Flet, “Mjeshtre e Madhe”, Irini Qirjako: Kënga polifonike, më rriti, më dha jetë

308
Sigal

 

  • Si iu nënshtrova testimit përpara artistëve të mëdhenj Çesk Zadeja, Avni Mula, Gaqo Çako, Xhemal Laçi, Agim Krajka e Panajot Kanaçi
  • -Nuk harroj ndihmën e Vaçe Zelës, Fitnete Rexhës, Ibrahim Tukiçit, etj
  • – Në vitin 1981 në Festivalin e Dizhonit, sapo do të fillonim shfaqjen policia thotë
  • “largohuni se kanë vendosur bombë në sallë” ne s’u larguam

Fadil Shehu

Në art, sport dhe në çdo sektor të jetës politike, shoqërore e ekonomike, arritjet sigurohen kur përzgjidhen njerëzit e duhur. Një mesazh të tillë e pohon gjatë kësaj interviste, këngëtarja e njohur e këngës popullore, “Mjeshtre e Madhe”, Irini Qirjako. Duke shtuar më tej se në skenë duhet të ngjiten të talentuarit dhe artistët e vërtetë.“Ndaj, duke patur parasysh thënien e Henrik Hajnes, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të siguruar në vijueshmëri artistin cilësor. Ne kemi shumë talente, të cilëve duhet t’i hapim rrugën e skenës”, vlerëson gjithashtu ajo…

-Tashmë pandemia sikur po i ccliron njerëëzit. Ka ardhur koha që artistët të marrin frymë lirisht?

E pabesueshme ccfarë kemi kaluar. Dy vjet mbyllje. A mund të mbyllet artisti? A mund të perceptohet artsti larg skenës, shesheve, spektakleve, festivaleve? Jo! Ndoshta këta dy vjet tashmë do t’i harrojmë shumë shpejt.

-Çfarë ju kujton shpesh Dhimitrulla, nëna juaj, e cila së bashku me vitet e fëmijërisë suaj, përkundte ëndrrat tuaja, për t’u bërë artiste?

-Pasi përfundova liceun artistik “Jordan Misja”, konkurrova dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Babai, për arsye ekonomike, hezitonte. Ishte këmbëngulja e nënës sime, Dhimitrulla që unë të vazhdoja shkollën, nga ku u krijua edhe mundësia për t’u bërë këngëtare. Kjo grua e fortë, e zgjuar, fjalëpakë dhe e rreptë për gabimet që bënim ne gjashtë fëmijët e saj, hezitimit të babait iu përgjigj: “Vajza e fitoi vetë shkollën dhe ne nuk duhet ta pengojmë në të drejtën që e meritoi me konkurs. Do të punoj po qe nevoja edhe në zetor, ngarkim-shkarkim me burrat, që Irini të shkojë patjetër në shkollë”. Dhe ashtu ndodhi. I përulem përjetësisht me dashuri nënës sime të shtrenjtë.

-E mendonit se në moshën e rinisë do të bëheshit këngëtare e famshme?

-Kam kënduar vazhdimisht në vitet e fëmijërisë dhe rinisë. Jam vlerësuar, por nuk e kam menduar se një ditë do të bëhesha kjo këngëtare që jam sot. Unë do këndoj gjithnjë, për aq kohë sa do të më përkëdhelin duartrokitjet e spektatorit.

-Përse pas përfundimit të Institutit të Lartë të Arteve, pozicioni juaj si këngëtare u diskutua jo pak nga mjeshtrit e muzikës shqiptare?

-Në prill të vitit 1979, pas përfundimit të këtij Instituti, fillova punën si këngëtare pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore. Pranimi në këtë institucion u bë pasi iu nënshtrova testimit përpara komisionit të përbërë nga artistët e mëdhenj Çesk Zadeja, Avni Mula, Gaqo Çako, Xhemal Laçi, Agim Krajka e Panajot Kanaçi. Në këtë testim u paraqita me këngën polifonike “Këngët e Atdheut tim”. Ishte ky komisioni që më tha: “Nuk do të shkosh në Opera, por në Ansambël”. Pra, kjo këngë, të cilën e këndova pas disa ditësh, për herë të parë në një koncert në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, përcaktoi vendin tim në Ansambël, ndërsa vitet vërtetuan vendimin e drejtë të komisionit.

-Në këtë ansambël kanë kënduar “Nderi i Kombit” Vaçe Zela, “Artist i popullit” Fitnete Rexha, Ramis Kovaçi, Naile Hoxha, “Artist i Merituar”, Xhevdet Hafizi, Zeliha Sina. Sa ka ndikuar prania e tyre në formimin tuaj artistik?

-Gjatë periudhës që kam qenë në grupin vokal të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, kanë kënduar artistët e mëdhenj Vaçe Zela, “Nderi i Kombit”dhe “Artist i Popullit ” Fitnete Rexha, Ibrahim Tukiçi, Naile Hoxha, Sali Brari, Xhevdet Hafizi, Hysni Zela, Garentina Gjoka, Zeliha Sina, Valdete Hoxha, Fiqerete Kapaj, Sabahete Vishnja. Në këtë institucion kanë punuar personalitete të muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi, Agim Krajka, Xhemal Laçi, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Haxhi Dalipi, Besim Petrela, Besim Jazexhiu. Ky potencial artistik i bashkuar me shtrirjen e këngës popullore në tematikë dhe gjeografinë e saj, për mua ka qenë një shkollë e madhe në drejtim të formimit tim si këngëtare profesioniste e këngës popullore.

-Flitet se në një koncert të ansamblit tonë të këngëve dhe valleve popullore, në mrekullinë Shans-Elize në Paris, në momentin kur do të niste koncerti, vjen policia dhe ju thotë “largohuni, sepse kanë vendosur bombë”. Juve jo vetëm që nuk u larguat, por madje shfaqët koncertin deri në fund. Është e vërtetë?

-Ishte hera e dytë që dilja jashtë vendit, pas turneut në Turqi në vitin 1979. Në vitin 1981 morëm pjesë në Festivalin Ndërkombëtarë në Dizhon, duke u shoqëruar me shumë duartrokitje gjatë koncertit. Franca më magjepsi. Të nesërmen na ftuan për të dhënë shfaqje në Shans-Elize. Salla ishte mbushur plot dhe në momentin që do të fillonim shfaqjen vjen policia dhe thotë “largohuni se kanë vendosur bombë në sallë”. Kuptohet se këto ishin momente të tensionuara, por trupa nuk u përfshi nga paniku. Drejtuesit dhe ne të gjithë, ishim të vendosur për të vazhduar shfaqjen. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm.

-Çfarë cilësish duhet të zotërojë një këngëtare si ju, që kënga të arrijë të përcillet emocionalisht, e besueshme, të jetojë gjatë tek publiku?

-Kënga me të gjithë komponentët e saj si vokali, melodia e teksti poetik, ka aftësi të fuqishme depërtuese tek dëgjuesi. Me të përcillen mesazhe të ndryshme, duke ndikuar në botën shpirtërore të tij. Ndaj, duke patur parasysh këtë aftësi të këngës, unë si çdo artist që jeton me rolin, personazhin, skicën, portretin apo peizazhin dhe unë jetoj me këngën, duke e bërë atë pjesë të shpirtit tim, nëpërmjet interpretimit emocional dhe harmonizimit muzikë-vokal.

-Çfarë arome kanë këngët që interpreton Irini Qirjako?

-Këngët që unë interpretoj janë të larmishme, lirike, epike. Shpeshherë ato kanë dhimbje, gëzim, dashuri dhe luftë, pra gjithçka jetësore që artisti popull ndjen e përcjell me këngë. Ndërsa nga shtrirja gjeografike ato janë kryesisht të Shqipërisë së Jugut, por pa munguar ato të trevave të tjera. U bëra e njohur veçanërisht për interpretimin e këngës polifonike, të kësaj perle shqiptare, e cila qëndron brenda shpirtit tim. E adhuroj këngën polifonike jo vetëm për muzikalitetin e veçantë të saj, por edhe për vlerat unikale që ajo mbart.

-Po aroma e dashurisë, sa zgjat në këngët tuaja?

-Këngët e dashurisë dhe ato të dasmës zënë një vend të veçantë në repertorin e çdo këngëtari. Këto këngë shoqërojnë të gjitha festat familjare e shoqërore si ditëlindje, dasma dhe gëzime të ndryshme. Do të veçoja këngët “Perëndeshë e bukurisë”, “Vajzën lule”, “Vito pëllumbeshë”, “Bejkë e Bardhë”, “Leshverdha”, “Lozonjarja”, “Lastare flokë përdredhur”, “Gushëbardhë si dëbora”, “Çobani që nuk donte dhëntë’, “Do të loz me miken”, etj. Bashkë me ato, vjen aroma e luleve të pranverës, flladi i mëngjesit e zjarri që vetë dashuria dhe dasma ndez.

-Mjaft prej këngëve tuaja mbartin autorësinë e teksteve të poetit “Nder i Kombit”, Lefter Çipa. Ku qëndron e veçanta e këtij binomi, i cili ka ofruar sukses të pa diskutueshëm?

-Mjaft nga tekstet e këngëve të përfshira në repertorin tim kanë si autor “Nder i Kombit”, Lefter Çipa. Kjo përzgjedhje nuk është kushtëzuar vetëm me emrin e tij si një ndër poetët popullor më të shquar shqiptar, por se ndjenjat, dëshirat e përjetimet të shprehura në vargje, janë të fuqishme, të qarta, të thjeshta, të shpirtndezura dhe lehtësisht për t’i kthyer në këngë. Pra, vetë teksti siguron sukses. Padyshim vargjet gjigante “Kënga jonë, këngë djepi/ flakërin si shpata/sa shumë jeta e deshi/e ëmbël si mjalta/këngët e atdheut tim/ janë ilaç, janë shërim”, apo “Nga kjo baltë e kësaj toke/Merr një grusht e shtrydhe fortë/Pika gjaku do kullojnë/luftën e madhe tregojnë”, mbajnë përherë ndezur shpirtin e këngëtarit për ta përcjellë fuqishëm tek publiku. Dashuria e madhe për këngën më motivon dhe më shumë kur interpretoj vargjet, pa të cilën nuk mund të rri dot “Sikur tërë bota të prishet/Rrafsh me detin të vithiset/Mua pa këngë s’më rrihet/Dhe brenda dheut ku flihet”. Ashtu sikundër poeti Lefter Çipa, nuk mund të rri dot pa thurur vargje, ashtu dhe unë, nuk mund të rri pa i interpretuar ato.

-Mendoni se midis këngëve polifonike perla, në bashkëpunimin tuaj, si “qershizë mbi tortë” qëndron kënga “Këngët e atdheut tim.?

-Nga repertori i këngëve polifonike do të veçoja këngën “Këngët e Atdheut tim” e të madhit Lefter Çipa. Kjo këngë e fuqishme dhe shumë e kërkuar, më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës time artistike, si brenda dhe jashtë vendit. Vlerësimin e kësaj kënge afro 40-vjeçare, e bën vetë populli, publiku mbarëshqiptar. Kjo këngë, duke sintetizuar të gjithë këngët e vendit tim e bëjnë atë, që midis këngëve polifonike të repertorit tim, të qëndrojë si “qershizë mbi tortë.”

-Çfarë do të thoshit për kompozitorët e mirënjohur Aleksandër Peçi, Edmond Zhulali, të cilët dhe ata janë pjesë e suksesit, të gjerdanit të artë të këngëve tuaja?

-Pjesë të suksesit tim në këngë, natyrisht është edhe merita e kompozitorëve, të cilët kanë bërë përpunimin dhe orkestrimin e tyre. Fillimisht, për këngët popullore kam punuar me kompozitorët e njohur Shpëtim Saraçi e Alfred Kaçinari. Por pjesa më e madhe e këngëve të reja dhe ato të orkestruara, kanë si autor kompozitorin e talentuar Edmond Zhulali, i cili mbetet një njohës i mirëfilltë i muzikës popullore. Brenda natyrës së tij të qetë, qëndron forca shpërthyese e krijimit muzikor. Tek ky kompozitor vlerësoj dhe kërkesat që ka për tekstin. Së pari, nuk pranon kompozimin e këngës me tekst që nuk i përshtatet formimit të tij kulturor dhe së dyti, angazhohet për të bërë përmirësimet e duhura. Kurrësesi nuk mund të harroj bashkëpunimet e frytshme me kompozitorin e shquar Aleksandër Peçi, në filmat “Avni Rustemi” dhe “Dasma e Sakos” (1998) në veprën muzikore “Otranto 97” dhe në operën e parë bashkëkohore shqiptare “OIRAT” (Nëntor 2000). E vlerësoj këtë kompozitor si mjeshtrin e madh të zbërthimit muzikor të botës së brendëshme të njeriut, veçanërisht të dhimbjeve të mëdha. Po kështu, kam bashkëpunuar me kompozitorin dhe këngëtarin e madh, Avni Mula.

-Ç’do të thoshit për arkitektët dhe “banorët”e këtij ansambli, të cilët me mundin, djersën e talentin e tyre, ngritën në piedestalin e artit botëror, vlerat e artit shqiptar?

-Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore, që nga krijimi i tij në vitin 1957 në vazhdimësi ka rritur nivelin artistik në të gjithë komponentët që e përbëjnë, grupi i vokalit, i valleve dhe i orkestrës. Në këtë institucion qëndror, kanë punuar kolosët e muzikës, këngës e valleve shqiptare, Çesk Zadeja, Tish Daija, Panajot Kanaçi, Vaçe Zela, Besim Zekthi, Agim Krajka, Xhemal Laçi, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Besim Jazenxhiu, Haxhi Dalipi, Besim Petrela, këngëtarët Ibrahim Tukicci, Fitnete Rexha, Hysen Koçia, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Hysni Zela, Garentina Gjoka, Zeliha Sina, Valdete Hoxha, Fiqerete Kapaj, Sabahete Vishnja dhe valltaret Lili Cingu, Mediha Lubonja, Brikena Jaupaj dhe i famshmi, Rexhep Çeliku. Për fat të keq, pas viteve ’90 Ansambli nuk pati shkëlqimin e dikurshëm.

-Në një intervistë me gjeniun e skenës, Lazër Filipi, e pyeta “kur ndihesh më shumë i lodhur?”. Ai përgjigjet: “Sot po shohim se drita jeshile u afrohet jo shumë artistëve të talentuar dhe veprave që nuk shkon kush t’i shikojë. Me këtë rast, dua të citoj vërtetësinë e thënies së Hanrik Hajnes: “Kur heronjtë dalin nga skena, në të ngjiten palaçot”. A ju është dashur juve ta përballoni një situatë të tillë të padëshiruar?

-Në art, sport dhe në çdo sektor të jetës politike, shoqërore e ekonomike, arritjet sigurohen kur përzgjidhen njerëzit e duhur. Në skenë duhet të ngjiten të talentuarit dhe artistët e vërtetë. Ndaj, duke patur parasysh thënien e Henrik Hajnes, duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të siguruar në vijueshmëri artistin cilësor.

-Sa e vlerësoni bashkëpunimin me partnerët dhe kolegët tuaj?

-Bashkëpunimi midis kolegëve është shumë kontribues, në arritjen e suksesit. Me partnerët Hysni Zela dhe Fiqerete Kapaj janë realizuar këngë shumë të mirëpritura brenda e jashtë vendit. Fryt i këtij bashkëpunimi janë këngët e suksesshme “Lidhe qenin” me këngëtarin shkodran Ervin Bushati. Kënga “Nusja jonë Çamëri” me këngëtaren e Çamërisë, Enkejleda Arifi “Më jep një pikë ujë” me këngëtarin Ylli Baka “Llaj, llaj, llaj çoban”, me grupin Ali Pashë Tepelena “Të humbur dërgoni lajme”, ku Hysen Lala bashkëpunoi me mua, Vera Laçi, Dionis Delia dhe Hyso Xhaferaj “Dhëndër të bën motra”, Selim Paja.

-Këndoni këngë lirike, balada, kurbeti, por ju duket sikur keni me “tapi”, motive të këngëve polifonike. Përse e dashuroni kaq shumë këtë gjini?

-Kënga e bukur polifonike më rriti, më dha forcë. Kam qenë në shumë fshatra të Labërisë, kam qenë disa herë në festën e Kuçit, ku grupe të ndryshme familjare nën rrapet shekullorë, të shoqëruar me mishin e rakinë, ia marrin herë shtruar, here me zjarr këngës labe. Kënga polifonike shekullore ka jetuar dhe do të jetojë në breza. Ndaj duke e ndjerë si një detyrim të madh shpirtëror, krahas mundësimit të tetë videoklipeve dhe albume muzikore, përgatita tre albume me tridhjetë këngë polifonike.Natyrisht, kjo nuk është e mjaftueshme.