Gëzim Llojdia: Pse ruheshin vilat e udhëheqjes në Ujë të Ftohtë?

169
Sigal

1.Gazetari i “Mediterane” një revistë periodike me rreth 300 faqe, që botohej në frëngjisht në atdheun e gjuhës frënge dhe që merrte udhë shtrirje për në shumë vende, që lageshin nga deti i Mesdheut erdhi në Shqipëri. Kishte mbërritur në Durrës me një katamaran të vjetëruar. Zbriti në jug për të ecur shtegtar sipas këtij itinerari : Durrës-Vlorë-Korfuz-Pire-Kajro. Në hartë kishte shënjuar piketa të tjera në vendet e gjirit, që lageshin nga ky det, ose mund të binin rreth e qark detit të Mesdheut tonë. Ishte flokë gjatë dhe më ngjasoi me ata italianë jugorë kryesisht siçilianë. Më dha një numër të revistës “Mediterane”. Kur të shkruante raportin për jugun e vendit tonë, ndërkaq ai të bëhej i lexueshëm ndër faqet plot shkëlqim të revistës. do të më dërgonte disa numra të “Mediterane”. Në fakt ai mbajti fjalën, mirëpo djegia kishte hyrë një ditë të martë dhe një vit të mbrapshtë në vendin tonë, ishte ’97, bëri që revistat të humbisnin diku nëpër duart e kontrollorëve, të cilat kanë mbështjell bukën apo ca fishekë me fletët e saj.
Kërkoi të shihte vilat e liderëve të regjimit në kodrën e Ujit të Ftohtë. Kërkesa e tij më gjeti pak gafil. Zeshkani frëng bëri pyetjen:-Përse? A nuk është e mundur? …Vila e liderit kryesor të regjimit gjendet edhe sot, ka ndryshuar vetëm destinacioni. Sapo del nga tuneli i Ujit të Ftohtë. Nuk ka tabela as mbishkrime. Majtas sërish prapë majtas. Vila hijerëndë. Me 3 kate ndërtim, një baxha madhështore. Rruga vjen nga pas për te porta e hyrjes. Kjo ndërtesë nga vitet ‘2000 ju vë në shërbim të antitrafikut. Ajo ruhej siç kishte funksionuar në kohë të saj. Pritëm deri sa erdhi urdhri dhe ushtari hapi portën e madhe. -Këtu nën këtë portë ka kaluar ai,- tha shoferi. Frëngu pyeti:- çfarë? Përpara vila tre kate kishte një pyll me lule kacavjerrëse. -E pyetëm frëngun: Si ju duket? -Për ne asgjë e re, kështu kemi plot në Francë. Për ju tepër e shtrenjtë. Erdhi ndërkaq edhe drejtori i vilave. Ai na udhëhoqi nëpër strehën ku kalonte pushimet familja dhe vetë lideri komunist. Vila më shumë frekuentohej prej fëmijëve dhe më pak nga lideri,- tha ai.

2.

Vitet e fundit, lideri nuk veronte në vilën buzë detit, por në Pogradec. Vila kishte ashensor. Zbritëm në katin e poshtëm. Ishte një sallë e madhe, sa hapësira e vilës. Tejpërtej saj përshtypja dhe shpjegimi, kjo ishte sallë lojërash, pra një ambient kaq i madh ishte ndërtuar për të argëtuar. Kishte kosha basketbolli, një rrjetë volejbolli dhe një banak me pije, që thante etjet e të zotërve të shtëpisë pas çdo loje. Pastaj kaluam në kuzhinën e vilës. Në katin e sipërm kishte shumë dhoma për personelin. Kati sipër përmbante dy dhoma kryesore. …Dhoma e liderit ishte në anën e perëndimit dhe dhoma e Nexhmijes binte nga ana e malit të Shashicës. Përmasat e dhomave ishin pothuajse njësoj. Ajo, që të binte në sy ishte se dhoma mund të ishte rreth 30-m. Krevati në fund të saj dukej fare i vogël. Në kokë të krevatit ishte një radio. Pranë dhomës së gjumit ishte një paradhomë tjetër e cila siç më shpjegoi drejtuesi i vilave shërbente për mjekun personal. Me rëndimin e shëndetit, ai vuante nga sëmundja e diabetit, mjeku personal rrinte në dhomën ngjitur, për çdo të papritur. Dhomat i ndante një korridor i madh. Edhe dhoma e Nexhmijes kishte ato përmasa si dhe atë mobilim. Po ta krahasoje më kohën kur shumica e shqiptarëve nuk kishin strehim ose jetonin nëpër banesa 1+1, parafabrikate disa çifte brenda mureve të ngushta përbënte luks. Drejtuesi i vilave, tha se pajisjet për këtë vilë ishin porositur në shtetin italian, ndërsa kishin mbërritur me vapor. Rreth 60 milion lekë me kursin e asaj kohe ishin shpenzuar për të blerë komfortin e vilës. Në katin e dytë ishte një lloj pishe, që nuk rritej as nuk thahej, por qëndronte përherë e gjelbër. Kisha lexuar një libër, që shoqëruesi personal i liderit një fare Sulo.G kishte botuar në kohë të regjimit të tij. Në libër bëhej fjalë për ndërtimin e një tubacioni dhe të një pishine për të sjellë ujët e detit sipër në atë kodër për në pishinën e vilës. Kishte vite, që ai nuk shkonte më tek deti, ndërsa freskohej në ujët e pishinës. Pishina ishte në një gjendje vajtuese e boshatisur krejtësisht. Kishte vite, që nuk përdorej më. Kurrë si lanë të qetë njerëzit në hamendjet e tyre përse nuk përdorej. Kishte zënë ndryshk. Lule në oborrin e pasmë përbënin një oaz të parfumosur me aromën e tyre. Ishin dekoracion i rrallë. Ato ishin në ngjyrime të theksuar të kuqen. Vila ishte ndërtuar në atë kodër të bregdetit, për kohën e pushimeve. Këtu lideri komunist ka kaluar një pjesë të kohës, por siç përmendi drejtuesi i vilave nga bisedat, që ai kishte mësuar nga punonjësit e shërbimit se lideri komunist nuk vinte më vitet e fundit të jetës në vilën verore të Ujit të Ftohtë.

Do ta përdornin fëmijët, nipër, stërnipër…

Janë dallgë të atij deti mendimet e mia, që godisnin brigjet dëshmitare. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën suprinën e ujit. Po sikur… por u gremis regjimi dhe s’ka sikur…
Në të vërtetë, pa bërë hasha do ta themi, atë që pashë fare mire. Një rrugë që zbret drejt e në det aty tek tuneli, pa u parë nga njerëzit jashtë mureve të vilave. Po tua thuash vlonjaëeve të rinj ngrenë supet. Përndryshe më të vjetrit e ruajnë në kujtesë kohën kur vendi ishte i parrethuar. Ajo është reale, sepse është në natyrë atje gjendet tek bregu i detit, përmbi tunel ose anash tij më ngjan. Këtë e kanë parë ose e dinë vetëm ata, që kanë hyrë brenda këtij territori. Vilat që qeveritarët ndërtuan në Ujët e Ftohtë treguan etjen e tyre për privilegje dhe kushte komforti kur popullsia e vendit jetonte në kushte të vështira strehimi, sidomos në vitet ‘80, strehimi mbetej problemi kryesor aq sa të paktën në vitin ‘92 vetëm Vlora trashëgoi mbi 2000 apo 3000 të pastrehë. Vilat e qeveritarëve të kohës së regjimit u bënë shpesh shkak edhe për anekdota. Kur vinte xhaxhi, kështu e quanin ata liderin komunist nën zë, u siguronte stacionet e RAI-it në kohë të hapjes së përforcuesit të vilave. Kur një grup turistësh të huaj mbërritën në atë pjesë të qytetit në vitet e regjimit, sekretarja e komitetit u tregoi me dorë të filmonin duke treguar vilat. I xhiruan në celuloid. Pamjet e xhiruara nuk u shfaqën askund. Kishte ndodhur një e fshehtë e pathënë. Filmat u dogjën nga agjentët e sigurimit në makinat e tyre.

3.

Në një pamje që të zë syri shfaqen 3 kate, të cilat në pjesën e përparme kanë verandë me pamje nga deti. Ka pemë të mëdha, shkurre zbukurimi kryesisht lule kacavjerrëse, të cilat formonin tunele lulerie, ka një hapësirë dhe fushëpamje të pa imagjinatë. Është e ndërtuar në kodër dhe zapton disa qindra metra tokë. Vila e liderit komunist shërbeu për një periudhë 50 vjet si vilë e shërbimeve qeveritare, ndërsa u transformua pas viteve 2000 në qendrën antitrafik. Në këtë zonë gjenden edhe vilat e ish-anëtarëve të Byrosë Politike. …Vila e ish-kryeministrit të vrarë Mehmet Shehu është një ndërtim përrallor. Gjendet fare pranë detit. Kati i parë thuajse ka cekur detin. Të dy katet e tjera dëgjojnë shpesh dallgët, që zhurmojnë në ditët e rrebesheve. …Ka një ndërtim tjetër pak më të spostuar. 3 kate për nga forma dhe arkitektura ndërtimi është më i plotë. Vilat e tjera, që gjenden në grumbullin “Vilat e Ujit të Ftohtë” janë me një arkitekturë të veçantë. Mënyra e shqyrtimit për ndërtimin e bllokut të vilave në Ujët e Ftohtë, në kohën e regjimit ishte konceptuar për t’i krijuar kushte udhëheqjes së partisë, në një ndër vendet më të lakmuara në bregdetin jugor. Pra të pastronin ndërgjegjen nga zhaurimat. Kishte kontrolle, tabela, policë për zhurmat e natës në kuvendimet e tyre, kur grisej errësira pyesnin: Çfarë kanë, që rrokanisen ashtu? Shumë prej anëtarëve të byrosë politike të atij regjimi pas shfaqjes së tradhtarëve në çdo plenum ose vit rreziku për partinë janë larguar duke u ngurosur ose nëpër kampe burgimi ose në nëntokën e ftohtë. Njeri prej tyre ishte edhe ish-kryeministri i regjimit Mehmet Shehu, luftëtar në Spanjë, dora e fortë e regjimit, i njohur për vrasjet të kryera gjatë luftës pa gjyq, kundër nacionalistëve. Vila, që u ndërtua për ish-kryeministrin ka një pozicion dhe ndërtim, që e kqyrur në çdo pozicion përbënte një atraksion në bregdetin jugor.

4.

Qazim Koculit, kur përfundoi lufta e Vlorës ju dhurua një vilë në majë të kodrës së Ujit të Ftohtë, e cila iu konfiksua nga rregjimi komunist. Vila e Qazimit e ka fytyrën nga deti. 50 vjet ajo ka qenë e përfshirë në bllokun e shërbimeve qeveritare, që u shërbente funksionarëve shtetërorë të regjimit. Përmendjen për vilën e Qazim Koculit e sjell në kujtimet e tij Eqrem bej Vlora. Vila e Qazim Koculit, një nga personazhet kryesore të kohës së luftës së Vlorës, i ishte dhuruar atij nga qeveria e kohës për kontributin në Luftën e Vlorës, si një nga drejtuesit e saj. Qazim Koculi (1887 – 2 janar 1943) ishte një politikan shqiptar në fillim të shekullit 20-të dhe një ditë të ngarkuar kryeministrin e Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu udhëheqës i shquar ushtarak, duke fituar Luftën e Vlorës në vitin 1920, si komandant kryesor ushtarak të forcave shqiptare.