– Homazh në katër vjetorin e ndarjes nga jeta –
“Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëjnë mësuesit me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë”, ka shkruar gjuhëtari i shquar, Profesori i nderuar Eqerem Çabej.
E citova këtë thënie për faktin se njeriu në gjithë përvojën e jetës së tij mbledh dhe seleksionon vlera nga njerëz me dinjitet dhe vlera. Në përvojën e jetës sime ruaj konsideratat më të mira për të gjithë mësuesit e mi, të cilët dikur për ne ishin në përmasat e një perëndie të vërtetë. Po kështu ruaj konsiderata edhe për drejtuesit e mi në vitet kur nisa punë për herë të parë si mësues e derisa dola në pension si ushtarak.
Nga sirtari i koleksioneve të vlerave që kam grumbulluar ndër vite, zgjodha të veçoj drejtorin e parë të shkollës ku unë fillova punë për herë të parë si mësues stazhier. Ishte viti 1977, kur udhëtova drejt fshatit Malind për të dhënë mësim në lëndët Gjuhë Shqipe – Letërsi. Me ndrojen e një 18 vjeçari dhe i pushtuar nga emocione të forta, trokita në derën e Drejtorisë. Para meje u shfaq një burrë i veshur shik, i qeshur dhe me një zë kumbues të një aktori, u ngrit më këmbë dhe u prezantua: “Jam Bektash Hasanaj, Drejtor i shkollës 8 vjeçare Malind!” Ashtu i skuqur në fytyrë u prezantova dhe unë.
Që në takimin e parë më pëlqeu sjellja dinjitoze e atij njeriu dhe që nga ajo ditë ka mbetur në kujtesën time si modeli i një mësimdhënësi dhe drejtuesi serioz. Kuptohet që në atë shkollë kishte mësues me shumë përvojë si Ceke Shahini, Gramoz Bregu, Barjam Halilaj etj, dhe për mua ishte fat që do të isha për shtatë muaj kolegë me ta.
Gjithsesi të kthehem tek thelbi i këtij shkrimi homazh për mësuesin dhe drejtuesin dinjitoz dhe autoritar, të ndjerin Bektash Hasanaj, i cili më 9 nëntor mbush katër vjet që është ndarë nga jeta, por që mbetet gjallë në kujtimet tona.
Jetë e thjeshtë, por shumë dinjitoze
Bektashi u lind në fshatin Zabërzan të Skraparit nga dy prindër me emër në atë zonë, Muke dhe Xhemiko Hasanaj. Aty mori mësimet e para fillore e tetëvjeçare. Mbasi përfundoi shkollën e mesme pedagogjike filloi punë si udhëheqës pionierësh në qytetin e Çorovodës. Qëndroi në këtë detyrë vetëm një vit dhe më pas filloi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Filiologjik, Dega Histori – Gjeografi. Pas përfundimit të studimeve të larta u rikthye përsëri në Skrapar. Gjatë kohës që punonte në qytetin e Çorovodës, ai u njoh, u dashurua dhe lidhi jetën me vajzë nga qyteti, Ervehe Idërshain, e cila në atë kohë shërbente në bibliotekën e qytetit të vogël.
Me të gjitha këto ëndrra të realizuara punonte me ndërgjegje e me korrektësi shëmbullore, por ië udhën e jetës mbijnë edhe ferra, të cilat të lidhin këmbët e të mpijnë mëndjen. Një mësuese arrogante dhe me ambicie të sëmurë, kishte krijuar probleme në marrëdhëniet me nxënësit, madje ushtronte dhunë fizike ndaj tyre. Prindërit u ankuan tek Drejtori i Shkollës Bektash Hasanaj, tek i cili kishin besim. Zonja në fjalë ishte dhe zëvënësdrejtoreshë shkolle dhe të gjitha këto veprime i bënte jashtë prezencës së Bektashit. Dihej që Bektashi për veprime të tilla flagrante nuk të falte, aq më shumë kur bëhej fjalë për nxënësit, e tij ai ishte tepër tolerantë, por dhe shumë i ashpër kur duhej. Të jepte mundësi të ringriheshe dhe nuk të flakte kurrë. Ai vlerësonte individin dhe jo biografinë.
Zonja kishte miqësi me sekretarin e partisë që merrej me kuadrin dhe kërkonte me çdo kusht të merrte postin e drejtorit të shkollës. Edhe Bektashi kishte dajë nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, por nuk e shfrytëzoi asnjëherë këtë mundësi, pasi ai besonte në aftësinë dhe zotësinë e tij. Dhe ajo që pritej, ndodhi. Zonja u bë drejtoreshë, ndërsa Bektashi një vit i porsamartuar dhe priste një djalë, u transferua në shkollën 8 vjeçare dhe të mesme bujqësore në fshatin Malind me detyrën Drejtor Shkolle, atë vit kur fillova edhe unë punën si mësues. Motivacioni i transferimit ishte ironik dhe pse jo qesharak: Si drejtor i zoti dhe me rezultate! Shkolla e Malindit ka nevojë për një organizator në detyrë!
Deshi s’deshi pranoi të linte qytetin dhe të qëndronte në Malind. Udhëtonte çdo javë mbi 2 orë rrugë më këmbë, flinte në një dhomë me dy shokë dhe hante ushqim në mencën e kooperativës. Familja e tij u nda më dysh, bashkëshortja punonte në librari e flinte te shtëpia e prindërve ndërsapritej ardhja në jetë e djalit, gëzimit të pare. Ai ishte anëtar i Këshillit Popullor dhe detyrohej të udhëtonte edhe në mes javë për në qytet. Në kushte të tilla, ai nuk u dorëzua, por mori familjen në Malind dhe u strehua në një pallat që ndërtoi kooperativa për kuadrot. E shoqja nisi punë si ekonomiste në kooperativë.
Si e kam njohur Bektashin?
Emri i Bektash Hasanajt është gdhendur në memorien time dhe atë skraparase si simbol i njeriut dinjitoz, i aftë profesionalisht, i përkushtuar dhe me ndërgjegje të pastër. Puna dhe profesioni ishin pasioni i tij edhe pse survenjohej nga njerëz të motivuar nga partia. Bektashi kishte një karakter që nuk dorëzohej kurrë, luftonte për të fituar me çdo kusht të vërtetën dhe nuk pajtohej kurrë me padrejtësitë që bëheshin për këdo qoftë. Ai qëndronte në krah të njerëzve të punës. Për meritat e cilësitë e karakterit të tij, në vitin 1978 dekorohet nga Kuvendi Popullor me Urdhërin e Lartë të Klasit të Parë si “Mësues i Merituar”.
Po sjell një ngjarje aspak të këndshme, ndodhur në mjediset e shkollës në Malind. Isha mësues dezhurn dhe kontrolloja pastërtinë dhe lëvizjet e nxënësve, Bektashi ishte në zyrën e tij, papritur e pa kujtuar, si një rrufe në qiell të pastër, nëpër koridor kalon një burrëme flokë të gjata e pas tij një dyzinë si shoqrues. Koridori ishte as ishte një metër i gjerë dhe gati sa nuk shtypën fëmijët, unë shastisa se nuk i njihja dhe fëmijët u trëmbën, burri me baluke të gjata hyri drejt e në zyrën e Bektashit dhe filloi të ulërasë: I mësoni nxënësit apo jo?! Kalon Sekretari i Parë dhe ata nuk thonë mirëmëngjes! Breshëri fjalësh pa lidhje e kuptim. Unë si fëmijë që isha, 18 vjeç, guxova dhe u zgjata tek dera duke iu drejtuar të parit të partisë: Fëmijët nuk u njihnin, as unë nuk u njihja. Ju nuk përshëndetët dhe ata nuk e kthyen përshëndetjen. I madhi i qytetit m’u kthye: Ti i ke buzët me qumësht, e di ku të degdis ty apo jo?! Pashë Bektashin që më bënte shënjë si për të më thënë: Mjaft, lëre me kaq! E lashë unë, por nuk mbaroi me kaq. Dikush kishte vjell edhe për mua sepse donte të jepte letërsi në vendin tim. Në këndin letrar që kisha krijuar, ishin vendosur disa vjersha me emrat e fëmijëve. Sekretari doli nga drejtoria dhe shkoi drejt e tek këndi. Pikërisht tek vjersha që i interesonte. Vjersha bënte fjalë për Enver Hoxhën dhe titullohej Lule Prilli, ishte muaji prill dhe unë për pak ditë e lija detyrën. Kush është mësuesi i letërsisë?, – pyeti i pari. Unë! – iu përgjigja. Prapë ti? Kupa është mbushur! Dhe iku pa thënë as mirë u pafshim.
Pashë Bektashin të afrohet, më hodhi dorën në qafë dhe më thotë: Mos u mërzit se kështu e kanë këto punë, unë jam në krahun tend! Ky ishte Bektash Hasanaj, për të cilin nuk mjafton as një roman.























