Dossier/ Ëngjëll Ndocaj : 38 Martirë, pjesë e asaj armate që u persekutua nga diktatura në emër të “urrejtjes ndaj kishës katolike”

679
Sigal

Në prillin e vitit 1993, Selia e Shenjtë në Vatikan i bënte kombit shqiptar nderimin më të madh në historinë e tij. Papa Gjonpali II, gjatë vizitës së tij Apostolike, iu drejtua popullit të Shkodrës:

“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, të dashur vëllezër dhe motra,s’ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit…”

Shtatë vjet më pas, dhe pikërisht me 8 dhjetor 2010, në mbyllje të Procesit Kanonik për lumturimin e Martirëve të Kishës, Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Anxhelo Masafra, ka thënë: “Sot po dërgojmë në Kongregatën mbi Çështjen e Shenjtërve në Vatikan, të gjithë dokumentacionin. Kemi shpresë se Ati i Shenjtë do të vendosë Lumturimin dhe shpalljen

“ Martirë ”, të këtyre shërbëtorëve të kishës në Shqipëri”.

 

Po cilët ishin ata?

 

Ditar brenda një libri

Duke shfletuar një vëllim biografik mbi Padre Xhovani Faustin, botim i vitit 1974 në Itali, në kapitullin: “Një burrë për t’u vrarë, ka zënë vend edhe ditari i njerit prej dëshmitarëve okularë të asaj kohe. Le të ndalemi diku: “15-16 dhjetor 1944. Brenda dhe përreth Shkodrës janë kryer shumë arrestime, sidomos tek katolikët. Mes tyre edhe prifti Lazër Shantoja, i akuzuar për bashkëpunim me pushtuesit. Në fakt ka qenë njeri i kulturës dhe shkrimtar.”…. “ Janar 1945.Një tjetër prift në arrest: Dom Andrea Zadeja i Sheldisë, poet i njohur. Akuzohet për marrëdhënie me “Ballin Kombëtar”. Pas tij edhe 10 krerë katolikë të malsive. Mes tyre edhe atdhetari i shquar Prek Cali” .

Pa dashur të shkëputemi nga ditari. Do të ndalemi tek kryengritja e Malsisë së Madhe e janarit të vitit 1945, kur rregjimi që po instalohej në Shqipëri, nuk do të kursente asnjë besimtar, pavarësisht kontributeve të tyre si atdhetarë…Pas tre muajve Dom Zadeja dhe 12 krerët e malsive të vendit ekzekutohen . Ndërkohë përfaqësuesi diplomatik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri monsinjor de Nigris dëbohet nga Shqipëria.Ç’po ndodh? Ç’mëkat ka bërë Shkodra? Në qytet pushojnë së qeni të gjitha shoqatat fetare. Propaganda e ditës kërcënon mbylljen e shkollave katolike, ndërsa kinema “Rozafa” është kthyer në një skenë gjyqesh kundër klerit… Frikë dhe tmerr… në fund të tetorit, padre Fausti, zëvendës drejtor i Kolegjit Jezuit, njoftohet se duhet të largohet nga Shqipëria, bashkë me të gjithë klerikët italianë. Përgjigja e tij: “Unë do të iki i fundit”!

Kalojnë zgjedhjet e tre dhjetorit. Viti 1945 i afrohet fundit me plot arrestime të disa studentëve të teologjisë, ndërsa klerikët jezuitë e françeskanë bëjnë thirrje për qetësi. 1 janar 1946. Gazeta “Bashkimi”, njofton arrestimin e dy etërve Daniel Dajani dhe Xhovani Fausti. Ky është vetëm fillimi i asaj odiseje që, më vonë…shumë vonë do të quhej “Martirizimi i klerit katolik shqiptar”.

 

Dikur…ishin dy shkolla.

Duke rrëmuar në thesarin e dinastisë Marubi, do të gjejmë edhe disa foto të rralla apo pak të publikuara të shkollave të Shkodrës së viteve 20-30 të shekullit të kaluar. Pa dashur të futemi në historinë e arsimit duhet të pohojmë se kolegji Saverian apo shkolla e mesme e jezuitëve, e hapur më 2 gusht 1859 , qe nga ato institucionetë arsimit shqiptar që edukoi një brez, ku dija dhe dashuria për atdheun ishin një dhe e pandarë.

Sigurisht një shkollë fetare po e frekuentuar nga e gjithë Shqipëria jo vetëm nga ajo katolike. Të parët që u rritën këtu, ishin ata që lindën në Shkodrën e fundshekullit XIX, pra: para 28 nëntorit 1912, çka do të thotë që, mbi të gjitha u edukuan me ndjenjën e lirisë. Ndër të parët që

kryen Seminarin Papnor të Shkodrës, siç u quajt më vonë kolegj, ishin Dom Ndoc Suma, i njohur edhe si etnograf, ndërsa dom Andrea Zadeja qe edhe dramaturg. Bashkëmoshatarët e tyre ishin edhe, dom Jakë Bushati, që do të shërbente në Mirditë, si dhe të dom Ded Plani, që do t’i kushtohej vendlindjes.Seminaristët, që erdhën më pas ishin: Andon Zogaj, sekretar i Arqipeshkvit të Durrësit, deri në vitin 1947; Dedë Maçaj, prifti shkodran, që do të kryente shërbimin ushtarak në 1946; Dedë Malaj, ose kleriku i zonës së Dajçit të bregut tëBunës; Ejëll Deda,famullitar i Bushatit; Frano Gjini, që do të arrinte gradën e monsinjorit; Lazër Shantoja, që do të dallohej për oratori dhe shkencat sociale; Aleksandër Sirdani, që nuk iu nda malsive; Mark Gjani, i njohur më pas si klerik i zellshëm;Mark Çuni, që mbeti seminarist; Pjetër Çuni, që populli do ta quante një bari të mirë i grigjës së vet.

Emra të nderuar , por që u ekzekutuan nga rregjimi komunist, që ditët e para me ardhjen e tyre në pushtet.Të ndalemi tani tek Kolegji Françeskan i themeluar në vitin1877… Një shkollë me një emër po aq të nderuar sa e para. Ndër nxënësit e parë të saj ishin; atë Bernardin Palaj, që do të njihej edhe si shkrimtar edhe pianist; atë Ciprian Nikaj, që do të arrinte deri në provincial të françeskanëve në periudhën 1938-1941; atë Gaspër Suma, që nuk iu nda kurrë banorëve kreshnikë të maleve të Veriut; atë Gjon Shllaku, i njohur edhe si profesor i filozofisë në liceun “Ilirikum” të françeskanëve; atë Karl Sereqi, që jetën ia kushtoi Nikaj Mërturit të largët; atë Mati Prendushi, që do të shquhej si luftëtar në kryengritjen e Malësisë së madhe dhe Deçiq më 1913 me Dedë Gjo Lulin dhe padyshim figura më e shquar e Seminarit Françeskan do të mbetej imzot Vincens Prendushi.Edhe këta pësuan fatin e nxënësve të Kolegjit Jezuit.

 

Shkodra e dijes dhe e besimit

Dy shkollat. për të cilat treguam, kuptohet ishin në Shkodër, pra edhe shumica e emrave të mësipërm kishin lindur në qytetin-djep të kulturës sonë kombëtare. Në atë djep historikisht janë përkundur të gjithë brezat, edhe ata që nuk patën mundësinë të shkonin në shkollat e sipërpërmendura. Dom Daniel Dajani do të ishte profesori i latinishtes, por dhe figura më e dashur e seminaristëve; imzot Jul Bonati, që do të bëhej edhe një përkthyes i italishtes; dom Luigj Prendushi, që do të shërbente në Ipeshkvinë e Sapës dhe dom Mikel Beltoja, që u përgatit për filozofi dhe teologji në Ipeshkvinë e Shkodrës.Ky qytet do të frymëzonte edhe klerikëtkosovarë: dom Shtjefën Kurti nga Ferizaj;dom Anton Muzaj nga Vernavokolo; atë Serafin Koda nga Janjeva dhe frati Gjon Pantalija nga Prizreni.. Besnikëria ndaj besimit të krishterë do të rrjeshtonte pranë tyre edhe dom Josif Papamihalin nga Elbasani dhe dom Marin Shkurtin nga Dajçi i Bregut të Bunës.Shqipëria qe vendi i preferuar edhe i klerikëve të huaj mes të cilëve mund të dallojmë dom Alfons Trackin nga Vrocsllavi i Polonisë, që u vendos në Shkodër qysh në vitin 1920; dom Jozef Marksen nga Vorringeni i Gjermanisë, që erdhi në Mirditë në vitin 1930, fillimisht si misionar dhe pa dyshim ai më i njohuri ishte Xhovani Fausti, që erdhi në Shqipëri dy herë duke u bërë shembull i një jete të veçantë të klerikut.

 

 

Intelektualë të mirëfilltë

Kjo është Roma e këtij nëntori. Kryeqytet i kulturës dhe artit, ku monumentet shkrihen bukur me arkitekturën, që vjen nga lashtësia e që rritet në mesjetë. E përsosur gjatë Rilindjes Europiane, ende sot, ajo ka mbetur unike në këtë qytet. Po brenda këtij muzeu të pafund janë edhe institucionet, që ende sot nuk e kanë humbur funksionin e tyre të parë. Universiteti Gregorian dhe bashkë me të edhe Kongregata e Propagandës Fide të themeluar qysh në shekullin XVI. Dy shkolla të larta që mirëpritën edhe shumë studentë shqiptarë, në degët e preferuara të fillim shekullit XX, siç ishin filozofia dhe teologjia. Një pjesë e tyre vinin nga Shkodra. Ndër të parët ka qenë Frano Gjini. Pas studimeve, në vitin 1908, ai shugurohet meshtar në Durrës; Më 1930 është titullar i Abacisë “Nullius” të Oroshit. Në pranverën e 1945 është i pari shqiptar që emërohet zëvendës delegat Apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri…Të njëjtën shkollë do të mbaronte edhe dom Shtjefën Kurti, në vitin 1921 dhe, në vitin 1930 bashkë me klerikë të tjerë do të vendosej në Tiranë. Në vitin 1936 ka kremtuar meshën e tij të parë në Shkodër; Karl Sereqi, që sapo kish përfunduar studimet për teologji në Breshia… Inetresante është edhe figura e meshtarit Josif Papamihali, që me mbarimin e studimeve në Romë, në vitin 1935 nxitoi të vinte në atdhe në vendlindjen e tij në Elbasan, ku u caktua famullitar i kishës së Shën Pjetrit… një tjetër student i Universitetit Gregorian është dom Pjetër Çuni, i cili detyrën e tij të shenjtëqë nga viti 1940, e lidhi me famullitë përreth Shkodrës si Reç dhe Shkrel… më 19 mars 1944, një tjetër djalë shkodre, menjëherë pas mbarimit të teologjisë në Romë, do të emërohej zëvendës famullitar i Shkodrës. Ky ishte Dedë Maçaj… Nga Castel Gandolfo pranë Romës, në pranverën e vitit 1942, do të vinte tashmë meshtar, edhe Dedë Malaj, të cilin Ipeshkvia e Shkodrës e caktoi në zonën e Dajçit…Qyteti ynë Verior do të priste krahëhapur edhe birin e KosovësAnton Muzajn, që sapo mbaroi studimet në Universitetin Gregorian u shugurua meshtar. Viti 1946 do ta gjente në Shkodër. ..Kishte edhe të tjerë, që studiuan jashtë kryeqytetit italian. Gjon Pantalia, një i afërt i Shenjtoreshës sonë Nëna Terezë, studioi në Soresina, krahina e Piemontes, më pas punoi për vite të tëra si profesor në Kolegjin Franceskan, ku gëzoi një respekt të veçantë nga seminaristët…Një tjetër profesor i Kolegjit Papnor, ishte Daniel Daja, që kish mbaruar studimet në Torino në vitin 1938, i dalluar për dashurinë ndaj të rinjve…Një tjetër shkodran, Mark Gjani do të përfundonte studimet për teologjinë në Bobio të Italisë, për t’u kthyer si meshtar në vitin 1942, duke u vendosur në Mirditë…Edhe Luigj Prendushi, pas mbarimit të studimeve në Piemonte, që nga viti 1921shërbente në Ipeshkvinë e Sapës, ndërsa Jul Bonati, që kish mbaruar studimet që në vitin 1908, do të shërbente në Durrës dhe nëVlorë, por edhe ishte përkthyesi i parë i “Lahuta e Malsisë” në italisht.

 

Shkodra ishte edhe një shkollë më vehte për klerikët e rinj. Në Seminarin Papnor u përgatit si meshtar dom Jak Bushati, që shërbeu për 26 vjet në Mirditë; pas tij edhe dom Ejëll Deda; kështu edhe dom Mikel Beltoja, që u përgatit nga Ipeshkvi i Shkodrës, ndërsa më i riu prej

tyre ishte dom Marin Shkurti, që e kreu seminarin në 1961.

 

Ka një lidhje të ngushtë historike mes Shkodrës dhe Europës, e cila merr udhë në vitin 1832, kur në qytetin tonë Verior hapet e para seli diplomatike në Shqipëri e njërit prej shteteve më të fuqishme të asaj kohe në Europë, Austro-Hungaria. Disa herë Austro-Hungaria i doli zot Shqipërisë në atë fund shekulli të trazuar me luftra lokale, kur fqinjët përpiqeshin të gllabëronin më të dobtit apo, të pafuqishmin. Pa dashur të ndalemi te kjo pjesë e historisë, do të theksojmë se një pjesë e klerikëve shqiptarë kanë studiuar atje…

Inbruku, qytet në Austri , sot i quajtur kryeqytet i Alpeve, i njohur edhe si qendër universitare… priti shumë të rinj nga Shkodra, që patën fatin të diplomohen këtu në filozofi dhe teologji. Ndër të parët qe dom Ndoc Suma, i cili u shugurua në 1911 dhe, tërë jetën shërbeu fshatrave të Shkodrës. Pesë vjet pas tij, dom Andrea Zadeja, sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës, i cili u njoh edhe si dramaturg, ndërsa Aleksandër Sirdani, Alpet e Austrisë i zëvendësoi me malet e Këlmendit, ku jetonin malsorët trima e besnikë të besimit…Të njëjtën gjë bëri edhe Gaspër Suma në Theth… Lazër Shantoja u kthye nga Inbruku,jo vetëm një klerik i përgatitur, por edhe një orator i zoti… Dede Plani erdhi në Shqipëri, një prift i devotshëm dhe i dashur , kurse Bernardin Palaj do të sillte në Shkodër edhe kulturën dhe artin europian.

 

Grac. Një tjetër simbol i bukurisë dhe i kulturës austriake, por edhenjë tjetër emër i njohur për shqiptarët e fillimshekullit XX. Edhe këtu universitetet qenë dyerhapur për bijtë e një populli të sapo dalë nga nata e gjatë e robërisë…Anton Zogaj nga Austria në Durrës, ku u shqua për besnikëri ndaj kauzës së kishës.Ciprian Nikaj, pas studimeve arriti të bëhej provincial i françeskanëve…Mati Prendushi, që nga universiteti rrëmbeu armët për t’i dalë zot atdheut përkrah Dedë Gjo Lulit…e në fund Vincens Prendushi, që nga viti 1908, kreu disa detyra deri në Arqipeshkv i Durrësit…Kultura e gjerë laike dhe fetare dhe prirjet në letërsi bënë që ai të rrjeshtohej në mes të elitës intelektuale të kohës. Pak më ndryshe ka qenë formimi i atë Gjon Shllakut. Në Loviano të Belgjikës studion shkencat e natyrës, në Holandë filozofinë dhe teologjinë, ndërsa në Sorbonë të Francës mbron doktoraturën. Të gjithë e thërisnin profesor…por jo vetëm katolikët, të cilët në vitin 1940 përbënin 10.3% të popullsisëprej 1 milion105 mijë e 903 banorë. Mes tyre pati edhe nga ata që jetën do ta lidhnin ngushtë me kishën, e cila ishte edhe sinonim i atdheut.

 

 

Martirizimi i klerit katolik dhe lumturimi i 38 martirëve nga Kisha Katolike në Vatikan

 

Erdhi një kohë

Për të kuptuar edhe më qartë atë që do të ndodhte në një të ardhme të afërt, na duhet t’i referohemi edhe njëherë fundvitit 1945. Pas dështimit të Kryengritjes të Malsisë së madhe, e para antikomuniste pas Luftës II Botërore në Europë, erdhi ekzekutimi masiv i malsorëve… mes tyre edhe meshtari Andrea Zadeja, i cili deklaroi në gjyq se s’kish bërë asnjë krim politik dhe s’mund të aderonte kurrsesi në idealet e atyre që po e dënonin. Pas ekzekutimit i të parit meshtar, në Shkodër, do të mbërrinte fjala: “Për faj të katolikëve, qyteti është bërë çerdhe e reaksionit!” As banorët e as fetarët nuk e kuptojnë se ç’po ndodh. E njëjta situatë edhe në fshatrat përreth. Tension dhe tmerr! Shumë meshtarë nën akuzë. Qelitë nuk mjaftojnë ndaj shumë godina kthehen në burgje, ndërsa si në të gjithë Shqipërinë, qyteti Verior përgatitet për zgjedhjet e para të pas çlirimit.

 

Shtypi qendror bombardon publikun me shifrat e fitores. Brenda kësaj atmosfere, në Tiranë ka bërë bujë dënimi me vdekje i klerit katolik Lazër Shantoja dhe, pushkatimi i tij më 2 shkurt 1946. Nuk dihet akuza ndaj tij, po ndërkohë një tjetër aktakuzë ishte ngritur ndaj klerit katolik shqiptar në orët e fundit të vitit që kish kaluar. Më 30 janar1946, në sallën e kinema “Rozafa”, u hap gjyqi ushtarak ndaj 36 të akuzuarve, 21 meshtarë jezuitë e françeskanë, të tjerët seminaristë dhe laikë. Në krye padre Xhovani Fausti, zëvendës rektor i Seminarit jezuit, pas tij profesor dom Daniel Dajani, i përkushtuar ndaj të rinjve, atë Gjon Shllaku, i arrestuar gjatë orës së mësimit në janar dhe mes tyre seminaristi Mark Cuni, rinia etë cilit do të këputej në atë sallë. Mirë profesorët të akuzuar bashkëpunëtorë të fashizmit, po Qerim Sadiku nga Vuthaj e Gjelosh Lulashi, që shërbente në spitalin e Shkodrës?… të dy ishin laikë,po për ta u ngrit një akuzë tjetër: anëtarë të organizatës politike “Bashkimi shqiptar”. Para skuadrës së pushkatimit, aty prapa vorrezave të Shkodrës, fjalët e fundit të të dënuarve, ishin: “Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipëria! I falim armiqtë tanë!” sepse… Fenë nuk mund t’ua hiqte as plumbi!. Kjo pra ishte një pjesë e elitës katolike, shkëlqimin e së cilës në aspektin kulturor, social dhe politik rregjimi i sapoinstaluar e ndjente si pengesë. Pas italianit Fausti, nuk do të kursehej edhe polaku, Alfons Tracki me akuzën “ agjent i Gestapos”. Më 18 korrik, të po atij viti, nga banka e 14 të akuzuarve, ky meshtar do të deklaronte: “Nuk më vjen keq se po vdes bashkë me vëllezërit e mi , sepse për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju për të mirën tuaj e të fesë së krishtit!”

Nesër do lexoni:

-Si u dënuan blegtorët shkodranë se nuk pranuan lojën e Sigurimit të Shtetit

Jozef Marksen, të cilin e mbanin në burgun e pushkatuan si “Spiun i Vatikanit”!

– Mbyllja e institucioneve fetare në vitin 1967, bëri që disa meshtarë ta zhvillonin shërbesën e tyre fshehurazi në qytete dhe në fshatra

– Kur Tirana zyrtare festonte 1 majin e 1947 dhe mburrej me arritjet e Qeverisë Demokratike, Shkodra prej 28 mijë banorësh numëronte 26 burgje

D ketuuuu

 

-Si u dënuan blegtorët shkodranë se nuk pranuan lojën e Sigurimit të Shtetit

Jozef Marksen, të cilin e mbanin në burgun e pushkatuan si “Spiun i Vatikanit”!…

– Mbyllja e institucioneve fetare në vitin 1967, bëri që disa meshtarë ta zhvillonin shërbesën e tyre fshehurazi në qytete dhe në fshatra

– Kur Tirana zyrtare festonte 1 majin e 1947 dhe mburrej me arritjet e Qeverisë Demokratike, Shkodra prej 28 mijë banorësh numëronte 26 burgje

 

Po ç’i kish bërë komunistëve blegtori pukjan Fran Miraka? I kishin kërkuar të bënte lojën e Sigurimit të Shtetit! Po ai i besonte vetëm Hyjit. Për këtë u pushkatua në shtatorin e atij viti në moshën 29-vjeçare.

Pra, 1946-a kish qenë një vit i mbrapshtë. Radhën e kish misionari i tretë, dom Jozef Marksen, të cilin e mbanin në burgun e Tiranës sepse…ishte gjerman. Natën e 17 nëntorit e zhdukën….thuhet se e kanë pushkatuar në një pyll. Po para se ta merrnin ai u kishte thënë shokëve të qelisë: “Jam i kënaqur se po vdes, sepse shqiptarët do të më kujtojnë gjithmonë si një prift i fesë së Krishtit”.

 

“Spiun i Vatikanit”!…Kjo akuzë monstruoze që u përdor kundër klerit katolik në vite, do t’i rrëmbente jetën edhe njerit prej pinjollëve të një familjeje të nderuar të Shkodrës: dom Luigj Prendushin këtë meshtar të urtë, e pushkatojnë në prani të fshatarëve për të mbjellë terror dhe frikë më 24 janar 1947.

Në historinë e martirizimit të klerit katolik, duhet shënuar një eksperiment: meshtarin e përvuajtur shkodran, dom Ded Maçajn e marrin në shërbimin ushtarak . E dërgojnë në Përmet. Edhe njëherë togfjalëshi “Spiun i Vatikanit” shërben për arrestime. Më 28 mars meshtari-ushtar pushkatohet para shokëve të repartit, pasi është përçmuar e torturuar çnjerëzisht.

 

Po në krye të një viti, dhe pikërisht më 9 mars 1948, xhelatët kanë dërguar para skuadrës së pushkatimit dom Anton Zogajn. Famullitari i Durrësit u mbajt rreth 10 muaj në burg. Pa një akuzë konkrete . Dëshmitarë kanë mbetur vetëm gurët e portit romak dhe dallgët.

 

Dy ditë më pas. Në një prej kishave katolike janë “zbuluar” armë të fshehura në altar. Autorë të kësaj janë atë Ciprian Nikaj, guardian iKuvendit të Shkodrës dhe Mati Prendushi, të dy françeskanë, i dënuar me vdekje nga serbët si luftëtar i lirisë. Bashkë me ta edhe imzotFrano Gjini, zëvendës delegat apostolik i Shqipërisë. I akuzuar si “spiun i Vatikanit” dhe “bashkëpunëtor i anglezëve”, do të dërgohej bashkë me të dy të parët, prapa varrezave të Rrmajit në Shkodër. Fjalët e fundit të tyre ishin: “Shqipëria do të jetojë edhe nëse ne vdesim”

 

Kleri katolik e kishte bërë zgjedhjen e tij: “Mospajtim me diktaturën!” vetëm me këtë mund të shpjegohet ajo që kish ndodhur dhe do të ndodhte, pasojë e një persekutimi të paimagjinueshëm. Dënimi kapital rikthehet tek meshtarët pas disa vitesh. I arrestuar dhe i burgosur me akuzën se kish dërguar jashtë shtetit listën e meshtarëve të pushkatuar, dom Dedë Malaj do të ekzekutohej më 12 maj 1959, duke paditur para trupit gjykues, Padrejtësitë e regjimit.

 

…Mbyllja e institucioneve fetare në vitin 1967, bëri që disa meshtarë ta zhvillonin shërbesën e tyre fshehurazi në qytete dhe në fshatra. Një prej tyre ishte dom Marin Shkurti. I spiunuar, u përpoq të arratisej, po e prenë në besë. Në 1969 mori dënimin kapital.

 

Një vit pas tij do t’i vinte radha dom Shtjefën Kurtit. Arrestimi i parë 1946… pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz të Milotit. Por më 1970 e arrestojnë përsëri. I kish shkruar atit të shenjtë një letër mbi situatën, që kalonte Shqipëria nën diktaturën dhe i shprehte besimin ndaj kauzës së Kishës. U ekzekutua më 20 tetor 1971.

 

Një tjetër meshtar i arrestuar për kryerjen e shërbesave tek besimtarët nëpër fshatra ishte edhe dom Mikel Beltoja. Pas torturave shtazarake, u dënua me 7 vjet burg, por në gjyq foli kundër diktatorit, duke dëshmuar një jetë heroike, të cilën ia prenë më 10 shkurt 1974. Po ai kish patur e do të kish edhe shumë të tjerë si veten.

 

Foletë e vdekjes

Kur Tirana zyrtare festonte 1 majin e 1947 dhe mburrej me arritjet e Qeverisë Demokratike, Shkodra prej 28 mijë banorësh numëronte 26 burgje, që nga burgu që lanë pushtuesit, deri te spitali e shkollat. Një prej tyre ishte dhe konvikti “Malet tona”, ku torturonin sistematikisht atë Bernardin Palaj, historian dhe artist i njohur në vendlindje… Provuan ta mbanin të lidhur me tela…Ishte tetanozi që ua hoqi nga duart torturuesve. Vdiq në qeli pa dalë në gjyq në fundin e atij viti.

 

Një dorë e kujdesshme ka ruajtur një tufë letrash që dom Mark Gjani ka këmbyer me miqtë e tij Malaj, Maçaj e Muzaj… Rreshta plot optimizëm për jetën, por ai, kurrë nuk do ta kish menduar se një ditë në burgun e Shën Palit në Mirditë, do t’i kërkonin të mohonte zotin…përgjigja: “Rroftë Jezu Krishti.. pas pak javësh u gjet i masakruar në një kanal.

 

Jemi ende në vitin 1947. Famullitarit të Lezhës, atë Serafin Kodes i kërkohet të akuzojë vëllezërit e tij të besimit…E pamundur!…Meshtari u mbetet në duar…Një murgeshë e varros në oborrin e Kuvendit më datë 11 maj.

 

Po kështu ndodhi edhe me fratin Gjon Pantalia. Pas arrestimit në Kuvendin e Gjuhadolit, ai qëndroi i pathyer para çdo persekutori. Fuqinë ia njohën gjatë torturave deri sa e vdiqën më 31 tetot 1947.

 

Dy javë më pas , arrestohet dom Ejëll Deda në Bushat. Ç’kish bërë ky meshtar që e donte i gjithë populli i zonës?…Duhej të dënohej me dhjetë vjet burg !… Po vetëm sa i filloi! Më 12 maj 1948 e nxorrën të vdekur nga qelia…Po dy javë para tij, e kish mbyllur jetën heroikisht edhe një tjetër meshtar patriot, i rikthyer në Shqipëri për t’i shërbyer popullit të vet: djali i Shkodër –Loces, dom Dedë Plani.

 

Ndërkohë në qelitë e policisë së Koplikut dergjeshin edhe dy shërbëtorë të tjerë të kishës: dom Aleksandër Serdani dhe dom Pjetër Çuni. Të dy pa motiv! Pa akuzë konkrete. Provuan mbi ta ç’mundën…Asnjeri s’u luhat! Në fund i futën të gjallë në një gropë me ujë, një ditë pas Krishlindjeve…

Vdekja do të zbriste në burgun e Durrësit, aty ku mbahej i dënuari me 2O vjet heqje lirie, imzot Vinçenc Prendushi. Po ç’i kish bërë diktaturësky burrë fisnik dhe njeri i letrave?… Ishte klerik ndaj…e priste një fund më i shpejtë se ai që i kish përcaktuar gjykata. Mes torturave ai dha shpirt aty, mes katër mureve të lagësht më 19 mars 1949.( dëshmitar okular ishte dhe i burgosuri Arshi Pipa)

 

Persekutorët nuk do të kursenin as dom Jake Bushatin, 59-vjeçar, vetëm se ishte shkodran dhe shërbente në Mirditë. Donin ta çonin sa më shpejt në bankën e të akuzuarve…po ishin nxituarsepse… u mbeti në duar më 12 shtator të atij viti…

 

Atë ditë arrestohej në Ndërfushas një trimëreshë mirditore, Maria Tuci. E urtë, e bukur, humane…por dhe …besimtare.     Pikërisht për këtë e kishin futur në listën e zezë. “Të gjitha torturat e mundshme po i ushtrojnë mbi trupin tim!”- u tha një ditë shoqeve të burgut. Nuk e shpëtoi dot as spitali i burgut ku mbylli sytë përgjithmonë në shtatorin e 1950-ës. Sot pushon e qetë në një prej fushave të Shkodrës.

 

Ka një varr, nga të paktën e 38 martirëve për të cilët po flasim. Në kishën Françeskane të Shkodrës prehet atë Gaspër Suma; njeriu më i dashur i malsorëve të Gomsiqes, Hotit, Thethit. I pathyer ndaj s’mund të dilte i gjallë nga burgu i tmerrshëm i qytetit tonë Verior. Atij ia prenë jetën pranverën e 1950-ës.

 

Ky është burgu famëkeq i Burrelit. Mes mijëra të dënuarve, nga 1947 deri në 1950 do të vuante dënimin me burg të përjetshëm edhe Karl Serreqi, sepse nuk kish treguar…Ç’farë?…Takimet e tij me persona politikë!…Po si shumë të tjerë nuk do të dilte i gjallë që andej. Pak prej tyre dolën nga foletë e vdekjes, por më të vendosur se kurrë, në besimin ndaj kauzës së fesë…dom Josif Papamihali, do ta arrestonin me fillimin e 1945-ës…sepse “…na qenkej prift katolik!”. Pas sa kohësh e degdisën me punë të detyruar në Korçë. I gjetën një vend në kantierin e Maliqit. Nuk ishte i vetmi…po si shumë të tjerë nuk rrezistoi gjatë. E varrosën të gjallë në ujrat e kënetës në tetor 1948.

Dom Anton Muzajn , të arrestuar në 1948-ës, e torturuan për vdekje. Nuk e mbajtën gjatë sepse… edhe ai se kish të gjatë, siç e kishin katandisur! Vdiq pas një muaji në Arqipeshvinë e Shkodrës.

 

Dikujt i kishin përgatitur një martirizim të ngadalshëm. Mbi imzot Jul Bonatin, kishin provuar çdo specialitetpo…pa rezultat. Më në fund e mbyllën nëçmendinën e Durrësit ku u shua në moshën 77-vjeçare.

 

Në vitin e mbrapshtë 1946, ishte arrestuar edhe dom Ndoc Suma, teksa mbante meshën e shenjtë. Gënjeshtrat e hetuesve u çmuan me 30-vjet burg. E liruan pas tetë vitesh, por të paralizuar. Megjithatë nuk iu nda meshësdhe etnografisë deri sa mbylli sytë në 1959.

 

38 martirë pjesë e asaj armate që u persekutua nga diktatura në emër të “urrejtjes ndaj besimit”, ndaj “ kishës katolike” shqiptare. Po përse?

 

Ringjallje

 

Në Ditën e Pashkëve të vitit 1971 dhe me rastin e 25 -vjetorit të ekzekutimit të 7 klerikëve në Shqipëri ( deri në1946) , Papa Pavli VI, do t’i drejtohej mbarë botës me këto fjalë:

“Për ata, që ripërtërijnë dhe nderojnë kujtimin e të ndjerit dhe heroikut, atë Xhovani Fausti, i dërgojmë bekimin tonë ngushëllues, shprehim pikëllimin dhe sigurojmë mbështetjen tonë, si gjithnjë duke kujtuar shokun e studimeve, duke admiruar vetmohimin në jetën religjioze dhe dëshminë e tij të vlefshme në besimin katolik e duke uruar, që nga sakrifica e tij, të marrë inkurajim dhe shembull kisha e duruar”

Ende sot këto fjalë kanë mbetur të shkruara në mendjen e çdo banori të Brozos, këtij fshati, në provincën e Breshias, në veri të Italisë. E rrethuar nga malet, me një histori të pasur në shumë fusha, e ndarë në mes nga lumi Mela, krahina e Valetrompias, krenohet edhe me dy nga djemtë e saj: birin e Brozos, Xhovano Faustin, vrarë më 4 mars 1946 në Shqipëri, në mbrojtje të besimit dhe shokun e tij të fëminisë dhe të universitetit Xhovano Batista Montinin. Po Fausti nuk pati fatin ta shohë bashkëmoshatarin e tij në krye të Vatikanit të njohur Papa Pavli VI.

 

Ka ditë që Komuna e Markenos, ku bën pjesë dhe fshati Brozo me 4 mijë banorë, ka marrë një pamje festive. Deri në fund të këtij viti jeta kulturore dhe artistike e krahinës do t’i kushtohet lumturimit të padre Faustit dhe 37 martirëve të tjerë të Kishës Katolike Shqiptare…Një rast që e ndeshim ndoshta për herë të parë…Me këtë shpjegohet që edhe brenda në kishën e Shën Mikelit ka thuajse çdo ditë veprimtari kushtuar ngjarjes që do të ndodhë më 5 nëntor 2016…Po kështu edhe në shkollën që mban emrin e martirit, ndjehet kjo atmosferë, duke filluar nga krijimet e nxënësve të fillores. E gjithë komuna ka një tjetër frymëmarrje nga ajo e zakonshmja.

 

Pra. Lumturimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare është një ngjarje me vlerë përtej asaj kombëtare. Ka një institucion në Selinë e Shenjtë që quhet Kongregata mbi Çështjen e Shenjtërve, e cila është marrë me analizën e akteve që hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e 38 martirëve.

Regjimi Ateisto-Komunist, i cili ekzekutoi me tortura barbare 38 martirët e besimit katolik, mori përgjigjen e merituar në Shkodër me lumturimin e tyre si edhe në mes të Vatikanit nga vetë Papa Francesku. Në meshën e të dielës në Vatikan, Ati i Shenjtë i citoi 38 Martirët, si një rast vetëflijimi sublim në emër të besimit të tyre të palëkundur edhe besnik deri në fund.- “Këta njerëz, – tha kreu i Kishës Katolike, – pranuan torturat e vdekjen, por nga Zoti nuk hoqën dorë”. -“Shembulli i tyre na ndihmoftë të gjejmë te Zoti, forcën që ruan në momentet e vështirësisë e që frymëzon qëndrime mirësie, faljeje dhe paqeje”,- citoi sërish Papa Françesku në fjalimin e tij kushtuar martirëve.

Me merita të plota, në emër të Kishës edhe Zotit, ceremonia e lumturimit të 38 martirëve të pushkatuar nga regjimi komunist, për shkak të besimit të tyre, u zhvillua të shtunën në Shkodër, në Katedralen e “Shën Shtjefnit”. Ceremonia u drejtua nga Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. “Beatifikimi” u realizua me urdhër të vet Papa Françeskut dhe pas kërkesës së autoriteteve të Kishës Katolike në Shqipëri, ku morrën pjesë anëtarë të Kishës Katolike si edhe funksionarë apo personalitete të larta të shtetit. Në ceremoni, morën pjesë gjithashtu besimtarë të shumtë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe diaspora shqipfolëse të cilët nderuan edhe u përkulën përpara urdhëresës së martirëve mëshirëplotë përpara Zotit.

Heroizmi i tyre për të mbrojtur me gjak çfarë dëshironin edhe besonin përcolli, shërbesën historike të kthyer në dëshminë e faktit, sesi sakrifica dhe vlerat e këtyre njerëzve kapërcyen dekada të tëra pas vdekjes së tyre, për t’i sjellë në fund vlerësimin e lartë që meritojnë pas vdekjes si të vetmit heronj të vërtetë fetar fill pas Jezusit.

 

 

Do të kthehemi edhe një herë në Shkodrën tonë. Një popull e një komb i tërë ka kërkuar të shpallë të vërtetën e martirizimit të bijve të tij….Atë pse-në e përgjakjes së mureve prapa varrezave të Rrmajit dhe gurëve të zallit të Kirit, njollosjen e duarve të xhelatëve dhe të mureve të qelive e në fund: pse-në e zhdukjes, e lënies pa varr të shumicës. Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, ashtu siç deklaruan vetë martirët para plumbit, ka falur në emër të qytetarisë. Një komb, sot, më shumë se kurrë ndjehet krenar për bijtë e tij e të tjerët që u flijuan bashkë me ta në emër të fesë dhe atdheut.