Intervistë me Bashkim Alibalin/ “Mjeshtri i Madh” rrëfen pandeminë, karriera në moshën 17-vjeçare dhe serenata me Tonin Tërshanën nën dritaret e konviktit të petagogjikes së Shkodrës, ku vajzat na hodhën një kovë me ujë

267
Sigal

 Intervistë me Bashkim Alibalin/ “Mjeshtri i Madh” rrëfen pandeminë, karriera në moshën 17-vjeçare dhe serenata me Tonin Tërshanën nën dritaret e konviktit të petagogjikes së Shkodrës, ku vajzat na hodhën një kovë me ujë

 

  • -Po punoj për freskimin e këngëve të luftës dhe atyre patriotike
  • -Si këndonim, serenata me Tonin Tërshanën nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike
  • – Si na hodhën një kovë me ujë në kokë vajzat e shkollës pedagogjike
  • Në moshën 17 –vjeçare, mora pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës
  • -Për herë të parë mora pjesë në Festivalin e 10-të RTSH, në të 11-in, ndodhën shumë enigma
  • -“Në duart e nënës” kënga më e bukur, por nuk e festova, pasi ato ditë vdiq Enver Hoxha
  • -Sot titujt nuk duhen parë vetëm si vlerësim, por dhe si një përgjegjësi, atdhetare dhe profesionale

 

Nga Albert Z. ZHOLI

Pandemia ka lënë gjurmë te çdo këngëtar. Për mëse 15 muaj asnjë aktivitet që solli dhe  një qetësi në koncerte, dasma, festivale. Kënga humbi shumë këto vite. Por tre vjetë më parë  këngëtari i talentuar Bashkim Alibali mori titullin e ëndërruar nga çdo këngëtar “Mjeshtër i Madh”. Ndërsa po një çmim inkurajues ai e mori para disa ditësh nga Fondacioni “Harpa”. Bashkim Alibali një nga këngëtarët më në zë shqiptar. Lindur në Tiranë dhe rritur në Shkodër, ai ka një jetë interesante, mbushur me ngjarje, ku pasioni dhe këmbëngulja i kanë dhënë një vend të nderuar në radhët e këngëtarëve më të shquar shqiptarë. I qeshur dhe plot humor, ai ka ditur të ngrihet mbi çdo barrierë të kohës, ku magjia e zërit ka qenë çelësi i sukseseve në jetë. Si shumë këngëtarë bashkëkohës Festivali i 11-të e mënjanoi nga skena, por jo nga dëshira për këngën. Në biseda shokët shpesh e ngacmojnë për rigorozitetin e tij në veshje dhe pamje. Është ndoshta i vetmi këngëtar shqiptar, që nuk ka dalë asnjëherë nga shtëpia pa i hequr një brisk faqeve. Miqtë e tij janë kompozitorët, këngëtarët, autorët e teksteve me të cilët diskuton gjerësisht për këngën, huazimet dhe rolin dhe pozicionin që ajo duhet të ketë në kulturën dhe shoqërinë e sotme shqiptare. Deformimet e këngës shqiptare për të janë shembull i keq që denigrojnë shtratin më të ngrohtë dhe më të sinqertë të kulturës së mirëfilltë shqiptare. I qeshur, i qetë, jetën e përkufizon si një udhëtim, ku njeriu duhet të punojë për të gjetur vetveten, duke respektuar vlerat dhe shmangur të kundërtat.

Pandemia, si ka ndikuar te kënga? Po te Bashkimi?

Si ka ndikuar? Si mos më keq? E mendon këngëtarin të rri në shtëpi? Ja fol dhe shkruaj. Këngëtari do koncerte, festivale, sheshe me podiume kënge, do salla që gumëzhijnë. Jeta pa këngë është e zbrazët. Sidomos muajt e parë të mbylljes ishte tmerr, ishte diçka e paimagjinuar. Mbyllur në shtëpi, ku secili mbyllej në vetvete se çfarë do ndodhte të nesërmen. Nëse Pandemia ndikoi kudo tek kënga, muzika ndikoi shumë. As dasma nuk u bënë. Këngëtarët ishin si në burg.

-Një nga miqtë tuaj më befasoi kur më tha se po punoni për sjelljen në kohë  të këngëve patriotke dhe atyre të luftës?

E vërtetë. Ka kohë që po punoj për këtë gjë. Kam kohë që po gjej të gjitha këngët e bukura patriotike deh atyre të luftës për ti sjellë të freskëta, më orekstrim të ri dhe frymë të re. Gjithmonë i kam dashur këto këngë pasi më frymëzojnë dhe më ngrenë moralin. Patriottët shqiptarë në shekuj kanë luftuar për atdheun, kanë dhënë jetën për të ashtu sikundër lufta nacional-çlirimtare mbetet një luftë unike që bota përparimtare e respekton. Këto këngë janë  pjesë e historisë së Shqiëprisë ndaj duhet të respektohen dhe të vlerësohën në çdo situatë.

Dy vite më parë pra disa muaj para Pandemisë ju morët titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”?

Ky titull erdhi në një moment kur unë kisha disa angazhime dhe më dha më shumë forcë, energji dhe më rriti kërkesat ndaj vetes. Pas atij momenti po shikoj më larg dhe me gjakftohtësi objektivat e mia. Tashmë duhet më shumë kujdes, më shumë punë, më shumë rendiment, më shumë art, pasi mban në gjoks një titull që të vesh me përgjegjësi. Sot titujt nuk duhen parë vetëm si vlerësim, por dhe si një përgjegjësi atdhetare dhe profesionale, Falënderoj shumë Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, që më dha këtë titull të madh, që sipas shumë miqve të mi duhej ta kisha marrë më parë. Por asgjë nuk gjykohet ose paragjykohet, kryesore është që vjen koha dhe drejtuesit e shtetit dinë të vlerësojnë me objektivitet.

-Pas këtij titulli ju morët dhe një çmim nga Fondacioni “Harpa”?

Po ishte një tjetër vlerësim që ka dhe ai peshën e vet. Këngëtari duhet të jetë si vera që sa më shumë kalon koha, sa më i vjetër në moshë aq më i ëmbël, aq më i besueshëm, aq më i respektueshëm duhet të bëhet.


-Një jetë në skenë. Nëse hedhim vështrimin në kohë si u lidh Bashkimi me këngën në fëmijërinë e tij??
Edhe unë kur jam vetëm shpesh herë e hedh vështrimin në vitet e fëmijërisë. Kam një jetë shumë-shumë interesante. Kam lindur në Tiranë në maternitetin e Tiranës në fund të rrugës “Zogu i Parë”, (qesh), por në moshën tre vjeç kemi shkuar familjarisht në Shkodër. Në qytetin interesant (Shkodër), banoja në rrugën e Murgeshave (emër i vjetër). Në këtë rrugë kam shumë kujtime, kam rininë time, kam lidhjet e mia miqësore, në këtë rrugë kam filluar të këndoj me shokun tim të vegjëlisë Tonin Tërshana, si hobi për qejf. Këndonim serenata nën dritaret e konviktit të shkollës pedagogjike. Jo se Shkodra nuk kishte dhe nuk ka vajza të bukura, por atëherë ne e shihnim si argëtim shkuarjen pranë këtyre konvikteve duke kënduar për natë. Dhe një natë si shpërblim mora një kovë me ujë. Ishte një dush i ftohtë që më bëri mirë. Edhe qesha, por edhe korrigjova shënjestrën. Ndoshta vajzat kishin të drejtë të mos i shqetësoja.
-Pas kësaj kove nodshta rritët përgjegjësinë për tu bërë një këngëtarë i mbarë dhe me emër?

(Ahahhaaah). Mbase! Këngëtari nuk vjen rastësisht pa një përkrahës apo udhëzues. Dua të theksoj një emër, i cili më zbuloi si talent dhe më çoi drejt kësaj rruge të bukur. Nuk e besoja se do shkoja drejt kësaj rruge. Një natë, duke kënduar jashtë shtëpisë një serenatë, më dëgjon një komshiu im. Ai më afrohet dhe më thotë, se ti ke zë të bukur dhe duhet të këndosh në skenë. Nuk duhet humbur ky zë vetëm rrugëve dhe netëve për serenata. Ai më çon tek Pallati i Kulturës së qytetit të Shkodrës për të bërë provë. Nuk e mora me shumë kënaqësi. Isha me mëdyshje. Drejtuesit e Pallatit të Kulturës më thanë se çfarë dija të këndoja? Unë atëherë nuk dija asnjë këngë të saktë shqiptare. Këndoja vetëm këngë italiane. Kështu u thashë edhe drejtuesve të Pallatit të Kulturës, që dija të këndoja vetëm këngë italiane. Këndo ç’të duash më thanë ata. E pëlqyen zërin tim. Më aprovuan të marr pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës. Tek ai që më zbuloi doja të ndalesha pak më shumë. Ishte një njeri i talentuar, një njeri i mirë, një njeri që thuajse ka zbuluar 80% të të gjithë këngëtarëve dhe artistëve shkodranë. Ai quhej Nard Bushati (Leonard Bushati). Ai ishte përgjegjës tek Shtëpia e Kulturës “Heronjtë e Vigut”. Ai kishte një veçori, që nuk e kanë sot njerëzit. I zbulonte talentet dhe i detyronte të hipnin në skenë, i detyronte të shkonin të këndonin. Ne shumë këngëtarë dhe artistë shkodranë i detyrohemi shumë këtij njeriu. Ai na hapi rrugën e skenës me thjeshtësi, me dashuri, me përgjegjësi, me korrektësi. Por gjithmonë njerëz të tillë rrinë në heshtje. Ata nuk dalin të kërkojnë lavde dhe, detyrimisht, njerëz të tillë të punës humbasin, kalojnë në një harresë që s’e meritojnë. Kështu ishte dhe Nard Bushati, njeri i heshtur me punë shumë të madhe.

 

-Shkodra djepi i këngës…. Pra Shkodra ju hapi dyert e skenës në moshën 17 –vjeçare, pra në këtë moshë morët pjesë në Festivalin e Këngës së qytetit të Shkodrës?
Me Shkodrën kam lidhur çdo sukses. Ky qytet magjik nuk më kuresu asgjë. Isha qime pa dirsur, isha thuajse i njomë kur Shkodra më afroi në gjirin e kënëgs. Në këtë moshë skuqesha nga çdo emocion. Dola në skenë. Pra, ishte dalja ime e parë në skenë me një publik të gjerë. Ishte një moment emocionues. Këndova një këngë për elektrifikimin. Në atë kohë lëvizja artistike kulturore në qytetin e Shkodrës ishte shumë e gjallë. Ka pasur shumë aktivitete sidomos amatore. Jo vetëm Pallati i Kulturës, por ka pasur shumë ndërmarrje që organizonin estrada, festivale apo aktivitete të tjera. Unë kam punuar në fabrikën e telave të Shkodrës. Në këto aktivitete kam njohur Eduart Jubanin, Violeta Zefin, Xhorxh Vasian e shumë të tjerë. Fabrika e cigareve ka pasur Gëzim Krujën. Kanë qenë dhe grupet amatore të NSHN, uzinës “Drini”. Të gjitha këto ndërmarrje kanë pasur aktivitete të tilla prestigjioze që konkurronin dhe trupat profesioniste. Pak më vonë fillova të aktivizohem me trupën e qytetit të Shkodrës. Ishte viti 1969. Në këtë kohë u aktivizova dhe më trupën e Estradës profesioniste të qytetit. Futja ime në këtë trupë përkon me ardhjen në Tiranë me një aktivitet. Kënga e parë që kam kënduar në Tiranë në sallën e Estradës së kryeqytetit ka qenë “Mes jush”.

Festivalet e RTSH në atë kohë mbeten magjikë. Kur është ngjitur në skenën e këtij Festivali Bashkim Alibali?
Kjo është e vërtetë absolute. Ato festivale për nga kërkesa e llogarisë, të kënduarit drejtpërdrejtë, për nga konkurrenca e ndershme nuk vijnë më. Jam ngjitur në festivalin e dhjetë. Me këngën “Stacioni i dashur”. Po ç’ndodhi?! Para provave të përgjithshme ma hoqën këngën për interpretim ekstravagant, mbasi unë bëj disa lëvizje. Jo se i bëja me qëllim, por instinktivisht, pasi ndIeja këngën. Mora rrugën për në Shkodër. Ishte Alfons Balliçi pastaj që bëri përpjekje të tjera që të kthehesha dhe të ngjitesha në skenë. Atëherë më dhanë një këngë tjetër “Qyteti punëtor”. U ngazëlleva. Ishte një moment i veçantë. E kalova me sukses. Nuk ishte e lehtë të merrje pjesë në një Festival të tillë në atë kohë. Kishte shumë kërkesa nga ana profesionale.


Si i kujtoni emocionet e Festivalit të dhjetë në RTSH?
Atëherë e kujtoj si sot se kam ndjerë dy palë emocionesh. Emocioni më i vështirë, kur më hoqën këngën nga konkurrimi. M’u duk vetja si në një shkretëtirë. Sikur nuk do të ngjitesha më në skenën e festivaleve të RTSH-së. Pasi nuk kishte arsye. Unë përçoja në skenë (paraprovat) ato lëvizje që bëja kur këndoja serenatat poshtë konviktit të vajzave. Pjesa e dytë kishte të bënte me ngjitjen në skenë. Moment magjik. Po realizohej ëndrra ime më e madhe. Ëndrra që këngëtarët e asaj kohe e kishin në çdo hap të jetës. Në fillim më dridheshin gjunjët. Më dukej sikur nuk do të më dilte zëri. Kur hyra në skenë më dukej se të pranishmit më shihnin me mosbesim. Këmbët filluan të më dridheshin. Më dukej se zëri nuk do të më dilte. Kur filloi muzika magjia e saj sikur më zgjoi. Ai ishte lajmërimi që duhej të kontrolloja veten. Në fytyrë më erdhi një buzëqeshje e brendshme. E mblodha veten. Muzika hyrëse po më rregullonte gjithë atmosferën e brendshme. Kur erdhi momenti të filloja, emocionet i kisha flakur. Zëri erdhi i plotë, i qartë, i pastër, ashtu si e doja unë.

 

Po le të ndalemi te i shumëdiskutuari Festivali 11-të, i cili shkaktoi furtunë dhe bujë. Si ishte Bashkim Alibali në raport me të?
Ashtu mbetet plot bujë, plot enigma, plot diskutime, Mora pjesë me një kompozim interesant për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra, kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar me shumë dashuri ditët e shkollës, sepse nesër do shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit. Nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, natën e parë të pranishmit më kthyen dy –tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim!! Megjithatë dola i kënaqur nga Festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye. Por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste. Për shfaqje të huaja. U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi. Dhe për mua në Shkodër në ndërmarrje u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare Festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. Muzikën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.

Dhe….kur u kthyet sërishmi skenës së Festivalit?
Në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.
Tani të flasim për çmimet. Kur keni marrë çmimin e parë në festivale?
Në Festivalin e 20-të kam marrë çmim të parë me këngën “Çel si gonxhe dashuria” me muzikë të Kotanit dhe tekst të Arben Dukës. Unë isha këngëtar i parë, sepse këndohej në dy variante. Varianti i dytë ishte një duet. Por në finale e këndoi dueti, pasi unë isha me “cen në biografi” (qesh).
Por jo vetëm Festivalet në RTSH… Eksperiencë tjetër përveç Festivaleve në RTSH?
Do të veçoja “Kur vjen Pranvera” në vitin 1985, ku mora çmim të parë. Këtë çmim ia dedikoj të madhit Fredinand Deda. (“Në duart e nënës”, me tekst të Gjergj Lekës) Takova rastësisht Gjergj Lekën në Tiranë dhe ai më tha për këngën. E mora menjëherë dhe ja bëra prezent Ferdinandit. Atij i pëlqeu shumë. Por numri i këngëve ishte mbyllur. Ishte ndërhyrja e Ferdinand Dedës që kjo këngë të futej në konkurrim. Pra, kjo këngë u fut jashtë konkurrimit paraprak vetëm 3 ditë para se të fillonte koncerti. Për artistin nuk kishte rëndësi rregulli, por arti. Ky ishte koncerti i parë “Kur vjen Pranvera”, ku një këngë u fut jashtë konkurrimit të përzgjedhjes paraprake.
Këngë e veçantë për Ju cila mbetet. Pra, ju e veçoni këngën “Në duart e nënës”?

Sigurisht, jo unë. Por të gjithë. Kudo që shkoj ajo është bërë si këngë shtëpie. Nëna është në çdo hap të jetës sonë. Çmimi i këngës “Në duart e nënës” thuajse kaloi në heshtje. Isha në Shkodër. Në shpirt kisha festë, pasi këtë çmim e prita si pret burri që gruaja t’i lindë djalë. Doja të bëja një mbrëmje me këngë e me pije me shokët. Por gëzimi im kaloi në heshtje, pasi ato ditë kishte vdekur Enver Hoxha. Por kjo këngë u bë këngë popullore dhe tregoi se edhe një këngë e muzikës së lehtë mund të bëhet këngë popullore. Pra, kënga që përqafon populli bëhet ose quhet këngë popullore.

 

Sa çmime të tjera ka marrë Bashkimi nëpër festivale dhe koncerte?

Katër çmime të dyta dhe tre çmime të treta.

Bashkëpunimet kryesore me cilët kompozitorë dhe autorë tekstesh i keni pasur?
Për tekstet kam bashkëpunuar me Zhuljana Jorganxhi, Arben Dukën me Betim Muçon, ndërsa kompozitor; Gjergj Leka, Jetmir Barbullushi, Flamur Shehu, Vladimir Kotani Enver Shëngjergji etj..