Flet Bujar Kapexhiu, “Nderi i Kombit”: Ja pse 2 filmat, që i realizuam me skenarist Bashkim Shehun, djalin e ish- kryeministrit, nuk i shpëtuan censurës

336
Sigal

Filmi i parë i animuar në Shqipëri u shfaq në nëntor 1975.

  • “Nderi i Kombit” BUJAR  KAPEXHIU: Si  i hoqën nga qarkullimi filmat e animuar “Autogol” dhe “Kur shefi merr flakë” me skenar të Bashkim Shehut
  • Mburoja me emrin “djali i kryeministrit” nuk ja vlejti dhe këto filma u panë vetëm në demokraci
  • – Filmi i parë i animuar në Shqipëri, u shfaq në nëntor 1975 dhe titullohej “Zana dhe Miri”
  • Kur iki me shërbime apo xhirime i them vazhdimisht gruas: “Ja ku e ke fotografinë time, të varur në mur”

Për t’ju shkatërruar si artist, sistemi i atëhershëm arriti të “burgosë” krijimtarinë tuaj, si regjisor i dy filmave të animuar, “Autogol” dhe “Kur shefi merr flakë”. Ndoshta shkaku i kësaj censure qëndron në faktin se skenarist i tyre ishte Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit  Mehmet Shehu?

Zanafilla e filmit të animuar në Shqipëri qe kryesisht te filmat për fëmijë. Prodhimet e para filmike, nga të gjithë krijuesit, skenaristë, regjisorë, operatorë, piktorë e animatorë, u mbështetën pikërisht në këtë linjë krijimi. Subjekte edukative për fëmijë të moshave të ndryshme. Pikërisht në kohën që kishim prodhuar disa filma të suksesshëm për fëmijë, kur qemë pjesëmarrës dhe fitues çmimesh në festivale ndërkombëtare dhe kur teknikisht e ndienim veten më profesionalë, menduam t’i futemi një rruge më të vështirë por të bukur, krijimit të filmave të animuar me subjekte për të rritur, brenda problematikës aktuale, kryesisht me tema të familjes e të punës. Dy subjektet ishin delikate, sepse për herë të parë spektatori ynë do të shihte në ekran një karikaturë të punëtorit që nxjerr prodhime skarco, ngaqë gjatë orarit të punës mendon për futbollin. Apo tjetri, një shef brutal e arrogant, që kur nxehet nxjerr flakë nga goja. Të dy filmat i realizuam në bashkëpunim me skenaristin Bashkim Shehu, duke menduar se në atë situatë delikate, brenda lëvozhgës së artit të realizmit socialist, ne po mendonim të godisnim, gërvishtnim apo të copëtonim këtë lëvozhgë dhe për çdo vërejtje apo keqkuptim të subjektit, mburoja do të ishte me emrin “djali i kryeministrit”. Por edhe kjo nuk piu ujë. “Shpata e partisë” e copëtoi mburojën dhe filmat i degdisi në errësirë, siç thotë populli, “Pa nam e nishan”. Kur këto dy filma u gjetën dhe u rishfaqën përpara spektatorit, në këto ditë të lira të demokracisë, ne krijuesit patëm një kënaqësi të veçantë, duke e krahasuar këtë kënaqësi me atë punën e verës që koha i ka dhënë më tepër vlerë. Ashtu edhe ne e shijuam më mirë, më me shumë kuriozitet e më me shumë kënaqësi. Ishte një çast emocionant. Tamam si të takosh një person të dashur, që prej vitesh e ke menduar të humbur dhe kujton se nuk do ta takosh më kurrë. Jo! E rigjetëm njëri–tjetrin. U takuam me shumë mall. Jemi bashkë. Tani nuk na ndan më askush. Kurrë!

Njiheni si pjesëtar i grupit themelues i studios së filmit të animuar në kinostudion “Shqipëria e re” dhe regjisor i shumë filmave për fëmijë dhe të rritur. Shohim se filma të këtij zhanri sot shfaqen me pikatore. Ju shqetëson një fakti tillë?

Filmi i parë i animuar në Shqipëri, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, u shfaq në nëntor 1975. Titullohej “Zana dhe Miri”. Ky film u krijua nga dy autorë, Vlash Droboniku (piktor) dhe Tomi Vaso (operator), të dy të specializuar në studiot e filmit të animuar në Bukuresht (Rumani). Vazhdimësia e prodhimit të këtyre filmave dhe ngritja e nivelit artistik kërkonin domosdoshmërisht, plotësimin e grupit krijues me figurën kryesore të një filmi, regjisorin. Ky qe çasti i lumtur për mua, në kohën që kryeja dënimin në punë prodhuese, më propozuan të jem regjisori i parë i filmit të animuar. Pranova me kënaqësi, jo vetëm se po largohesha nga puna e rëndë, por do filloja një profesion interesant, në një veprimtari artistike, ku përmblidheshin dhuntitë e mia profesionale: skenari, grafika dhe regjia. Kështu e filloi punën ky grup i vogël artistik prej tre vetash në prodhimin shumtë të filmave të animuar për fëmijë, me subjekte tonat origjinale ose me bashkëpunim me shkrimtarë të letërsisë për fëmijë. Në vazhdimësi, me ardhjen në studion e filmit të animuar të piktorëve të rinj nga “Akademia e Arteve”, u shtua prodhimi i filmave, njëkohësisht edhe cilësia e krijimtarisë artistike u pasurua me stile të reja. Pjesëmarrja nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare i dhanë kësaj krijimtarie vlerësime të shumta me fitimin e shumë çmimeve. Sot, ky zhanër, duhet të pranuar me keqardhje, është rrudhur, strukur, fishkur e tretur si një lule pa ajër e ujë, që shumë rrallë ngjyros petalet e saj, vetëm kur lëshohet ndonjë rreze drite nga institucionet shtetërore ose kur me pikatore ndihmohet financiarisht.

 

Cilat personazhe ju frymëzojnë më shumë?

Personazhet e sinqertë, të mençur, me fantazi, kavalierë, të papërtueshëm, xhentilë, krijues, gazmorë e plot humor.

Kohët e fundit tv.“Vizion +”, shfaqi spektaklin “Dancing with the Stars” (Danc me yjet). Si personazh VIP, ju u përfaqësuat denjësisht. Madje, dueti Bujari & Olta në kërcimin klasik “Samba” arriti të skualifikonte dhe balerinë të njohur. Cili motiv ju shtyu të ishit pjesëmarrës në këtë eveniment?

Me kërcimin kam pasur dhe kam përherë, marrëdhënie të mira, që e kemi respektuar e simpatizuar në vazhdimësi njëri-tjetrin. Kam kërcyer që në pdasma. Kam kërcyer të gjitha llojet e valleve popullore e të vallëzimit. Ftesa për pjesëmarrjen në spektaklin “Dancing with the Stars” qe një rast i rrallë, që nuk vjen për këdo dhe ky është vlerësim, por njëkohësisht kishte përballjen me një sfidë dhe zbulimin e një ambicie artistike. Mbi të gjitha, pjesëmarrjen në një eveniment televiziv kombëtar të rrallë. Nuk duhet të harrojmë që edhe ata që të ftojnë, pra organizatorët, e kanë menduar mirë këtë pjesëmarrje, duke llogaritur në bilancin e suksesit popullaritetin e çdo pjesëmarrësi, për të siguruar kështu larminë e personazheve dhe entuziazmin e spektaklit. Vlerësimi dhe konsiderata pozitive e organizatorëve, m’u duk e sinqertë dhe nga ana ime, nuk do dukej e hijshme që pjesëmarrja të refuzohej. Në çastin e pranimit, përveç kënaqësisë për pjesëmarrjen në një aktivitet origjinal artistik, i ndryshëm nga aktivitetet artistike që kryeja çdo ditë, pata edhe mbështetjen dhe sigurinë e bagazhit profesional për kërcimin, leksione për të cilin kisha marrë vite më parë në Akademinë e Artëve, kur studioja për aktor, në lëndën e baletit të drejtuar nga koreografë të shquar të asaj kohe.

Kërcimet Danc, Vals, Tango pëlqehen kudo në botë. Cilin prej tyre keni pëlqyer më shumë në jetën tuaj?

I kam kërcyer këto vallëzime. I kërcej edhe sot. Por kërcimi që kam më shumë për zemër dhe ma lejoni mungesën e modestisë, për të thënë një të vërtetë që, e them me mburrje këtë, e kërcej shumë mirë edhe sot, pasi kanë kaluar 55 vjet që kur e kam kërcyer për herë të parë, është kërcimi Twist. Në fillim të viteve ‘60 ky qe i ndaluar të kërcehej në çfarëdolloj mjedisi publik, por ne pasionantët, fshehurazi, e kërcenim në festa të ngushta familjare apo shoqërore. Një kuriozitet: Në këtë kohë, student, unë shkoja në konviktin e djemve të Akademisë së Arteve dhe aty, në dhomat e fjetjes, duke u mbajtur midis shtretërve metalikë u mësoja shokëve të kursit formën e këtij kërcimi. Nuk e harroj, sot e kësaj dite, më ka mbetur në mendje se lëvizjet e kërcimit Tuist janë: Trupi drejt, gjunjët pak të thyera, duart lëvizin sikur fshin kurrizin me peshqir dhe këmbët, herë e majta e herë e djathta të alternuara, sikur shuajnë bishtin e cigares me këmbë në tokë. Sigurisht që këto janë të bukura kur lëvizjet organizohen sinkron me njëra–tjetrën. Ja pra, ua dhashë edhe juve leksionin e parë për kërcimin Tuist. Suksese! Kërcim të mbarë!

Cili është Bujar Kapexhiu si bashkëshort, prind, vlerësuar “Nder i Kombit” dhe qytetar?

Sigurisht, ju kërkoni nga unë që të jem i sinqertë me përgjigjet e mia për këto pyetje. Kjo pyetje është e gjerë, e thellë, brenda saj me shumë nuanca. Bashkëshort i rrallë – kështu thotë gruaja. Prind shembullor e i përkushtuar-kështu thonë djali, vajza dhe komshinjtë. Artist i mire -thonë spektatorët, lexuesit dhe bashkëpunëtorët. Qytetar korrekt, thonë banorët e lagjes, punonjësit e policisë, shitësit, kamerierët, postieri, shitësi i gazetave dhe administratori i pallatit. Kjo është përgjigjja më e saktë dhe më e sinqertë për kapacitetin e modestisë që disponoj brenda vetes, në çdo kohë e në çdo rrethanë.

Përkushtimi i punës suaj si pedagog e krijues, ndoshta, ka bërë që të jeni borxhli ndaj familjes?

Po. Kjo është e vërtetë. Jam shumë borxhli. Angazhimet e shumta, koha e gjatë me krijimtarinë e kanë limituar kohën e ndenjjes me pjesëtarët e familjes. Herë pas here largimet nga shtëpia për aktivitete të ndryshme artistike, si film, teatër, ekspozita, pjesëmarrje në konferenca, seminare e kanë bërë shumë të rrallë qëndrimin në të njëjtën tavolinë, për të drekuar apo darkuar me pjesëtarët e tjerë të familjes. Megjithatë, për të mos më mërzitur e që unë të ndiej peshën e mungesës në gjirin e familjes, ata shprehen shpesh se unë nuk mungoj, të kemi pranë, të shohim nëpër filma, në emisione televizive, apo dhe me karikaturat në shtypin e përditshëm. Për shaka, i them vazhdimisht gruas: “Ja ku e ke fotografinë time, të varur në mur. U thuaj të tjerëve, ky është bashkëshorti im, nuk largohet kurrë nga ajo kornizë, përherë ashtu i buzëqeshur dhe me ngjyra.”

Kurdoherë i mirëpritur në festivale kombëtare e ndërkombëtare të filmit, në mjedise auditori, shokësh e miqsh. Çuditërisht, të gjitha këto aspekte mbartin brenda “kripën” e humorit tuaj të këndshëm…

Edhe kur nuk është i pranishëm humori dhe buzëqeshja origjinale, siç i thonë sot “Live”, me siguri që është vepra ime që u jep pjesëmarrësve, dashamirësve dhe miqve të mi buzëqeshjen apo të qeshurën, që mbushen me çaste gazmore.

Çfarë është humori për ju?

Humori që përfaqësohet nga disa dukuri, buzëqeshja, e qeshura, gajasja, nuk është vetëm tendosje e cepave të buzëve drejt veshëve, dukja e bardhësisë së dhëmbëve, tingulli i zërit që shkruhet “hahahahaha”, por diçka më e bukur, më e këndshme, që ndodh brenda shpirtit si një ndjesi që harron, zhduk, godet, përhap, spërkat, mbulon e zbulon njëkohësisht një grumbull ndjesish, që, të përziera së bashku krijojnë një koktej emocional që të shijon, të dalldis, të çlodh, të zbërthen e të eksiton. Humori me të qeshurën e tij është gjithçka. Kënaqësi. Është bota që ndalon përpara këmbëve të tua e ti nuk e përfill fare rrumbullakësinë e saj me të qeshurën tënde rrafshuese. Unë them: Mjerë ata që nuk dinë të qeshin. Edhe të qeshësh, duhet të dish. Nuk është e lehtë. Por jo e pamundur. Humori është privilegj i të mençurve. Unë them: Mos u mburr se je serioz, por merakosu se nuk di të qeshësh. Dikush tjetër ka thënë: “Buzëqeshja është rruga më e shkurtër midis dy njerëzve.” E pra, në jetë sa më shumë buzëqeshje, se kështu do të jesh më i bukur, më i mençur e më paqësor.

Si  do e vlerësonit punën e shkrimtarëve të humorit dhe të karikaturistëve shqiptarë?

Një pasuri e madhe e plot vlerë për artin dhe kulturën Shqiptare. Një listë e gjatë me emra autorësh shkrimtarë, poetë, karikaturistë, me një bagazh kolosal me veprat e tyre. Nuk po shënoj emra, se një listë e tyre e gjatë do të duket sikur bëj apelin në një ditë zbori. Miqtë e mi humoristë për mua janë të gjithë të dashur, të respektuar e të preferuar, duke pasur secili vendin e caktuar në këtë listë. I dua, i respektoj pa dallim ideje, moshe dhe stili. Ata të gjithë kanë qenë tabela sinjalizuese në rrugën e gjatë e të vështirë të humorit, në çdo kohë. Rëndësi ka që ne të qeshim.

Profesor, ekspozita juaj e fundit është vlerësuar edhe nga personalitete të njohura të politikës  evropiane. Ç’do të thotë për ju ky sukses?

Shqipërisë, në procesin delikat, të vështirë e të mundimshëm, për të gjetur shtegun që të dalë më pas në rrugën e asfaltuar drejt Evropës, i duhet të respektojë të gjitha rregullat e qarkullimit. Po të vazhdojmë këtë linjë të metaforës, duhet të themi që në këtë rrugë ka shumë “punonjës të rendit” të cilët kontrollojnë udhëtimin e makinës me targa “Albania”. Që nga tymi tërë smog që nxjerr kjo makinë, nga bagazhet e mbushura me drogë, nga klandestinë që kërkojnë azil e deri te grindjet, sharjet, grushtat e krismat brenda në këtë makinë. Të gjorët “policë”, me mirësjellje e kryejnë detyrën, me ndershmëri, duke u dhënë këshilla shoferëve që ngasin këtë makinë. U vendosin gjoba, paralajmërojnë për heqje patente dhe në rastet kur makina ngatërron marshet dhe me goma të shpuara ecën mbrapsht, këta “policë” xhentëlmenë i venë kavon, për ta mbajtur në rrugë dhe që kjo karakatinë e ciflosur të mos rrëshqasë në greminë. Pikërisht këto figura “policësh” që kontrollojnë Evropën unë i kam bërë në karikaturë në të gjitha takimet e suksesshme apo të dështuara me politikanët që udhëtojnë me targën AL. Ekspozita dhe albumi i botuar u pëlqyen shumë, duke krijuar një atmosferë që u plotësua me urimet dhe falënderimet e veçanta që erdhën direkt nga Brukseli apo Strasburgu.

Mendoni se vërtet Shqipëria do e “kapë” integrimin?

Unë jam i sëmurë, i pashërueshëm, si optimist kronik. Jam i bindur dhe entuziast që do të hyjmë. Si ata të cilët hyjnë në kinema apo në teatër pa biletë, duke qenë të sigurt se do ta gjejnë një vend bosh, ose do të kënaqen edhe me një vend në këmbë. Vendin e kemi në Evropë. Është pak larg, por ne, megjithëse pak të lodhur nga varfëria, të deformuar nga kokëfortësia dhe zullumet, të gërvishtur nga grindjet, të hallakatur nga ndasitë, do të arrijmë që të hyjmë në Europë, duke qenë optimistë dhe të bindur se në këto çaste njërën këmbë, me markën e këpucës NATO, e kemi te pragu i derës. Cilën këmbë? Të djathtën. Sipas traditës popullore, ashtu si në derën e shtëpisë, ne në Evropë do të hyjmë, për mbarësi, me të djathtën.

Ju sërish keni nisur nga puna për një tjetër album të ri. Cilat janë krijimet që do të trajtoni në të?

Sapo ka dalë nga shtypi libri i tretë me karikatura politike, me titullin “Kthesë”. Është gati për botim edhe libri i katërt. Njëkohësisht kam përgatitur albumin me karikatura dhe ilustrime të librave të cilat në kohën e diktaturës u ndaluan dhe u hoqën nga qarkullimi. Ndërkohë, po merrem me faqosjen e një albumi luksoz me ngjyra, që do të shoqërojë një ekspozitë me karikatura në Kosovë. Ndërsa redaksia e gazetës “MAPO”, me rastin e 8-vjetorit të botimit të saj, do të botojë albumin me karikatura të botuara në këtë të përditshme.