Plas sherri në PS/ Socialistët: Kemi humbur 2 mandate për faj të kryebashkiakut Subashi

403
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Deputeti Petro Koçi përmend personat që nuk kanë punuar për zgjedhjet

Baza e Partisë Socialiste në Fier po revoltohet ndaj kryebashkiakut Armando Subashi, pasi e ngarkojë me pergjegjësi për humbjen e 2 mandateve për deputetë në bashkinë e Fierit. Socialistët I hedhin fajin kryebashkiakut Subashi, se është në drejtimin e gabuar, pasi po bashkëpunon edhe me persona me rekorde kriminale, duke u bërë favore të ndryshme, deri ën dhënien e tenderave publike, siç akuzoi ditë më parë edhe deputeti i sapozgjedhur i Fierit Petro Koçi. Zemërimi i socialistëve ndaj kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi, mund të ndryshojë ekuiblibrat në bashkinë e Fierit dhe do jetë një kambanë, për ta përjashtuar Subashin nga kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sërish deputeti Koçi kritikon drejtuesit e PS-së

Deputeti i PS-së në Qarkun e Fierit, Petro Koçi, ka ndezur një ‘sherr brenda llojit’ në parti. Koçi, teksa ka bërë një analizë të rezultatit të 25 prillit në qarkun e Fierit, ka akuzuar drejtëpërdrejtë kryetarin e PS-së për Rajonin 2 në Fier, Fatjon Elezaj, se nuk ka punuar në fushatë dhe ka qenë aty thjesht, sa për dekor politik. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Elezaj, i cili përmes një postimi në facebook gjithashtu, i përmendi tradhtinë që deputeti i ka bërë PS-së në të kaluarën, si dhe theksoi se, nuk do ta lejojnë tentativën e tij për përçarje të PS-së.

Kritika e deputetit Petro Koçit

Të rrimë drejt dhe të flasim drejt! Analiza e zgjedhjeve të 25 prillit nuk ka nisur akoma. Pritet që të kemi së shpejti një dokument kriteresh, ku do mbështet kjo analizë. Megjithatë kemi të dhëna të majftueshme për të prezantuar një analizë paraprake, jo përfundimtare. Përpara fushatës, me shpalljen e listave të zgjedhësve, ne iu përkushtuam punës së parreshtur për identifikimin e elektoratit në qytet. Ndërsa herët e kaluara skanimi i listave ishte bërë formal, kësaj rradhe këmbëngulëm që të rrisnim përqindjen e njohjes së elektoratit nga 50 deri 60 në 70 deri 80 %. Gjithashtu përmirësuam skemën organizative me koordinatorë në bazë lagjeje. Sepse listat zgjedhore në bazë alfabeti nuk mund të skanoheshin në përqindjen e dëshiruar vetëm nga OS në bazë QV. Megjithëse në kushte pandemie, grupet e punës dhanë një kontribut shumë të vyer, i cili dha frytet e veta. Ky vlerësim s’ka lidhje me reagimet e hutuara të kohëve të fundit ndaj vlerësimit tim politik se në Fier, ka zgjatje të duarve të krimit drejt financave publike dhe ku s’ka asnjë akuzë emërore. Gjykoj se përtej aktiviteteve masive metoda më e mirë do ishte ajo derë më derë. Ashtu jo vetëm që takon më shumë njerëz, por komunikimi është ndryshe; bëhet sy ndër sy dhe krijon lidhje të drejtëpërdrejtë të politikanit me zgjedhësin. Administrata me performancën e saj nuk ndihmoi. Ndërkohë imazhi i saj në disa sektorë, si kadastra apo arsimi kishin vlerësim negativ, duke u kthyer në kosto politike për PS. Ndryshimet e bëra para fushatës sollën një qasje të re. Më vjen çudi, sesi këto ditë kadastra i është rikthyer konjukturës së vitit të kaluar. Ajo që bie në sy, është rritja e votave për opozitën PD, në kurriz të LSI-së. Bashkimi PD-PDIU në Fier dhe përpjekjet me para për të permbysur rezultatin brenda listës së PD-së dha efektet kryesore. Nëse votave të saj, i shtojmë përqindjen e logjikshme të votave të pavlefshme në rang bashkie, atëhere ajo ka një shtesë prej 4000 votash. Në fakt rreth 3000 prej tyre janë ato që ka humbur LSI. Një element i rëndësishëm, që duhet analizuar është edhe vota preferenciale. Ky faktor shpesh bëri që paraqitja jonë të mos ishte serioze. Disa prej kandidatëve nuk respektuan kodin e përcaktuar nga lidershipi i partisë. Një pjesë e administratës u vu në shërbim të kandidaturave, që vinin prej rradhëve të saj. Ndërsa unë bëra thirrje publike për të votuar më shumë numrin 12 si parti dhe nr. 10, Gramoz Ruçi si individ, pati të tjerë që ngatërruan elektoratin, duke i vënë theksin mbi numrin personal të tyre. Mendoj se vota preferenciale e kthen sistemin në dimension të fortë mazhoritar, duke e zbehur thelbin proporcional. Dhe nga ana tjetër, kjo rrit luftën e brendshme, deri në përdorim të elementëve të paskrupullt. Të rrimë drejt dhe po drejt, të flasim!

Reagimi i kryetarit të PS-së  të rajonit nr.2 Fier, Fatjon Elezajt

Duhet ta dimë mirë se, PS e sotme nuk është PS e KPD- ve të 2000 –it,  ku një takëm pështyheshin e lëpiheshin sipas interesit të tyre personal, duke e nxjerrë PS në opozitë në 2005. Sot PS, ka zot. Ka Edi Ramën, që tipave të tillë ia ka treguar rrugën që në fillim. Gjithashtu, dua t’ju them se ne ishim pa kryetar PS për Bashkinë Fier, pasi kryetari i emëruar në krye të PS-së pas daljes së listës, nuk denjoi as për një falenderim ndaj Asamblesë së qytetit apo anëtarësisë. Dua t’ju bëj me dije se në çdo takim që ne patëm, kryetari i emëruar i PS-së, nuk mori pjesë as për të thënë 2 fjalë e, as për të mbështetur Partinë Socialiste, apo ne, si përfaqësues të saj. Ju zoti deputet i zgjedhur, nuk mund të flisni në emër të PS-së Fier, por të njësive të cilat ju mbuloni si deputet, pasi ju Fierin e braktisët, sapo doli lista e kandidatëve për deputetë. Morët njësitë tuaja dhe as nuk u kujtuat se ishit kryetar i emëruar i PS-së. Ju po vazhdoni të tentoni të përçani Partinë Socialiste Fier, duke shkruar nëpër rrjetet sociale. Ju zoti kandidat, brenda 3 ditëve keni reagime të ndryshme, të cilat na habisin dhe neve. Me këtë që keni bërë ju zoti deputet i zgjedhur, keni treguar se interesat tuaja personale, janë më të mëdha se qyteti ynë. Me qendrimin tuaj, keni treguar se nuk e doni as Fierin dhe, as Partinë Socialiste. Ne nuk e lejojmë kurrë përçarjen e Partisë Socialiste.