Hyqmet Zane : Kulti i individit si rikthim i frikshëm në diktaturë

1970
Sigal

Manifestimi i ideve individuale në forma triumfale dhe sjellja me tendenca të pëlqimit të mendjes së atyre që i bëjnë, duke mospërfillur askënd, janë modele që i prezantojnë njerëz me spektër mendjemadhësie të tepruar dhe egoizmi të sëmurë që e thënë popullorçe është si “me të hyp vetja në qejf”. Por në kohë dhe në kushte të ndryshme një mendjemadhësi e tillë të mbushur me shumë negativitete tek një pushtetar që i pëlqen vetja, veshja, i pëlqen mendja e tij, që kanë ndikime prepotente në jetën e të tjerëve, kësaj i kanë thënë: “kulti i individit’.

Mund edhe të mos e kem qëlluar edhe aq mirë këtë sqarim që do të doja ta kisha sa më të spikatur, e rëndësishme është të kuptojmë se njerëz me shfaqje të kultit të individit, jo vetëm që po na bëhen pengesë në jetën tonë njerëzore, por ata bëhen pengesë për shkuarjen përpara të një vendi. Këtë e provuam në diktaturë me kultin e individit të Enver Hoxhës që, jo vetëm u bë një e keqe e përbashkët, por u bë edhe diktatoriale dhe vrastare me elemente kriminalë deri tek njerëzit e tij më të afërt dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Kulti i individit tek Enver Hoxha u bë sëmundje që buronte nga ideologjia makbethiane e sjelljes së tij për një regjim diktatorial.

Në Shqipëri ka pasur një proces të mbetur në histori që lidhet me “kultin e individit” dhe menjëherë mendja të shkon tek Konferenca e Tiranës (e Partisë së Punës) e vitit 1956. Historinë e saj e kanë bërë libra si profesoresha Ana Lalaj, por edhe shkrimtari Skifter Këlliçi, sepse pati pasoja të pariparueshme për vendin dhe shqiptarët dhe ekskluzivisht për një grup njerëzish që e ngritën këtë çështje. Për ata që nuk e dinë, shkurt do të them se, në kohën që zhvilloheshin punimet e Konferencës së Tiranës, nga delegatët e saj ka pasur kritika të ashpra për “kultin e individit” të Enver Hoxhës. Ishte refleksion ndaj kritikave që bëheshin në BRSS ndaj kultit të individit të Stalinit. Por, nëse Stalinit ia bënë pas vdekjes, Enverit ia bën me gjallje; nëse Stalinit ia bënë si mundësi për ndryshim në rrugën e një vendi që pretendonte për superfuqi, Enverit ia thanë për të shpëtuar vendin nga një e keqe që në fakt e kaploi gjithë vendin.

Duhet thënë se në Shqipëri kritikat u drejtuan drejtpërdrejt ndaj vetë Enver Hoxhës që nuk ishte në sallë në atë seancë të Konferencës, se ishte me pushime në Vlorë. U njoftua nga Beqir Balluku për situatën dhe diktatori erdhi dhe, duke parë situatën, iu kundërvu kokave që si intelektualë që ishin, bënë kritika të shumta ndaj sjelljes së udhëheqjes së Partisë së Punës dhe mënyrës së qeverisjes. Shkurt, shumë nga ata që bënë kritika u persekutuan keqas, u internuan apo i çuan nëpër punë të rëndomta dhe më vonë u pushkatuan ose vdiqën nëpër qeli hetuesish.

Ndër të gjithë ata që u bënë viktima të asaj konference, ishin edhe intelektualë si Vehip Demi, Taho Sejko dhe Muharrem Demi të tre në poste drejtuese të medias së kohës në Radio dhe në gazetën “Zëri i Popullit” dhe i treti drejtor i minierës së Kërrabës. Fundi i tyre tragjik e kishte fillesën pikërisht tek kjo konferencë dhe në themelin e saj kundër kultit të individit. Si intelektualë të spikatur që ishin me shkollime jashtë vendit me rezultate të shkëlqyera, por edhe me kontribute në Luftën Antifashiste dhe në rindërtimin e vendit, ata nuk mund të duronin një situatë që po krijohej në udhëheqjen e partisë në pushtet. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, u bë diktaturë me e egër, u shtyp çdo fjalë e lirë, u censurua gjithçka që shkruhej, iu “prenë kokat” gjithkujt që do të guxonte të kritikonte udhëheqjen, u krijuan grupe armiqësore që u ekzekutuan një pas një deri tek ligji penal me nenin e famshëm 55, të dënimit për agjitacion e propagandë të gjithkujt që fliste.

Besoj se deri këtu nuk ka nevojë të themi se çfarë solli dhe çfarë u bë në emër të kultit të individit që e çoi këtë vend në greminën e shpërbërjes dhe ikjes nga sytë këmbët. Kanë kaluar rreth 30 vjet nga ai ndryshim i sistemit dhe një pas një reminishencat e së shkuarës, ku më pak e ku më shumë, filluan të rikthehen frikshëm si një kult individi në kushte të reja, kur shqiptarët mendonin dhe kërkonin demokraci për të shmangur kultet dhe tempujt që ‘zunë myk në shekuj’ siç thotë Migjeni, pro edhe për të rrëzuar statujat e bronzta që të mos na përsëriten me të gjallat. Me keqardhjen e një njeriu që i ka jetuar të dy kohët, me dhimbjen e madhe të pasojave të dhimbjes nga vuajtjet e krijuara, pikërisht, për shkak të implementimit të kultit të individit, shpreh mendimin se sundimi i njerëzve me kulte individësh po na sundojnë dhe nuk na lenë të ecim përpara.

Kemi përcjellë me shume dritë-hije pushtetin e Berishës dhe Fatos Nanos që manifestuan simptoma të tilla. Dhe një ditë u mendua nga një popull i pa orientuar se i ashtuquajturi “prakticizëm” i Edi Ramës do të jepte fryte për të mirën e vendit. Por fatkeqësisht dhe për të keqen e shqiptarëve po përjetojmë, se prekja nga sëmundja e kultit të individit, të të bërit qejfin vetes me mënyrat nga më të ndryshmet, me tallje dhe me prerjen harbute të fjalës, me mosdëgjimin e njerëzve dhe me bërjen e ligjeve sipas modelit “unë jam partia dhe partia jam unë” si një futurizëm i spikatur, shqiptarët po vuajnë pasojat. Shprehja e thënë nga vetë kryeministri që “unë iki kur dua unë dhe jo kur populli thotë, ik tani se na mërzite” është me përpikmëri shprehje e këtij kulti.

Por e rishfaqur frikshëm në këtë kohë, kur qytetarët shqiptarë presin të ashtuquajturën “rilindje”, ka treguar se ka ngrënë koka të partisë që dihet se cilët janë, ka futur në lojë femrat si të nënshtruarat e shefit për shkak të injorancës dhe kulturës së ulët, kritikat ndaj të mëdhenjve të botës si dikur diktatori dhe rrënimi i ekonomisë së vendit në këtë farë feje sa shqiptarët kërkojnë vetëm të ikin. Kjo, thjesht, është përsëritje e së shkuarës në kohë të ndryshme dhe në të njëjtën hapësirë që rilind diktaturën.

Në bashkëbisedim me një mik të urtë në mendime, më thotë se “Kulti i individit është legjitimimi i pushtetit, përmes të cilit bëhet idealizimi i figurës së udhëheqësit. Kjo kryhet duke ngritur në qiell rolin e tij dhe vërehet në shtyp, në radiotelevizion, në libra, në shkollë e kudo në jetë. Këtij kulti i shërben muzika, arti, si piktura e skulptura, letërsia etj. Diktatori e paraqiste veten gju më gju me popullin, me punëtorët e fshatarët”. E shikova në sy dhe kuptova se sa të drejtë kishte se i kishte bërë një tipizim portretit të këtyre individëve që janë sëmurur nga Kulti i Individit. Si pjesëtar i komunitetit çam e shikoj në fjalët dhe veprat e kryetarëve të partive politike, veçanërisht të atyre që në vend të punëve të mira, bëjnë vepra të këqija, që në vend të merren me kauzat e mëdha, bëjnë paradë fjalësh me të njëjtat kaseta, që i kthejnë sa mbarë e mbrapsht dhe përjashtojnë me epitete intelektualët siç po ndodh rëndom në mes të komunitetit çam nga ata që i ka kapur sëmundja e kultit. Nëse e personalizoj brenda nesh, do të thosha se të gjithë intelektualët çam që erdhën në Shqipëri në shkollat e Mbretërisë, komunistët ua morën kontributin, u dhanë edhe detyra, ua përfituan mendjen dhe një ditë i hodhën tej si limona të shtrydhur, sepse kulti i diktatorit i shtypi, i vrau dhe i depersonalizoi. Sot po e njëjta gjë, po përsëritet përfitimi nga kontributorët dhe përjashtimi i tyre nga vendimmarrjet dhe intelektualët e mirëfilltë mbeten të papërfaqësuar, sepse nga dera e madhe e shtëpisë sonë të përbashkët hyjnë ata apo ato të ftuarit e të pëlqyerit e kryetarit të mbushur me kult individi.

Këto sëmundje nuk është se na erdhën nga jashtë, por i kishim mes nesh, se diktatorët e një shekulli në Shqipëri dhe ata që shkatërruan kauzat e idealet e një kombi, i kemi zgjedhur dhe i kemi duruar e votuar, edhe pse mund të mos i donim. Që të bëhen të besueshëm me mashtrimet e tyre, kultaxhinjtë që duan tepsi dhe pushtet kanë shfaqje si engjëj dhe bëjnë vepra si djajtë. A nuk ishte i tillë Enver Hoxha me pamjen e tij dhe me kultin që manifestoi bëri diktaturë?! Ndërsa sot, sot na janë shumuar ata që duan vetëm të ushqehen nga tepsia e kultit të individit.