Enver Bytyçi: Trofeja e paqes që kancelari Scholz mori në Pekin!

156
*
Sigal

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, shkoi për vizitë në Kinë në valën e shumë kritikave. Por ai në takim me presidentin dhe kryeministrin kinez mori një trofe ose dhuratën e paqes. Ajo çfarë ai dëgjoi në bisedë me presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, ishte e paparashikueshme, për shumë njerëz e pabesueshme, po të kemi parasysh lidhjet midis Kinës e Rusisë deri më 4 shkurt të këtij viti. Askush nuk priste një pozicionim aq të qartë e të prerë të kreut të shtetit kinez sa i përket konfliktit dhe luftës në Ukrainë. Presidenti Xi i deklaroi kancelarit Scolz se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të veprojë e bashkuar dhe të refuzojë kërcënimet me armë bërthamore, duke vënë gishtin në rrezikun e kërcënimeve ruse. Ai bëri thirrje që të veprojmë së bashku për të evituar krizën nukleare në Europë dhe Azi! Ky qëndrim adresohet direkt tek ish-partneri kinez, Vladimir Putin, i cili për të mënjanuar dështimin e sulmeve ushtarake në Ukrainë prej disa javësh kërcënon botën euro-aziatike me përdorimin e armëve bërthamore. Ndërkaq në të njëjtën valë u pozicionua gjithashtu kryeministri kinez, Li Keqiang, gjatë takimit me homologun e tij gjerman. Ai theksoi se nuk mund të pranohet nga të dy vendet tona, Kina dhe Gjermania, që Rusia të kërcënojë me përdorimin e armëve bërthamore. Ndërko shprehu shpresën se palët në konflikt do të ulen sa më shpejt për ta zgjidhur krizën në bisedime të përbashkëta. “Ne nuk mund të lejojmë që situata të eskalojë edhe më tej”,- i tha ai kancelarit Olaf Scholz. A ishte ky qëndrim i prerë, i vendosur dhe i qartësuar i Republikës Popullore të Kinës në bisedë me shefin e Ekzekutivit të Gjermanisë nja dhuratë për mysafirin gjerman? Apo ishte njëkohësisht një trofe që kancelari e mori pa ndonjë vështirësi në Pekin? Të dyja arsyetimet vijnë në logjikën e ngjarjes. Prej ditës së sotme bota do të marrë frymë më lehtë! Ndjesia për paqe do të përfshijë njerëzimin! Ndërsa bursat ndërkombëtare do të lehtësohen nga kriza! Mjaftoi një qëndrim i përbashkët i dy udhëheqësve të vendeve kryesore në të dy kontinentet, që të lehtësohet barra e luftës në Ukrainë. Bota do ta shënojë ditën e 4 nëntorit si një ditë të mundësive të mëdha për paqen dhe stabilitetin planetar! Sigurisht që vizita e Scolz në Republikën Popullore të Kinës nuk i jep fund luftës ruso-ukrainase. Por bisedimet midis dy liderëve të të dy vendeve i kanë dhënë një dimension të ri shanseve për paqe. Madje qëndrimi kinez kundër luftës e pro paqes mund të lexohet si nyja themelore e zgjidhjes së konfliktit. Imagjinoni nëse Kina do ta kishte mbështetur agresionin rus në Ukrainë, edhe fshehtas, siç bën Irani ose Koreja e Veriut! Shanset për paqe e normalitet do të ishin me mijëra kilometër larg. Prandaj ngjarja është lajm i të gjitha mediave në botë. Sepse askush nuk priste që kursi kinez të bënte një trajektore të tillë. Kina bëhet sërishmi një aleate besnike e paqes dhe e harmonisë botërore, duke mos mbështetur Rusinë e madje duke paralajmëruar reaksionin e saj kundër përdorimit të armëve bërthamore, çka do të thotë edhe kundër përdorimit të armëve të shfarosjes në masë.  Nëse shënojmë faktin se vizita e kancelarit Scholz në Kinë u parapri me reagime të shumta negative, qëndrimi kinez ndaj luftës në Ukrainë i ka zhgënjyer skeptikët që nuk besuan në rolin konstriktiv të shtetit kinez ndaj rendit botëror. Edhe nëse ministrja e Jashtme gjermane, Baerbok, nuk u pajtua me këtë vizitë, tashmë ajo do të duhet ta falenderojë kancelarin për trofenë e dhuratën e çmuar që po sjell në Berlin e në Europë! Garancia që Scholz mori në Pekin për sigurinë, paqen, harmoninë e rregullin botëror është përgjigja më e mirë e mundësive që krijohen nga kontaktet midis udheheqësve të Fuqive të Mëdha. Këto kontakte vetëm sa i shtojnë shanset për paqe e stabilitet, ndërkohë që në distancë krijohen gjithmonë keqkuptime, paragjykime dhe fërkime të panevojshme. Paqja, stabiliteti dhe harmonia njerëzore ka nevojë për bashkëpunim dhe jo për konfrontim. Presidenti Xi Jinping e përcaktoi këtë nevojë në formën e një postulati mësimdhënës: “Është lehtë që besimin politik ta shkatërrosh, por është vështirë që këtë besim ta rindërtosh”, i  tha kreu i shtetit kinez kancelarit gjerman, duke adresuar rëndësinë që ka ndërtimi i një marrëdhënieje të qëndrueshme midis Kinës dhe Gjermanisë.