Bashkitë pa kryetarë: 1 i arrestuar, 3 ikën nga dekriminalizmi, 2 u dorëhoqën, 1 humbi jetën

251
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një tjetër bashki mbetet pa kryetar. Pas arrestimit të Fatos Tushes dje nga SPAK, Bashkia e Lushnjes bëhet e gjashta, që nuk do të drejtohet nga kryetari i zgjedhur në votimet e njëanshme të 30 Qershorit të vitit 2019. Përveç Shkodrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës, dhe Dibrës, këtë të martë nuk mundi të qëndrojë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, të cilit iu vendosën prangat, në bazë të një urdhër- arresti të firmosur nga prokurorët e SPAK. Por, i pari që u largua ishte Valdrin Pjetri, i cili në gusht të vitit 2019, nuk e mori drejtimin e Bashkisë së Shkodrës, për shkak se u dogj nga ligji i dekriminalizimit. Për pasojë, kryebashkiakja demokrate Voltana Ademi, vazhdon të drejtojë kryeqendrën e veriut.

Më pas, radhën e kishte Bashkia e Vorës, ku Agim Kajmaku, nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh. Për ish -kreun e Bashkisë së Vorës, u ngritën dyshime se e përdori detyrën e tij, edhe pasi u shkarkua nga KQZ- ja. Aktualisht, çështja ndaj Kajmakut është në gjykim, ndërkohë Bashkinë e Vorës e drejton Gentian Picari. Vetëm pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, kryebashkiakja socialiste e Durrësit, Valbona Sako dha dorëheqjen. Fillimisht, drejtimin e Bashkisë së Durrësit e mori Zhuljen Varfaj, i cili u zëvendësua nga ish nënkryetarja Emiriana Sako. Dionis Imeraj dha dorëheqjen nga posti i kryetarit në Bashkinë e Dibrës, për shkak të kandidimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, aktualisht Bashkia e Dibrës drejtohet nga Kryetari në Detyrë, Shkëlqim Murrja.

Në shkurt të vitit 2020, kryebashkiaku i Bashkisë së Rrogozhinës, Haxhi Memolla, u nda nga jeta si pasojë e një ataku kardiak në Qytetin e Dibrës, ku ishte duke ndjekur një ndeshje futbolli. Kjo Bashki tani drejtohet nga Edison Memolla. Edhe pse KQZ vendosi që të lërë në krye të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismaliaj, PD e ka ankimuar këtë vendim, duke argumentuar se Ismailaj nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënimin penal që ka marrë në shtetin grek. Gjatë këtyre viteve PD ka akuzuar edhe kryebashkiakun socialist të Bulqizës, Krujës, Peqinit, Vaut të Dejës, Matit, Fushë Arrëzit, Shijakut, Krujës, Tepelenës dhe Kavajës, si persona që janë pa integritet dhe të përfshirë në korrupsion.