Kush ishte Thoma Turtulli?

Dikur e njihnin të gjithë. Sot pak njerëz në Korçë e jashtë saj dinë gjë për të

Thoma Turtulli ishte nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar, një shembull që duhet ndjekur edhe sot nga kushdo.

Sigal

Ishte bamirësi që i dhuroi Korçës, qytetit më të kulturuar të Shqipërisë bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin, jetimoren. Ishte njeriu që shpëtoi nga vdekja e sigurt me dhjetra njerëz, por nuk shpëtoi dot vetveten prej saj. Ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të vobegta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave. Por sistemi i kuq monstruoz, u soll egërsisht me familjen Turtulli. Kur varrezat e Korçës u zhvendosën nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan. Urrejtja patologjike e Enver Hoxhës ndaj kësaj familjeje bëri që Thoma Turtulli të mos ketë sot as varr.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh, me shumë lagje, kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njëlloj si Voskopoja edhe Vithkuqi u dogj e u grabit tri herë. Zjarrëvënësit ishin po të njejtët.

Familja Turtulli vendoset në Korçë e bëhet një prej famijeve më të njohura tregtare të saj. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregëti me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin.

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti evropian.

Kështu në qytetin e Korçës me 25 dhjetor 1927, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një La Scala e vogël në zemër të tij. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare ” Cinemato “, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA. Kështu që biblioteka e bukur e Korçës, inauguruar me 1930, numëronte rreth 30000 libra.

Korçës së kulturës biri e filantropi i madh i dhuroi edhe, liceun këtë vatër dijeje brenda e jashtë Shqipërisë.

Kurse spitali i qytetit u inaugurua më 1934.

Pas përfundimit të tij bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja i dhuroi shtetit 40000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale. Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me “Urdhërin e Skënderbeut “.

Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vetë punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia. Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, që solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot.

Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçën tonë dhe janë shprehje e frymës evropiane që mbolli në këtë qytet, Thoma Turtulli e filantrope të tjerë me emër.