Ekonomia e Shqipërisë në rrjedhat e shekullit XX

1938
Sigal

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

Të flasësh për Profesor Hasan Banjën është e vështirë. Është e vështirë sepse Profesor Banja bën pjesë në plejadën e ekonomistëve dhe profesorëve që themeluan mendimin ekonomik shqiptar, që themeluan mendimin ekonomik të Universitetit të Tiranës prej të cilit dolën personalitete që i shërbyen dhe vazhdojnë t’i shërbejnë ekonomisë shqiptare.

Prej atij Universiteti kanë dalë personalitete që kanë dhënë kontribut në mendimin ekonomik shqiptar dhe në atë botëror. Me këtë rast unë dua të përmend plejadën e papërsëritshme të pedagogëve të nderuar të Fakultetit të Ekonomisë si Profesor Mara, Pano, Banja, Misja, Luҫi, Kuka, Papajorgji, Fullani, Ilmia etj., etj.

Monografia e Profesor Hasan Banjës është produkt i një pune kërkimore shumëvjeҫare në fushën e historisë së ekonomisë shqiptare, që përfshin sferën e prodhimit, të qarkullimit dhe atë të marrëdhënieve me shtetet e huaja.

Autori ka bërë një punë të kujdesshme për të na dhënë në mënyrë reale dhe kronologjike vit, pas viti dhe periudhë pas periudhe ngjarjet më të rëndësishme që ka kaluar vendi jonë, duke i parë në aspektin e politikës së përgjithshme evropiane.

Monografia është një vlerë e shtuar në grupin e përmbledhjeve historike, ekonomike e politike, ajo ka ekspoze shifrash, të dhënash, përshkrimesh, vendimesh, interpretimesh dhe gjykime të vetë autorit mbi situatën ekonomike e politike sipas periudhave përkatëse. Në material ka të dhëna që duhet të njihen nga historianët e ekonomisë sidomos nga të rinjtë për të parë rrugën që ka përshkruar ekonomia shqiptare për të ardhur deri në ditët e sotme.

Në këtë analizë të thjeshtë do përpiqem të cek disa probleme kryesisht të fushës financiare dhe bankare.

Në monografi ka të dhëna interesante që nuk janë vetëm për të shuar kuriozitetin e historianëve apo ekonomistëve por edhe data të rëndësishme kur kanë filluar procese të rëndësishme politiko-ekonomike në interes të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Interesant paraqitet fakti që autori analizon jo vetëm gjendjen e ndërmarrjeve industriale, por ai shikon me një sy të veçantë edhe problemet e politikave fiskale dhe monetare.

Në vitet 1920-21 u morën një sërë masash në fushën fiskale. U shtuan taksat e importeve dhe u ulën ose u anuluan taksat e eksporteve. Në vitin 1922 u mbajt Kongresi Kombëtar i Tregtarëve. Pikërisht, në 30 janar 1920 u miratua nga Kongresi Lushnjes krijimi i Ministrisë së Financave.

Në 6 maj 1920 është miratuar huaja e parë e brendshme e shtetit shqiptar. Pas viteve 1920 filloj edhe ndërtimi i sistemit rrugor, filloj investimi në fushën e arsimit. Në këto vite mbi 90% e popullatës ishte analfabete, kishte vetëm 550 shkolla fillore. Në vitin 1920-1922 u çel shkolla teknike e Tiranës.

Në Monografi jepen të dhëna mbi krijimin e sistemit monetar shqiptar

Më 25 qershor 1921 u vendos që të ardhurat e shtetit të llogariteshin në franga ar.

Në 13 shkurt 1922 doli ligji për emetimin e kartëmonedhës kombëtare me emrin LEK. Ky ligj nuk hyri në fuqi asnjëherë. Në qershor të 1922 qeveria shqiptare iu drejtua Kombeve të Bashkuara për të dërguar një ekspert të çështjeve fiskale për të analizuar gjendjen financiare dhe për ngritjen e një banke që të nxiste kapitalin e huaj në shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendit.

Albert Kalmes ishte personi dërguar që paraqiti gjendjen financiare të Shqipërisë. Në vijim nuk u investua sepse nuk kishte qëndrueshmëri politike. Në janarin e vitit 1923 qeveria autorizoi Bashkitë e Shkodrës, Korҫës, Vlorës dhe Fierit të emetonin kartëmonedha deri në 80 mijë franga ari. kështu në Shqipëri fillimisht janë prerë kartëmonedha nga Bashkitë pastaj është emetuar kartëmonedha kombëtare.

Qeveria e Zogut krijoj një klimë të mirë për futjen e kapitalit të huaj. Gjeologët e huaj u ftuan për të bërë kërkime në Shqipëri. Austriakët për herë të parë në vitin 1929 bënë hartën gjeologjike 1;200 mijë, ku paraqiteshin burimet e pasurive nëntokësore sipas zonave. Në material jepet një përshkrim i gjerë mbi zonat naftëmbajtëse dhe gjeologët e huaj që kontribuan në kërkimin e tyre si Novak, Zuber, Maddalena etj.

Në pjesën e tretë të Librit bëhet një përshkrim sa historik aq dhe ekonomik që është i lidhur me periudhën e Republikës dhe të Monarkisë, me Zogun President dhe mbret, jepen reformat institucionale dhe ligjore në sistemin kapitalist, politikat e koncesioneve në sektorin e naftës, koncesioni Bankës Kombëtare dhe politikat e saj. Jepen pasojat negative të politikave ekonomike.

Më 6 janar të 1925 u formua qeveria e re e kryesuar nga Zogu. U krijua Asambleja Kushtetuese dhe u miratua Statuti themeltar i Republikës së Shqipërisë, u Krijua Parlamenti me dy dhoma prej Senatit dhe Dhomës së Deputetëve. Senati kishte 8 senatorë dhe dhoma e deputetëve kishte 57 deputetë. Deputetët zgjidheshin ata që kishin mbushur moshën 40 vjeç. Më 1 shtator 1928 Shqipëria u shpall mbretëri demokratike parlamentare dhe e trashëgueshme, më 5 shtator u krijua qeveria e re me Koço Kotën kryeministër dhe, më 1 dhjetor 1928 Asambleja Kushtetuese u kthye në parlament që kishte vetëm një dhomë.

Në këtë periudhë u miratuan Kodi Penal më 1928, kodi Civil më 1 prill 1929, Kodi tregtar më 1932. Gjatë kësaj periudhe u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dhe traktatesh, me Britaninë e Madhe, Serbinë, Hungarinë, Belgjikën, Luksenburgun, Traktati miqësisë me Japoninë, Konventa tregtare me Ҫekinë Turqinë, Francën, Gjermaninë, Austrinë etj. Gjatë kësaj periudhe ju kushtua kujdes rritjes së prodhimit të energjisë elektrike, përpunimit të duhanit, ndërtimi fabrikës së birrës në Korҫë etj. U zbatua një politikë liberale në fushën e koncesioneve në sektorin ne naftës, serës, hekurudhave, bakrit, kromit, hekurit, qymyrgurit, pyjeve etj, etj.

Koncesioni më i rëndësishëm i kohës ishte krijimi i Bankës së Shqipërisë. Në gusht të 1920 u bënë bisedime nga qeveria e Lushnjes për krijimin e një banke, ato vazhduan më 1921-1924. Në 1925 grupe financiare italiane dhe angleze paraqitën ofertat e tyre për koncesionin e krijimit të një banke. Qeveria shqiptare nuk u lidh me grupet financiare angleze por me grupet italiane. Italia do t’i jepte një hua Shqipërisë prej 2 milionë franga ari të ndara në 5 vjet.

Më 11 mars 1925 M. Libohova, përfaqësues i shtetit shqiptar dhe Mario Alberti përfaqësues i grupit Italian i rekomanduar nga qeveria italiane nënshkruan Marrëveshjen e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Më 15 mars 1925 A. Zogu dekretoj marrëveshjen dhe operacionet e huasë. Kapitali Bankës do përbëhej 51% nga grupi financiar Italian dhe 49% nga shteti shqiptar. Banka do drejtohej nga Këshilli Administrativ që përbëhej nga 9-13 veta që emëroheshin nga mbledhja e aksionerëve. Njëri përcaktohej nga Ministria e Financave të Shqipërisë. Qendra do ishte në Romë ndërsa Drejtoria që do zbatonte vendimet do ishte në Durrës, fillimisht dhe më vonë kaloj në Tiranë.

Marrëveshja kishte një afat 50 vjeçar. Më 23 prill 1925 u krijua shoqëria SVEA (Societa per lo Svilupo Economico d’Albania), pjesë e një grupi aksionarësh që themeluan Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Më 12 korrik 1925 Parlamenti shqiptar miratoj ligjin ”Mbi pranimin e Konventës për Bankën Kombëtare. Banka e Shqipërisë u krijua si bankë emisioni dhe aktiviteti i saj rregullohej prej Statutit, konform me Ligjin Organik të Bankës. Në krijimin e BKSH dhe të shoqërisë SVEA morri pjesë vetë shteti Italian. Nga viti 1925 deri në vitin 1932 Shqipëria përfitoj 6.44 milion franga ari në vit nga SVEA.

Krahas kapitalit Italian në Shqipëri u përpoqën të futin kapitalin e tyre edhe bankat serbe dhe greke. Kështu më 3 prill 1925 Banka serbo-shqiptare me qendër në Cetinjë me autorizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë çeli filialin e saj në Shkodër.

Në vitet 1920-1930 filloj rikonceptimi qyteteve shqiptare me ndihmën e arkitektëve italianë. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë në periudhën 1925-1939 ndryshoj në vartësi të rrethanave, duke ndikuar në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Deri në fund të 1925 qarkullonin lirisht monedhat dhe kartëmonedhat e Turqisë, Austrisë, Italisë, Francës, Serbisë dhe SHBA-së pa kurs këmbimi duke sjellë humbje për ekonominë shqiptare.

Banka e Shqipërisë caktoj frangun ar si monedhë zyrtare. Monedha kishte nënfishat e saj lekun dhe qindarkën. Të drejtën ekskluzive për prerjen e monedhave e kishte grupi Italian. Në vitet 1927-1928 sasia e kartëmonedhave në qarkullim ishte rritur, në fund të 1928 kishte në qarkullim 28.1 milion franga ar kartëmonedha dhe 422 mijë franga ari monedha të reja.

Banka e Shqipërisë zbatoj standardin e arit dhe të devizës, që kuptonte mundësinë e këmbimit të kartëmonedhave në ar dhe në valuta të huaja të forta, si dollar, lira, sterlina etj. Mbështetja e frangut shqiptar në ar ishte një arritje e politikës financiare të rrëgjimit.

Në këtë kohë monedhat e huaja u përjashtuan nga qarkullimi në marrëdhëniet zyrtare me përjashtim të fushës së këmbimit. Eksportimi i arit jashtë vendit bëhej me autorizim. Kriza ndërkombëtare e viteve 1929-1933 ndikoj edhe në Shqipëri, ajo thelloj edhe më tej deflacionin, nga 14 milionë franga ari që ishin në qarkullim në vitin 1933 në vitin 1938 kishte vetëm 10.5 milionë franga ari.

Depozitat bankare patën një rritje të ndjeshme gjatë viteve 1925-1939, nga 1.7 milionë franga ari që ishin në 1926 , si viti i plotë i fillimit të veprimtarisë së saj, në 1936 arritën në 20.8 milionë franga ari dhe në 1938 u ulën në 12.2 milionë fr ari. Pjesa më e madhe e depozitave përbëhej nga depozitat e enteve publike, të bankave dhe të institucioneve financiare.

Gjatë viteve 1925-1939 BKSH investoi një pjesë të rëndësishme të mjeteve monetare që dispononte në obligacionet dhe në titujt e tjerë të shtetit Italian. Nga 5.3 milion fr ari që ishin investimet e BKSH në titujt e shtetit Italian në 1926, në vitin 1938 ato arritën 8.5 milionë fr ari. BKSH mbështeti shoqëritë italiane që vepronin në Shqipëri në bujqësi, industri, ndërtim, regëti, mbështeti tregtarët shqiptarë.

BKSH pengoi kapitalin shqiptar të krijonte institute kreditimi të tijin

Kjo bankë kreditoi pak kapitalin shqiptar, në krahasim me nevojat e ekonomisë.

BKSH për periudhën 1925-1939 ndoqi politikën deflacioniste tipare të së cilës ishin:

-Mbajtja e monedhës në qarkullim nën nivelin e nevojave,

-Tërheqja e arit dhe argjendit shqiptar,

-Rritja artificiale e vlerës së frangut,

-Rishpërndarja e të ardhurave kombëtare.

Politika monetare BKSH dëmtoi prodhuesit e vegjël të qytetit dhe të fshatit. Në këtë periudhë shoqëritë italiane blenë monedha ari dhe argjendi me çmime të ulëta spekulative, pikërisht nga mbajtja me vlera dhe çmime më të ulëta prej Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Profesor Banja vazhdon me një analizë të thellimit të vartësisë së ekonomisë shqiptare prej kapitalit Italian, duke kaluar në pasojat negative të Krizës Ekonomike Botërore të viteve 1929-1933 në ekonominë shqiptare.

Autori i bën një analizë të hollësishme të periudhës së Luftës së Dytë Botërore 1939-1944. Pas kësaj analize ai kalon në analizën e ekonomisë shqiptare nga viti 1945 deri në vitin 1997. Më së shumti është përqendruar në vitet e periudhës së ekonomisë së centralizuar. Kësaj periudhe i takon një analizë tjetër më e thelluar, sepse kemi të bëjmë me një sistem që pati një periudhë në shkëlqim, por që në fund falimentoi. Ky faliment u bë burim i të gjitha pasojave negative që ekonomia shqiptare po vuan akoma edhe sot.

Në përfundim theksoj se: Monografia e Profesor Hasan Banjës “EKONOMIA E SHQIPËRISË NË RRJEDHAT E HISTORISË, TË SHEKULLIT XX” është një vlerë e shtuar në grupin e përmbledhjeve historike, ekonomike e politike, në ndihmë të studiuesve, politikanëve, të institucioneve arsimore, të Bankës Qendrore, dhe të institucioneve të vetë shtetit shqiptar.