Prof. Qemal Lame: Politika e re amerikane për Lindjen e Mesme

75
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lindja e Mesme me pasuritë e mëdha të naftës, që i ka dhuruar natyra është një rajon me luftra dhe tensione politike e shoqërore të gjata. Gjendja e tensionuar dhe rreziqet potenciale për përkeqësime kanë pasoja për popujt që e përjetojnë dhe, në tërësi për paqen e sigurinë ndërkombëtare. Ato kërkojnë zgjidhje efektive nga gjeopolitika me anë të bisedimeve përfshirë shtetet nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, si dhe vendet në krizat aktuale në Lindjen e Mesme si Izraeli, Irani, Palestina, Siria , Libani, Jemeni, Iraku, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Problemi kryesor është aktualisht ndalja e programit bërthamor të Iranit. Shqetësues është fakti që Irani po përparon programin e tij bërthamor, ka një arsenal raketash balistike dhe luan një rol nxitës e mbështetës në konfliktet e përfaqësuesve në rajon. Programi bërthamor me qëllimin e prodhimit të një arme bërthamore, kur kërkohet ndalja e mundësisht pakësimi i mëtejshëm i armatimit bërthamor të superfuqive, është bërë një nga çështjet më të ngutshme me të cilën qeveria Biden kërkon të përkushtohet dhe të kontribojë në përmirësimin e gjëndjes së përkeqësuar; kur Presidenti i SHBA Donald Tramp u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit, në maj 2018, dhe filloi rritjen e presionit të sanksioneve ndaj Teheranit. E vërteta është se Tramp reagoi pa marrë mbështetje nga partnerët strategjikë të SHBA. Ata e kundërshtuan dhe këshilluan atë që të mos largohej nga marrëveshja në mënyrë të njëanshme. Qeveria iraniane u kundërpërgjigj me zhvillimin e mëtejshëm të programit të saj bërthamor. U ndërmorrën hapa në drejtim të kundërt me angazhimin e lidhur me marrëveshjen, përfshirë pasurimin në nivele të larta të uraniumit, ndërsa kërkonte lehtësim nga sanksionet.

Në median ndërkombëtare janë bërë njoftime se Irani vepron me të gjitha mundësitë për t’u bërë faktikisht vend me armë bërthamore. Për këtë qëllim, është përshpejtuar dhe “koha e shpërthimit” dhe njoftimit zyrtar.  Koha që duhet për të qenë në gjendje të prodhojë një armë bërthamore, është zvogëluar nga një vit në disa muaj.

Administrata e Biden ka shansin të kthejë rrjedhën normale në Lindjen e Mesme me politikën e saj transaksionare pas katër viteve të Tramp. Edhe në partnerët e fuqishëm ndërkombëtarë dhe shtetet e rajonit është krijuar bindja për mundësinë e rikthimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në marrëveshjen bërthamore në rast se Irani i përmbahet asaj dhe plotësohen kërkesat iraniane që të hiqen sanksionet amerikane.

Biden e ka bërë të qartë atë që ai synon të bëjë: Ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara të kthehen në marrëveshjen bërthamore dhe t’i përmbahen kushteve për sa kohë që Irani gjithashtu i përmbahet asaj. Irani ka treguar se është i gatshëm të përmbushë detyrimet e tij përsëri nëse SHBA heq sanksionet. Por procesi nuk do të mund të jetë gati dhe aq i thjeshtë sa sugjeron ky shkëmbim me premtime politike publike.

Që marrëveshja bërthamore të jetë e zbatueshme, ajo duhet të sigurohet kundër trazirave të ardhshme politike. Sidoqoftë, kjo presupozon që nënshkruesit të merren me mënjanimin e dobësive të mundshme të marrëveshjes. Këto përfshijnë afatet e gjata dhe rregullat mbi mekanizmin e “kthimit të shpejtë” për sanksionet, por gjithashtu problemet që nuk janë mbuluar nga marrëveshja e mëparshme, të tilla si programi i raketave iraniane dhe aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon. Pa një plan strategjik për të gjithë rajonin, politika e Iranit dhe Lindjes së Mesme të qeverisë së Biden do të vazhdojë të jetë e paaftë për t’iu kundërvënë rezistencës së kundërshtarëve politikë të partive në Uashington dhe partnerëve të SHBA në Lindjen e Mesme.

Politika e re amerikane ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe ndaljen e programit bërthamor iranian. Por ndeshen edhe mendime dhe kundërshtime jo të vogla. Kritikët e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 në SH.B.A., Izrael dhe në Gji, kanë frikë se qeveria e Biden do të rrezikojë ndikimin e saj në Iran nëse ajo ribashkohet me marrëveshjen shumë shpejt dhe heq dorë nga sanksionet. Prandaj ata po bëjnë thirrje që Shtëpia e Bardhë të fillojë rinegociatat dhe të bien dakord për lehtësimin e sanksioneve vetëm nëse Irani është i gatshëm të bëjë kompromis për çështjet e pazgjidhura në këmbim. Sidoqoftë, Teherani ka përjashtuar kategorikisht një rrugë të tillë negociatash, duke deklaruar se do të fillojë bisedime më të gjera vetëm kur Shtetet e Bashkuara të kthehen në marrëveshjen e mëparshme bërthamore.

Fqinjët e Iranit janë të shqetësuar për këtë perspektivë. Ata duan politika të SHBA që përmbajnë tensione të përshkallëzuara rajonale dhe të parandalojnë Teheranin të nxisë krizat në vendet ku ajo po vepron aktivisht. Tramp nuk e arriti këtë qëllim me strategjinë e tij të “presionit maksimal”. Përkundrazi, Teherani u përgjigj me “rezistencë maksimale”, konfiskoi çisterna dhe sulmoi impiantet e naftës Saudite. Këto vende fqinje me të drejtë kanë frikë se në rast kthimi në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 pa kërkesa shtesë, Irani do të vazhdojë aktivitetet e tij rajonale kundër interesave të tyre kombëtare. Për më tepër, shtetet fqinje kanë frikë për angazhimin e SHBA në rajon, pasi nuk arritën të pohojnë veten me kërkesat e tyre për ndarjen e barrës dhe dhënien fund të “luftërave të përjetshme” dhe pasi kishin provuar paqëndrueshmërinë e përparësive amerikane.

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë i kanë quajtur bisedimet që po zhvillohen në Vjenë, nga data 07.04.2021, të frutshme, ndërsa të dyja palët si dhe nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes së vitit 2015 mbi programin bërthamor të Iranit, po punojnë për ringjalljen e saj. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se aktualisht nuk pritet të zhvillohen negociata të drejtpërdrejta, por shtoi se Shtetet e Bashkuara janë “të hapura për to, pasi janë të hapura për diplomaci”. Ai tha se takimet në Vjenë janë një “hap potencialisht i dobishëm, ndërsa po përpiqen të përcaktojmë se çfarë janë të përgatitur të bëjnë iranianët për t’u rikthyer tek kushtet e marrëveshjes”, e cila kufizon programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmëri për t’u kthyer tek marrëveshja, por jo një dëshirë për të ndërmarrë hapin e parë. Zëvendës Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e quajti fillimin e bisedimeve të martën, më 7.04.2021, një “takim dobiprurës”.Të mërkurën, më 08.04.2021, gjatë një takimi të kabinetit Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se bisedimet përfaqësojnë një kapitull të ri “dhe se të gjitha palët e përfshira pranojnë se marrëveshja është e vetmja rrugë që duhet ndjekur”.

Rusia është treguar e gatshme për të ndihmuar e ndërmjetësuar në bisedimet që po zhvillohen në Vjenë për arritjen e një marrëveshjeje midis SHBA dhe Iranit vlerësohen shpresëdhënëse. Për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi, me rëndësi mbetet edhe qëndrimi i Kinës si partnere strategjike e Iranit dhe Rusisë.

Në gjeopolitikën ndërkombëtare po ndodhin ndryshime të ndjeshme. Rusia dhe Kina duan dhe po bashkëpunojnë për një rend të ri ndërkombëtar. Ditën e djeshme, më 13.04.2021, u njoftua , nga Presidenti Biden, pasuar menjëherë nga Gjermania, tërheqja e trupave ushtarake nga Afganistani deri më 11 shtator 2021, pas 20 vjetëve të rrëzimit të Dy Kullave Binjake, në Neë York.

Shqipëria si shtet anëtar në NATO mbështet fuqishëm partnerët dhe kontribon për paqen e sigurinë me mundësitë që ka. Ajo është e interesuar për arritjen në kohë të marrëveshjes së SHBA me Iranin dhe ruajtjen e ekuilibrave gjeopolitikë.