Aksioni i antinformalitetit

Ola Xama

Se sa seriozisht e ka kryeministri aksionin antinformalitet në tregun e punës, këtë e tregon tabela e treguesve fiskalë që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me projektligjin për Buxhetin 2025.

Sigal

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore pritet të shtohen vitin e ardhshëm me 89 milion euro.

Për këtë vit parashikimi për rritjen e të ardhurave nga kontributet shoqërore është për 127 milion euro më shumë krahasuar me vitin e shkuar.

Gjatë vitit 2023 të ardhurat nga sigurimet shoqërore u shtuan me 110 milion euro.

Pra, qeveria parashikon që rritja e kontributeve të jetë me ritëm më të ulët se gjatë 3 viteve të fundit.

Që aksioni të ketë rezultat por të ardhurat të mos zgjerohen me shkallën mesatare të viteve të fundit, atëherë do të duhet që të kishim rënie të punësimit dhe ulje të pagave, ose pritshmëri për një rritje ekonomike më të ngadaltë.

Në relacionin që shoqëron buxhetin thuhet se rritja ekonomike do të mbetet e njëjtë dhe do të mbështetet nga dega e ndërtimit dhe turizimit. Nëse kjo ndodh, atëherë një pjesë e kësaj rritjeje do të përcillej automatikisht në zgjerimin e vendeve të punës dhe shtimit të pagave, për shkak të tipologjisë që kanë këta sektorë duke e bazuar aktivitetin te forca e punës. Si rrjedhojë e kësaj, do të rriteshin dhe të ardhurat në skemën e sigurimeve.

Pra, shtesa 89 milion euro që është shënuar në këtë fond për buxhetin e vitit 2025 nuk merr përsipër asnjë rezultat të aksionit të premtuar, madje është larg asaj që thuhet se do të jetë i ngjashëm me aksionin e energjisë elektrike të 10 viteve më parë.

Edhe në parashikimet për vitet 2026 dhe 2027, të ardhurat nga sigurimet shoqërore projektohet të rriten mesatarisht me 5.5%, nga mesatarja 10% që janë rritur vitet e fundit.

Premtimin se do të bëhet një aksion dhe rezultatet e tij do të rritin pensionet, nuk e beson as vetë Ministria e Financave.

Nga e shkuara ekspertët e saj e dinë që në 3 raste kur u shpall me të madhe aksioni antinformalitet, qeveria dështoi me sukses. Sepse ndryshe nga lufta me popullin e thjeshtë për mbledhjen e borxheve të dritave, lufta në këtë rast është me peshkaqenët e mëdhenj.

 

90 mln euro taksa shtesë në vitin 2025

Të ardhurat shtesë që do të vijnë nga ndryshmi i legjislacionit tatimor në vitin 2025 do të jenë rreth 9,1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, sipas të dhënave nga projektbuxheti 2025.Ministria e Financave pohoi se për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjenerojë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025. Ndër masat e politikave fiskale të parashikuara në këtë buxhet janë ligje tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025, si dhe të ardhura nga efekti i politikave buxhetore.

Së pari në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekësh si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.Së dyti, në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”.Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit-baste sportive online që do paguajnë subjektet që do licencohen.