Evdal Nuri/ 6 të pathënat për Skënderbeun, Princin e shqiptarëve

494
Sigal

Me rastin e 616-vjetorit të lindjes të Skëndërbeut

Mbresa   nga   libri   “Skënderbeu  Princi  shqiptar” , përkthyer nga polonishtja, nga  Prof. Dr. Arqile Teta

Nga Evdal Nuri

 Kohët e fundit lexova me kërshëri librin e përkthyer nga Prof .Dr  Arqile Teta, “Skënderbeu i princi shqiptar” i autorit polak Marcin Bielski (Martin Bjelski), humanisti dhe historian i madh i Mesjetës Europiane.

Nuk dija përmbajtjen e librit por, përkthyesi ishte i njohur prej meje si autor i fjalorëve voluminoze origjinale dhe unikale jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Poloni sicc janë “Fjalori Polonisht –Shqip” me 25 000 fjalë e 1100 faqe dhe “Fjalori shqip-polonisht” me 30 000 fjalë, nga monografia e mrekullueshme për gjeologun e famshëm polak Stanislav Zuber (i cili zbuloi Kuçovën dhe Patosin) dhe nga shkrime të tjera si studiues i kulturës polake. Nga shkrime të botuara në të përditshme të ndryshme kam lexuar se ai është dekoruar nga Presidenti i Republikes së Polonisë me 2011 me “Kryqin Kalorsiak”, dekorata me e lartë për të huajt. Më vjen keq që vendi që e lindi dhe e rriti si ka  dhënë qoftë dhe një dekoratë  të thjeshtë ! Kjo është e çuditshme.Fillimisht përkthyesi na njeh me autorin e librit në parathënien për botimin shqip. Ai shkruan: “Martin Bjelski (Marcin Bielski) (1495 – 1575) ishte kronikan, historian, shkrimtar polak. Ai në Krakov duke filluar nga viti 1551 botoi veprën e tij monumentale për periudhën e mesjetës në Poloni, “Kronika e gjithë Botës” që rrok historinë e gjashtë shekujve, të shtrirë në katër monarki. Libri i katërtë i kësaj vepre  “Mbi Skënderbeun  Princin shqiptar” u botua më 1564. Martin Bjelski mbetet një nga përfaqësuesit  e humanizmit në vendin e tij. Botimi për herë të parë në shqip i një vepre të botuar në Mesjetë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, nga një historian polak, mbështet historinë tonë dhe pasuron bibliografinë e Skënderbeut në  shqip. Veç kësaj, siç do ta vërë re lexuesi, ajo përmban disa veçori të rëndësishme për heroin dhe Kombin tonë.

Së pari, ka rëndësi për kohën kur u shkrua dhe doli në dritë.

Ajo u botua më 1564, pra 5 vjet para se të botohesh polonisht (1569) vepra dhe historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut” e Marin Barletit dhe rreth 30 vjet pas hyrjes në Poloni (1537) të veprës së M. Barletit latinisht. Pra vepra e M. Bjelskit është një nga botimet më të hershme në Europë për Skënderbeun. Deri atëhere ato numëroheshin me gishtat e dorës. (Sot bibliografia e Skënderbeut është  katër shifrore).

Kjo është vepra e parë e plotë në Poloni për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. U botua në Krakov, në kryeqytetn e atëhershëm të Mbretërisë së Polonisë, i cili ndodhet shumë larg nga ne (mbi 1600 km me autostradat e sotme). Megjithatë jehona e bëmave të Gjergj Kastriotit kishte mbërritur edhe atje. Polakët si luftëtarë të sprovuar kanë marrë  pjesë në shumë ushtri dhe beteja. Madje  kishte polakë edhe në rradhët e jeniçerëve të sulltanëve të Perandorisë Osmane.Tregimet e gojdhënat e tyre kanë qenë një burim tjetër për M. Bjelskin, krahas letërsisë së pakët që qarkullonte në atë kohë. Libri u botua në gjuhën polonisht, me qëllim që polakët të përgatiteshin për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre nga dyndjet osmane.“Ky libër – siç thuhet në hyrjen e botimit të vitit 1961 – ka gëzuar një popullaritet të jashtëzakonshëm në Europën e shek. XVI”. Pas kësaj vepre botohet poema e Kristofor Varshevicki-t (Krzysztof Ëarszeëicki) ”Venecia” (Ëenecya) më 1572. Në këtë vepër u thuren shumë vargje plot patos trimërive të Skënderbeut. Nis kështu një rrymë e spikatur në letërsinë polake që zgjati tre shekuj (XVI – XVIII). Kjo letërsi quhet letërsia antiosmane (ose antiturecka). Janë dhjetëra e dhjetëra poetë e shkrimtarë që ekzaltojnë figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij.

Së dyti, në këtë vepër të Martin Bjelskit përmendet për  herë të parë një fakt historik i rëndësishëm; ai i shpëtimit të shumë polakëve, që erdhën në Shqipëri drejtpërdrejt nga beteja e përgjakshme e Varnës të Bullgarisë (1444). Në këtë betejë, Vladislavi III (Ëarnieńczyk) (1424-1444), mbreti i përbashkët i Polonisë dhe i Hungarisë u ndesh me sulltan Muratin e II-të. Skënderbeu nuk mori pjesë sepse Despoti i Serbisë “i krijoi vështirësi e vonesa të panumërta” për arsye që përmenden nga Bjelski. Sulltan Murati atje ishte shumë i fuqishëm në njerëz e armatim. Në këtë betejë “të krishterët pësuan humbje të mëdha”- shkruan autori faqe 46. Mbreti polak dhe shumë luftëtarë të tij mbetën të vrarë. Të tjerët, të rraskapitur e të plagosur, ndërmjet tyre shumë polakë, të mbetur tashmë pa mbret, u tërhoqën e vendosën të shkojnë në Shqipëri te prijësi i krishterë, që ishte më afër dhe aleat i mbretit të tyre. Skënderbeu ”I strehoi, i ushqeu, u kuroi plagët…” – shkruan Bjelski faqe 47. Ata shpëtuan nga vdekja e sigurt. Ky është kontakti dhe lidhja e parë miqësore e polakëve me Shqipërinë. Ka të ngjarë që një pjesë e tyre të kenë mbetur në Shqipëri. Të tjerët, me rrugën e detit, përmes Venedikut, u kthyen në atdhe.

 Së treti, te Skënderbeu, Martin Bjelski sheh një luftëtar të etur për liri. Këtë ndjenjë Skënderbeu do ta rrënjosë te princat shqiptarë e tek aleatët e tij, te luftëtarët dhe tek i gjithë populli i tij. Për lirinë dhe me urrejtje të padëgjuar më parë kundër robërisë, u flet princave që e shoqërojnë dhe luftëtarëve të tij para betejave. Liria mbrohet e fitohet me luftë dhe jo  „ …duke menduar se Zoti do të na e japë lirinë”. Edhe në letrat që shkëmben me sulltanët shenjtëron lirinë dhe urren robërinë osmane.

Së katërti, për Martin Bjelskin, Skënderbeu ishte i pajisur me një forcë mendore e fizike njerëzore të admirueshme.Ai bënte dyluftime pa dëshirën e tij, i detyruar nga të tjerët dhe i nxitur nga sulltani. Sfidantët e tij ishin ushtarakë të stërvitur e me përvojë, që kishin fituar sa e sa dyluftime. Por ai, trim i fortë e i guximshëm, me zgjuarsi të mahnitshme e reflekse të rrufeshme, triumfonte. Ai bëri mbi tridhjetë beteja dhe asnjëherë nuk u kap rob e nuk mori plagë. Edhe nga luftëtarët e tij ai kërkonte kalitje fizike të vazhdueshme, mposhtjen e plogështisë”– siç thotë Bjelski, disiplinë dhe mbi të gjitha bindjen e vetëdijshme se për çfarë luftonin.

Së pesti, Bjelski, përshkruan me hollësi taktikat luftarake të artit ushtarak të Skënderbeut. Ai tregon se Skënderbeu ishte një strateg i pashoq. Me ushtrinë e tij më të vogël disa herë nga ajo armike, përballoi me sukses një superfuqi, siç ishte atëhere Perandoria Osmane. Ai njihte mirë terrenin, ishte mjeshtër i madh i pritave dhe i veprimeve të shpejta.  Armikun e godiste anash, prapa, e tërhiqte në kurthe, shtigje e lugina vdekjeprurëse; e pakësonte në numër, e frikësonte dhe e tmerronte me befasitë; e lodhte, e rraskapiste, e plagoste rëndë deri sa ata largoheshin të rënë moralisht, për të shpëtuar kokën.

  Së gjashti, Martin Bjelski i mëshon me forcë faktit që Kruja është qendra e Shqipërisë, se aty është kështjella e Gjon Kastriotit dhe aty ka lindur Gjergji.

Ai thekson se Kruja ishte ëndrra e Skënderbeut. Që kur e mori në zotërim dhe sa ishte gjallë nuk e la kurrë ta pushtojnë armiqtë.

Dy sulltanët e egër, gjakësorë e luftarakë të Turqisë osmane, Murati i II dhe pas tij i biri Mehmeti i II, ndonëse bënë disa mësymje, përdorën armë të ndryshme, taktika nga më të sprovuarat e komandantët më të dëgjuar, megjithëse derdhën shumë gjak dhe lanë shumë të vrarë nën muret e saj, nuk mundën ta mposhtin e ta marrin. Kjo qëndresë e pashembullt e bëri Krujën legjendare të njohur e me zë pothuaj në të gjithë Europën.

Botuesi i vitit 1961 nuk ka ndryshuar asgjë nga origjinali i shek.XVI. Gjuha, stili i të shkruarit dhe leksiku janë ato të vitit 1564. Vetëm 47 fjalë e fraza (të largëta me polonishten e sotme), janë shpjeguar në fund të faqes ku shfaqen. Ai  i qëndron besnik kohës së vet dhe letërsisë që shkruhej atëhereë. Siç shpjegohet në Hyrjen e botimit të vitit 1961, në historinë e shkruar nga Bjelski bien në sy shkujdesje në ruajtjen e saktësisë gjeografike-historike apo në stilin e të shkruarit, që janë si rrjedhojë e kohës kur jetoi autori dhe ne i shohim nga maja e lartë e mbi 450 vjetëve.