Hyqmet Zane: Antifashistët e Çamërisë dhe provokimi grek

753
Sigal

Luftëtarë, dëshmorë, të internuar në Itali e Gjermani ishin pjesëtarë të komunitetit çam në Luftën e II Botërore

Antifashistët e Çamërisë dhe provokimi grek

 

Nga Hyqmet Zane

 

Librat e shkruara për historinë e Luftës II Botërore kanë një mangësi të theksuar në saktësimin e të vërtetave kur vjen fjala për kontributin e Çamërisë në krah të antifashizmit shqiptar dhe atij botëror. Nuk pretendoj se i kam shfletuar të gjitha librat historike, por kam të drejtën të them se, sa herë që Greqia zyrtare ka akuzuar haptazi komunitetin çam si “bashkëpunëtorë me nazifashizmin”, qëndrimet e Shqipërisë zyrtare kanë qenë inekzistente ose aspak të dukshme. Në këto rreth 30 vjetët e historisë së demokracisë shqiptare kam dëgjuar qëndrime sporadike zyrtare që të mbajë qëndrime të rastësishme për protagonizmin e çamëve në krahun e antifashizmit gjatë Luftës II Botërore. Kur e pohoj një gjë të tillë, kam parasysh se kur ishte Sali Berisha President, më 1994 zyrtarizoi 27 qershorin si dita e genocidit grek ndaj Çamërisë. Por Presidenti Alfred Moisiu, ka bërë aktin vendimtar kur ka dekoruar pjesëtarë të komunitetit çam që kanë qenë të internuar në kampet e përqëndrimit dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani. Ka qenë viti 2005 kur në Elbasan dhe në Vlorë janë dekoruar dy pjesëtarë të këtij komuniteti si ish të internuar në këto kampe famëkëqinj. Ndërkohë që ka edhe të tjerë pjesëtarë që kanë qenë në këto kampe dhe ata kanë emër e mbiemër, kanë trashëgimtarët e tyre legjitimë, që janë simbol i një flamuri për t’u thënë grekëve nacionalistë ekstremë se komuniteti çam, që u shpërngul me dhunë dhe vrasje nga trojet etnike nuk kishte asnjë lidhje me nazifashizmin dhe e gjithë paranoja e ngritur nga zyrtarët e Athinës është një artificialitet për të justifikuar genocidin e sprastrimit etnik shqiptar nga Çamëria si një terrorizëm shtetëror. Edhe Presidenti Bujar Nishani më 8 maj 2016 bëri një takim zyrtar në presidencë me pjesëtar të familjeve që kishin prindërit e tyre pjesëtarë në luftë, me familjet e dëshmorëve dhe me familjarë të atyre që u internuan në kampet e shfarosjes në masë. Ka folur edhe Edi Rama si kryeministër në një televizon grek në favor të të vërtetave të Çamërisë dhe vetëm kaq. Por asnjë diplomat apo politikan i sotëm do të duhej që në këtë jubile të 75- vjetorit të fitores mbi nazifashizmin të pohonte me plot gojën emrat e heronjve dhe dëshmorëve nga Çamëria, si emrat e atyre burrave që u internuan si antifashistë në Itali e Gjermani. Dhe këtë nuk do ta bëjnë në emër të interesave të komunitetit çam apo të përfaqësuesve të PDIU, por në emër të drejtësisë dhe kontributeve që kanë dhënë çamët në një luftë botërore si antifashistë. Ndoshta është një rast komod për ta pohuar një fakt të tillë si një e vërtetë historike e shkruar me gjakun e Heroit të Popullit Ali Demi nga Filati, vrarë në Kaninë të Vlorës, Bido Sejko nga Filati i vrarë në Konispol. Daut Rakipi nga Koska, Ethem Yzeiri nga Vërsela, Hysen Pasho, i biri i Vejselit nga Galbaqi, i vrarë në Qeramicë në përpjekje me bandat e Napoleon Zervës, i inkuadruar në batalionin “Ali Demi”, Fahri Jasini nga Varfanji, Shaban Hamiti nga Grikohori.

Për ata që luftuan me pushkë në dorë kundër nazifashizmit

Në një studim historiani i mirënjohur, Ibrahim D. Hoxha, shkruan: “Për çlirimin kombëtar u flijuan anë e kënd truallit shqiptar, madje edhe më përtej, në Mal të Zi e Bosnjë, mbi 100 e ca djem nga më trimat e Çamërisë. Emrat dhe jetën e tyre i kam pasqyruar në “Enciklopedi Jugshqiptare”, Volumi I e II, nga e cila po përmend vetëm disa nga të rënët e çetave dhe batalionit të lavdishëm, “Çamëria” si edhe të brigadave.

Abedin Haki Musa Sejkua (1900-1944) nga Filati, ish-luftëtar i batalionit “Çamëria”

Ferik Islam Çaçani (1918-1943) nga Janjari, partizan i batalionit “Çamëria”.

Hadif Nezir Veliu, (1924-1943) nga Shalësi, partizan i batalionit “Çamëria”.

Halil Azem Munga nga Markati (1923-1943), batalioni “Çamëria”.

Husejn Muharrem Veliu, (1912-1943) nga Konispoli, partizan i batalionit “Çamëria”

Ibrahim Vejsel Abdullahu (1915-1944) nga Galbaqi, partizan i batalionit të 4-t, regjimenti i 15-të, i ELLAS-it.

Ibrahim Vejsel Halluni, (1919-1944) nga Filati. Partizan i renditur në batalionin e 4-t të regjimentit 15-të, të ELLAS-it.

Muharrem Murteza Abdullahu nga Spatari (1910-1944), pjesëtar i bat. IV, regj. 15 të ELLAS-it,

Nail Lutfi Tana, (1925-1944) nga Luarati, partizan i batalionit të I-rë, të Grupit të 4-t.

Selman Izet Kushi nga Spatari, ndërlidhës ndërmjet njësive ushtarake nacionalçlirimtare shqiptare dhe atyre ELLAS-ite.

Telha Ali Plaku, (1915-1943) nga Konispoli, batalioni “Çamëria”.

Veliko Musli Rexhua, (1924-1944) nga Markati, komisar kompanie i batalionit “Çamëria”.

Zihni Ilmaz Sheqiri, (1925-1943) nga Shqefari, partizan i batalioni “Çamëria”.

Zuhdi Zequa, (1923-1945) nga Çamëria, N/Toger, komandant toge në batalionin e I-rë, të brigadës së 1-rë Sulmuese.

Nuk mund të harrohen në këtë listë 55 dëshmorët e luftës së Konispolit që mund të thuhet se ishte lufta e vërtetë e asaj kohe ndaj gjermanëve. Po aq sa nuk mund të harrohen të gjithë ata bij të Çamërisë që u inkuadruan në batalionet dhe brigadat partizane dhe luftuan me atë trimëri që merituan dekorime dhe vlerësime të mëdha. Por le të kthehemi tek ata, që kanë qenë të internuar në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani, që pothuajse nuk përmenden asnjëherë si bij të Çamërisë dhe kontribues në Luftën II Botërore. Dhe jo vetëm kaq. Këta njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për antifashizmin nuk kanë marrë asnjë pension apo shpërblim lufte, por as edhe nga ato dekoratat që shpërndan Putini i Rusisë, sepse vendi i tyre i origjinës nuk është kujtuar ndonjëherë, jo thjesht t’i dekorojë, por as Greqia, ku këta burra kanë qenë shtetas grekë me origjinë shqiptare nuk i përmend, por edhe familjet e tyre i ka persekutuar dhe i ka ngatërruar me bashkëpunëtorët me nazizmin, siç kërkon të cilësojë çamët. Në këtë kuptim, lind pyetja se drejtësia europiane, që është kaq shumë e ndjeshme për një fjalë që tha kryeministri për bashkimin e trojeve shqiptare të Shqipërisë me Kosovën, as që i bëhet vonë se këta bij të Çamërisë që ishin antifashistë sublimë, persekutohen nga një shtet i ashtuquajtur demokratik që shkel çdo parim të së drejtës ndërkombëtare.

Disa të vërteta për katër antifashistët e Çamërisë në kampet e përqëndrimit në Itali e Gjermani:

Nuri Emin Zane, nga Filati i Çamërisë i datëlindjes 20 nëntor 1913, ka vdekur më 04 nëntor 1988 në Elbasan-Shqipëri, internuar në mars 1944 në Mat’hausen e më pas në Dakao e në Mynih. Kthehet nga internimi në gusht 1945 në Janinë dhe nuk lejohet të shkojë në shtëpinë e tij në Filat se i thanë që i kemi përzënë çamët, ndaj erdhi në Shqipëri, ku gjeti familjen. Dhe si antifashist nuk u lejua të jetonte në shtëpinë e babait dhe gjyshërve të tij brez pas brezi.

Hajri Hasan Fetahu, lindi në Grikohor të Çamërisë në vitin 1918 dhe vdiq në Vlorë më 1977. U internua nga italianët në vitin 1941 në Rexho-Emilia të Italisë, më pas në Gajel dhe pas rënies së Italisë u internua edhe nga gjermanët në Dakao të Gjermanisë. U kthye gjallë fatmirësisht, por nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Çamëri, edhe pse ishte antifashist.

Mezan Emin Jonuzi, lindur me 30 qershor 1910 në Varfanj të Gumenicës, në Çamëri të Greqisë, ka vdekur më 4 shkurt 1963 në Durrës, Shqipëri. Ka qenë i internuar në Itali e më pas në Gjermani. U kthye nga internimi dhe nuk u lejua të shkonte në vendin e lindjes së tij edhe pse ishte antifashist.

Osman Zenel Taka, lindur në Filat të Çamërisë më 1918 në Filat, ka vdekur më 02 nëntor 1982 në Lushnjë. Ka qenë i internuar në zonën e Brindizit në Itali, pasi i kishin grumbulluar në Levan të Fierit në qershor të vitit 1941 dhe më pas kaloi në Dakao të Gjermanisë në vitin 1943 deri në kapitullimin e Gjermanisë dhe mbarimin e Luftës II Botërore.

Janë edhe të tjerë që vdiqën në këto kampe por për arsyet e shpërnguljes dhe shuarjeve të familjeve çame kanë mbetur anonimë edhe për shkak të peripecive që kaloi komuniteti çam në vitet e para të shpërnguljes. Por ajo që vlen të përmendet sot pas 74 vjetësh të mbarimit të Luftës II Botërore është tërheqja e vëmendjes ndaj atij që njihet si Komiteti i Veteranëve të Luftës apo OBVL që të evidentojë tërësisht këto fakte historike dhe të promovohen si dëshmi autentike të të vërtetave historike. Si një fjalë goje dhe si një mashtrim historik, grekët dhe Athina zyrtare, Presidentë dhe Kryeministra kërkojnë të mohojnë deri edhe vetë Çamërinë apo komunitetin çam që jetoi në këtë tokë, por edhe të mohojnë luftën e partizanëve dhe nacionalistëve që e donin vendin e tyre dhe e mbrojtën atë me pushkë në dorë e ranë dëshmorë duke mbetur në memorien e kombit. Nuk mund të ketë Europë apo Greqi që të hedhë baltë apo të mohojë të drejtat e popujve sado të vegjël qofshin ata, kur mbi ta kanë ushtruar genocide antinjerëzore, si ndaj shqiptarëve të Çamërisë.