As në fshat as në qytet, s’ka fitore pa unitet
– Një muaj luftë e armatosur, sa për një jetë në paqe të kërcënuar
-Shënime për Br10S, komandantin e zëvendëskomandatin e saj Njazi Çepani e Qamil Hamzo-
-Me rastin e 80-vjetorit të Br10S-
Ilmi Qazimi
Duke lexuar librin “Kolonel Qamil Hamzo Rakipaj”-të autorit erudit Demir Korita, të del para syve një panoramë njerëzore ku shpërfaqet madhërisht e krejt natyrshëm uniteti i dy krahinave të Mallakastrës dhe Skraparit, të njohura edhe botërisht mbasi banorët e tyre e kanë çarë rrugën e historisë vetëm me luftë dhe punë. Luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit dhe punë vetmohuese për të dritësuar mendjet me anë të shkollimit dhe për të begatuar jetën me të ardhura prej djersës së ndershme.Jo vetëm kaq ,por nga këto dy treva kanë dalë persona që kanë lënë emër lavdiplotë në historinë e Shqipërisë, nga partizanë të thjeshtë deri komandant e komisar divizioni, nga fshatar e blegtor deri kryeministër, president, “Hero i Popullit”dh e i “Punës Socialiste”, nga ushtar deri gjeneral me tre yje, nga punëtor deri shkencëtar.
As në fshat as në qytet, s’ka fitore pa unitet
Janë të shumëllojshme marrëdhëniet e krijuara ndër shekuj midis atyre që banojnë e jetojnë në fshatrat e Mallakastrës dhe atyre që historikisht kanë jetuar në fshatrat e thella të Skraparit.Së pari janë marrëdhënie ekonomike, e më tej të ndiliksura me njëra tjetrën luftarake, krushqie, miqësie,fetare bektashiane, dhe në tërë fushat e tjera materiale e shpirtërore të së përditshmes njerëzore.Por, nga sa kemi parë nga rastet e tjera të lidhjes së pazgjidhshme të këtyre marrëdhënieve, e veçanërisht nga sa na shtjellon me mjeshtëri dhe me natyrshmëri libri kushtuar kolonelit famëmadh mallakastriot Qamil Hamzo Rakipaj, ka qenë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar ajo që, këtë tërësi organike marrëdhëniesh e ngriti në shkallën më të lartë. E kaliti edhe më shumë këtë unitet midis banorëve luftarakë e punëdashës, fisnikë dhe guximtarë nëpërmjet idealeve për liri, për vatan, për jetë të lirë në trojet tona respektive pa pushtues të huaj. Në këto tridhjet vitet e fundit, kur po ndërtohet “me sukses| kapitalizmi, kur po anashkalohet ideologjia, dialektika, ndjenja e miqësisë së sinqertë, kolektiviteti e uniteti, për jo pak lexues fjalitë e mësipërme tingëllojnë të pabesueshme. Por pikërisht këtu qëndron edhe fuqia, rëndësia, pesha e veprës madhështore të luftëtarëve për liri, e partizanëve trima, e komunistëve të paepur të të dy këtyre krahinave, për të arritur ditët e jetës së çliruar nga prangat e robërisë së të huajve nazistë e fashistë, që përshkruhet aq imtësisht nga shkrimtari D. Korita. E kjo vepër e tyre tashmë e shkruar, mbetet “prone” e brezave të ardhshëm, për të gjithë ata që duan të lexojnë e të njihen me historinë e të parëve të tyre.
Nga rreshtat e para e deri në ato të fundit, të librit 380 faqesh, shndrin jeta dhe veprimtaria atdhetare e paraardhësve të fisit Rakipaj, posaçërisht ajo e kolonelit Qamil Hamzo, paksa edhe e fëmijëve të tij. Por e rëndësishme është se “shtëpia e Rakipajve në Bejar ka qenë bazë e luftëtarëve dhe miqve të vërtetë. Në truallin e Rakipajve u hodhën themelet e patriotizmit… në vitet 1916-1924…shtëpia e tyre ka qenë bazë e cetave të lirisë së Mallakastrës, Skraparit, Tepelenës ku strehoheshin kapedanët Servet Zaloshnja, Ali Farmaqi(Çepani)…deri te Riza Cerova.” (faqe 50).
Dihet që në Skraparin “vullkanik” janë krijuar dy brigada partizane Br7S në Vlushë më 17 mars 1944 dhe Br16S në Therepel, më 20 gusht 1944.Br16S i ishte caktuar si zonë veprimi: Pashiku, Aranitasi, Lokfendi dhe kryesisht Myzeqeja në një sektor shumë delikat e të rëndësishëm. Detyra kryesore nga Shtabi i Përgjithshëm, ishte që Brigada të godiste autokolonat armike gjatë rrugëve: Vlorë-Fier; Fier-Lushnje, Berat-Ura e Kuçit- Lushnje, në Qafën e Koshovicës e të hidhte në erë urat, depot e kazermat që përdoreshin prej armikut; të godiste e shpartallonte forcat e nazistëve e bashkëpunëtorëve të tyre. Brigada zhvilloi mbi 45 aksione, të cilët i shkaktuan armikut dëme të mëdha.Aksioni luftarak i datës 13 shtator 1944,u krye nga forcat e Brigadës në bashkëveprim me Gr III të Mallakastrës. Organizimi i këtij aksioni ishte i një shkalle relativisht të lartë. Brigada dhe Grupi i Mallakastrës krijuan një shtab operativ të përbashkët. Detyra e shtabit operativ ishte: të rrethonte e asgjësonte armikun në këto zona.Dhe konkretisht,siç theksohet në faqet 246-249 të librit: “Bashkëveprimi dhe planizimi i veprimeve luftarake të Grupit të tretë të Mallakastrës me komandën e Br16S dhe Br7S synonte rrethimin goditjen e asgjësimin e forcave nazi-xhandaro-balliste që ndodheshin në qytetin e Fierit. Të goditeshin disa pikmbështetje të tyre në akset Fier-Vlorë;Fier-Lushnjë;Fier-Berat; Tu bëhej pritë forcave naziste që vinin nga Vlora drejt Fierit. Pikërisht për këtë u krijua një shtab i përbashkët operativ.” Dhe suksesi nuk mungoi.Detyrat luftarake u plotësuan.
Një muaj luftë e armatosur, sa për një jetë në paqe të kërcënuar
Është tepër interesante se Br10S, që u krijua në Karbunarë të Lushnjës, më 31 tetor1944 komandant pati skraparliun Njazi Myftar Çepani dhe zëvendës komandant mallakastriotin Qamil Hamzo Rakipaj. Kjo brigadë i kreu me sukses të gjitha detyrat e ngarkuara deri në maj 1945, ku ndriti ajo për çlirimin e Tiranës, dhe për këtë është shkruar shumë.Por këtu duam të theksojmë unitetin midis këtyre dy trimave drejtues shumë të zotë, ushtarakisht të aftë, fizikisht të fortë, shpirtërisht të miqësuar në unitet të harmonishëm për jetë a vdekje deri në fund të jetës së tyre.Në faqet 300-303 të librit,jepen këto informacione historike:” Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL gjeneral-kolonel Enver Hoxha, u krijua Brigada e 10 Partizane në Karbunarë të Lushnjës. Kuadrot e shtabit do të ishin:Komandant- Koço Papa, i cili zëvendësohet pas pak ditësh me Njazi Çepanin; Zëvendëskomandant –Qamil Hamzo;Komisar – Mane Nishova;Zëvendëskomisar – Misto Bllaci.Brigada do të kishte tre batalione me partizanë të viteve 1943-1944. Në këtë brgadë u rreshtuan: Batalioni partizan “Riza Cerova”; Batalioni partizan “Tefik Lapani”; Batalioni partizan “Ajet Xhindole”; Batalioni i katërt do të kishte efektiv me vullnetarë të porsaardhur.Shtabet batalioneve kishin këtë përbërje:Batalion i parë:Xhevahir Spathara(Arapi), Muhamet Meqemeja, Kamber Halilaj (Muzhencka), Muhamet Sevrani dhe Pali Paçuka;Bataloni i dytë: Sefe Iljazi, Alush Grepcka,Shyqyri Selami,Zenel Eskiu,Bardhyl Frashëri, Koli Bozo, Shkëlqim Zaloshnja,Mimi Konomi,Avdulla Hasanaj dhe Marika Xhimitiku (Konomi).Batalioni i tretë: Myrteza Sevrani,Nikolla Gjeçi dhe Besim Bega-Muzhaka;Në kompaninë e shtabit të brigadës u caktuan Tafil Tërpani, Nezir Spathara dhe Sali Bundo.Për të drejtuar kompanitë ishin caktuar partizanë me përvojë, që kishin treguar aftësi, guxim e trimëri, si në batalionin e parë: Enver Mëlova, Sabri Muzhaka,Halil Halilaj,Yzeir Gorjani, Njazi Kapinova,Ilo Bushi, Veip Ujaniku.Në batalionin e dytë: Tafil Hamzai, Et’hem Sulo, Xhafer Molishti, Llazi Anastasi, Haxhi Çela(Çuçka), Kastriot Ylli, Muhamet Gostencka, Ylli Dervishi.Në batalionin e tretë:Cane Zaloshnja, Skënder Tomorri, Andon Gjermeni, Stefan Reveli,Avdyl Demi, Zoi Morini.” Siç shihet, janë të gjithë nga trevat e Skraparit, Beratit,Lushnjës, Fierit, Mallakastrës.Efektivi i brigadës arriti 1060- vetë.
Informacion shumë i shkurtër për Br10S
Përbërja gjeografike e brigadës:Partizanë nga Skrapari – 482 vetë; Berati- 370 vetë; Fieri- 81 vetë; Lushnja-76;Tirana-40;Shijaku-30;Elbasani-16;etj.Ishin 15 vajza partizane ;Ishin 10 partizanë italianë; Gjithsej efektivi i brigadës ishte 1060 partizanë.Dëshmorët e brigadws janw 11: Ali Sollaku,Alush Grepcka, Alush Gurazezi,Avni Prishta,Hajdar Tafa,Hasan Vëseshta, Jorgji Greku, Meleq Gjozi,Nazmi Diko,Qani Malinati,Shyqyri Faslliu.
Mosha mesatare e partizanëve të Br10S:Me përjashtim të pesë kuadrove: Tafil Tërpani(51 vjeç)Myrteza Sevrani,Safet Iljazi,Xhevahir Spathara e Nikolla Gjeçi që ishin dyzet vjeç, gjithë efektivi i brigatës, ishte në moshë të re;Mosha më e vogël: 14 vjeç;(gjithsej 10 vetë);Ishin 20 vetë të moshës 17 vjeç; Mosha më e madhe 29 vjeç;
Armatimi i brigadës; Ditën e përurimit të brigatës ishin siguruar: 950 pushkë; (571 italiane,210 gjermane,50 greke, 25 turke, 20 belge);55 automatikë (25 italianë,20 gjermanë,10 anglezë);40 mitrolozë të rëndë e të lehtë;4 mortaja; (Armët e rënda i përdornin partizanët italianë sepse ishin të stërvitur në atë specialitet); 20 mushka ngarkese.
Urdhëri i Luftimit për Çlirimin e Tiranës
Autori, Demir Korita, me përvojë shkencore civile dhe ushtarake,skrupuloz në fakte dhe dokumente, në faqet 303-315 sjell të dhënat se “Qamil Hamzo u caktua zëvendës komandant i Br10 Sulmuese më 31 tetor 1944 në Karbunarë të Lushnjës. Disa nga drejtuesit skraparlinj ai i njihte që më parë si Orhan Frashëri, Zylyftar Veleshnja, etj.Një ditë pas rreshtimit organik ditën e përurimit të saj më 31 tetor 1944 Br10S mori urdhërin luftarak nr. 336 e 368 të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇLku i ngarkohej detyra që të merrte pjesë në luftimet për Çlirimin e Tiranës.Më 2 nëntor 1944 ajo mori urdhërin e Shtabit të Korparmatës së Parë ku i caktohej detyra konkrete luftarake dhe sektori i luftimeve.
Ja se si shkruhet në atë urdhër:
TIRANËN TA ÇLIROJMË ME ÇDO KUSHT!
VDEKJE FASHIZMIT, LIRI POPULLIT.
ZONË E LIRË,10 nëntor 1944
URDHËR OPERACIONI
SHTABEVE TË BRIGADAVE 4-të,8-të,dhe 10-të SULMUESE
Për njoftim
SHTABIT TË KORPARMATËS SË PARË
a.Gjendja e armikut:
Në Tiranë ndodhen të përqëndruara rreth një mijë forca gjermane të armatosura me artileri e mjete të karrocuara dhe të vendosuar nëpër fortifikata në Tiranë e Re, të Bashkia, te Xhamia e Vjetër, në pallatin e Madh e në kodrat rreth e përqark, në Kishën e Shën Prokopit, e kodrat,nëpër shtëpitë e Tiranës së Re, në kazermat e Komisariatit, në kazermat e “Shkumbinit”, në Burgun e Vjetër, në aeroport.Ndodhen gjithashtu forcat e tjera gjermane në garnizone të vogla në Petrelë,në Urën e Erzenit,në Urën e Farkës,në Yzberish, në Kashar dhe në Vorë.Këto forca janë kryesisht gjermane. Morali i tyre është i lartë.
b.Gjendja jonë:Brigada e dhjetë Sulmuese është në lëvizje për të zënë pritat në rrugën Tiranë –Vorë;(në këtë libër flasim vetëm për Br10S e jo për njësitë e tjera partizane ).
Qëllimi i armikut:Të rezistojë me çdo kusht në Tiranë,derisa të vijnë ndihmat nga forcat gjermane të grumbulluara në Elbasan, pastaj mund të tërhiqet për në Shkodër.
Detyra jonë:Shtabi i Korparamatës së parë na ngarkon këto detyra: me Br 4,8,10-të të sulmojmë e të çlirojnë Pallatin e Madh dhe kodrat përreth, Kazermat e “Shkumbinit” dhe gjithë Tiranën e Re deri tek Bashkia dhe Xhamia e Vjetër e Tiranës; të ndalojë ardhjen e ndihmave të Garnizonit të Tiranës të forcave gjermane që ndodhen në Elbasan dhe të presin rrugën Vorë-Tiranë, duke patur parasysh që forcat e armikut të mos hyjnë as të mos dalin nga Tirana.”
Prandaj Urdhërojmë:Brigada e dhjetë sulmuese me shpejtësinë më të madhe duke udhëtuar ditë e natë, të mbrrijë sa më parë në rrugën Tiranë-Kashar-Vorë dhe me forcat e saj të bllokojë krejtësisht këtë rrugë duke goditur çdo forcë armike që do të qarkullojë andej.
Udhëzime:Br10S duhet të mbajë lidhje nga e majta me batalionin e Br4S që operon në rrethet e Shijakut dhe nga e djathta me forcat e Br8S.Br10S duhet të mbajë lidhje me anë të radios me shtabin operativ duke e marrë këtë radio transmetuese në Br8S. Të gjithë përgjegjësit dhe partizanët e të tre brigadave duhet të kujtojnë rëndësinë e çlirimit të Tiranës nga forcat tona.Të gjithë kryeqytetet e Ballkanit janë çliruar, vetëm Tirana ka mbetur akoma në duart e armikut.Të hidhet parrulla:”Tiranën do ta çlirojmë më çdo kusht!”(Kjo ka qenë idea e shokut Enver Hoxha).Duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për barrën e rëndë të bëjmë detyrën tonë plotësisht për çlirimin e Tiranës dhe për prurjen e Qeverisë sonë Demokratike në Tiranë sa më parë.Prandaj: përpikmëri në zbatimin e urdhrave, vendosmëri në veprime, vetmohim pa kufi, ashpërsi në luftime pa mëshirë për armikun.Tiranën do ta çlirojmë me çdo kusht!
Për Shtabin Operativ të Korparmatës së parë
Komandant
Kolonel Mehmet Shehu(Marrë nga origjinali në Arkivin Qëndror të Shtetit Shqiptar)
Drejt Tiranës : marshim me luftime
Më 6 nëntor 1944 Br10S u vu në lëvizje,nga Karbunara në drejtim të Pezës për të kapur rajonin Kashar-Vorë- Tiranë. Marshimi u zhvillua gjatë natës për të mos u diktuar nga armiku.Ishte ftohtë, shiu binte pa pushim, duke e vështirësuar kalimin e lumit Shkumbin dhe përballuar prurjet e tij.Partizanët kapen dorë për dore dhe me litar , kaluan pa patur dëmtime në njerëz e teknikë.Armatimi i rëndë dhe ajo teknikë luftarake që kishim ishte ngarkuar në kafshë, kuaj e mushka.Ndërkohë pritej të shfaqeshin të kalonin autokolona gjermane që lëviznin pa pushim në linjën Elbasan-Peqin-Rrogozhinë drejt Tiranës.
“Gjatë kalimit të lumit, –kujtonte Njazi Çepani, komandant i Brigadës, –Qamil Hamzua tregoi aftësi të çuditshme në përcaktimin e kalimit të vaheve;ai shumë shpejt, përcaktoi pikat e kalimit për të pesë batalionet dhe raportoi në një kohë të shkurtër.Unë mbeta i çuditur për zgjidhjen e saktë dhe të shpejtë që i dha Qamili përcaktimit të vaheve. Ndërsa më tha: shoku Komandant, unë jam rritur pranë lumit Vjosa dhe e njoh mirë lumin.”U gëzova pa masë për këtë sqarim befasues të Qamilit”.Pasi forcat e Brigadës iu afruan Peqinit, menduam që forcat naziste që ndodheshin atje, t’i rrethonim në tre drejtime.Për realizmin e goditjes komanda vendosi që dy batalione të kapnin pjerrësitë e kodrave ndërsa tre batalionet e tjera t’u dilnin në krahë.
Në krye të dy batalioneve ishte vetë Qamil Hamzo–kujtonte Njazi Çepani,i cili propozoi që sulmin ta fillonin më shpejt se nazistët të organizoheshin me forca të shumta që mbrrinin nga Elbasani(rreth 70 makina, 10 tanke e autoblinda),dhe pas 30-40 minutash të fillonte sulmi me tre batalione; unë rashë dakord me propozimin e Qamilit- kujtonte Njazi Çepani. Nga pika ku unë isha, Qamili raportoi për gatishmërinë e sulmit.Pas tri raketave jeshile, Qamili kaloi batalionin në një sulm të rrufeshëm, duke bërë që gjermanët të binin në grackën tonë.Ndërkojë shohim që nazistët u mbrojtën me gjithë arsenalin e tyre. Por nuk e dinin se pas shpine kishin tre batalione të brigadës së dhjetë, të cilët me marrjen e urdhërit kaluan në sulm të befasishëm.Luftimet u zhvilluan të përgjakshme dhe pas disa orësh armiku u tërhoq andej nga erdhi duke lënë shumë të vrarë e të plagosur. Nga partizanët u plagosën Isuf Teme Melcka,Elmaz Gradeci,Barjam Radëshi,Qazim Hekurani. Armikut iu kap një sasi e madhe armatimi e municionesh të cilat iu shpërndanë partizanëve për t’i përdorur në luftimet e mëvonshme. Në këtë luftim u dallua Qami Hamzua që ishte në vijën e parë dhe drejtonte me guxim e trimëri të rrallë. U shquan edhe komandanti i batalionit Kamber Muzhencka, Sabri Muzhaka, Enver Mëlova,Isuf Turbohova dhe Sulo Bargullasi.”Këto kujtime të komandnatit të brigadës Njazi Çepani për zëvendësin e tij trim e zemër zjarrtë Qamil Hamzo,flasin vetë. Nuk ka nevojë për asnjë koment.Dhe mund të shkruajmë faqe e libra të tëra për aktivitetin luftarak të kësaj brigade, por sot theksin e kemi tek uniteti në komandë si burim fitoresh dhe garanci e mbajtjes se fitores së arritur.
Nesër do lexoni:
-Njazi Çepani dhe miqwsia me Mehmet Shehun, Kahreman Yllin,Vasil Shanton, Xhemal Kadan, Gjin Markun, Sadri Dinen(Kosova), Ali Myftiun, Zylyftar Veleshnjan
– I prirur për idetë më përparimtare të kohës, ai u lidh me revolucionarin e madh shqiptar Riza Cerova
– Njaziu më 5 prill 1943 krijoi çetën e tij me luftëtarët Vaip L. Gogo, Myrteza Z. Basho, Riza L. Gogo,Abaz Rogu
– Më 21 qershor 1943 u inkuadrua si partizan në batalionin “Riza Cerova” ku për aftësitë më 6 gusht u ngarkua me detyrën e komandantit të batalionit
– Më 24 maj 1944, në Kongresin e Përmetit Njaziut i u dha grada kapiten i parë.
-Qamil Rakipaj më 20 tetor 1942- zgjidhet kryetar i Këshillit Antifashist Nacionaçlirimtar të Zonës së Fratarit
– Nëntor 1942- zgjidhet Komandant i Çetës Territoriale të zonës së Fratarit;
-10 janar 1942-zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Mallakastrës




















