Flet ish i përndjekuri politik Skënder Haluci: Piktura e parë ka qenë në burgun e Burrelit, një portret fëmije

469
Sigal

-Në shkollën e mesme në Bajram Curr, kam pasur dy prirje, elektronikën dhe arkitekturën

-Piktura për mua është ushqim shpirtëror, më heq stresin

Gazeta Telegraf

Ka qenë i burgosur politik gjatë regjimit komunist i dënuar me pushkatim dhe pastaj, i është kthyer dënimi  me 25 vite burgim, nga Ramiz Alia. Që në fëmijëri ka qenë i pasionuar pas elektronikës dhe arkitekturës. Pikturonte që i vogël, por në burg iu përkushtua në fshehtësi këtij pasioni, ku ka bërë dhe pikturën e parë me laps.

-Z.Skënder, një prezantim shkurt, për lexuesin e “Telegraf”?

-Kam bërë  mbi 7 vjet burg tek burgu i Burrelit. Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, jam liruar dhe kam vazhduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, dhe në vitin 1995, jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë  me disa detyra. Nga viti 2011 deri në 2020, kam qenë gjyqtar dhe Kryetar i Gjykatës së rrethit gjyqësor Vlorë. deri në datën 5 mars 2020, në një proces totalisht të padrejtë, pas një beteje me rrugë ligjore me komisionin, do të shprehem më qartë, me mënyrën e shkarkimit tim nga detyra në mars të vitit 2020. Gjatë kësaj kohe prej 1 viti, jam marrë me punët e mia personale dhe familjare për të kaluar stresin, sepse goditja që më dhanë në mars të vitit 2020, shkaktoi pasoja të rënda në karakterin dhe në personalitetin tim. Kjo pasi ishte një proces totalisht i padrejtë me fakte dhe akuza të sajuara dhe të paqena. Për të larguar stresin që kisha meqë ishte dhe periudhë pandemie, fillova një kurs pikture pranë piktorit të mirënjohur Gëzim Tirana që të hyja në ëndrrën time të fëmijërisë. Pra piktura ishte pasion dhe ëndërr dhe mendoj se tani erdhi çasti t’i përkushtohem. Çdo gjë ka kohën e vet. Por pasioni është tjetër, ndërsa profesioni tjetër. Të arrij perfeksionin, duhej të punoja me një profesionist si Gëzim Tirana.

– Pra ju keni pasur më parë prirje për pikturë?

– Po!  Në shkollën e mesme në Bajram Curr, kam pasur dy prirje, elektronikën dhe arkitekturën. Meqenëse vija nga një familje që ishte dhunuar  politikisht, babai i dënuar dhe vdekur në burg, po ashtu dhe xhaxhallarët në sistemin monist nuk kisha mundësi shkolimi. Totalisht dënimi familjar në atë istem ishte  rreth 100 vjet burg gjatë gjithë regjimit nga viti 1948-1991.  Pra në fëmijëri kisha pasion, por në burg m’u dha disi mundësia. Me ato mundësi që kishim në kushtet e burgut bënim disa punë artistike, vizatime të vogla apo kuti artistike me përmasa të ndryshme me kartona.

– Pra, edhe në burg nuk ju linin të pikturonit?

– Jo! Punoja fshehurazi,pasi edhe mjete nuk kishim. Thjesht, punonim fshehurazi me kartona dhe me letra, ku sajonim disa gjëra artistike si kutia kartoni dhe piktura bardhë e zi. Kushte që sot askush nuk i mendon. Sot në burgje ka trajtim ku e ku, i pabesueshëm. Nuk ka krahasim, burgu sot me dje, si bardhë e zi.

– Kush ka qenë piktura juaj e parë?

– Ka qenë një fëmijë i vogël, që pikturonte në burgun e Burrelit me laps plumbi. Pothuajse  të gjithë burgun unë e kam vuajtur në burgun e Burrelit. Aty kam bërë disa kutia me forma dhe përmasa të ndryshme artisitike shumë të bukura. Te burgu i Burrelit kishte talente të ndryshme. Nuk nxirrje dot asgjë nga burgu i Burrelit. Pra nuk e di fatin e tyre… Atje ka qenë ajka e rezistencës shqiptare të kohës së regjimit komunist. Në burg ishin pothuajse 120 të dënuar politikë dhe nuk mund të takoheshin të gjithë me njëri-tjetrin. 10 vetë ishin në një dhomë që komunikonim.

– Mbas burgut, kur u morët me pikturën?

– Në kohën e pandemisë m’u rizgjua dashuria ime  për pikturën. Në kushtet e lëvizjes së kufizuar, subkoshienca më shtyu të kap penelin me dorë. Në shtëpi m’u ndez dëshira e vjetër dhe të mos rrija kot.

– Cila ka qenë piktura e parë në ‘rilindjen’ tuaj?

– Pikturat e para kanë qenë disa peizazhe. Mund të them se peizazhet më qetësojnë, më japin frymë, më japin atmosferë pozitive. Kanë një sëmbim që të japin vetbesim.

– Sa piktura ke bërë deri tani, në këtë kohë pandemie?

– Nga gjysma e shtatorit pretendoj që të hap një ekspozitë të vogël me 17-18 piktura. Rreth 5 i kam në dorë. Nuk janë pak, por dhe shumë jo. Kryesorja është që më nxisin të veproj, të ideoj, të meditoj dhe të mos rri në mefshtësi. Më gjallojnë jetën.

– Çfarë dominon tek piktura jote, portreti, peizazhi, kompozimi apo natyra e qetë?

– Në natyrën e qetë ndihem më komod por më pëlqen edhe peizazhi. Ka një kah tjetër të veprimit artistik. Kam edhe pak prirje për kompozime të rastësishme që lindin momentalisht. Kompozimi është si krijimtaria letrare, duhet t’i thërrasësh imagjinatës. Pra duhet të jesh shumë i kultivuar.

– Cilët nga piktorët botërorë të pëlqen më shumë?

– Kam lexuar dhe kam një numër të konsiderueshëm pikturash në banesë të cilët unë i kam nga piktorë të ndryshëm. Kujdesem shumë për to dhe i kam vendosur në korniza shumë të bukura. Më pëlqen shumë Van Gogu, nga të huajt. Ibrahim Kodra por edhe shumë vendas,  si ata tropojanë…

– Teknika juaj është në vaj, akuarel, apo në akrilik?

– Kryesisht vaj por edhe akrilikun e kam përdorur. Vaji të jep më shumë ngjyrën reale, nuancën e duhur, duket se e ngulit figurën. Në vaj piktura duket më e sigurt dhe më solide.

– Shikoj që ke tendencë edhe nga abstraksionizmi…?

-Aty shkarkoj stresin nga vettingu, por edhe stresin nga pandemia. Absrtakzionizmi, më jep më shumë imagjinatë.

          -Kush është ngjyra e preferuar?

-Unë preferoj të bardhën dhe blunë.

         -Kanë ndonjë domethënie tek ju këto ngjyra?

-E bardha për mua simbolizon çiltërsinë dhe sinqeritetin, bluja është ajo që zbut shikimin tim në ambient.

        -Mendoni se është bërë domosdoshmëri nga intelektualët shqiptarë mbajtja e një pikture origjinale në shtëpi, a është kthyer në kulturë kjo?

-Unë njoh shumë profesionistë pikturash, çdo familje për mendimin tim që ka një nivel të caktuar intelektual, duhet që të ketë  një pikturë origjinale, qoftë nga piktorë të huaj, apo edhe nga piktorë shqiptarë. Personalisht pëlqej piktorin Sali Shijaku… etj.

-Mendon se në Shqipëri po arrin një pikë që piktura do të kthehet e padiskutueshme në trend për çdo familje?

-Me kalimin e kohës dhe me rritjen e  mirëqenies  ekonomike do të vlerësohet edhe piktura.

-Ke menduar se mund ta kthesh në një profesion të dytë pikturën?

-Nuk e kam  ëndërr  si një profesion pikturën. Kjo është një shfryrje dufi apo stresi.

-Sa orë në ditë punon pikturë?

-Nuk punoj shumë, 2-3 orë.

-Çfarë ke në dorë, aktualisht?

-Kam ca peizazhe. Do vazhdoj të punoj me pikturën por jo me shumë vrull, se nuk e kam as për biznes dhe as për profesion, sepse jam pothuajse fillestar dhe nuk mendoj  që të shes piktura.

-Në shtëpinë tuaj sa piktura keni?

-Kam rreth 56 piktura. Kam pak të miat dhe të tjerat janë nga piktorë të ndryshëm.

-Çfarë është piktura për ju?

-Piktura për mua është ushqim shpirtëror