Gjashtëdhjetë vite më parë ngrinte siparin Festivali i parë i Këngës në Radio
- Vaçe Zela, interpretoi tri këngë: “Këndoj” të Avni Mulës, “Erë pranverore” të Tish Daisë dhe “Lemza” të Agim Krajkës
- – Zëra të spikatur shpalosën në festival edhe këngëtarët: Qemal Kërtusha, Violeta Simoni, Avni Mula, Gjoni Athanas, Ibrahim Tukiçi, Gaqo Çako, Florinda e Ndrek Gjergji (Dueti Gjergji), Luiza Papa, Sulejman Çela etj.
- – Për sigurimin e një bilete me anën e së cilës do ndiqje festivalin nuk qe aspak e lehtë
- – Në vitin 1962 nuk bëhej fjalë për televizion, programi eksperimental i të cilit kishte nisur vetëm pak kohë më parë
- Mbresa emocione nga një i pranishëm
Në krye të herës duhet thënë se që në startin e tij të parë festivali i këngës në radio ofronte një kualitet muzikor, poetik e interpretativ, të denjë dhe padyshim për t’u krahasuar me botën. Tek e fundit, muzika e lehtë shqiptare ishte një ndërthurje fantastike e motiveve popullore shqiptare dhe e ndikimeve të muzikës italiane nga Sanremoja e famshme dhe më gjerë.
SI U GJENDA NË NETËT E FESTIVALIT DHE MUZIKA NËPËR BOTË
Kam qenë 17 vjeç kur ndoqa si spektator festivalin e parë në radio, pasi televizioni shqiptar në atë kohë sapo kishte filluar transmetimin eksperimental. Ndërkohë them se para se të flas me hollësi për netët e festivalit kam mendimin se, një ekspoze e shkurtër e muzikës së asaj kohe do të ishte në interes të lexuesit. Konkretisht në ato vite çdo fund shkurti i gëzoheshim festivaleve të Sanremos, ashtu si ai i burgosuri asaj rrezes së dritës, që tek i depërton nëpërmjet hekurave të frëngjisë së qelisë i ringjall shpresë për jetën. Kështu edhe ne me veshin pas altoparlantit, zhyteshim shpesh në ëndërrime nga më fantastikët, duke kaluar edhe caqet e fantazistit më të paimagjinueshëm. Por, për t’iu rikthyer sërish këtyre përfytyrimeve them se, do të jetë me interes ekspozeja panoramike e këngës dhe e muzikës së lehtë që luhej në përgjithësi në botë, në atë këmbim dhjetëvjeçarësh, ku vendi fqinj, Italia e madje gati tërë Europa, qe pushtuar nga një këngë e bukur e Roko Granatës me titull “Marina”. Suksesi i saj qe i jashtzakonshëm çka e dëshmon edhe fakti ku pas tri dekadash, në një aranxhim të ri, kryesoi gjatë në hitin italian. Por, edhe “Marina” nuk dilte aspak jashtë kornizës së këngës tipike italiane.
Kështu e gjente muzikën italiane festivali I XI-të i San Remos më 1961. Kishte kaluar pra një dekadë që nga fillimi dhe gjatë kësaj periudhe sukseset qenë të dukshme. Ishin evidentuar talente të vërtetë këngëtarësh dhe kompozitorësh si: Fred Buskaljone një zë me të vërtetë i paharruar, që humbi jetën në një aksident automobilistik, Klaudio Vila, Luçiano Tajoli, Karlo-Alberto Rosi, Nila Pici, Umberto Bimbi, Betti Kurtis, Renato Karuzone, Domeniko Modunjo, Renato Rashel, Toni Dalara etj. E megjithatë kënga italiane kishte mbetur ende në traditën e saj karakterike; një muzikë e ëmbël, e lehtë, tepër e ndjeshme, e veshur me nota të theksuara romantike gati-gati sentimentale. Madje këtë dëshmonte edhe kënga fituese e festivalit paraardhës që nga titulli i saj “Romantica” e Renato Rashelit.
Ndërkohë edhe nëpër vendet e tjera europiane kënga kishte arritje. Në Francë kishin spikatur prej kohësh talentet e Edi Piafit, Iv Montanit, Zhuljet Griekos e Sharl Azhavurit. Në Spanjë Sara Montiel, në Angli Hengelbert Hambërding, Pol Anka etj. Kurse përtej oqeanit Atlantik ishte në lulëzim të plotë një shumëllojshmëri muzike si e ritmit Bluz, Xhaz, Folk music, Music country, Rock’n’Roll me përfaqësues të tillë të kalibrit botëror si: Djuk Elington, Mehailla Xhekson, Otis Redi, Elvis Preasly, Bill Hallej, Frenk Sinatra, Rei Çalls, Xhejms Braun, Hareta Frenklin, Gloria Gejner etj.
Me veshin pranë radios.
Pas kësaj natyrshëm lind pyetja: Ku i merrnim ne këto informacione? Në ato vite të largët ushqimi jonë i pashtershëm muzikor mbetej nga “e dashura radio”, unë kështu do ta quaj pa ngurim. Stacionet italiane ishin nga më të dëgjuarit ndër ne, krahas stacioneve të rinj e të fuqishëm, që nisën jetën e tyre në ato vite, siç qe radio Monte-Karlo apo famozi “Llaks”, kështu i thonin, stacionit radiofonik Radio Luksemburg London Ë.I. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë Radio Tiranën, emisionet muzikore të së cilës në ato vite ndiqeshin me shumë interes. Por për festival këngësh nuk bëhej fjalë. Këngët e reja promovoheshin nëpërmjet emisioneve të radios dhe nëpër skenat e estradave, pa thënë që në ato skena kishte vërtet interpretues dinjitoz të këngës së muzikës së lehtë të vendit, por edhe nga vende të ndryshëm.
Bileta për në festival
Për sigurimin e një bilete me anën e së cilës do ndiqje festivalin nuk qe aspak e lehtë, ngaqë ato ju shpërndanë me ftesa personave të caktuar dhe nëpër dikasteret. Me një ftesë të tillë paraqiteshe në sportelin e teatrit të Operas e Baletit, që në atë kohë ishte te salla e Universitetit të Arteve dhe siguroje biletën hyrëse. Për fat në ato vite përgjegjës i fonotekës në Radio Tirana ishte babai i një shokut tim të ngushtë, njeri me kulturë të gjërë. Duke na njohur si admirues të muzikës, ai na surprizoi të dyve duke na siguruar ftesa për në festival.
Faktikisht në ato vite u tha fillimisht se bëhej fjalë për koncert me këngë të muzikës së lehtë nga kompozitorë shqiptarë. Kështu u tha, ndoshta mund të ketë qenë edhe si kamuflim, sa për të marrë miratimin dhe më pas ai koncert u shndërrua në Festivalin e Këngës në radio. Në vitin 1962 nuk bëhej fjalë për televizion, programi eksperimental i të cilit kishte nisur vetëm pak kohë më parë, ekzaktësisht më 29 prill 1960 e kishte kohëzgjatjen e transmetimit fare të vogël. Ndërkohë duhet thënë se për festivalin thuajse nuk u bë reklamë fare. Në podiumin prej dërrasash që ekzistonte në ato vite në sheshin “Skënderbej”, u vendos vetëm një afishe e zbehtë disi, pa ngjyra evidentuese, që i bie të ketë qenë thuajse përballë xhamisë sot. Aty lajmërohej për festivalin që do të ngrinte siparin më 21 dhjetor, ditë e premte dhe do vijonte tri netë deri të dielën më 23 dhjetor 1962. Në atë afishe ishin emrat e këngëtarëve pjesëmarrës dhe dirigjentëve Kristo Kote dhe Agim Krajka, që do drejtonin i pari orkestrën e radios dhe i dyti kompleksin instrumental.
Prezantues të festivalit ishin aktorja Margarita Xhepa, që kishte korrur sukses në atë kohë me rolet e Ofelisë në tragjedinë “Hamleti” të Shekspirit e Kleas në dramën “Dhelpra dhe rrushtë” të Figuerolës. Partner i saj qe Luigj Gurakuqi, në atë kohë regjisor në teatrin e Operas e Baletit. Këngëve në festival nuk u bëhej e ditur as kompozitori edhe as autori i tekstit. Praktikë kjo vërtet origjinale për t’i vlerësuar ato me objektivitet. Vetëm pasi u shpallën fituesit u mësuan autorët e vërtetë të këngëve, ndonëse jo pak prej tyre edhe kishin dekonspiruar. Festivalin e hapi me një fjalë përshëndetëse përgjegjësi i redaksisë së muzikës në radio Tirana, kompozitori Abdulla Grimci, i cili në fund të fjalës iu lut të pranishmëve që të mos reagonin gjatë interpretimit të këngëve, ngaqë ato do të regjistroheshin dhe në orën 20:30 të po asaj nate festivali do transmetohej për publikun e gjerë në valët e Radio Tiranës.
Nata e parë e festivalit
Kënga e parë që u këndua në festival ishte ajo me titull “Këndoj” interpretuar nga Avni Mula, për të cilin vetëm në natën e tretë u mësua që ishte faktikisht autori i saj kënge me autor teksti nga ana tjetër të madhin Ismail Kadare. Këngët interpretoheshin nga dy këngëtarë nën ekzekutimin e dy orkestrave. Kështu kënga në fjalë më pas u këndua nga e paharruara Vaçe Zela shoqëruar nga kompleksi instrumental nën drejtimin e fizarmoniçistit Agim Krajka, i cili kishte në përbërje të tij instrumentistë të njohur si kitaristët Alfons Balliçi e Pirro Miso, në saks Platon Mezini dhe në bateri Genc Cara. Nëpërmjet fletëpalosjeve, të cilat iu dhanë të gjithë shikuesve krijohej mundësia që në fund të votonin edhe ata duke i hedhur mendimet e tyre për këngët në dy kuti të mëdha, që ishin vendosur në hyrje të sallës kryesore. Ndërkohë që ishte krijuar edhe një juri, emrat e anëtarëve të së cilës ishin mbajtur sekret. Nata e parë u zhvillua krejt normalisht e ndërkohë pasi u transmetua në radio festivali zgjoi një interes të paparë.
Nata e dytë-shpërthimi i derës
Të nesërmen në shkollë, unë e shoku im Kujtimi u bëmë “heronjtë” e ditës ngaqë kishim qenë të pranishëm në festival. Shokët e shoqet na kërkonin informacion dhe ne s’përtonim t’u tregonim gjithshka.
Gjatë gjithë asaj dite nëpër Tiranë flitej vetëm për festivalin e këngës. Ndaj në natën e dytë në dyert e teatrit pati një dyndje të pazakontë shikuesish. Sheshi “Nënë Tereza” thuajse qe mbushur nga admiruesit e këngës. Madje në çastin kur u mbyll dera dhe festivali filloi, trysnia e njerëzve mbetur jashtë qe aq e madhe sa falë presionit të turmës mbetur jashtë pa bileta u shpërthye dera dhe njerëzit vërshuan brenda në sallë. Natyrisht u bë rrëmujë dhe si pasojë shfaqja u ndërpre për pak kohë dhe vetëm pasi u vendos rregulli e qetësia programi rinisi sërish.
Këngëtarët dhe fituesit e festivalit.
Padyshim të parën do të veçoja të madhen Vaçe Zela, që interpretoi tri këngë: “Këndoj” të Avni Mulës, “Erë pranverore” të Tish Daisë dhe “Lemza” të Agim Krajkës, e cila me zërin e saj që në atë kohë i ngjiti ato këngë në një nivel të tillë, sa edhe sot është vështirë të arrihet. Zëra të spikatur shpalosën në festival edhe këngëtarët: Qemal Kërtusha, Violeta Simoni, Avni Mula, Gjoni Athanas, Ibrahim Tukiçi (Trioja Mula-Tukiçi-Athanas), Gaqo Çako, Florinda e Ndrek Gjergji (Dueti Gjergji), Luiza Papa, Sulejman Çela etj. U dalluan gjithashtu edhe disa këngëtarë amatorë si Ing. Sami Kumi, Ylber Gimjani, Hiqmete Pazari, Sami Bakalli dhe Nikoleta Shoshi.
Për këngët nuk pati çmim të parë edhe pse qe lajmëruar që do të jepej një i parë, dy të dytë dhe tre të tretë, por në atë festival u dhanë dy çmime të dyta për këngët “Këndoj” e Avni Mulës dhe “Fëmija i parë” nga Abdulla Grimci dhe tre çmime të treta u vlerësuan këngët: “Lule të bukura sjell pranvera” nga Mark Kaftalli, “Vashëzo” nga Koço Uçi dhe “Mos më qorto” nga Vath Çangu. Çmimet u dhanë të plota vetëm për këngëtarët. Kështu Vaçe Zela u nderua me çmimin e parë, Avni Mula e Qemal Kërtusha me çmimin e dytë, Violeta Simoni me çmimin e tretë etj.
Historiku i Festivalit
Festivali i parë në Radio u zhvillua në 4 netë: 21-23 dhe 26.12.1962 dhe u prezantua nga Margarita Xhepa dhe Luigj Gurakuqi. Nismëtarët e këtij festivali ishin përgjegjësi i redaksisë së muzikës në Radio, Abdulla Grimci, dhe redaktori i po kësaj redaksie, Vath Cangu, në të njëjtën kohë autorë këngësh. Festivali u zhvillua në skenën e Operas, që në atë kohë ndodhej në ndërtesën e Konservatorit të Tiranës. Festivalet e para quheshin vetem “Festivali i Këngës në Radio”, sepse akoma nuk kishte transmetim ne televizion.
Organizimi dhe struktura e Festivalit
Koncertet fillonin në orën 18:00 dhe transmetoheshin të inçizuara në radio pas lajmeve, në orën 20:30. Është thënë se kanë marrë pjesë 20 këngë, por nga një inçizim i dobët, në radio u dëgjuan 19 këngë dhe nuk u dëgjua ndonjë përsëritje. Natën e parë u kënduan 9 këngë, natën e dytë 10 këngë dhe natën e tretë, finale, 10 këngë. Pas tri ditësh, siç duket për t’i lënë kohë jurisë që të vendoste, u zhvillua edhe një natë e katërt si koncert përfundimtar (por jo si finale) ku u shpallën çmimet për këngët dhe për këngëtarët nga kryetari i jurisë Llazar Siliqi, i cili ka qenë kryetar jurie në disa festivale me radhë. Këngët u shoqëruan nga Orkestra Sinfonike, drejtuar nga Kristo Kote dhe u përsëritën nga Kompleksi Ritmik, drejtuar nga Agim Krajka. Festivali i zhvillua nën shembullin e Festivalit të Sanremos, vetëm 11 vjet pas Festivalit të parë të Sanremos (1951) dhe këngët, si në Sanremo, interpretoheshin në grupe 3-4 këngësh dhe pastaj përsëriteshin ne interpretim tjetër. Kjo mënyrë vazhdoi në të gjitha festivalet (me përjashtim të festivalit të 11-ë), deri në Festivalin e 24-t kur këngët nuk u përsëritën më.
Vlerësimi i këngëve
Në festivalet e para, gjatë netëve të festivalit, nuk thuheshin autorët e këngëve. Vetëm në fund kur jepeshin çmimet thuheshin autorët e këngëve fituese. Ideja ishte për të mos influencuar jurinë. Mbas festivalit, kur transmetoheshin në radio, thuhej vetëm kompozitori. Prandaj, disa herë mungon autori i tekstit (që mund të plotësohet nga të tjerë). Në dallim nga Sanremo ku, në mënyrë normale jepeshin një çmim i parë, një i dytë e një i tretë, në festivalet tona, s’dihet përse, u dhanë një çmim i parë, dy të dyta e tre të treta, me përjashtime të rralla (përveç festivalit të 11-ë). Kjo gjë vazhdoi deri në Festivalin e 29-ë. U eliminuan dy këngët më të bukura të Vaçe Zelës (“Erë pranverore” dhe “Lemza”) duke u konsideruar tepër moderne për atë kohë, dhe nuk u transmetuan më. Kështu, juria nuk e pa të arsyeshme të japë asnjë çmim të parë. Prandaj, Vaçe Zela mori me meritë çmimin e parë si këngëtare, por jo kënga e saj “Fëmija e parë”, e vetmja e saj që hyri në finale e që ka marrë çmim të tretë dhe nuk qëndrojnë thëniet e disave se, mbas disa vitesh RTSh i ka dhënë çmimin e parë kësaj kënge. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund që, mbas disa vitesh, të jepet çmimi i parë për një festival. Këtë e vërtetojnë edhe intervistat e dhëna nga kompozitori Mark Kaftalli, pjesëmarrës dhe fitues i çmimit të dytë në festivalin e parë, intervista te cilat gjenden në you tube.
Transmetimi në radio
Gjatë ditëve të festivalit dhe disa ditë mbas, këngët nuk transmetoheshin në radio. Transmetimi i parë i atyre këngëve fillonte natën e Vitit te Ri, në koncertin e asaj feste mbas lajmeve. Kjo gjë ka vazhduar gjatë shumë viteve.
Artistët pjesëmarrës
Morën pjesë disa nga solistët e operas. Ndër ta, Avni Mula mund të konsiderohet si kantautori i parë shqiptar. Pritej me padurim interpretimi i Vaçe Zelës e cila deri në atë kohë kishte kënduar vetëm këngë të huaja, sidomos spanjolle. Dhe kur mbylli natën e parë me Erë pranverore dhe filloi: “Kur agon më qesh fytyra/ n’zemër m’rreh dashunia …” e gjithë salla shpërtheu në duartrokitje e brohoritje (siç dëgjohet në inçizim) dhe menjëherë u kuptua se po fillonte një epokë e re në muzikën e lehtë shqiptare.




























