Laureta Petoshati: Profesor Spiro Çaushi një kampion në mësimdhënie, plot 57 vite

293
Sigal

Pas pak kohësh gjimnazi famëmadh “Ali Demi” i Vlorës do të mbushë 75 vjetorin e hapjes së tij. Është një gjimnaz, i cili për nga cilësia ka ndikuar fuqishëm në përgatitjen e brezave të ardhshëm, në aftësinë e tyre për të menduar, për t’u zhvilluar, evoluar dhe ndryshuar dhe për pasojë këto breza të jenë gurë themeli në transformimin e qytetit dhe të vendit dhe jo vetëm. Në panoramën e shkollave të mesme në Vlorë, gjimnazi “Ali Demi”, si shkollë e përgjithëshme ka një mozaik të spikatur të kuadrove që ka nxjerrë. Një prej tyre është dhe Profesor Spiro Çaushi, i cili duket se rrugën e vështirë të jetës e ka përballuar dhe nga zgjedhja fillestare e tij për të qenë nxënës i këtij gjimnazi, që edhe sot e kësaj ditë nga kërkesa e llogarisë dhe puna e palodhur e arsimtarëve të saj, mbahet një nga më të vështirët, por dhe më të mirët në qytet dhe në Shqipëri. Po kush është Profesor Spiro Çaushi?

Profesor Spiro Çaushi ka lindur në Vlorë në lagjen “Muradie” më 24 janar 1944 në një familje qytetare të shtresës së mesme dhe prej dy brezash në këtë qytet. Babai i tij Kosta, u diplomua farmacist në Athinë. Edhe pse gjatë luftës ishte i lidhur ngushtë me lëvizjen Nacionalçlirimtare, pas luftës u arrestua dhe u torturua egërsisht deri sa u invalidizua dhe u trajtua për 15 vjet rresht në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Mbas vdekjes është shpallur “I përndjekur i grupit A”. Nëna Viktori i përkiste një familjeje tregtare dhe patriote, që vuajti persekutimin më të padrejtë nga regjimi totalitar. Në të vërtetë të gjithë qytetarët e ndershëm, që njihnin familjen Çaushi i kanë respektuar dhe falë qëndrimit dinjitoz të të gjithë familjes, profesor Spiro në shkollë është trajtuar nga të gjithë mësuesit me dashamirësi. Kjo gjë e inkurajoi të studiojë dhe të ishte ndër nxënësit më të mirë si në shkollën shtatëvjeçare të Muradijes, e cila ishte dhe një nga shkollat e para të shqipes në Vlorë, por gjithashtu edhe në gjimnazin “Ali Demi” ku mbaroi me rezultatin shkëlqyshëm në vitin 1961. Profesor Spiro Çaushin moshatarët e vetë në atë kohë, e kujtojnë edhe si volejbollistin e “Flamurtarit” të atyre viteve.

Të njëjtën ecuri me studimet dhe sportin e vazhdoi dhe në Universitetin e Tiranës në degën e Fizikës ku u diplomua me vlerësimin “Shkëqyeshëm” në vitin 1965. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera dhe sjelljes po ashtu të shkëlqyer si student, ai u emërua pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, por që pas një viti u transferua në Vlorë si pasojë e problemeve në biografi dhe rritjes së presionit të luftës së klasave. Pavarësisht nga sa më sipër, ai vazhdoi punën si mësues i fizikës në Shkollen Pedagogjike e më vonë në atë të mesme mjekësore “Jani Minga” nga viti 1966 deri 1970. Pas kësaj periudhe, Profesor Spirua u emërua pedagog ne Filialin e Universitetit të Tiranës në Vlorë, ku ishte lektor deri në vitin 1975.

Me mbylljen e degës së fizikës u emërua mësues në gjimnazin “Ali Demi” ku dha mësim lëndën e Fizikës dhe Dituri Makine deri në vitin 1988. Kjo është periudha që Profesor Spirua u bë i njohur, jo vetëm në Vlorë (ku ishin të rralla familjet, që s‘kishin pasur një fëmijë nxënës të tij dhe e njohën nga afër përkushtimin e tij, si përsa i përket shkencës, ashtu dhe punës pedagogjike), por edhe jashtë saj duke nxjerrë për vite me radhë disa fitues në Olimpiadat e Fizikës në rang kombëtar.

Në vitin 1986 mbrojti doktoraturën, falë së cilës, në vitin 1988 u emërua Drejtor i Kabinetit Pedagogjik të Vlorës, që pas vitit 1991 u organizua në Drejtorinë Arsimore ku Profesor Spiro Cacushi, vazhdoi deri në vitin 1994 si drejtues i atij institucioni.

Gjatë gjithë kësaj periudhe të pas diplomimit, Profesor Spiro Çaushi ka qenë anëtar i grupit të hartimit të teksteve të fizikës pranë Ministrisë së Arsimit si autor dhe bashkautor i më shumë se dhjetra teksteve të fizikës për shkollat e mesme, si dhe ka shkruar e botuar mjaft artikuj shkencorë, por gjithashtu ka marrë pjesë aktive në mjaft konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 1994, u emërua nënkryetar i grupit për ngritjen e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe prej fillimit të tij, në tetor 1994, ai u emërua zv/Rektor, detyrë, të cilën e mbajti për 14 vjet rresht duke treguar gjithë përkushtimin e tij për Akademizimin në qytetin e tij të dashur. Për veprimtarinë e gjerë kërkimore shkencore në fushën e mësimdhënies, në vitin 1995 mori titullin “Profesor”, që ishte i pari për një qytet arsimdashës si Vlora. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Profesori u mundua që të japë gjithë përvojën e vet shumëvjeçare për zgjerimin dhe konsolidimin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Pas daljes në pension në vitin 2012, Pr. Spiro Çaushi ka vazhduar aktivitetin e tij pedagogjik dhe akademik si Zv. Rektor dhe aktualisht Rektor pranë Kolegjit Universitar “REALD”.

Në suksesin profesional që ka arritur, Pr. Spiro Çaushi ka pasur në vazhdimësi mbështetjen e gjithë familjes së tij e në veçanti të bashkëshortes së tij Lefteri Panajoti – Çaushi,( e bija e poliglotit dhe mësuesit patriot Harrilla Panajoti nga Himara), e cila ishte një farmaciste e nderuar në të gjithë qytetin e Vlorës. Por Pr. Spiro Çaushi ka pasur gjatë gjithë jetës, gjithashtu dhe dashurinë dhe mbështetjen edhe të motrës së tij Margarita Çaushi – Gjino, e cila ishte gjithashtu një mësuese e talentuar e fizikës në gjimanzin “Sami Frashëri“ të Tiranës, por dhe të të dy fëmijëve të tij mjekë Eri dhe Fatmir Çaushi, përkatësisht vajza farmaciste dhe djali kirurg. I përmenda të gjithë këta njerëz të afërt të Pr. Spiro Çaushit, sepse m’u kujtua një shprehje e Pr. Maria Montessori, e cila thotës se “Nga të gjitha gjërat, dashuria është më e fuqishmja.” Pikërisht dashuria për njeriun, punën, shkollimin, qytetin dhe njerëzit e tij, ka bërë që Pr. Spiro Çaushi të mos heqë dorë nga mësimdhënia. Ai nuk do që ta shkëpusë atë raport dashurie mësues-nxënës, prind-fëmijë, qytet –qytetar.

Ky është viti i 57-të në arsim i Pr. Spiro Çaushit, që përbën një rekord në historikun e arsimit të Vlorës, që përkon edhe me 75 vjetorin e gjimnazit “Ali Demi”, vendin ku djemtë dhe vajzat e Vlorës u mirë-arsimuan dhe ai kontribuoi në vitet më të famshme të këtij gjimnazi, ku si pasojë e traditës dhe seriozitetit vazhdon të mbetet një emblemë e qytetit. Dhe në vazhdën e mirënjohjes, si publiciste dhe qytetare vlonjate, me këtë shkrim shpreh dëshirën dhe kërkesën time ndaj Këshillit Bashkiak të Vlorës, Institucionit të Bashkisë dhe Kryetarit të saj Dritan Leli, që Pr. Spiro Çaushi të shpallet ‘Qytetar Nderi i Vlorës’, sepse nxënësit dhe Vlora ia kanë dhënë këtë titull shpirtërisht, por ju duhet t’ia akordoni zyrtarisht.