Hyqmet Zane: Dosja e sigurimit për Bilal Xhaferin dhe “Nobeli” i pa dhënë për Ismail Kadarenë

301
Sigal

– Persekutimi ndaj Bilal Xhaferrit nisi që në kohën kur ai ishte ushtar.

– Ndaj tij, Sigurimi kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë. Rreth 60 familjarë  ishin marrë në shqyrtim.

– Gjithë persekucioni i Bilalit sillet në mënyrë artificiale rreth  asaj që ai shkroi për “Dasmën” e  Kadaresë

Këto ditë francezja Annie Ernaux është shpallur fituesja e çmimit “Nobel” për këtë vit në letërsi, ku sërisht kandidat e në pritje ishte si gjithmonë edhe shkrimtari ynë shqiptar Ismail Kadare. Mediat e dhanë si lajm, ndërkohë që ka reaguar publikisht edhe shkrimtari ynë “…Nuk di ç’të them…ne që jetojmë në Francë nuk e njohim atë…” ka qenë shprehja e cituar nga çifti Kadare- Ismail & Helena…??? Nuk mund të gjykoj nëse ka bërë mirë apo keq që është shprehur kështu, është e drejta e tij. Por ajo që më erdhi në mend menjëherë ishte kujtesa për shkrimtarin tonë të shquar Bilal Xhaferi, bashkëkohësi i Kadaresë dhe disidenti, që u arratis për në Amerikë për t’i shpëtuar eleminimit apo burgosjes, pas një debati për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë.

Unë e kam intervistuar Ismailin në maj 1996 te Onufri në Elbasan. Por unë nuk dua të flas se çfarë e pyeta dhe si m’u përgjigj. Ajo që doja të shtoja është fakti se përkundër jetës dhe krijimtarisë që bëri Ismail Kadare në Shqiëpri, shqiptarit çam Bilal Xhaferi iu hap dhe iu bë një dosje e madhe për ta arrestuar dhe burgosur, ndoshta edhe për ta pushkatuar si babain e tij nga komunistët…

Në një pohimi që ka bërë shkrimtari Ahmet Mehmeti në “Ditën e Kujtesës” gjatë konferencës për “Persekutimin e  popullit çam gjatë regjimit komunist”, u shpreh se shqiptarëve në ato ditë kujtese të së kaluarës, do t’u shërbejnë si një formë katharsisi. Xhaferi mbetet një nga figurat më madhore të kulturës shqiptare, i cili pati një kontribut të madh dhe në Amerikë, edhe pse dhe atje ai i gjeti shqiptarët të përçarë nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. “Deri atje vajti jehona e Sigurimit!”, shprehet Mehmeti, duke u  ndalur te fakti se persekucioni i shkrimtarit kishte nisur që në rininë e tij.

Mbështetur në fletët brenda dosjes së Bilal Xhaferit, “Persekutimi ndaj Bilal Xhaferrit nisi që në kohën kur ai ishte ushtar. Asokohe nisën ngritjet e famshme në kategori nga 2b në 2a, derisa në fund të shërbimit ushtarak, Bilali ishte në epiqendër të zjarrit të diktaturës së proletariatit, diktaturës më të egër staliniste, më të  egër në botë!”

Mehmeti tregon se ka lexuar me kujdes dosjen e Bilalit, e cila  përmban rreth 400 faqe dokumente. “Në dosjen e tij ka 111 dokumente. Ndaj tij, Sigurimi  kishte angazhuar 18 bashkëpunëtorë. Rreth 60 familjarë ishin marrë në shqyrtim, ndërsa prej survejimit implikoheshin 83 persona të tjerë. Kjo tregon masën e përndjekjes që vuajti Xhaferri, vetëm se ishte shkrimtar dhe nuk lëvizte nga fjala e tij”, thotë ai duke u përpjekur të hedhë dritë përsa i përket rolit të kritikës që Xhaferri i bëri romanit “Dasma” të Kadaresë në persekutimin që iu bë.

Sipas tij, në këtë kritikë, nuk kishte asnjë element që justifikonte masat e marra ndaj shkrimtarit. “Dy shkrimtarë gjenialë ka Shqipëria, Bilal Xhaferrin dhe Ismail Kadarenë.

Gjithë persekucioni i Bilalit sillet në mënyrë artificiale rreth asaj që ai shkroi për “Dasmën” e  Kadaresë, kur, në fakt, ajo nuk qe më shumë se një kritikë e thjeshtë letrare, që mund ta bënte kushdo”, sqaron ai, duke sjellë  në vëmendje edhe fjalën e Xhaferit pas akuzave që iu ngritën.

Bilali është shprehur vetë se: – “Ismail Kadarenë unë e çmoj shumë si talent letrar dhe më kanë pëlqyer shumë veprat e tij, por këtë simpati dhe këtë mendim nuk e kam për romanin  “Dasma”. Për mendimin tim, romani “Dasma” ka shumë të  meta dhe i përgjigjet shumë zbehtë aktualitetit.

Nuk gjej në diskutimin tim, përveç kritikës së  romanit, ndonjë gabim politik, secili ka kokën e vet. Dhe unë ato që konstatova, i thashë në mes të mbledhjes, dhe i mbroj deri në fund, për arsye se nuk ka dalë njeri të më mbushi mendjen. Me sa mendoj, asgjë nuk kam thënë reaksionare. Unë për atë që kam diskutuar nuk jam hiç fare i penduar”.

Mehmeti, pasi citon fjalët e  shkrimtarit, përpara se të largohej në Amerikë, nënvizon faktin se “persekucionin Bilal Xhaferit ia bënte diktatura e proletariatit”.

Nga ana tjetër, mënyra se si u organizua e gjithë Ministria e Brendshme me Drejtorinë e I-rë drejtor i së cilës ishte Feçor Shehu për të shprehur gjithë mllefin e saj ndaj shkrimtarit tonë Bilal Xhaferi duke u shqetësuar për ikjen e tij si armik i partisë dhe i pushtetit, nuk ka nevojë për komente se flet vetë. Këtë e dëshmon letra që ai i dërgon nga institucioni i tij Feçor Shehu Komitetit Qendror të PPSH dhe personalisht të ngarkuarit me këto punë Hysni Kapo.

Këto të vërteta i anashkalojnë të gjithë ata që guxojnë të flasin e të shpifin për Bilalin. Nuk është faji i Bilalit që Ismail Kadare nuk merr çmimin “Nobel”, edhe pse Adriatik Dosti në një prononcim publik të tij ndaj mosmarrjes së çmimit “Nobel”do të shkruante se “Sepse ti i nxive jetën poetit e shkrimtarit çam Bilal Xhaferri…derisa e detyrove të ikë i tmerruar nga sytë-këmbët prej Atdheut të vet…e ku më pas bisha komuniste do t’i merrte jetën edhe atje larg në dhe të huaj…”.

Jetëshkrimi i Bilal Xhaferit

U lind më 1935 në fshatin Ninat afër Konispolit, i biri i Xhaferr Hoxhës. Babai i tij ishte pushkatuar si antikomunist më 1945. Në moshën 8 vjeç i vdiq e ëma, kurse në moshën 10 vjeç, pushteti komunist i pushkatoi të atin nacionalist dhe ai mbeti jetim me tri motra, nën kujdesin e Ferik Hoxhës, gjyshit nga babai. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, duke marrë dy klasë në një vit, më 1948 u largua për të gjetur punë në Sarandë si korrier, sidomos pasi gjyshi iu shpall kulak dhe e shpronësuan. U rrit bashkë me të motrat në internim ku dhe u lejua të kryente shkollimin e mesëm.

Bëri një shkollë njëvjeçare si gjeometër. Më 1954-1955 jetonte bashkë me të motrën Antiken, në një dhomë në Sukth të Durrësit. Aty ndiqnin të dy shkollën shtatëvjeçare, motra ditën, ndërsa ai natën, sepse punonte normist. Ndërkohë kreu një shkollë teknike për ndërtim dhe u punësua në kantiere ndërtimi, në rruga-ura në Krujë, në hidrocentralin e Ulzës etj.

Më 1967 i botohet vëllimi me poezi Lirishta e kuqe, por nuk u vu kurrë në qarkullim. Po atë vit konkuroi me romanin Krastakraus në konkursin letrar të mbajtur me rasin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi.[6] Ky roman do të botohej në vitin 1993.

Më 1968, ai u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit Dasma të Kadaresë, duke e akuzuar Kadarenë për revizionizëm ndaj doktrinës komuniste, një akuzë kjo shumë e rëndë gjatë regjimit komunist që mund ta kishte dëmtuar shumë Kadarenë. Po për këtë ai u qortua rëndë nga Fadil Paçrami. Iu hoq e drejta e botimit, u dëbua dhe u dërgua të punonte në fermën e Sukthit. Pas një mbledhjeje të Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Rita Markon, u kritikua bindshëm dhe u përjashtua. Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Më 1970, shkoi në SHBA, në Boston ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame, të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht.

Në vitin 1986 ndërroi jetë në Çikago.