezikun.
  • Në Venecia u krijuan ndërmarrjet e para aksionare me përgjegjësi të kufizuar dhe u aprovua Ligji Falimentimit, i cili siguroi radhën e shlyerjes së borxheve.
  • Krijoi Tregun Primar dhe Sekondar të letrave me Vlerë, të shitblerjes së aksioneve, të obligacioneve, të xhirimit të kambialeve, të qarkullimit të titujve, të hipotekimit dhe të kolateraleve të kredive.
  • Zbatoi për herë të parë Kontabilitetin me rregjistrim të dyfishtë të Luca Paciolo, duke kryer regjistrimin kontabël në dy valuta për të ndjekur ndikimin e ndryshimit të kurseve të këmbimit.
 

Bankat e templarëve dhe këmbyesve monetarë të Lombardisë

 

Njësitë Bankare në Mesjetë u krijuan nga tempujt fetarë dhe nga këmbyesit e monedhave të huaja. Banka e Urdhrit të Templarëve është krijuar, në 1119 dhe Bankat e huave me peng lënie të krijuara nga këmbyesit hebrenj të vendosur si emigrantë në krahinën e Lombardisë në Itali. Në 1129 Urdhri u aprovua në Këshillin e Troyes. Kjo rriti anëtarësimin dhe shtimin e madh të dhurimeve në para, monedha ari, bizhuteri, toka etj. Në vitin 1139 Urdhri aprovohet nga Papa Innocenti. Kështu njerëzit mund të qarkullonin lirshëm pa pagesa dhe pa tatime. Urdhri organizoi një rrjet me rreth 800 Kështjella në të gjithë Evropën ku ruheshin pasuritë e tij monetare, nën mbrojtje të sigurt ushtarake. Për gati 2 shekuj Urdhri i Kavalierëve të tempullit të Solomonit ka funksionuar si Bankë Ndërkombëtare me degë në të gjithë Evropën dhe Lindjen e afërt, duke përdorur monedha, Letra Krediti dhe instrumente të tjerë. Këto Banka financuan mbretërit në luftërat e tyre dhe vetë Papën. Më 13 tetor 1307 Mbreti Francës Filipi VII urdhëron arrestimin e Kryetarit të Urdhrit. Të akuzuar për herezi duke sekuestruar gjithë pasurinë e bankës në interes të buxhetit të Francës. Papa Klementi kërkoi të arrestoheshin të gjithë templarët që ndodheshin në territoret e tyre. Ky ishte fundi i Bankës Tregtare Ndërkombëtare në Evropë. Ajo Bankë mbante Flamur të saj sikur të ishte Shtet i pavarur. Lloji i dytë i bankave u krijua nga emigrantët hebrenj të vendosur në Lombardi.

Banka e Sienës vjen pas templarëve dhe asaj të Lombardisë. U themelua nga familja Bonsignori, ishte më e madhja dhe më e famshmja në Evropë, mbante emrin “La Gran Tavola”. Klientët e saj ishin mbretër, pasanikë, papë, njerëz me pushtet etj. Banka hapi filial në Romë, Paris, Xhenova, Marsiglia etj. Kjo bankë financonte luftërat e ndryshme ose të eliminimit fizik të mbretërve ose të personave të fuqishëm, u bë faktor i politikës ndërkombëtare. Në 1301 u shpall falimenti i kësaj Banke. Më vonë u krijua Banko De Mediçi. Ajo u përqendrua në grumbullimin e depozitave të klientëve të pasur dhe të ardhurave të kishave, në këmbimet monetare ku peshën kryesore e zinin ato të Papës, Huadhënie për Mbretër të vendeve të ndryshëm, për Papën dhe Qeveritë Lokale dhe për financimin e luftërave që bëheshin në vende të ndryshme të botës. Në mesjetë Banco de Mediçi u bë banka më e madhe. Cosimo il Vechio konsiderohej si personi më i pasur i kohës. Cosimo shtoi përkrahjen financiare për intelektualët e kohës së Rilindjes si Leonardo Da Vinçi, Michelangelo, Botiçieli, Dante Aligheri, Donatello, Benvenuto Çelini etj. Në vitin 1452 Banco De Mediçi ka pasur një strukturë organizimi të avancuar për kohën. Kjo ka bërë një seri inovacionesh që vazhdojnë të zbatohen edhe në ditët e sotme. Në Librin e Llogarive Kontabël. Mastro dhe në shpërblimin e personelit me përqindje fitimi dhe kthimin gradual në aksionerë. Diversifikimi i veprimeve të ndryshme të bankës, Investoi në sektorin e prodhimit, në tekstile, të leshta e në mëndafsh. Për të gjitha këto Cosimo De Mediçi u shpall Baba i Atdheut. Familja De Mediçi vazhdoi ta qeverisë Firencen deri në vitin 1737 kur Duka i Toskanës i kaloi pushtetin dinastisë së Hasburgëve. Këtu mbaron mbretërimi i familjes De Mediçi.

Lindja e Bankave Publike si koncept shumë i rëndësishëm përshkruhet në libër dhe konsiderohet si një koncept i rëndësishëm edhe në shekullin XXI. Bankat e para publike kanë lindur në Itali. Institucioni parë bankar ka lindur në Venecia, në 1171 dhe lidhet me nevojat e qeverisë për mbulimin e shpenzimeve për zhvillimin e luftërave lokale dhe pagesën e mercenarëve. Në 1771 qeveria krijoi Dhomën e Huave si një agjenci shtetërore për menaxhimin e borxhit dhe për sigurimin e huave të reja. Kjo Bankë u kthye në bankë të mirëfilltë publike kur u thith nga banka Piazza di Rialto, në 1578. Banka të tjera mund të përmendim; Banco di Napoli 1539, Banco di Santo Spirito më 1605 etj.

Autorët në hartimin e këtij materiali kanë shfrytëzuar mbi 100 autorë të tjerë vendas dhe të huaj. Kanë realizuar përkthime dhe përshtatje në disa gjuhë të huaja, në periudha kohore të ndryshme, nga autorë të vendeve të ndryshme etj. Kjo monografi përbërë një kontribut të rëndësishëm në fushën e politikave monetare, në pasurimin e literaturës dhe të dhënave historike në tekstet shkollore që lidhen kryesisht me financën, tregjet dhe institucionet financiare,paraja dhe banka, etj. Tekste të cilat përdoren aktualisht në Universitetet Shqiptare por që në përmbajtje të tyre konsiderohen të varfra në aspektin historik.