Hyqmet Zane: Të panjohurat e vrasjes së Salih Iljaz Çeka

604
Sigal

Ka pasur edhe një aktivitet të lartë si pjesëtar i grupimit politik  demokratik  elektroal i vitit 1923 “As i Pashës, As i Beut”

Detaje të panjohura të vrasjes së  Salih Iljaz Çeka. “Dëshmor i Kombit”, “Mësues i Popullit”

Nga Hyqmet Zane

Personaliteti i Salih Iljaz Çekës nga Filati i Çamërisë, që e kaloi jetën e tij në shkollim në gjimnazin  “Zosimea” të Janinës, arsimimin e lartë në Bezanson të Francës dhe më pas në Elbasan,  ku erdhi si mësues i shkollës Normale, i ftuar nga drejtori Luigj Gurakuqi, lartësohet gjithnjë para opinionit  publik  shqiptar. Herë pas here dalin fragmente nga jeta e tij edhe pse  e shkurter.  Ato janë të shkruara dhe të treguara. Personalisht kam lexuar e dëgjuar shumë për këtë njeri që hyri në historinë e pedagogjisë shqiptare me veprat e punën e tij në arsimin kombëtar. Kam lexuar edhe monografinë për Salih Çekën, nga dr. shkencave  Sulë Dedej, djali i avokatit dhe  prokurorit,  Ibrahim Dedej, vëllai i Fadiles, gruas së Salih Çekas.

Prolog

Por së fundmi, një koleg dhe miku im mësues, Skënder Asllani nga zona e Sulovës, më merr në telefon  dhe më thotë  një histori të shkutër, por shumë domethënëse  për vrasjen e Salih Iljaz Çekës,  sipas rrëfimeve të xhaxhait  të tij Hasan Asllani, që ka qenë nxënsës në Normale (2 vjet) dhe që e ka pasur mësues,  drejtorin e Normales, Salih Çekën. Sipas Skënderit,  xhaxhai i ka thënë se ai, Salih Çeka, ka qenë një mësues i mrekullueshëm dhe autoritar që dallonte për nivelin dhe kulturën që kishte.  Këto që Skënderi m’i tregoi mua, i kishte dëgjuar më pas edhe nga babai i tij, Hajdar Asllanit, duke qenë se ishin një fis arsimdashës.

Paraprakisht, ajo që duhet thënë,  është se Salih Çeka,  ka pasur edhe një aktivitet të lartë  si pjesëtar i grupimit politik  demokratik  elektoral i vitit 1923,  “As i Pashës, As i Beut”,  kryetar i së cilës, ishte Ahmet Dakli,  dhe anëtarë të rëndësishëm të tjerë ishin Rrapush Demeti, Hysen Plangarica, Kamber Shabani, Ibrahim Hastopalli, Thanas Floqi.  Si activist, Salih Çeka ka qenë një  demokrat i vërtetë dhe, ashtu si grupimi, ishte kundër synimeve  uzurpatore  dhe obskurantiste  të  Shefqet Vërlacit, si Beu i më i pasur i Shqipërisë së Mesme. Kjo ka qenë edhe arsyeja që u ndalua nga xhandarmëria me urdhër të  Beut Vërlaci,  dhe një ditë,  e nisën për ta çuar në Kuçovë,  me dy xhandarë. Qëllimet ishin të këqija,  për ta eleminuar mësuesin e nderuar.

Sipas pohimeve të ditura tashmë, porosia e Beut, (Shefqet Vërlacit),  ishte që do e çonin në Kuçovë,  për ta dorëzuar në Berat. Por xhandarët kishin  porosi  të fshehtë  nga  Beu që ta ekzekutonin  në një fshat  të Mollasit tek  kodra me arra të fshatit Kamuna,  ku jetonte fisi me mbiemrin Cërriku. Qëllimi ishte që të hiqej sikur mësuesin e kishin vrarë fisi me mbiemrin Cërriku,  që kishte kontradokta dhe nuk i nënshtroheshin  Shefqet Beut.

Pak retrospektivë

Dua të them se herë pas here,  bëja biseda me të njohur që kishin dijeni për Salih Çekën. E tillë ishte  ajo me mikun tim,  Demir Shzyqyri (Zenel).  Hoxha kohë më pare,  nga viti 2003 që më ka treguar si nipi i Salih Çekës, djali i Ballyzit, vajza e madhe të Salih Çekës. I ati i tij, Shyqyriu që ishte  dhëndrri i Salih Çekës,  i ka treguar për këtë ngjarje të vrasjes së Salih Çekës.

Sipas Demirit, ishte fund  janari kur e arrestuan Salih Çekën,  dhe dy xhandarët,  që e shoqëruan të arrestuar mësuesin dhe drejtorin e shkollës Normale. Atë natë të 31 janarit 1925,  ata qëndruan në Shtëpanjë,  tek shtëpia e një miku të familjes. Pasi hëngrën e pinë, xhandarët ranë të flenë, ndërsa,  Salih Çekën nuk e zinte gjumi nga meraku që kishte se kishte lënë pas dy vajzat e mitura, Ballkyzin dhe Afërditën,  dhe gruan e tij e kishte shtatzanë,  që lindi pas ca muajsh Mentarja. I zoti i shtëpisë me mbiemrin Xhika,  gjeti rastin dhe i thotë që  xhandarët  kanë mendje  të keqe,  se duan që të vrasin, siç ia kishin thënë vetë xhandarët  këtij burri të Shtëpanjës.   “Të them që të ikësh,  se ata i ka zënë gjumi,  e të shpëtosh”, -i tha i zoti i shtëpisë që e njihte mirë mësuesin dhe drejtorin e shkollës Normale.

“Jo, – i thotë Salih Çeka, – se unë kam lënë pas gruan shtatzanë me dy vajzat,  që duan ndihmën time,  e nuk ka se si unë të bëj një veprim të tillë”.  Kjo e la pa mend të zotin e shtëpisë  që kuptoi  dinjitetin  e mësuesit dhe drejtorit të mirënjohur të Normales.

Në mëngjes herët dy xhandarët dhe në mes tyre edhe mësuesi Salih Çeka,  u nisën, se kishin rrugë për të bërë në këmbë,  kaluan Gostimën dhe u hodhën në Floq,  dhe mandej po arrinin në Selvias dhe kishin parasysh ta çonin atje ku u kishte thënë Beu.

Sipas Skënder Asllanit,  pasi  kishin bërë goxha rrugë, xhandarët ndaluan në një kodër me arra që iu duk si kodra që i kish porositur  Beu,  që ta vrisnin, ndaj dhe vrasja u bë aty,  dhe jo tek kodra e Kamunaut, por tek kodra e Selviasti, të komunës  Klos. Aty pushuan pak, dhe menjëherë zbatuan porosinë dhe e vranë Mësuesin e nderuar, Drejtorin e Normales, Salih Iljaz Çeka. Ishte paraditja  e 1 shkurt 1925.  Pas vrasjes i prenë edhe gishtin e vogël ku kishte një unazë të tijën të spikatur  dhe atë unazë  ia çuan Beut si  dëshmi që e kishin kryer amanetin e tij.

Detaje të së vërtetës

Për padijeninë e xhandarëve për njohjen e zonës së Sulovës, nuk u realizua qëllimi i Shefqet Beut, për të futur në sherr fisin Cërriku.  Banorët e Selviasit e varrosën pikërisht  në atë  kodër që edhe sot e kësaj dite mban emrin “Kodra e Mësuesit” dhe shumë kohë më pas, lapidari në nderim të tij, u ndërtua në buzë të rrugës në fshatin Klos, ku është edhe sot e kësaj dite duke mbetur, “Dëshmor i Atdheut”, “Mësues i Popullit”,  “Qytetar nderi” i Bashkisë dhe Qarkut Elbasan, në vlerësim të figurës së madhe të këtij mësuesi dhe drejtori të Normales, Naltmadhëria e tij Mbreti Ahmet Zogu,  i lidhi pension gruas dhe fëmijëve derisa ishte në fuqi.

Në  atë kohë,  në nder të tij, populli ngriti edhe një këngë që këndohej shpesh në kohën e Mbretërisë, gjithnjë sipas  rrëfimit të Skënder Asllanit. Ja vargjet e këngës me refren:

Rrugë e gjatë për Sulovë, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Në  vitin njëzet e pesë, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Dy xhandarë të pushkatuan, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Plumbi Beut i mallkuar, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Në  Selvias të pushkatuan, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Ti ke qenë mësues i vërtetë, o Sali Çekë,

Sali Çekë, more medet.

Epilog

Këto ngjarje të rrëfyera, plotësojnë  sfondin e një të vërtete, si e fundit të vrasjes së një mësuesi që lindi në Çamëri dhe jetoi e punoi në Elbasan dhe u vra në fshatin Selvias të Mollasit nga pabesia  e Beut  Shefqet  Vërlaci.