Hyqmet Zane: Çamëria si pjesë e antifashizmit ndërkombëtar

572
Sigal

Andrallat politike dhe sociale të një vendi i rëndojnë më shumë edhe deklarata të tilla si ajo me papërgjegjshmëri e Presidentit grek Pavlopulos, se çamët kane qenë kriminelë. Të dala nga goja e një njeriu që është në krye të shtetit fqinj, Greqisë, këto deklarata bëhen një mundësi më shumë për të reaguar fuqishëm se kemi të bëjmë më një “sulm” tipik shovinist dhe kriminal ndaj shqiptarëve.

Ato janë një sjellje prej grindaveci të theksuar e një presidenti që shfaqet si karagjoz në mediat e Greqisë dhe duket që nuk paska fare haber nga të vërtetat e kohës së Luftës II Botërore. Më shumë se të irriton kjo deklaratë zyrtare e një presidenti të një shteti fqinj, ajo është shprehje e një urrejtjeje patologjike e një përfaqësuesi të lartë të shtetit që duket si një lënie trashëgimi president pas presidenti grek.

Të bësh një pohim të tillë skandaloz dhe të cilësueshëm armiqësor, nuk është se i thuhet një njeriu me doza faktike kriminale, por është një deklarim i një Presidenti të një shteti të NATO-s për një popullatë të caktuar të një shteti tjetër të NATO-s që prosperon për në Bashkimin Evropian. Dhe më e keqja akoma është se këto deklarata i dëgjojnë dhe i lexojnë edhe Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë dhe prej tyre nuk dëgjon asnjë përgjigje. Po ashtu i dëgjon këto deklarata edhe Presidenti i NATO-s dhe nuk bën asnjë reagim. Aq e vërtetë është kjo, sa është po aq e vërtetë edhe fakti që heshtja e tyre është licencim për Greqinë që të flasë me gojën e Presidentit të vendit “Si e ëma e Zeqos majë thanës”, siç thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare.

Librat e shkruara për historinë e Luftës II Botërore kanë një mangësi të theksuar në saktësimin e të vërtetave kur vjen fjala për kontributin e komunitetit çam në krah të antifashizmit botëror. Nuk pretendoj se i kam shfletuar të gjitha librat historikë, por kam të drejtën të them se, sa herë që Athina zyrtare ka akuzuar haptazi komunitetin çam si “bashkëpunëtor me nazi-fashizmin”, qëndrimet e Tiranës zyrtare kanë qenë inekzistente ose aspak të dukshme. Në këto 28 vjet të historisë së demokracisë shqiptare nuk kam dëgjuar një herë, një zyrtar politik që të mbajë një qëndrim të prerë dhe me fakte të protagonizmit të çamëve në krahun e antifashizmit gjatë Luftës II Botërore.

Kur e pohoj një gjë të tillë, kam parasysh, se vetëm Presidenti Alfred Moisiu ka bërë aktin vendimtar kur ka dekoruar pjesëtarë të komunitetit çam që kanë qenë të internuar në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani. Ka qenë viti 2005 kur në Elbasan dhe në Vlorë janë dekoruar dy pjesëtarë të këtij komuniteti si ish-të internuar në këto kampe famëkeq. Ndërkohë që ka edhe të tjerë pjesëtarë që kanë qenë në këto kampe dhe ata kanë emër dhe mbiemër, kanë trashëgimtarët e tyre legjitimë dhe që janë simbol i një flamuri, për t’u thënë grekëve nacionalistë ekstremë, se komuniteti çam që u shpërngul me dhunë dhe vrasje nga trojet etnike nuk kishte asnjë lidhje me nazi-fashizmin dhe e gjithë paranoja e ngritur nga zyrtarët e Athinës është një artific për të justifikuar gjenocidin e spastrimit etnik shqiptar nga Çamëria si një terrorizëm shtetëror. Mua dhe çdo çami i duket qesharake se si një pohim i tillë kriminal i një presidenti të një shteti të NATO-s dhe i BE-së sepse si mund të quhet bashkëpunëtor me nazifashizmin një çam që ende nuk kishte lindur gjatë kohës së Luftës, apo si mund të quhet e tillë një grua shtëpiake çame që rrinte brenda mureve të shtëpisë, si mund të kenë këtë emërtesë ata djem e vajza nën 15 vjeç që ende nuk ishin rritur për të qenë të vetëdijshëm për bindjet ideologjike dhe ata u cilësuakan “kriminelë”?!

Ndoshta një president apo një kryeministër, një diplomat apo politikan i sotëm do të duhej që në këtë jubile të 74-vjetorit të fitores mbi nazifashizmin të pohonte me plot gojën emrat e heronjve dhe dëshmorëve nga Çamëria, si emrat e atyre burrave që u internuan si antifashistë në Itali e Gjermani. Dhe këtë nuk do ta bëjnë në emër të interesave të komunitetit çam apo të përfaqësuesve të PDIU, por në emër të drejtësisë dhe kontributeve që kanë dhënë çamët në një Luftë Botërore si Antifashistë. Ndoshta është një rast komod për ta pohuar një fakt të tillë si një e vërtetë historike e shkruar me gjakun e Heroit të Popullit Ali Demi nga Filati, vrarë në Kaninë të Vlorës, Bido Sejko nga Filati i vrarë në Konispol. Daut Rakipi nga Koska, Ethem Yzeiri nga Vërsela, Hysen Pasho, i biri i Vejselit nga Galbaqi, i vrarë në Qeramicë në përpjekje me bandat e Napoleon Zervës, i inkuadruar në batalionin “Ali Demi”, Fahri Jasini nga Varfanji, Shaban Hamiti nga Grikohori.

Sipas një studimi të historianit të mirënjohur Ibrahim D. Hoxha, ai shkruan “Për çlirimin kombëtar u flijuan anë e kënd truallit shqiptar, madje edhe më përtej, në Mal të Zi e Bosnjë, mbi 100 e ca djem nga më trimat e Çamërisë. Emrat dhe jetën e tyre i kam pasqyruar në “Enciklopedi Jug-shqiptare”, Volumi I e II, nga e cila po përmend vetëm disa nga të rënët e çetave dhe batalionit të lavdishëm, “Çamëria” si edhe të brigadave I, II. III. V, VI, VII, VIII, XII etj.

Abedin Haki Musa Sejkua (1900-1944) nga Filati, ish-luftëtar i batalionit “Çamëria” e në vijim zv.Komandant i batalionit “Naim Frashëri”, Brigada VI Sulmuese. Vrarë mbi fshatin Dishat më 22 apo 23 qershor.

Ferik Islam Çaçani (1918-1943) nga Janjari, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 15 shtator në malin Nartë, gjatë përballjes së njësisë naziste.

Hadif Nezir Veliu, (1924-1943) nga Shalësi, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 28 shtator në Konispol, gjatë mbrojtjes së qytetit nga sulmuesit nazistë.

Halil Azem Munga nga Markati (1923-1943), batalioni “Çamëria”, vrarë në Qafë të Likojanit, më 15 shtator, gjatë përballjes me sulmuesit nazistë.

Husejn Muharrem Veliu, (1912-1943) nga Konispoli, partizan i batalionit “Çamëria”, vrarë më 28 shtator në faqen malore paksa mbi Konispol, gjatë përballjes me njësinë mësymëse naziste.

Ibrahim Vejsel Abdullahu (1915-1944) nga Galbaqi, partizan i batalionit 4-t, regjimenti i 15-të ELLAS-it, vrarë në Mallun më 18 korrik, gjatë përleshjes me zervistët.

Ibrahim Vejsel Halluni, (1919-1944) nga Filati. Partizan i renditur në batalionin 4-rt të regjimentit 15-të ELLAS-it. U vra më 13 korrik në Mallun, gjatë luftimeve kundër EOEAS-itëve të N. Zervës.

Muharrem Murteza Abdullahu nga Spatari (1910-1944), pjesëtar i bat. IV, regj. 15 ELLAS-it, vrarë në Mallùn në korrik, gjatë përleshjes me zervistët.

Nail Lutfi Tana, (1925-1944) nga Luarati, partizan i batalionit I të Grupit 4-t, vrarë më 26 gusht në Konispol gjatë luftimit kundër nazistëve.

Selman Izet Kushi nga Spatari, ndërlidhës ndërmjet njësive ushtarake Nacional Çlirimtare shqiptare dhe atyre ELLAS-ite. Vrarë në vendlindje gjatë përplasjes me zervistët.

Telha Ali Plaku, (1915-1943) nga Konispoli, batalioni “Çamëria”, vrarë në Konispol më 28 shtator gjatë përleshjes me mësymësit nazistë.

Veliko Musli Rexhua, (1924-1944) nga Markati, komisar kompanie i batalioni “Çamëria”, vrarë më 21 korrik në Delvinë gjatë sulmit të grupit 4-t kundër përqendrimit nazist.

Zihni Ilmaz Sheqiri, (1925-1943) nga Shqefari, partizan i batalioni “Çamëria”, njësia luftarake konispolate, vrarë më 28 shtator në faqen malore mbi Konispol gjatë kacafytjes me njësinë mësymëse naziste.

Zuhdi Zequa, (1923-1945) nga Çamëria, N/Toger, komandant toge në batalionin I, të Brigadës I Sulmuese, vrarë në Kelmend.

Nuk mund të harrohen në këtë listë 55 dëshmorët e Luftës së Konispolit që mund të thuhet se ishte lufta e vërtetë e asaj kohe ndaj gjermanëve. Po aq sa nuk mund të harrohen të gjithë ata bij të Çamërisë që u inkuadruan në batalionet dhe brigadat partizane dhe luftuan me atë trimëri që merituan dekorime dhe vlerësime të mëdha.

Por le të kthehemi tek ata që kanë qenë të internuar në kampet e përqendrimit në Itali e Gjermani që pothuajse nuk përmenden asnjëherë si bij të Çamërisë dhe kontribues në Luftën II Botërore.

Dhe jo vetëm kaq. Këta njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për antifashizmin nuk kanë marrë asnjë pension apo shpërblim lufte, por as edhe nga ato dekoratat që shpërndan Putini i Rusisë, sepse vendi i tyre i origjinës nuk është kujtuar ndonjëherë jo thjesht t’i dekorojë, por as Greqia, ku këta burra kanë qenë shtetas grekë me orgjinë shqiptare nuk i përmend, por edhe familjet e tyre i ka persekutuar dhe i ka ngatërruar me bashkëpunëtorët me nazizmin siç kërkon të cilësojë çamët.

Në këtë kuptim, lind pyetja se drejtësia evropiane që është kaq shumë e ndjeshme kur flitet për bashkim të trojeve shqiptare të Shqipërisë me Kosovën, as që i bëhet vonë se këta bij të Çamërisë që ishin antifashistë sublim, persekutohen nga një shtet i ashtuquajturi demokratik që shkel çdo parim të së drejtës ndërkombëtare.

 

Katër antifashistët e Çamërisë në kampet e përqendrimit në Itali e Gjermani.

Nuri Emin Zane, nga Filati i Çamërisë i datëlindjes 20 nëntor 1913 dhe ka vdekur më 04 nëntor 1988 në Elbasan-Shqipëri, internuar në Mat’hausen e më pas në Dakao e në Mynih. Kthehet nga internimi në gusht 1945 në Janinë dhe nuk lejohet të shkojë në shtëpinë e tij në Filat se i thanë që i kemi përzënë çamët, ndaj erdhi në Shqipëri, ku gjeti familjen. Edhe si antifashist nuk u lejua të jetonte në shtëpinë e babait dhe gjyshërve të tij brez pas brezi.

Hajri Hasan Fetahu, lindi në Grikohor të Çamërisë në vitin 1918 dhe vdiq në Vlorë më 1977. U internua nga italianët në vitin 1941 në Rexho-Emilia të Italisë, më pas në Gajel dhe pas rënies së Italisë u internua edhe nga gjermanët në Dakao të Gjermanisë. U kthye gjallë fatmirësisht, por nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Çamëri, edhe pse ishte antifashist.

Mezan Emin Jonuzi, lindur me 30 qershor 1910 në Varfanj të Gumenicës në Çamëri të Greqisë, që ka vdekur më 4 shkurt 1963 në Durrës-Shqipëri. Ka qenë i internuar në Itali e më pas në Gjermani. U kthye nga internimi dhe nuk u lejua të shkonte në vendin e lindjes së tij edhe pse ishte antifashist.

Osman Zenel Taka, lindur në Filat të Çamërisë më 1918 në Filat dhe ka vdekur 02 nëntor 1982 në Lushnje. Ka qenë internuar në zonën e Brindizit në Itali, pasi i kishin grumbulluar në Levan të Fierit në qershor të vitit 1941 dhe më pas kaloi në Dakao të Gjermanisë në vitin 1943 deri në kapitullimin e Gjermanisë dhe mbarimin e Luftës II Botërore.

Janë edhe të tjerë që vdiqën në këto kampe, por për arsyet e shpërnguljes dhe shuarjeve të familjeve çame kanë mbetur anonimë edhe për shkak të peripecive që kaloi komuniteti çam në vitet e para të shpërnguljes. Por ajo që vlen të përmendet sot pas 70 vjetësh të mbarimit të Luftës II Botërore është tërheqja e vëmendjes ndaj atij që njihet si Komiteti i Veteranëve të Luftës apo OBVL që të evidentojë tërësisht këto fakte historike dhe të promovohen si dëshmi autentike të të vërtetave historike.

Si një fjalë goje dhe si një mashtrim historik, grekët dhe Athina zyrtare kërkon të mohojnë deri edhe vetë Çamërinë apo komunitetin çam që jetoi në këtë tokë, por edhe të mohojnë luftën e partizanëve dhe nacionalistëve që e donin vendin e tyre dhe e mbrojtën atë me pushkë në dorë dhe ku ranë dëshmorë dhe mbetën në memorien e kombit dhe që nuk mund të ketë Evropë apo Greqi që të hedhë baltë apo të mohojë të drejtat e popujve sado të vegjël qofshin ata kur mbi ta kanë ushtruar gjenocide antinjerëzore si ndaj shqiptarëve të Çamërisë.