Flamuri dhe Atdheu mbi të gjitha! Ja thirrja që e udhëhoqi Ismail Qemalin gjatë gjithë jetës së tij

1513
Sigal

I pari qytet, që i bëri nder flamurit të mëmëdheut ishte Kruja krenare e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.
Nëntori muaji i festave historike përkujtimore për shqiptarët

Dhe, i dyti qytet, që mori bekimin e flamurit, qe Vlora heroike e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

Dhe, i treti qytet që mbajti lart flamurin e lirisë është e gjithë Shqipëria që mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

28 Nëntori 1912  “Pavarësia e Shqipërisë”

Atdheu mbi të gjitha: thirrja që e udhëhoqi Ismail Qemalin

 gjatë jetës së tij 

 

Ismail Qemali mbetet i skalitur në historinë e popullit të vet. Ngriti, më 28 nëntor 1912, flamurin e Skënderbeut të palosur për 445 vjet. Regjimi komunist ia mohoi njohjen e fëmijëve të tij, por nuk e çmitizoi figurën e tij deri sa të ketë Shqipëria shqiptarë”.

Figurë e shquar shqiptare

    Ismail Bej Vlora

Shqiptarët qeverisën perandorinë osmane si kryeministra dhe si figura të shquara në perandorinë osmane. Një ndër këto figura të shquara është edhe Ismail Qemali. Rridhte nga derë e lartë shqiptare, i lindur në Kaninë.  Paraardhësit e tij  kanë kontribuar shumë për shtetin osman, kështu ishte një nga gjyshërit e tij, i cili pushtoi Jemenin për llogari të osmanëve. Ismail Qemali u shkollua në Selanik, ku jetoi një pjesë të jetës së tij. Ai zotëronte greqishten e vjetër, latinishten, italishten, frëngjishten dhe ka qenë i pari në shkollën ku studionte. E nisi karierën si përkthyes në ministrinë e jashtme, dhe më vonë, u bë zëvendës-ministër i jashtëm i perandorisë osmane. Ishte vali në Siri dhe bëri shumë për këtë vend në fushën e arsimit, kulturës, ndërtimeve etj. Më pas u bë këshilltar politiko-juridiko-diplomatik i sulltanit dhe në vitin 1908 , deputet i Beratit. Ismail Qemali mori iniciativën dhe realizoi aktin e shpalljes të Pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia në 1912.

Nga libri “Albanët” 2006,  Elena Kocaqi 

Përjetësia e një atdhetari

      Koli Xoxi

   Në letrën që Ismail Qemali i shkruante Aqif Pashës, më 23 nëntor 1913 theksonte: “Ndë qoftë se në këtë kohë transformimi historia do të dallonjë patriotin nga tradhëtori dhe do  t’i caktojë secilit vendin e tij, sipas shërbimit dhe meritave, që ka ndaj atdheut se ç’vend do të kem unë në histori këtë nuk e di”.

Patriotët shqiptarë të Mançesterit i shkruanin Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme: “ Po të merrni ndër sy e të punoni për lulëzimin e Shqipërisë, historia do të shkruajë për ju me shkronja të arta dhe tradhëtorët do t’i gjykojë me shkronja të zeza.” Ishte një parashikim i bukur dhe i saktë. Ismail Qemali mbeti i skalitur në historinë e popullit të vet. Tradhtarët u hodhën tej me neveri.

Mihal Grameno me rastin e vdekjes së Ismail Qemalit, 13 janar 1919, shkroi artikullin  “Mos qani” shumë prekës, por edhe plot optimizëm: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës; ju o male edhe kodra të Shqipërisë ! Mos pushoni kurrë të kurrës; ju lumenj me oshëtimet tuaja së treguari  vendin të Pellazgëve, vendin të lirisë edhe të qytetërimit, vendin ku janë lerë burra më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! Ismail Qemali, Plaku i Shqipërisë nuk ka vdekur dhe kurrë nuk mund që të vdesë, sa të jetë bota. Në është që ka vdekur Skënderbeu, atëhere le të thomi që vdiq edhe Plaku, po jo kurrë! Plaku rron dhe do të rrojë  sa të ketë Shqipëria shqiptarë”.

 

Familja dhe Edukata

 

Patrioti i madh shqiptar, Ismail Qemali, lindi më, 16 janar 1844 në Vlorë. I ati, Mahmudi, ishte nga Vlora, ndërsa e ëma, Hedija, nga Gjirokastra. Gjyshi i Ismail Qemalit, me të njëjtin emër, nga e mori emrin Ismaili, qe dërguar nga qeveria turke për të luftuar kundër Revolucionit Grek të

viteve 1821-1829, por nuk e zbatoi detyrën, prandaj turqit e vranë. Por Zenel Gjoleka ia mori hakun; e vrau vrasësin dhe kënga popullore vazhdoi: Gjoleka s’e turpëroi , nxorri pallën dhe qëlloi. Selam ke nga Ismail Beu. Ismaili pati edhe dy vëllezër të tjerë, të cilët vdiqën të rinj. Qeveria turke në vitin 1848, vendosi të zbatojë edhe në Shqipëri Reformën e Tanzimatit.  Kryengritjet antiosmane që pasuan në Shqipëri u shtypën nga ushtria turke. Në këto kryengritje morën pjesë i ati, Mahmudi, dhe xhaxhai, Selim Pashaj, të cilët u arrestuan dhe u dërguan në mërgim. U dërguan në fillim në Selanik dhe familja e I Qemalit e la Vlorën. Qëndruan në Selanik tre vjet. Turqia kur pa se nuk pati sukses në përpjekjet e saj për reformat e Tanzimatit, caktoi si vezir të përgjithshëm për Shqipërinë Jugore, nipin e Ali Pashë Tepelenës, Ismail Rahim Pashën me qendër në Janinë. Familja e I Qemalit në këtë kohë u kthye në Vlorë.

Një ndikim të madh për të mësuar gjuhë perëndimore pati tek ai i ati. “ Ai ,-thotë, Ismail Qemali-, që në fëmijëri u përpoq për të më dhënë shijen e kulturës  evropiane. Në fillim të viteve 50, i ati e dërgon në Janinë. Atje u regjistrua në shkollën “Zosimea”, një nga shkollat më të mira jo vetëm në Janinë dhe në Greqi, por edhe në Perandorinë Osmane.

Nga Janina Ismaili do të shkonte në Stamboll, por edukata fëminore do të luante rol si patriot dhe burrë shteti të shquar. Dikush pati një parashikim për Ismail Qemalin. Gazetari francez Stefan Lozan tregon për të: “Shikoje mirë këtë njeri, -më tha njëherë një diplomat, që po kalonte. Ai një ditë do të jetë kryeministër a ndoshta edhe kryetar i një shteti, që sot nuk ekziston. Me këtë luftë në të cilën evropa po vritet, ai do të jetë fituesi pa e zhveshur shpatën” . Ky ishte parashikimi i rrallë që bëhej nga një njeri, që siç duket e njihte mirë Ismail Qemalin, idealin e tij për lirinë e Shqipërisë dhe për një shtet të pavarur shqiptar. Sa për shpatën, po të kemi parasysh vetëm armën e thjeshtë dhe jo mendjen guximtare të udhëheqësit, armën e kishte zhveshur populli i tij, i frymëzuar nga ideja e madhe e lirisë. Krahas me këtë Ismaili do të ecte dhe nga ajo do të merrte fuqi historia e madhe e luftrave, Lidhja Shqiptare e Prizrenit; kryengritjet e shumta antiosmane të popullit shqiptar i kishin dhënë Ismailit  krahë; ia kishin forcuar më shumë atdhedashurinë. Të tilla ishin ngjarjet në  vilajetin e Kosovës të vitit 1887, kur afro tre muaj Gjakova mbeti e rrethuar, ndërsa në Prizren u përzunë nëpunësit turq dhe, Shkupin e  rrezikuan kryengritësit e Kaçanikut në vitin 1903 dhe 1906…Kryengritja e Kosovës më 1910, pati simpatinë e të gjithë patriotëve shqiptarë brenda vendit. Ismail Qemali kishte qenë një nga organizatorët e saj. Nënkosulli austriak në Vlorë, Rudnej Kraus, në janar 1910 shkruante: “Ismail Qemali gjithmonë popullaritetin e tij e kishte mbajtur në këmbë me parrullën e idesë kombëtare shqiptare.”  Më 5 nëntor 1912 u organizua mbledhja e përfaqësuesve të kolonisë shqiptare të Bukureshtit dhe I Qemali u vuri në dukje: se shpëtim tjetër për Shqipërinë nuk kishte, veçse të gjendeshin disa atdhetarë të guximshëm, që të hynin në Shqipëri dhe të shpallnin vetëqeverimin e saj. Ai bëri telegrame në çdo skaj të Shqipërisë, se kishte ardhur çasti “për të realizuar aspiratat kombëtare”, duke i porositur që të zgjidhnin delegatët për kuvendin kombëtar që do të bëhej. Ismail Qemali dhe shokët e tij arritën në Durrës më 21 nëntor 1912. Udhëtimi për në Vlorë ishte mjaft i vështirë. Kuvendi Kombëtar me delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhekolonitë shqiptare në vende të ndryshme zgjodhi kryetar Ismail Qemalin dhe nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Shefqet Daiun. Të tërë delegatët të rrethuar nga një mori e madhe njerëzish shkuan për të marrë pjesë në ngritjen e flamurit. Mbi shtëpinë time,-tregon Ismail Qemali, -u ngrit flamuri i Skënderbeut ,“që kishte fjetur i palosur gjatë 445 vjetëve të fundit.” Qe për mua një çast i paharruar dhe duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria duke vendosur në ballkonin e shtëpisë së vjetër flamurin e atij heroi të pavdekur, që po kalonte si një zjarr i shenjtë mbi kokat e asaj popullsie që brohoriste”.

Familja e panjohur e Ismail Qemalit

Nuk ishin pak, por dhjetë djem e vajza.

Petro Lati

Rrënjët e familjes Vlora

Rrënjët e familjes Vlora  lidhen me Kalanë e Kaninës. Aty nga viti 1430, Sinan Pasha hodhi themelet e një dere të madhe feudalësh: ndërtoi xhami dhe manastire. Pas Sinan Pashës vijnë Ali Bej, Ibrahim Pasha, Mahmut Bej,  Mustafa Pashë Vlora…dhe deri te Ismail Bej Vlora: plot 12 breza! Trazirat e kohëve i hodhën në vende të ndryshme të shtetit shumëkombësh, Turqisë, ku bënë emër e morën ofiqe të larta, por prapëseprapë mëmëdheun s’e harruan! “Ne i kemi shërbyer perandorisë osmane, por duke ruajtur të pastër dhe të pacënuar patriotizmin tonë shqiptar”,- ka shkruar Ismail Qemali në kujtimet e tij… Një literaturë e gjerë, e vazhdueshme është botuar për Ismail Qemalin si protagonisti kryesor i ngjarjes më të madhe të shqiptarëve në vitet e para të shekullit XX. Për pasardhësit e tij pothuajse nuk është folur për dekada me radhë, ndonëse testamenti i plakut të Vlorës : “Djem, nuk bëra pasuri t’ia lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet. Lamtumirë”! Gjithnjë ka ngjallur mëdyshje se I. Qemali a do të kish patur pasardhës, që jetuan edhe në kohën tonë… Më ka mbetur në kujtesë një intervistë e Darling Vlorës, pasardhës i brezit të katërt të famijes Vlora ku shprehej: “Isha nxënës në shkollën  “Petro Nini Luarasi” Tiranë. Një ditë mësuesja e historisë më tërheq vëmendjen se nuk po tregohesha aktiv në mësim, sidomos në një temë si ajo e shpalljes së Pavarësisë.– “Po flasim për Ismail Qemalin,– tha ajo,- kurse ti je shumë indiferent” – Zysh, ndërhyri një shok,-po Darlingu e njeh shumë mirë këtë temë, se ai është pasardhës i Ismail Qemalit”! – Ismail Qemali s’ka patur fëmijë,– u përgjigj ajo aty për aty mësuesja. Shokët e mi më të ngushtë qeshën. Ismail Qemali kishte 6 djem dhe katër vajza (një vajzë nuk pati jetë të gjatë). Darlingu është nip nga familja e madhe “Vlora”, kjo është e vërteta…”!  Babai i nëntë fëmijëve, personaliteti i lartë që mori përsipër e kreu detyra të larta shtetërore në disa qytete të perandorisë, njihej (deri në demokraci) vetëm si atdhetar që kishte ngritur flamurin e Pavarësisë në Vlorë.

Ç’thuhet për djemtë e Ismail Qemalit: Tahirin, Mahmudin, Ethemin dhe Qazimin.

Ishin njerëz vërtet të kulturuar,- Më ka treguar Nermin Vlora Palaski. – Aso kohe nuk mund të të besonin poste të larta në Turqi, po të mos kishe shkollë dhe të mos dije gjuhët kryesore, pa harruar ato klasike”. Një prej tyre, Tahir Vlora, pati studiuar në shkolla ushtarake. Kishte qenë këshilltar në oborrin e Sulltanit. Pastaj e internuan në Libi, sepse doli kundër sulltanit. Më vonë Tahiri u detyrua të mërgojë në Itali dhe i mbylli vitet e fundit të jetës në Francë. Ai nuk krijoi familje: vdiq në mjerim të plotë më 1932. Shtypi i kohës shkruante se vrau veten , kurse varri i tij ndodhet në “Thias”, ku më pas u prehën edhe eshtrat e Ahmet Zogut.

Djali tjetër, Mahmudi u internua gjatë luftës ruso-turke, sepse shihej si kundërshtar i perandorisë. Kjo duket edhe në një letër dërguar nga zyra e policisë së qeverisë osmane. “Mahmudi që është i biri i Ismail Qemalit dhe që ndodhet i arrestuar në zyrën e policisë për veprimtari antishtetërore, të internohet dhe të jetë nën mbikqyrje të vazhdueshme…në mënyrë që të mos mundet të vijë në kryeqytet”. Mahmudi u martua me një franceze, kurse fëmijët e tij mbetën në Itali dhe, njëri prej tyre, Aleksandri, ka qenë pedagog i gjeografisë në universitetin e Barit. Vetë Mahmudi erdhi dhe vdiq në Vlorë më 1920 në moshën 45 -vjeçare.

Dokumentacioni i pakët, ndofta i pa ruajtur, apo i lënë mënjanë, na jep ato fije që, kur lidhen me njera- tjetrën, krijojnë bindjen se kontributi i dy djemve të tjerë, Qazimit dhe Ethemit, në ngjarjet e 1912-ës ka qenë i ndjeshëm. “Arriti në Vlorë edhe djali i deputetit, të këtushëm Ismail Qemal Beut, Qazim Beu. Qazim Beu përpiqet për të ndihmuar kryengritësit…mbledh të holla për të ndihmuar shqiptarë të Veriut kundër trupave osmane, si dhe importon armë për një kryengritje të përgjithshme”, kështu njoftohej nga Vlora në korrik të vitit 1910 ministri i jashtëm Erental në kryeqytetin austriak. Më 26 tetor 1912, në orën  6.20 minuta të mëngjesit mbërijnë në Bukuresht të Rumanisë Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, por edhe të bijtë Qazim Vlora dhe Ethem Vlora. Disa ditë më pas në hotel “Internacional” u morën vendime të rëndësishme për shpalljen e Pavarësisë. Në mbledhje ishin edhe të bijtë, si pjesë e detyrave që duhet të përballonte secili drejt aktit të madh kombëtar. Ndërsa Ismail Qemali u nis drejt kancelarive evropiane. Djali tjetër, Ethemi mori rrugën për në Vlorë. Babë e bir vazhdojnë të kenë një informacion të vazhdueshëm. “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar . Telegrafoni kudo të kenë besim të plotë për fatin e atdheut…”,- kështu shkruan Ismail Qemali, kurse i biri Ethemi i përgjigjet katër ditë më pas nga Vlora; “Falenderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë…Kemi ftuar kudo bashkatdhetarë të dërgojnë në Vlorë delegatë për asamblenë… Shpejtoni ardhjen, në qoftë se Durrësi nuk është i bllokuar.  “Kështu në kurorëzimin e aktit final të shpalljes së Pavarësisë, më 1912, kanë rolin e vet edhe djemtë e Ismail Qemalit. ..

 

Nesër do lexoni:

-Më  1 prill të vitit 1913, jahti i dukë Montpensies largohej nga Vlora drejt Brindisit të Italisë.

-Anëtarët e delegacionit ishin Ethem Vlora, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Qazim Vlora dhe Isa Boletini

– Ishte një udhëtim me shumë përgjegjësi për njohjen e shtetit shqiptar, që do të vazhdonte drejt Romës, Vjenës, Parisit, Londrës

-Ismail Qemali: Shtangëm me vendimet e marruna nga Konferenca e Londrës, ku qytetet më të përparuara dhe  krahina më prodhuese i ishin shkëputur Shqipërisë