Çorovoda i pari qytet në Europë që u çlirua nga bijtë e saj dhe që nuk u pushtua dot nga nazistët. Beteja heroike e Tendës së Qypit do të mbetet në histori. Historia e LANÇL është shkruar me vetmohimin e mbarë një populli dhe është vulosur me gjakun e kulluar të Dëshmorëve të Atdheut.
Përgatiti për botim
Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf
Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”
Në krahinën e Skraparit rron një popull patriot trim, një popull, që gjatë gjithë historisë së tij shekullore ka luftuar për liri. Skrapari ka qenë dhe është tokë e burrave, vendi i trimave, çerdhja e luftrave çlirimtare, prita dhe vdekja e armikut. Të tillë e njohu historia e popullit tonë Skraparin dhe skraparlliun, gjithmonë nëpër male në kërkim të lirisë e të pavarësisë. E ku se kërkuan lirinë e të drejtën e jetës së tyre këta njerëz! Në vite që kaluan ata heshtën e i futën nëpër sepete koburet e tyre. Skraparllinjtë si bij të shquar të dalë nga gjiri i maleve shekullore të kësaj krahine kanë marrë pjesë në beteja dhe kanë dalë fitimtar. Po të kthejmë kokën prapa e t’u referohemi dokumenteve arkivore e kujtimeve të popullit, del një histori e rrallë e skraparllinjve, që të shfaqet para syve si një film në ekran të gjërë. Si vetë historia e vendit tonë, edhe historia e Skraparit është një gjerdan betejash e përpjekje të përbashkëta me pushkë e me penë, që nga ato në luftë kundër ushtrisë osmane, andarve grekë e kudo ku ka dalë çështja të mbrohej atdheu, atje janë gjetur skraparllinjtë. Çetat dhe populli i Skraparit arritën që më 5 shtator 1942 të çlirojnë Çorovodën duke dëbuar administratën fashiste. Në qendër të Skraparit valon flamuri kuq e zi, me shqiponjën dy krenare në mes. Firmën në librin e artë të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë e hodhën edhe delegatët e caktuar nga Skrapari për Tomorricën të përfaqësuar nga vetë Ismail Qemali dhe Xhelal Koprencka për Skraparin.
Në luftën heroike të Vlorës muarën pjesë rreth 2000 skraparas; në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes (1920); në mbështetje të Revolucionit të qershorit (1924), në lëvizjen e Fierit (1935). Skraparasit mbajtën kurdoherw anën e përparimit. Emrat e ndritshëm të Riza Cerovës, Ali Koprenckës, Muço Kapinovës, Riza Kuçit, Maliq Skraparit, Zylyftar Veleshnjes, Xhevair Arapit, Asllan Osojes. Pasho Hysit e të tjerë lidhen ngushtë me këtë ngjarje të rëndësishme për fatet kombëtare; dëshmojnë pikërisht këtë të vërtetë historike. Mane Nishova u radhit në brigadat Ndërkombëtare përkrah republikanëve në luftën e Spanjës. Ishte ideali kombëtar, që u bë forcë udhëheqëse e popullit shqiptar në luftën kundër fashizmit në vitet e para të pushtimit fashist në vendin tonë. Edhe në Skrapar buçiti zëri i popullit me kërkesën për armë në qendër të komunave, N/Prefekturën e Skraparit, Berat. Veprimet luftarake italo-greke (1940) rritën më tej urrejtjen masive të popullit skraparas për qëndresë të fuqishme antifashiste. Tradita patriotike nisi të marrë një shkëlqim të ri. Në këtë truall të favorshëm partia në Qark kishte piketuar se në Skrapar të luftërave për çlirim kombëtar, formimi i çetës partizane duhej të ngrihej sa më parë. Në këto kushte i deleguari i KQ të PKSH shoku Gjin Marku së bashku me disa shokë Kahreman Ylli, Iljas Sevrani e të tjerë të ngarkuar nga qarku i Beratit ishin nisur drejt malit të Tomorrit, sepse mali e pushka mbeten nëpër vite ideale të jetës së skraparllinjve. Kështu më 14 mars 1942 u krijua çeta e Skraparit një nga çetat e para të qarkut të Beratit dhe në gjithë Shqipërinë e jugut pas asaj të çetës partizane të Pezës me komandant legjendar Heroin e Popullit Myslim Peza e formuar në vitet 1940-1941. Çeta partizane filloi nga veprimtaria e saj patriotike e luftarake duke demaskuar rregjimin fashist e duke i bërë thirrje popullit që të kundërshtonte çdo kërkesë të qeveritarëve duke mos dërguar taksat, duke mos dërguar rekrutët në ushtri etj. Sulmi mbi Çorovodën u caktua të kryhej më 5 shtator, sulmi do të realizohej nga disa drejtime nga Vendresha dhe nga Piragoshi. Sulmi i rrufeshëm u dha në të njëjtën kohë nga të katër anët. Çeta partizane pasi shpartalloi milicët dhe forca të tjera të armikut duke vrarë, plagosur e zënë rob nën flamurin e kuq me shkabë dykrenare hyri triumfalisht në Çorovodë, qëndra e nënprefekturës e rrethit Skrapar.
Çorovoda qyteti i parë i çliruar në Shqipëri:
Dhe po ashtu Skrapari, rrethi i parë i lirë në Atdhe. Në mes të qytetit ngrihet madhështor flamuri i Kastriotëve me fushën e kuqe e zhgabën dykrenare në mes të tij. Ndërkohë kënga partizane dhe ajo popullore jehon tej e tej qytetit deri në Kala e Sharove. Ndërsa lajmi i kësaj fitore mori dhenë: Ai kapërceu malet e Skraparit si dhe kufijtë e atdheut duke përshëndetur kështu një ditë edhe nga radiostacionet e aleatëve të koalicionit të madh antifashist botëror. Gazeta “Zëri i Popullit” nr.3-4, f.16, 1942 shkruan: “Shpartallimi i milicisë në Mëlovë dhe çlirimi i qytetit të Çorovodës e krejt Skraparit më 5 shtator 1942, janë kurorëzimi i një epopeje të shkruar me gjak prej çetës heroike partizane. Çlirimi i Skraparit, krahinë prej rreth 100 fshatrash në zemër të jugut të vendit i priu frymës bashkuese të Konferencës së Pezës. Aleatët Anglo-Amerikanë kësaj ngjarje me peshë i bënë një jehonë të menjëhershme nëpërmjet radio BBC. Folën edhe radio Berlini, Roma, Bukureshti se një krahinë malore ‘Skrapari’ u çlirua nga partizanët.
Ja pse 5 shtatori dita e çlirimit të Skraparit është e do të mbetet simbol i krenarisë së gjithë skraparasve, por edhe i gjithë popullit tonë. Historia e LANÇL është shkruar me vetmohimin e mbarë një populli dhe është vulosur me gjakun e kulluar të dëshmorëve të Atdheut. Çdo orvajtje që bëhet sot për gjoja rishikim të historisë nuk është gjë tjetër veçse zbehje e shkëlqimit të asaj vepre madhore të popullit tonë, me të cilën jemi mburur dhe do të mbetemi krenare para Europës dhe Botës së civilizuar. Në qendër të Çorovodës, si një zambak i bardhë është ngritur obelisku, vepër e skulptorit beratas Nezir Ago. Ky obelisk është emblema e historisë së kësaj treve. Aty janë anonime. Aty mund të skaliteshin edhe figura konkrete. Më mirë kështu. Një prej tyre mund të jetë Ylli i skrapallinjve me emrin Kahreman, tjetri simbol me emrin Riza Cerova, kapedani me fustanellë Luce Backa apo Sulejman Spathara. Pak rëndësi ka. Ata janë bashkë, me Heroin e Popullit Zylyftar Veleshnja, Estref Caka, Tefik Lapani, Sadush Myftari, Vaip Gogo, Iljas Sevrani, Neshat Hysi, Bajram Radeshi etj, si gjerdan betejash e përpjekjesh të përbashkëta me pushkë e penë për çlirimin e atdheut.
Qeveria ka kohë që ka hedhur idenë e rishikimit dhe në këtë kuadër edhe të rishikimit të historisë, duke përfshirë brenda kësaj edhe periudhën e lavdishme të LANÇL. Por në sallën e muzeumit historik të rrethit dhe arkivin e tij, vetëm për dy luftime, që partizanët kanë bërë ndaj forcave armike në Mëlovë dhe Çlirimin e Çorovodës, vetëm për një ditë armiku ka dërguar mbi 11 radiograme e telegrame me shenjën urgjente dhe tepër urgjente…shkakton përgjegjësi. Këto dokumente zyrtare pa përmendur ato të shtypit të kohës dhe kujtimet e veteranëve dëshmitarë okularë, flasin haptazi për luftime të përgjakshme, që janë zhvilluar kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo histori është shkruar dhe po vazhdon të shkruhet me vërtetësi dhe të mbrohet nga organizatat e veteranëve.