Fadil Kepi: Kushtet e përfitimit dhe llogaritja e pensionit për të dënuarit politikë që e kanë kryer dënimin duke punuar në miniera në nëntokë

1582
Sigal

Llogaritja e pensionit për ushtarakët e FA, policisë, gardës, ShISh-it, burgjeve etj. Procedura e tërheqjes së pensionit nga emigrantët. Njohja e viteve të punës e të dënuarve për motive ordinere. Shpërblimi financiar për personat që iu ka ndërruar jetë bashkëshorti/ja

Procedura e tërheqjes së pensionit nga emigrantët

Pyetje

  1. Bujar Mullaj me profesion inxhinier nga Tirana, me banim në Toronto të Kanadasë shkruan: Jam i datëlindjes, 11 mars 1954 dhe në Shqipëri kam punuar 21 vjet i siguruar. Pyes, cilat janë kushtet për të dalë në pension në Shqipëri dhe procedura që duhet të ndjek?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 65 vjeç, më 11 mars 2019, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeç. Me 21 vjet punë që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën 53% të pensionit të plotë, që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni me ato që duhen për pension të plotë. Dokumentet që duhen plotësuar e dorëzuar në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore janë: libreza e punës, fotokopje e kartës së identitetit, vërtetimi i pagës bruto nga 1 janari 1994 deri ditën që keni ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e fundit të punës në vendin tonë dhe dy fotografi. Dokumentet mund t’i plotësoni e dorëzoni ju ose një i afërmi juaj në Shqipëri, deri në 31.12.2019, dhe pensioni ju paguhet nga 11 marsi i këtij viti që plotësoni moshën. Sa herë shtohen pensionet në vendin tonë, rriten dhe ato të emigrantëve, pa dërguar dokumente shtesë. Pensionet e pa tërhequra merren deri në 3 vjet, ose mund të autorizoni një të afërmin tuaj në Tiranë, t‘jua tërheqë atë çdo muaj.

Njohja e viteve të punës e personave të dënuar për motive ordinere
Pyetje
Z. Pashuk Ndue Lleshi nga Velipoja shkruan: Jam i datëlindjes 14.04.1954. Kam kryer 6 vjet dënim me heqje lirie për motive ordinere (1975-1982) dhe gjatë kësaj periudhe kam punuar në minierën Batër të Martaneshin. Pyes, a më njihet kjo periudhë pune për pension?
Përgjigje
Ju do të dilni në pension 65 vjeç në 14 mars 2019, po të keni 15 deri 36 vjet e 8 muaj punë të siguruar në Shqipëri. Periudha e kryerjes së dënimit për motive ordinere nuk njihet vjetërsi pune për efekt pensioni. Sipas ligjit 24/2018, botuar në fletoren zyrtare 79: “Njihet vjetërsi pune për pension dyfish, koha e vuajtjes së dënimit për motive politike”. Gjithashtu sipas ligjit 8328 datë 16.04.1998, personave që janë dënuar dhe kanë kryer dënimin me heqje të lirisë, për motive ordinere, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji quhet vjetërsi pune, kur drejtoria e burgut ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për kohën që të burgosurit ordinerë kanë punuar. Sqarime më të hollësishme mund të merrni Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Pensioni për të Përndjekurit Politikë

Pyetje

Znj. Resmie Besholli nga Fieri shkruan: Jam pensioniste nga viti 1995, sipas shkresës numër 2049 datë 18.11.2014 të Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë kam përfituar statusin si e përndjekur politike. Aktualisht marr 17.087 lekë në muaj dhe nuk jam dakord, pasi pensioni më duket i ulët.

Përgjigje

Periudha e internimit dhe dëbimit quhet vjetërsi pune për pension, nga mosha 15 vjeç. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier, duke paraqitur librezën e pensionit dhe kartën e identitetit.

 

Njehsimi i viteve të punës në Greqi dhe Shqipëri

Pyetje

  1. Seit Koçaj nga Shkodra me banim në Selanik të Greqisë shkruan: Më 5 maj të këtij viti plotësoj moshën 65 vjeç. Në Shqipëri kam punuar 24 vjet i siguruar dhe në Greqi kam plotësuar 3.600 “ensima“ për pension. Pyes, kur dal në pension në Shqipëri dhe a bashkohen vitet e punuara në të dyja vendet?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç, më 5 maj 2021, dhe për pension të plotë duhen 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara në Shqipëri. Me vitet e mësipërme të punës në vendin tonë ju do të merrni 64% të pensioni të plotë, sqaron eksperti Fadil Kepi. Para moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës, me qëllim që të merrni pension më të lartë. Për të marrë pension në Greqi ju duhet të plotësoni 4500 “enzima”. Aktualisht vitet e punës që ke punuar në Shqipëri dhe Greqi nuk mblidhen për efekte pensioni, pasi ende nuk ka marrëveshje midis dy qeverive përkatëse

Kushtet e përfitimit të pensionit për personat që kanë punuar në miniera në nëntokë

Pyetje

Në emisionin televiziv të mëngjesit shumë të ndjekur, “Koha për t’u zgjuar” një shikues tha: Jam dënuar për motive politike dhe dënimin me heqje të lirisë e kam kryer duke punuar në miniera në nëntokë. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension dhe si llogariten vitet e punës për pension pleqërie?

Përgjigje

Në ligjin nr.24/2018, për një shtesë në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991: “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, botuar në fletoren zyrtare 79 thuhet: “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, njihet sa dyfishi i saj për efekte pensioni. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë në nëntokë, sipas legjislacionit përkatës. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme, pas konfirmimit nga Ministria e Drejtësisë”. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Minatore, duke vizituar shoket e tyre greviste, ne diten e peste se greves se urise, ne nje prej galerive te minieres se Bulqizes 1400 metra nen toke. Ata kerkojne plotesimin e kerkesave te tyre ekonomike dhe permiresimin e kushteve te sigurise ne miniere.

Llogaritja e pensionit për ushtarakët e FA, policisë, gardës, ShISh-it, burgjeve etj.

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” z. Bajram Tema nga Durrësi shkruan: Jam i datëlindjes, 20 gusht 1953 dhe kam punuar rreth 38 vjet i siguruar dhe nga këto mbi 30 vjet ushtarak. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, meqenëse unë kam punuar disa vjet me lëndë helmuese, a njihen 1,5 fishin për efekte të pensionit dhe si llogaritet pensioni suplementar?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e keni plotësuar, më 20.8.2018 ditën që u bëtë 65 vjeç dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 36 vjet e 4 muaj punë të siguruara gjithsej, përfshirë edhe periudhën që keni përfituar pagesë kalimtare dhe pension të parakohshëm sipas ligji nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”. Mbështetur në vendimin e Qeverisë nr.793, datë 24.9.2010, disa profesioneve të ushtarakëve që kanë punuar në shërbimin aktiv të batalionin special “Komando”, në Aviacionin Ushtarak, Forcat Detare, Ushtarakët e shërbimit aktiv që kanë punuar në laboratorët e kimisë me lëndë helmuese luftarake dhe në vende me rrezatim radioaktiv, në forcat ajrore, nëndetëse, etj, vjetërsia e shërbimit llogaritet me 1,5 fish. Mbështetur në nenin 16 të ligjit të mësipërm, ushtarakët përveç pensionit të pleqërisë përfitojnë edhe pension suplementar i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto mujore për çdo vit të plotë shërbimi por jo më shumë se 50% e pensionit të pleqërisë. Masa e pensionit të pleqërisë dhe atij suplementar së bashku pavarësisht nga totali nuk tatohet. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

 

Vazhdimi i punës mbi moshën e pensionit

Pyetje

Në letrën që na ka ardhur nga Shkodra lexojmë: Jam e datëlindjes 10 prill 1958 dhe punoj e siguruar edukatore në një kopsht fëmijësh privat. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit dhe a mund të vazhdoj të punoj mbi moshën e pensionit?

 

Përgjigje

Mbështetur në vendimin e Qeverisë nr.478, datë 16.6.2010, “Për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, nga organet e administratës shtetërore, pas plotësimit të kushteve për pension pleqërie” thuhet: “Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi të gjitha subjektet dhe individët që, pavarësisht objektit të veprimtarisë, ushtrojnë veprimtari private”.

-Bazuar në nenin 19 të ligjit nr.104/2014, datë 31 korrik 2014:”I siguruari që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie dhe vazhdon të punojë (pa dalë në pension) e paguan kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, merr shtesë 0,5% të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension baras me 6% në vit.

-Në rastet kur një person del në pension dhe vazhdon të punojë në sektor privat merr njëkohësisht pensionin e shtesat që bëhen me vendime Qeverie dhe rrogën në qendrën e punës, por duhet të paguaj rregullisht çdo muaj kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

-Personat të cilët dalin në pension dhe punojnë në tokën e tyre që e disponojnë sipas ligjit dhe realizojnë të ardhura, nuk paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

 

Përfitimi i pensionit për personat që kanë punuar edhe në shtet e në ish-kooperativa bujqësore

Pyetje

Lexuesi i gazetës “Telegraf” Fatmir Kaziu nga Preza shkruan: Motra ime Bukurie Gjata, më 28 maj të vitit 2018 plotësoi moshën 60 vjeçe dhe gjithsej ka punuar 36 vjet e 9 muaj e siguruar nga të cilat 15 vjet e 9 muaj në ish-kooperativë bujqësore dhe periudhën tjetër është e vetësiguruar në bujqësi e vitet e fundit punon në një institucion shtetëror. Ai pyet, kur del në pension dhe me kushtet e mësipërme do të marrë pension kooperative apo shteti?

Përgjigje

Zonja Bukurie do të dalë në pension 60 vjeçe e 10 muaj, më 28 mars 2019 dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj të cilat i ka plotësuar. Periudhë pune quhet nga mosha 16 vjeçe. Për kohën që ka punuar në ish-kooperativë bujqësore vit i plotë pune për pension quhet kur ka realizuar 230 ditë pune në një vit ose 20 ditë pune në muaj. Për ndonjë vit që ka realizuar më shume se 230 ditë pune, nuk merren në konsideratë për caktimin e pensionit, shpjegon Fadil Kepi. Meqenëse ka më shumë vite pune të siguruara si e vetëpunësuar në bujqësi dhe sektor shtetëror, në krahasim me vitet e punuar në bujqësi, do të marrë pension shteti. Para daljes në pension i takon leja e zakonshme për periudhën 3 mujore janar-mars 2019 dhe deri një rrogë mujore shpërblim meqenëse punon në institucion buxhetor.

 

Shpërblimi financiar për personat që iu ka ndërruar jetë bashkëshorti/ja

Pyetje

Një mësuese në shkollë shtetërore nga Korça në letrën që na ka mbërritur trajton këtë problem: Kohët e fundit bashkëshorti im ndërroi jetë. Ai punonte në sektor privat. Pyes, a më takon ndihmë financiare nga drejtoria arsimore?

Përgjigje

Bazuar në vendimin e Qeverisë nr.493, datë 6 korrik 2011, juve ju takon ndihmë financiare e menjëhershme 30 mijë lekë, duke dërguar në qendrën tuaj të punës certifikatën e vdekjes së burrit. ndërsa ndihma financiare nga qendra e punës së burrit është në kompetencë të pronarit të firmës. Gjithashtu, fëmijëve deri në moshën 25 vjeç u takon pension familjar, nëse vazhdojnë shkollën ditën. Sqarime me të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Korçë.

 

Sigurimet vullnetare për emigrantët

Pyetje

Zoti Odise Meçi nga Tirana me banim familjarisht në Greqi shkruan: Jam i datëlindjes, 6 janar 1956 dhe në Shqipëri kam punuar i siguruar 30 vjet dhe nga këto 13,5 vjet ushtarak. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension. Po vitet e punuara i siguruar në Greqi a njësohen me ato të punuara në Shqipëri?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni 65 vjeç, më 10.01.2021 dhe për pension të plotë duhen 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë. Me vitet e punës të siguruara aktuale do të merrni pension të pjesshëm në masën 81% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni me ato që duhen për pension të plotë. Para daljes në pension me dëshirën tuaj ju për periudhat që keni të pasiguruara mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 67.392 lekë në vit ose 5.616 lekë në muaj. Sqarime më të hollësishme për procedurën e pagesës së kontributeve të sigurimeve vullnetare mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore. Në moshën 65 vjeç për periudhat që keni punuar ushtarak efektiv përfitoni edhe pension suplementar, i cili sipas nenit 16 të ligjit 10142, data 15 maj 2009, llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto për çdo vit të plotë pune baras me 13%, por deri në masën 50% të pensionit të pleqërisë. Për periudhat e punuara të siguruara në Greqi do të përfitoni pension sipas legjislacionit grek.