Hyqmet Zane: Pse Evropa hesht për gjenocidin grek ndaj Çamërisë

794
Sigal

Pse Evropa mbyll sytë dhe hesht për gjenocidin grek ndaj Çamërisë?

Nga Hyqmet Zane

Ngjarjet e ndodhura në prag të përfundimit të Luftës II Botërore në Ballkanin Perëndimor e, veçanërisht, në Çamëri, janë një tragjedi e trefishtë për shqiptarët e krahinës që ndodhet sot në brendësi të kufirit grek, jo vetëm pse dolën nga lufta të humbur, edhe pse me kontribute në këtë luftë, por edhe sepse u masakruan nga bandat greke të Napoleon Zervës dhe pësuan një zhgënjim në shtetin amë.

Është e vërtetë se bota shqiptare në tërësi dhe Çamëria në veçanti, por edhe përgjithësisht bota e qytetëruar u tmerrua nga barbaritë naziste dhe të shtetit grek me gjenocidin ndaj çamëve në moshë të vjetër e fëmijë, ndaj grave edhe shtatzëna dhe burrave pa asnjë faj, me akuzën si: “bashkëpunëtorë me nazistët”. Kjo në të vërtetë u bë vetëm e vetëm, pse ishin shqiptarë dhe të besimit islam.

Është fakt se edhe në vitet ’90 të shekullit XX këto barbari i pamë edhe në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kosovë dhe ndër shqiptarët e Maqedonisë, ashtu si edhe në troje të tjera etnike; si masakra e Filatit dhe ajo e Tivarit në atë mars 1945. Dhe e gjitha kjo vetëm e vetëm pse ishin të besimit islam dhe jo të besimit që do Evropa.

Të gjitha janë bërë në sytë e Evropës dhe me dëshirën e Evropës, se evropianistët kanë shprehur gjithnjë padëshirën dhe mospajtimin me popujt që kanë fe tjetër nga ata. Ka ndodhur si në fillim të shekullit, në vitin 1913 kur vetë Evropa e copëtoi kombin shqiptar, por Evropa e pa edhe më pas me masakrat e herëpashershme në Kosovë e në Çamëri, deri në përfundim të Luftës II Botërore me për të bërë të ashtuquajturën “zgjidhja përfundimtare” për grekët me miratimin evropian dhe veçanërisht atë anglez.

Sot ky persekucion ndaj shqiptarëve bëhet kudo në Greqi, hapur dhe në ambientet e policisë greke, bëhet në sjelljet antishqiptare të ekstremistëve grekë nën siglën “vorio-epirotë” dhe në Shqipëri me shantazhet që i bëhen edhe qeverisë shqiptare për mospërdorimin e emrit “Çamëri”.

 Greqia, anëtare e Bashkimit Evropian, edhe sot torturon, dhunon, trajton dhe poshtëron të arrestuarit shqiptarë si në epokën e barbarisë. Kur shikon “dokumentarë”, të prodhuar nga policia greke, të krijohet përshtypja se shteti grek sapo është shkëputur nga periudha e egërsisë dhe ka hyrë në periudhën e barbarisë.

Sipas Xhevat Bislimi, deputet i kuvendit të Kosovës “Greqia, në themelet e së cilës është qytetërimi, gjaku, lufta, mendja dhe toka shqiptare, nuk po heq dorë nga urrejtja, dhuna dhe tortura ndaj shqiptarëve, përgjithësisht, dhe, sidomos, ndaj atyre që jetojnë e punojnë në Greqi. Sikur “dokumentari” që pamë të ishte “një rast i izoluar”, siç gënjeu publikisht Kryeministri grek, me siguri që nuk do të kishte arsye të alarmohej populli shqiptar. Por, e vërteta është se ndjekja, shtypja, shantazhimi, kërcënimi, përbuzja, shfrytëzimi, dhuna, tortura dhe poshtërimi i popullsisë autoktone shqiptare dhe i mërgimtarëve shqiptarë është legalizuar në Greqi. Kjo urrejtje dhe barbari ndaj shqiptarëve frymëzohet dhe ekzekutohet nga shteti grek, ajo është ngritur në sistem”.

Janë të njëjtat metoda dhe sjellje që kanë provuar çamët, popullsia shqiptare e Çamërisë që në ndarje nga Perandoria osmane e deri më sot kur po i shkruajmë këto radhë të vërtetash.

Dhe Evropa hesht, bën sehir, buzëqesh me fatkeqësitë shqiptare, shikoj se si shkelen të drejtat e njeriut, duartroket Greqinë dhe Serbinë me heshtjen e saj. Para këtyre politikave raciste shteti dhe kombi shqiptar hesht dhe bën symbyllurin dhe qëndron në indiferencë. Të bën çudi dhe nuk dihet se çfarë emri i duhet vënë dorës së shtrirë të miqësisë dhe vëllazërisë nga shteti shqiptar për shtetin grek dhe atë serb, që gjithnjë ka dhënë efekte të kundërta nga ato të dëshiruarat në fqinjësinë e mirë që nuk dihet nëse e do apo jo edhe Evropa.

Referuar deputetit kosovar Bislimi, “Me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ku është anëtare Greqia, është e ndaluar edhe rrahja e kafshëve me dru dhe keqtrajtimi i tyre e, lëre më, rrahja dhe keqtrajtimi i njeriut. Por, me sa po duket, është ditur edhe më parë, për Greqinë, kur është fjala për shqiptarët, nuk vlejnë ligjet e Bashkimit Evropian dhe as ato që ka miratuar vetë. Për shqiptarët vazhdojnë të vlejnë ligjet e periudhës së barbarisë. Greqia nuk po ngopet me barbaritë, shkatërrimet dhe tragjeditë që i ka shkaktuar popullit shqiptar”.

Është mbajtja në fuqi “gjendjen e luftës” me shtetin shqiptar dhe me mbarë kombin shqiptar që e bëjnë Greqinë të kërcënojë me “vorio-Epir”, me “shkelje të të drejtave të njeriut për minoritetin”, për kufirin detar etj që Greqia të bëjë presionin nën ombrellën evropiane dhe asaj të NATO-s. Me këto qëndrime të Evropës, Greqia po i shkakton shumë dëme shqiptarëve dhe çështjes çame, por me siguri që dëmin më të madh do ta vuajë dhe do ta heqë vetë në një të ardhme të afërt. Këto sjellje dhe qëndrime raciste ndaj shqiptarëve dhe mohimi për çështjen çame që ka ekzistuar si krahinë dhe që ka banorët e saj të larguar dhe autoktonë atje, do t’i kthehen bumerang.

Herë pas here opinioni shqiptar tronditet nga ato shfaqje që bëhen publike dhe përmes “dokumentarëve” tipikë nazistë, ndërkohë që dokumentimi i krimeve ndaj popullsisë çame në mbarim të Luftës II Botërore, nuk e shqetëson Evropën dhe as qeverinë shqiptare, akademikët që heshtin dhe duket sikur i bëjnë iso qëndrimeve greke. Është ky cenim i rëndë i dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të shqiptarit dhe autoritetit të vetë bashkimit Evropian, sepse Greqia nuk e ka për turp të jetë e pabesë dhe mashtruese.

Të befason qëndrimi raciste dhe barbar të këtij shteti fqinj, që historikisht ishte në garë me Serbinë për shtypjen, dëbimin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve, se ato që u bënë në Kosovë, ishin modeli që kishte bërë Greqia në Çamëri.. Ajo që të shqetëson më shumë është fakti se TVSH (televizioni kombëtar shqiptar) , informimi për këtë “dokumentar” dhe asnjë reagim nga Ministria e Jashtme apo nga shteti shqiptar, sikur ky televizion të ishte privat dhe jo nën çatinë e Qeverisë Shqiptare.

I tronditur për një pamje dokumentari të dhunës greke ndaj shqiptarëve, deputeti i Kosovës Bislimi shprehet se “Reagimi i mjerë i Qeverisë shqiptare ishte në nivel “zëdhënësi”, i cili mezi e lexoi një copë letër pa ia ndarë sytë nga frika se mos po bën ndonjë gabim “politik” e pastaj vaj halli për të! Ky reagim në thelb nuk dallonte nga ai i Kryeministrit grek. Pale të mendosh që ky shtet hesht para krimeve greke në Çamëri, a thua se ata ishin kafshë a jo njerëz, ata ishin qenie pa shpirt e jo shqiptarë e bij shqiptarësh që e ruajtën atë emër në shekuj dhe me krenari.”

Dhe thuaj pastaj, pse duhet dëgjuar Evropa që na copëton, na lë në mëshirë të fatit, na mashtron dhe që na lë në duar të kriminelëve që na vrasin e na bëjnë tortura e mandej të bën leksion për të drejtat e njeriut që po i shkelen Greqisë ?! Pa e e prsonalizuar, fakti që në Gjermani u internuan nga Çamëria dhe mes tyre edhe im atë Nuri Zane e të tjerë, apo që dolën partizanë kundër nazi-fashizmit, madje u kijua edhe batalioni partizan me emrin “Ali Demi”, “Hero i Popullit” si antifashist. Në Luftën kundër pushtuesit dhanë jetën partizanë çamë dhe të gjitha këto Greqia i anashkalon, i shpërfill, i injoron dhe ngre zërin për të drejtat e njeriut të shkelur nga qarqet antishqiptare dhe Çamëria dhe banorët e saj të damkosur me padrejtësinë e madhe që nuk po thuhet me zë të lartë, se cila është e vërteta.

Mosndëshkimi i Greqisë për mëkatet kriminale të bëra ndaj shqiptarëve dhe veçanërisht ndaj popullatës së Çamërisë, heshtja e Evropës që bën sehir dhe mosvëmendja e qeverisë shqiptare për ato që shikon dhe dëgjon nga grekët, janë si puna e ujit nën rrogoz që të qullos dhe të lag “barutin” për t’iu përgjigjur flakë për flakë këtyre realiteteve. Këshilla e vjetër është që “Asnjëherë nuk u zihet besë grekëve!”, por dhe atyre që u bëjnë mburojë atyre.