Heroina Zonja Çurre ra heroikisht më 22 korrik 1944

591
Sigal

Më e ëmbël është vdekja, se jeta në robëri!

Si ra herokisht Zonja Çurre më, 22 korrik 1944

U lind në Tragjas, në vitin 1920. Mori pjesë në LANÇ që në fillimet e saj. U rreshtua në radhët partizane dhe u shqua për trimëri e sakrifica. Ishte si një motër e dashur për shokët e saj partizanë.

Në nëntor 1943, rreshtohet në Brigadën V Sulmuese me detyrë komandante skuadre, më vonë komandante kompanie. Ajo e komandoi kompaninë me sukses në shumë luftime dhe u rrëmbente partizanëve e partizaneve një mirënjohje të veçantë. Emri i komandantes Zonja Çurre u bë i njohur për luftëtarët e Brigadës Partizane.

Ra heroikisht më 22 korrik 1944, në luftimet e përgjakshme me mercenarët në Qafëshkallë të Klosit, në rrethin e Matit.

Zonja Çurre është shpallur “Hero i Popullit”.

Në një shkëmb, në afërsi të fshatit Klos të rrethit të Matit, ishte ulur Zonja Çurre, zv/komandante e kompanisë së parë të batalionit katërt të Brigadës V Sulmuese, oficere me gradën aspirante, të dhënë nga Kongresi i Përmetit.

Me qëndrimin e saj si shqiponja mbi shkëmb, ajo mbante në duart e saj mitralozin që nuk e ndante kurrë. Rrinte e mendonte. Për çfarë mendonte kjo sokoleshë mali? Fytyra e saj e çiltër, flokët kaçurrela që i dilnin nga bustina me yllin partizan, syri i saj si shqiponjë, tregonin se nuk qenë mendime brengash, por që e bënin Zonjën të ishte krenare.

Lindur në Tragjas të Vlorës më 1920, ajo që në vitin 1942, ishte përgjegjëse e të rejave antifashiste të fshatit të saj. Kujtonte kohën kur, në dhjetor 1942 dhe në korrik 1943, ishte bashkë me partizanët e çetave në luftimet e ashpra që u bënë në fshatin e saj. Ajo nuk kurseu asgjë, por në ato kohë të vështira, ndau kafshatën e gojës me shokët e saj dhe me shembullin personal, u bë burim frymëzimi për shokët më të rinj.

Në janar të vitit 1944, Zonja rreshtohet partizane në Brigadën V Sulmuese, në Bramyshje, ku iu dha detyra e skuadërkomandantes, që ajo e kreu me aq trimëri dhe heroizëm.

Në Operacionin armik të Dimrit (1943-1944) kur në shpellat e Vunoit dhe në kishën e Shëndellisë, në atë acar të shkurtit 1944, ajo nuk u mposht nga lodhja, pagjumësia, uria, por qëndroi me heroizëm. Bashkë me shokët e saj. Ishte në detyrën e vështirë që iu ngarkua me skuadrën në kulmin e operacionit për të siguruar lidhjen me një nënrepart të brigadës, duke kaluar Qafën e Shëngjergjit. Ajo kujtonte qëndrimin heroik të shokëve, sesi luftoi dhe ra Lilo Asllani, si luftoi Petro Dhimitri që u plagos rëndë dhe u la në një shtëpi fshati dhe kur e rrethuan gjermano-ballistët, ai nuk ra në duart e tyre, por me dy granata të ndezura u hodh mbi armiqtë, duke shkaktuar panik dhe kërdi mbi ta. Kujtonte Kujtim Hoxhën e Azbi Metën, që acari u mori jetën. Kujtonte përpjekjet e saj, me këmbë të përgjakura dhe shokët në krah për të plotësuar detyrën, kujtonte rrugën luftarake plot heroizëm të Brigadës, nga Përmeti deri në Mat. Kjo luftëtare e papërmbajtur, ishte shumë e thjeshtë dhe e respektuar si motër, me shokët partizanë, prandaj dhe e donin shumë.

Qeshte me gjithë shpirt kur i kujtohej episodi i Halim Xhelos me Qazim Mulletin. Episodi ishte ky: Kur posta e xhandarmërisë kuislinge në Tujan të Tiranës, ra në duart e partizanëve dhe Halimi ngriti receptorin e telefonit se po binte zilja, dëgjoi zërin e Qazim Mulletit, Prefekti kuisling i Tiranës, me histerizëm u jepte urdhra xhandarëve si të luftonin kundër partizanëve.

Halimi iu përgjigj, duke u tallur me të se në telefon po fliste me Halim Xhelon, komandant i batalionit të dytë të Brigadës V Sulmuese dhe shtoi, na prit se po vijmë në Tiranë. Qeshnim të gjithë bashkë, duke përfytyruar se në ç’situatë qesharake ishte katandisur prefekti tradhtar. Kur lexonin gazetën e Brigadës “Buçima”, Zonjës i pëlqente të komentonim artikujt e saj dhe thoshte: “Më e ëmbël është vdekja, se jeta në robëri!”

Më 22 korrik 1944, Brigada zhvilloi luftime të ashpra. Batalioni i katërt luftoi në Qafë Shkallë të Klosit (Mat) Në këto luftime me një trimëri të rrallë luftoi dhe ra Zonja Çurre, Heroinë e Popullit. Lajmi i rënies heroike të saj u përhap edhe në brigadat e tjera, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë partizanët që luftonin për çlirimin e Shqipërisë.

II

Lavdia e betejës së Pojskës, nderoi kombin me dëshmorët e saj

 

Më 16 korrik 2021, Pojska buzë kaltërsisë së Liqenit të Pogradecit, u përul në nderim të të rënëve në betejën e përgjakshme të 16 korrikut 1943. Sot jemi 78 vite larg nga ajo ditë, dhe shumë gjëra janë ndryshe. Liqeni i qetë në kaltërsinë e tij, nuk vozitet nga mjetet luftarake pushtuese, por mbi të vozitin barka pushuesish që shijojnë të qetë pushimet nën rrezet e diellit të lirë. Kodrat e pa ndryshuara dhe lëndina përballë tij, me krenari legjitime ruajnë në brendësi, krismat dhe gjakun e lirisë, të dhjetë Dëshmorëve të Atdheut, që u shuan të zhuritur shumë pranë liqenit…

Në memorialin kushtuar kësaj beteje, nderojnë kombin emrat Reshit Çollaku Hero i Popullit, komandant i Batalionit të Mokrës, Siri Kodra, zëvendës komandant i Batalionit të Dumresë, Spiro Gjiknuri, zëvendës komisar politik i Batalionit të Dumresë, Ptoleme Xhuvani, kuadër politik dhe anëtar i Qarkorit të Partisë Elbasan, Isuf Leka efektiv i Çetës së Shpatit të Parë të Batalionit të Dumresë, Ali Arapi, elbasanasi efektiv i Çetës Partizane të Bërzeshtës, krah të cilëve qëndrojnë Petrit Blloshmi, Koli Gusho, partizan i Batalionit të Mokrës, Arif Kuka, Dilo Nezha.

Në nderim të kësaj date të shenjtë të heroizmit shqiptar, ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë Pogradec z. Ilir Xhakolli, përfaqësues të Qarkut Korçë, Kryetari i OFDA, dega Pogradec, Thanas Kokoneshi, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të Pogradecit, Bedri Mokreri, familjarë të dëshmorëve, dhe banorë të ndryshëm të kësaj treve. Nga Elbasani, në përkujtim të betejës së lavdishme të Pojskës, dhe në nderim të të rënëve në këtë betejë, ishin të pranishëm Kryetarja e OFDA, dega Elbasan, Xhuljeta Graceni, nënkryetari Bardhul Toda, sekretarja Rolanda Suli dhe Burbuqe Vërçani, Kryetari i Shoqatës së “Oficerëve në Lirim” për qarkun e Elbasanit dhe Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Shpati”, Gani Hida, nënkryetari i Komitetit të Veteranëve të Elbasanit, Spiro Bushi, sekretari i këtij komiteti Shyqyri Sina, si dhe anëtarë të organizatave respektive nga Pogradeci dhe Elbasani.

Nën një organizim të shkëlqyer të ceremonisë, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë, në bashkëpunim me OFDA dhe KV, u vendosën kurora në obeliskun që nderon jetët e të rënëve për Atdhe. Një kurorë e posaçme ishte edhe për OFDA dega Elbasan, të cilën e vendosën kryetarja Xhuljeta Graceni me nënkryetarin Bardhul Toda.

Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i OFDA, dega Pogradec, Thanas Kokoneshi. Në emër të Komitetit të Veteranëve të Pogradecit, foli Kryetari Bedri Mokreri, i cili theksoi vlerën e LANÇ-it dhe detyrimin për mbrojtjen e kësaj vlere historike kombëtare, duke vijuar me falenderime të veçanta për OFDA dega Elbasan, si besnike e nderimit të vazhdueshëm të betejës së Pojskës ndërsa në emër të OFDA dega Elbasan, foli Bardhul Toda.

Pas ceremonisë mbresëlënëse, Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli, i ftoi të gjithë të pranishmit në një organizim mikpritës dhe shlodhës.

Si çdo herë, edhe sot, mikpritja, bujaria dhe zemërgjerësia e Pogradecit, ruajti vlerat e thella të trashëgimisë së këtij qyteti, që për Elbasanin dhe çdo vend tjetër, është një portë që nuk mbyllet kurrë.

Lavdia dhe nderimi i të rënëve, fisnikërohet me aureolën e mikpritjes pogradecare, ndërsa të gjithë bashkë themi, Lavdi Dëshmorëve të Pojskës, Lavdi Dëshmorëve të LANÇ, Lavdi gjithë Dëshmorëve të Atdheut!